Fuqia e lutjes
Fuqia e lutjes
Dielli po ngrihet mbi qytetin Nahor në Lindjen e Mesme. Një sirian me emrin Eliezer mbërrin te një pus jashtë qytetit, me një karvan prej dhjetë devesh. Ndonëse, pa dyshim, është i lodhur dhe i etur për ujë, Eliezeri është më i shqetësuar për nevojat e të tjerëve. Ai ka ardhur nga një vend i huaj që të gjejë nuse për birin e zotërisë së tij. Për më tepër, këtë nuse duhet ta gjejë nga të afërmit e zotërisë së tij. Si do ta kryejë këtë detyrë të vështirë?
ELIEZERI beson te fuqia e lutjes. Me një besim të jashtëzakonshëm, si prej fëmije, ai bën këtë kërkesë me përulësi: «O Zot, Perëndia i zotërisë tim Abraham, të lutem bëj që sot të kem mundësinë të kem një takim të lumtur, trego dashamirësi ndaj Abrahamit, zotit tim! Ja unë po rri pranë këtij burimi ujërash, ndërsa bijat e banorëve të qytetit dalin për të mbushur ujë. Bëj që vajza së cilës do t’i them: ‘Ah, ule shtambën tënde që unë të pi’ dhe që do të më përgjigjet: ‘Pi dhe kam për t’u dhënë për të pirë edhe deveve e tua’, të jetë ajo që ti ia ke caktuar shërbyesit tënd Isak. Nga kjo unë do të kuptoj që ti ke treguar dashamirësi ndaj zotërisë tim.»—Zanafilla 24:12-14.
Siguria e Eliezerit në fuqinë e lutjes nuk është e pavend. E pra, vajza e parë që vjen te pusi qëllon që është mbesa e vëllait të Abrahamit! Ajo quhet Rebeka dhe është beqare, e dëlirë nga ana morale dhe e bukur. Është i veçantë fakti se ajo, jo vetëm që i jep të pijë Eliezerit, por me dashamirësi ofrohet që t’u shuajë etjen të gjitha deveve të tij. Më vonë, pas një konsultimi me familjen, Rebeka pranon me dëshirë që të shkojë me Eliezerin në një vend të largët për t’u bërë gruaja e Isakut, birit të Abrahamit. Ç’përgjigje e qartë dhe e mahnitshme ndaj lutjes së Eliezerit, në një kohë kur Perëndia disa herë ndërhynte në ngjarjet, në mënyrë të mrekullueshme!
Nga lutja e Eliezerit mund të mësojmë shumë gjëra. Ajo bëri të qartë besimin, përulësinë e tij të jashtëzakonshme dhe interesimin e tij altruist për nevojat e të tjerëve. Lutja e Eliezerit tregoi, gjithashtu, nënshtrimin e tij ndaj mënyrës se si vepronte Jehovai me njerëzimin. Pa dyshim, ai ishte në dijeni të lidhjes së veçantë që kishte Perëndia me Abrahamin, si edhe të premtimit të Tij që bekimet e ardhshme do të vinin për të gjithë njerëzimin me anë të Abrahamit. (Zanafilla 12:3) Kështu, Eliezeri e filloi lutjen e tij me fjalët: «O Zot, Perëndia i zotërisë tim Abraham.»
Jezu Krishti ishte ai pasardhës i Abrahamit që do të bëhej mjeti për bekimin e tërë njerëzimit të bindur. (Zanafilla 22:18) Nëse sot dëshirojmë që lutjeve tona t’u jepet përgjigje, duhet të tregojmë që e pranojmë me përulësi mënyrën se si vepron Perëndia me njerëzimin, nëpërmjet Birit të tij. Jezu Krishti tha: «Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet.»—Gjoni 15:7.
Një ithtar i Krishtit që përjetoi vërtetësinë e këtyre fjalëve të Jezuit, ishte apostulli Pavël. Besimi i tij në fuqinë e lutjes patjetër nuk ishte i pavend. Ai i inkurajoi të bashkëkrishterët që t’ia parashtronin ankthet e tyre Perëndisë në lutje dhe dëshmoi: «Për çdo gjë kam forcë në sajë të atij që më jep fuqi.» (Filipianëve 4:6, 7, 13, BR) A do të thotë kjo se të gjitha kërkesat që i bëri Pavli në lutje Perëndisë, iu plotësuan? Le të shohim.
Jo të gjitha kërkesat plotësohen
Në shërbimin e tij altruist, Pavli vuajti nga ajo që e përshkroi si «një gjemb në mish». (2. Korintasve 12:7) Kjo mund të ketë qenë vuajtja mendore dhe emocionale e shkaktuar nga kundërshtarët dhe nga ‘vëllezërit e rremë’. (2. Korintasve 11:26; Galatasve 2:4) Ose mund të ketë qenë shqetësimi fizik për shkak të një dhimbjeje kronike në sy. (Galatasve 4:15) Sido që të ishte, ky «gjemb në mish» kishte efekt dobësues te Pavli. «Iu luta tri herë Zotit që ta largonte [këtë] nga unë»,—shkroi ai. Megjithatë, kërkesa e Pavlit nuk u plotësua. Pavlit iu shpjegua se i mjaftonin dobitë frymore që kishte marrë tashmë nga Perëndia, siç ishte fuqia për të duruar sprovat. Më tej, Perëndia i tha: «Fuqia ime përsoset në dobësi.»—2. Korintasve 12:8, 9.
Çfarë mësojmë nga shembulli i Eliezerit dhe nga ai i Pavlit? Perëndia Jehova në fakt i dëgjon lutjet e atyre që me përulësi përpiqen t’i shërbejnë atij. Por kjo nuk do të thotë se ua plotëson gjithnjë kërkesat, sepse Perëndia ka një këndvështrim të gjerë për gjërat. Ai e di më mirë se ne atë që është më e mira, në interesin tonë. Ç’është më e rëndësishmja, ai vepron gjithnjë në harmoni me qëllimin e deklaruar, i cili është dokumentuar në Bibël.
Një kohë për shërim frymor
Perëndia premton ta shërojë njerëzimin nga të gjitha sëmundjet fizike, mendore dhe emocionale gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Birit të tij mbi tokën. (Zbulesa 20:1-3; 21:3-5) Të krishterët e vërtetë e presin me padurim këtë të ardhme të premtuar, me besim të plotë se Perëndisë ka fuqinë për ta bërë realitet atë. Edhe pse nuk e presin tani një shërim të tillë të mrekullueshëm, ata i luten Perëndisë për ngushëllimin dhe forcën e tij, që të përballojnë sprovat. (Psalmi 55:22) Kur sëmuren, ata mund t’i luten, gjithashtu, Perëndisë për udhëheqje, që të sigurojnë trajtimin më të mirë mjekësor brenda mundësive të tyre ekonomike.
Disa fe i inkurajojnë të sëmurët që të luten për t’u shëruar tani, duke e vënë theksin në shërimet e mrekullueshme që kryen Jezui dhe apostujt e tij. Por mrekulli të tilla u bënë për një qëllim të veçantë. Ato shërbyen për të provuar se Jezu Krishti ishte Mesia i vërtetë dhe për të treguar se miratimi i Perëndisë kishte kaluar nga kombi judaik në kongregacionin e ri të krishterë. Në atë kohë, dhuratat e mrekullueshme nevojiteshin për të forcuar besimin e kongregacionit të krishterë të sapoformuar. Kur kongregacioni foshnjë, si të thuash, u ngrit në këmbë dhe u bë i pjekur, dhuratat e mrekullueshme ‘u shfuqizuan’.—1. Korintasve 13:8, 11.
Në këtë kohë kritike, Perëndia Jehova po i drejton adhuruesit e tij në veprën më të rëndësishme të shërimit frymor. Ndërsa janë ende në kohë, njerëzit kanë nevojë urgjente që t’i përgjigjen kësaj thirrjeje: «Kërkoni Zotin ndërsa mund të gjendet, e thirrni ndërsa është afër. I pabesi le ta lërë rrugën e tij dhe njeriu i padrejtë mendimet e tij, dhe le të kthehet te Zoti që të ketë dhembshuri për të, te Perëndia ynë që fal bujarisht.»—Isaia 55:6, 7.
Shërimi frymor i mëkatarëve të penduar po kryhet me anë të predikimit të lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. (Mateu 24:14) Duke i fuqizuar shërbëtorët e tij për të kryer këtë vepër jetëshpëtuese, Perëndia Jehova po ndihmon miliona njerëz nga të gjitha kombet që të pendohen për mëkatet e tyre dhe të hyjnë në një marrëdhënie të miratuar me të, para se të vijë fundi i këtij sistemi të lig. Të gjithë ata që luten sinqerisht për këtë shërim frymor dhe të gjithë ata që luten për ndihmë që të kryejnë këtë vepër shërimi, po marrin vërtet përgjigje për lutjet e tyre.
[Burimi i figurës në faqen 3]
Eliezeri dhe Rebeka The Dore‵ Bible Illustrations Dover Publications