Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vërini veshin paralajmërimit!

Vërini veshin paralajmërimit!

Vërini veshin paralajmërimit!

BUUM! Me një gjëmim kumbues, më 3 qershor 1991 mali Fugen në Japoni volli një rrëke gazesh vullkanike përzier me hi. Përzierja e mbinxehur vërshoi nëpër shpatin e malit. Shpërthimi vrau 43 veta. Shumë nga ata që mezi shpëtuan, ishin djegur keq. «Ujë, ujë, ju lutem»,​—bërtitnin disa. Zjarrfikësit dhe policët u turrën me vrap për t’i ndihmuar.

RRETH dy javë më parë, në majë të malit Fugen ishte vënë re një kubé lave, kështu që autoritetet dhe banorët ishin në gatishmëri. Më shumë se një javë para katastrofës, ishte dhënë një lajmërim për të zbrazur zonën. Pikërisht një ditë para shpërthimit, policia u kishte kërkuar punonjësve të shtypit që të mos hynin në zonën e ndaluar. Megjithatë, atë pasdite fatale, 43 viktimat ishin brenda zonës së rrezikut.

Përse kaq shumë veta rrezikuan duke hyrë në atë zonë apo duke qëndruar atje? Disa fermerë që ishin shpërngulur nga shtëpitë, ishin kthyer për të kontrolluar plaçkat dhe arat e tyre. Tre vullkanologë po përpiqeshin t’i afroheshin vullkanit sa më shumë që të ishte e mundur, për të shuar interesin e tyre studimor. Disa reporterë dhe fotografë kishin guxuar të kapërcenin vijën e ndaluar, sepse donin të siguronin ndonjë lajm të bujshëm lidhur me aktivitetin vullkanik. Tre shoferët e taksive që kishin marrë me qira gazetarët, gjendeshin në atë zonë. Policët dhe zjarrfikësit vullnetarë ishin në detyrë. Secili nga ata kishte një arsye për të hyrë në zonën e rrezikut, por pasoja ishte se humbën jetën.

A jeni në një zonë rreziku?

Ndoshta ne nuk jetojmë të gjithë pranë ndonjë vullkani aktiv. Megjithatë, po sikur të gjendeshim përpara një katastrofe globale, për shkak të së cilës të ndodheshim që të gjithë në një zonë rreziku që përfshinte tërë globin? Një libër, i cili ka dalë se është burim i besueshëm informacioni profetik, na paralajmëron për një shkatërrim mbarëbotëror që po vjen dhe e përshkruan atë në këtë mënyrë: «Dielli do të errësohet dhe hëna nuk do të japë dritën e saj dhe yjet do të bien nga qielli dhe fuqitë e qiejve do të tronditen. . . . Të gjitha fiset e tokës do të godasin veten me ankim.» (Mateu 24:29, 30, BR) Këtu përshkruhet se fenomenet qiellore me përmasa universale prekin «të gjitha fiset e tokës». Me fjalë të tjera, kjo profeci lidhet me një katastrofë që do të ndikojë te secili prej nesh.

Ky libër me profeci të besueshme është Bibla. Është interesante se konteksti i fragmentit biblik të përmendur më sipër jep një përshkrim të hollësishëm të gjërave që do të çojnë në katastrofën globale. Ashtu si kubéja e lavës dhe treguesit e tjerë vullkanikë u dhanë arsye zyrtarëve të qytetit Shimabara për të përcaktuar një zonë rreziku, Bibla na jep arsye që të jemi në gatishmëri dhe të përgatitemi për të mbijetuar. Mund të nxjerrim një mësim nga tragjedia që ndodhi në malin Fugen dhe të dallojmë seriozitetin e asaj që na pret.

[Burimi i figurës në faqen 2]

KAPAKU: Yomiuri/Orion Press/Sipa Press

[Burimi i figurës në faqen 3]

Yomiuri/Orion Press/Sipa Press