Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë kanë zbuluar në Jezreel?

Çfarë kanë zbuluar në Jezreel?

Çfarë kanë zbuluar në Jezreel?

PËR shekuj të tërë, vendndodhja e qytetit të lashtë Jezreel ka qenë e shkretë. Njëherë e një kohë, ai ishte një qytet i shquar në historinë e Biblës. Tani, i zhveshur nga lavdia e mëparshme dhe i mbuluar me shtresa dheu, ky qytet është kthyer në një grumbull dheu ose kodrinë. Vitet e fundit, arkeologët kanë filluar të marrin në shqyrtim rrënojat e Jezreelit. Çfarë zbulojnë këto rrënoja për sa u përket tregimeve biblike?

Jezreeli në Bibël

I vendosur në pjesën lindore të luginës së Jezreelit, qyteti Jezreel gjendej në një nga zonat më pjellore të tokës së lashtë të Izraelit. Tamam në anën tjetër të luginës, në veri, gjendet kodra e Moreut, ku ngritën kampin e tyre midianitët, ndërsa po përgatiteshin për të sulmuar gjykatësin Gideon dhe trupat e tij. Pak më në lindje gjendet pusi i Harodit, në këmbët e malit Gilboa. Pikërisht këtu Jehovai e zvogëloi ushtrinë prej mijëra luftëtarësh të Gideonit, duke lënë vetëm 300 burra, me qëllim që të tregonte fuqinë e tij për ta çliruar popullin e vet pa ndonjë forcë të fuqishme ushtarake. (Gjyqtarët 7:1-25; Zakaria 4:6) Në malin Gilboa aty afër, Sauli, mbreti i parë i Izraelit, u mund nga filistejtë në një betejë të përgjakshme, gjatë së cilës u vranë Xhonatani e dy bij të tjerë të Saulit dhe ku vetë ai kreu vetëvrasje.​—1. Samuelit 31:1-5.

Referimet biblike për qytetin e lashtë Jezreel japin kontraste të habitshme. Ato tregojnë për abuzimin me pushtetin dhe për apostazinë e sunduesve të Izraelit, si edhe për besnikërinë dhe zellin nga ana e shërbëtorëve të Jehovait. Në Jezreel, mbreti Ahab​—sundimtar i mbretërisë veriore dhjetëfisëshe të Izraelit në gjysmën e dytë të shekullit të dhjetë p.e.s.​—vendosi rezidencën e tij mbretërore, ndonëse zyrtarisht kryeqyteti ishte Samaria. (1. Mbretërve 21:1) Nga Jezreeli, Elijas, profetit të Jehovait, i erdhën kërcënime me vdekje prej Jezabelës, gruas së huaj të Ahabit. Ajo ishte inatosur, sepse Elija i kishte shfarosur pa frikë profetët e Baalit, pas provës se kush ishte Perëndia i vërtetë, të cilën Elija e kishte bërë në malin Karmel.​—1. Mbretërve 18:36–19:2.

Pastaj, në Jezreel u krye një krim. U vra Nabothi, jezreeliti. Mbreti Ahab kishte lakmuar vreshtin e Nabothit. Kur kishte kërkuar t’ia merrte tokën, Nabothi me të drejtë i ishte përgjigjur: «Të më ruajë Zoti [është e pamendueshme nga ana ime, nga këndvështrimi i Jehovait, BR] të të lë trashëgiminë e etërve të mi!» Kjo përgjigje e bazuar në parime i shkaktoi shumë pakënaqësi Ahabit. Duke parë gjendjen e zymtë të mbretit, mbretëresha Jezabel kurdisi plane për një gjyq të sajuar, duke e akuzuar Nabothin për blasfemi. Nabothin e pafajshëm e gjykuan fajtor dhe e vranë me gurë, kurse mbreti mori në zotërim vreshtin.​—1. Mbretërve 21:1-16.

Për shkak të kësaj vepre të ligë, Elija profetizoi: «Qentë do ta hanë Jezebelin poshtë mureve të Jezreelit.» Më tej, profeti deklaroi: «Ata të Ashabit [Ahabit, BR] që do të vdesin në qytet do t’i hanë qentë . . . Në të vërtetë nuk pati kurrë ndonjë njeri që u shit për të bërë atë që është e keqe në sytë e Zotit si Ashabi, sepse ishte i shtyrë nga gruaja e tij, Jezebeli.» Megjithatë, meqenëse Ahabi e përuli veten kur Elija shpalli gjykimin e Jehovait, vetë Jehovai deklaroi se ky ndëshkim nuk do të vinte gjatë jetës së Ahabit. (1. Mbretërve 21:23-29) Tregimi biblik vazhdon të thotë se në ditët e Eliseut, pasuesit të Elijas, si mbret i Izraelit u miros Jehu. Ndërsa kalëronte për në Jezreel, Jehu urdhëroi që ta hidhnin nga dritarja e pallatit Jezabelën, të cilën më pas e shkelën kuajt. Më vonë, u zbulua se qentë që ushqeheshin me kërma kishin lënë vetëm kafkën e saj, këmbët dhe pëllëmbët e duarve. (2. Mbretërve 9:30-37) Ngjarja e fundit biblike që lidhet drejtpërdrejt me Jezreelin ndodh pas ekzekutimit të 70 bijve të Ahabit. Kokat e tyre Jehu i vuri në dy pirgje të mëdha te porta e qytetit Jezreel dhe pas kësaj vrau burra të tjerë udhëheqës dhe priftërinj që ishin përfshirë në mbretërimin apostat të Ahabit.​—2. Mbretërve 10:6-11.

Çfarë kanë gjetur arkeologët?

Në vitin 1990, në vendndodhjen e Jezreelit filloi një projekt i përbashkët gërmimi. Pjesëmarrës në këtë projekt ishin Instituti i Arkeologjisë i Universitetit të Tel Avivit (i përfaqësuar nga David Usishkin) dhe Shkolla Britanike e Arkeologjisë në Jerusalem (e përfaqësuar nga Xhon Ud’hed). Për shtatë sezone (ku çdo sezon zgjati gjashtë javë), nga viti 1990 deri në vitin 1996, në atë vendndodhje punuan nga 80 deri në 100 vullnetarë.

Mënyra moderne e punës në arkeologji është që dëshmitë në një vendndodhje të shqyrtohen si një rast më vete, pa iu referuar ideve dhe teorive të formuara që më përpara. Prandaj, për arkeologun që studion vendet biblike, tregimi biblik nuk ka fjalën e fundit lidhur me çështjen. Të gjitha burimet e tjera dhe dëshmitë fizike duhen shqyrtuar dhe peshuar me kujdes. Megjithatë, siç tregon Xhon Ud’hed, përveç disa kapitujve të Biblës, për Jezreelin nuk ka asnjë dëshmi tjetër të lashtë të shkruar. Prandaj, tregimet dhe kronologjia biblike duhet të jenë pjesë e çdo hetimi. Çfarë kanë zbuluar përpjekjet e arkeologëve?

Me zbulimin e fortifikatave dhe të enëve prej balte, u bë e qartë që nga fillimi se rrënojat datonin nga e ashtuquajtura Epoka e Hekurit, duke i vendosur ato saktësisht brenda periudhës kohore të Jezreelit biblik. Por, ndërsa gërmimet vazhdonin, pati disa surpriza. E para ishte përmasa e vendndodhjes dhe fortifikatat e saj masive. Arkeologët pritnin të gjenin një vendndodhje me fortifikata si ato të Samarisë së lashtë, kryeqytetit të mbretërisë së Izraelit. Megjithatë, ndërsa gërmimet vazhdonin, u bë e qartë se Jezreeli ishte shumë më i madh. Me përmasa rreth 300 metra me 150 metra, sipas gjatësisë së mureve të saj, e gjithë zona brenda fortifikatave ishte më se tre herë më e madhe se ajo e të gjitha qyteteve të zbuluara në Izrael, që i përkitnin të njëjtës periudhë. Qytetin e rrethonte një hendek i tharë, që krijonte një hapësirë 11-metërshe nga fortifikatat. Sipas profesorit Usishkin, ky hendek ishte një aspekt i paparë ndonjëherë në kohët biblike. «Në Izrael nuk gjejmë një gjë të ngjashme deri në periudhën e Kryqëzatave»,​—tha ai.

Një aspekt tjetër i papritur ishte mungesa e strukturave të mëdha në qendrën e qytetit. Një sasi e madhe dheu me ngjyrë të kuqërremtë në kafe (që ishte sjellë gjatë ndërtimit të qytetit), ishte përdorur për të krijuar një sipërfaqe me nivel më të lartë​—një lloj podiumi ose platforme të madhe të ngritur​—brenda mureve. Në një raport, Second Preliminary Report, rreth gërmimeve të bëra në Tel Jezreel komentohej se ky podium i lartë mund të ishte tregues se Jezreeli ishte më tepër se një rezidencë mbretërore. Aty thuhej: «Do të na pëlqente të parashtronim mundësinë se Jezreeli ishte baza qendrore ushtarake për ushtrinë mbretërore të Izraelit, në kohën e mbretërve omridë [Omri dhe pasardhësit e tij], . . . ku mbaheshin dhe ku stërviteshin kavaleria dhe forca e karrocave mbretërore.» Duke u nisur nga përmasat e këtij podiumi të ngritur, si edhe nga përmasat e vetë hapësirës brenda mureve, Ud’hedi sugjeron se ky mund të ketë qenë një shesh paradash për të treguar fuqinë ushtarake të forcës më të madhe me karroca në Lindjen e Mesme të asaj kohe.

Mbetjet e zbuluara të portës së qytetit janë një aspekt me interes të veçantë për arkeologët. Ato tregojnë hyrjen e një porte që ka të paktën katër dhoma. Megjithatë, meqë shumë gurë në vendndodhje janë grabitur gjatë shekujve, gjetjet nuk janë përfundimtare. Ud’hedi është i idesë se mbetjet tregojnë për një portë me gjashtë dhoma, me dimensione të ngjashme me ato të gjetura në Megido, në Hazor dhe në Gezer. *

Gjetjet arkeologjike tregojnë se, çuditërisht, qyteti pati një ekzistencë të shkurtër, edhe pse ishte vendosur në një vend kaq ideal, si nga ana ushtarake, ashtu edhe nga ana gjeografike. Ud’hedi thekson se, si një qytet i madh i fortifikuar, Jezreeli ishte një vendndodhje që ekzistoi vetëm për një periudhë, domethënë që u përdor vetëm për disa dekada. Kjo është në kontrast të thellë me shumë vende të tjera kyçe biblike në Izrael, siç janë: Megidoja, Hazori dhe kryeqyteti Samaria, të cilat u rindërtuan vazhdimisht, u zgjeruan dhe u banuan në periudha të ndryshme. Përse ky vend ideal doli kaq shpejt jashtë përdorimit? Ud’hedi supozon se Ahabi dhe dinastia e tij gati-gati kishin shkaktuar një kolaps ekonomik, për shkak se kishin harxhuar rezervat e kombit. Kjo qe e dukshme nga përmasat dhe nga forca e tepruar e Jezreelit. Regjimi i ri, nën mbretin Jehu, ndoshta donte të largonte kujtimin e Ahabit, prandaj dhe e braktisi qytetin.

Që të gjitha dëshmitë e zbuluara deri tani vërtetojnë se vendndodhja e Jezreelit ishte një qendër kryesore izraelite në periudhën e Epokës së Hekurit. Përmasat dhe fortifikatat e tij janë në harmoni me përshkrimin që i bën Bibla këtij qyteti, si një rezidencë e shquar mbretërore për Ahabin dhe Jezabelën. Shenjat e banimit të kufizuar të tij, gjatë kësaj periudhe, janë në harmoni me tregimet biblike për qytetin: ai u shqua menjëherë gjatë mbretërimit të Ahabit dhe pastaj, me urdhër të Jehovait, u shkretua, me sa duket, kur Jehu «bëri që të vdesin tërë ata që kishin mbetur nga shtëpia e Ashabit në Jezreel, tërë të mëdhenjtë, miqtë dhe priftërinjtë e tij, pa lënë asnjë prej tyre».​—2. Mbretërve 10:11.

Kronologjia e Jezreelit

«Në arkeologji është shumë e vështirë të gjesh një bazë të saktë për përcaktimin e kohës»,​—pranon Xhon Ud’hed. Prandaj, ndërsa arkeologët vëzhgojnë rezultatet e shtatë vjetëve të gërmimeve, ata i krahasojnë këto me gjetje në vende të tjera arkeologjike. Kjo ka shkaktuar rivlerësime dhe debate. Përse? Sepse, që me gërmimet e arkeologut izraelit Jigael Jadin në Megido gjatë viteve 60 e deri në fillim të viteve 70, shumë veta në botën arkeologjike e konsideruan të vërtetuar se ai kishte zbuluar fortifikata dhe porta të qytetit që datonin në periudhën e mbretit Solomon. Tani, fortifikatat, enët e baltës dhe portat e gjetura në Jezreel po i bëjnë disa veta që t’i vënë në diskutim këto përfundime.

Për shembull, enët prej balte të gjetura në Jezreel janë identike me ato të shtresës në Megido, për të cilën Jadini tha se ishin të mbretërimit të Solomonit. Struktura dhe dimensionet e portave të të dyja vendeve janë të ngjashme, për të mos thënë identike. Ud’hed thotë: «Tërë këto dëshmi ose e çojnë vendndodhjen e Jezreelit në periudhën e Solomonit, ose e ulin datimin e këtyre të dhënave nga vendndodhjet e tjera [Megido dhe Hazor] në periudhën e Ahabit.» Meqë Bibla e lidh qartësisht Jezreelin me periudhën e Ahabit, ai e konsideron më të arsyeshme të pranojë se këto shtresa janë që nga koha e mbretërimit të Ahabit. David Usishkin është dakord: «Bibla thotë se Solomoni ndërtoi Megidon, por nuk thotë se ai ndërtoi pikërisht ato porta.»

A mund ta njohim historinë e Jezreelit?

A hedhin dyshime mbi tregimet biblike për Jezreelin ose për Solomonin, këto gjetje arkeologjike dhe debati që i pasoi ato? Faktikisht, mosmarrëveshjet arkeologjike kanë pak lidhje të drejtpërdrejtë me tregimin biblik. Arkeologjia e shqyrton historinë mbi baza të ndryshme nga ajo e tregimit biblik. Ajo ngre pyetje të ndryshme dhe e vë theksin në gjëra të ndryshme. Studentin e Biblës dhe arkeologun mund t’i krahasojmë si udhëtarë në rrugë pothuajse paralele. Njëri udhëtar po ecën në rrugë, kurse tjetri në trotuar. Përqendrimi dhe interesi i tyre është i ndryshëm. Megjithatë, shpesh pikëpamjet e tyre plotësojnë njëra-tjetrën, në vend që ta kundërshtojnë. Po t’i krahasojmë përshtypjet e të dy udhëtarëve, mund të kuptojmë gjëra që na mahnitin.

Bibla përmban një dokumentim të shkruar të ngjarjeve dhe të njerëzve në lashtësi; arkeologjia përpiqet të gjejë informacione për këto ngjarje e këta njerëz, duke shqyrtuar çdo gjurmë të mundshme që mund të ketë mbetur ende në tokë. Megjithatë, këto mbetje zakonisht nuk janë aspak të plota dhe lënë vend për shumë interpretime. Lidhur me këtë, në librin e tij, Archaeology of the Land of the Bible​—10,000−586 B.C.E., Amihai Mazar komenton: «Fusha e punimeve arkeologjike . . . është më shumë një art dhe një kombinim i stërvitjes me aftësitë profesionale. Asnjë metodë e ngurtë nuk mund të sigurojë suksesin dhe për drejtuesit e kësaj fushe janë të detyrueshme elasticiteti dhe mendimet krijuese. Karakteri, talenti dhe gjykimi i shëndoshë i arkeologut janë po aq të rëndësishme sa edhe stërvitja e tij dhe burimet që ka në dispozicion.»

Arkeologjia ka vërtetuar ekzistencën e një qendre kryesore mbretërore dhe ushtarake në Jezreel​—një qendër që ka ekzistuar për një kohë çuditërisht të shkurtër gjatë periudhës historike që përkon me sundimin e Ahabit​—pikërisht siç tregon Bibla. Janë ngritur shumë pyetje të tjera interesante, të cilat arkeologët mund t’i studiojnë në vitet që do të vijnë. Megjithatë, faqet e Fjalës së Perëndisë, Biblës, vazhdojnë të flasin qartë, duke na siguruar historinë e plotë në një mënyrë që arkeologët nuk mund ta bëjnë kurrë.

[Shënimi]

^ par. 13 Shiko artikullin «Misteri i portave» në Kullën e Rojës, 15 gusht 1988, anglisht.

[Figurat në faqen 26]

Gërmime arkeologjike në Jezreel

[Figura në faqen 28]

Idhull kananeas i gjetur në Jezreel