Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Perëndia u përgjigjet vërtet lutjeve

Perëndia u përgjigjet vërtet lutjeve

Perëndia u përgjigjet vërtet lutjeve

Korneli ishte një njeri që kërkonte miratimin e Perëndisë me anë të lutjeve të shpeshta e të bëra nga zemra. Për më tepër, ai e përdorte mirë pozitën e tij si oficer ushtrie. Sipas Biblës, ai u «bënte shumë dhurata mëshire» njerëzve nevojtarë.​—Veprat 10:1, 2, BR.

NË ATË kohë, kongregacioni i krishterë përbëhej nga judenj, prozelitë dhe samaritanë besimtarë. Korneli ishte një johebre i parrethprerë dhe nuk bënte pjesë në kongregacionin e krishterë. A nënkuptonte kjo se lutjet e tij ishin të kota? Jo. Perëndia Jehova e vuri re Kornelin dhe veprat e tij të devotshme.​—Veprat 10:4.

Nëpërmjet udhëheqjes së një engjëlli, Korneli u vu në kontakt me kongregacionin e krishterë. (Veprat 10:30-33) Si rezultat, ai dhe shtëpia e tij patën privilegjin të bëheshin johebrenjtë e parë të parrethprerë që u pranuan në kongregacionin e krishterë. Përvojën e Kornelit Perëndia Jehova e konsideroi të denjë për ta përfshirë në dokumentimin biblik. Pa dyshim, ai bëri shumë ndryshime që ta vinte jetën në harmoni të plotë me normat e Perëndisë. (Isaia 2:2-4; Gjoni 17:16) Përvoja e Kornelit duhet të jetë shumë inkurajuese për njerëzit e të gjitha kombeve që kërkojnë miratimin e Perëndisë sot. Shqyrtoni disa shembuj.

Shembuj të ditëve moderne

Një grua e re në Indi kishte shumë nevojë për ngushëllim. Ajo ishte martuar në moshën 21-vjeçare dhe kishte dy fëmijë. Por, jo shumë kohë pas lindjes së fëmijës së dytë, i vdiq i shoqi. Papritur, në moshën 24-vjeçare, ishte bërë vejushë me një vajzë 2-muajshe dhe me një djalë 22-muajsh. S’është për t’u habitur që kishte nevojë për ngushëllim! Ku mund të drejtohej? Një natë, duke qenë shumë e dëshpëruar, ajo u lut me fjalët: «O Atë qiellor, të lutem më ngushëllo me anë të Fjalës sate.»

Mëngjesin vijues, pati një vizitor. Ky ishte Dëshmitar i Jehovait. Atë ditë, shërbimi i tij shtëpi më shtëpi kishte qenë i vështirë, sepse pak veta ia kishin hapur derën. I lodhur dhe paksa i shkurajuar ai ishte bërë gati të kthehej në shtëpi, por në njëfarë mënyre u ndie i shtyrë të predikonte edhe një shtëpi tjetër. Pikërisht aty takoi këtë vejushë në moshë të re. Ajo e ftoi brenda dhe pranoi një botim që shpjegonte Biblën. Gruaja gjeti shumë ngushëllim duke e lexuar këtë botim dhe duke biseduar me Dëshmitarin. Ajo mësoi për premtimin e Perëndisë që të ringjallë të vdekurit dhe për Mbretërinë e Perëndisë, e cila së shpejti do ta bëjë tokën parajsë. Ç’është më e rëndësishmja, ajo arriti të njohë dhe të dojë Perëndinë e vetëm të vërtetë, Jehovain, i cili i ishte përgjigjur lutjes së saj.

Nora, e cila jeton në qytetin Xhorxh në Afrikën e Jugut, caktoi një muaj për të marrë pjesë në veprën ungjillëzuese në kohë të plotë. Para se të fillonte, ajo iu lut me zjarr Jehovait që ta ndihmonte të gjente dikë që të ishte i interesuar me të vërtetë për të studiuar Biblën. Në territorin që iu caktua për të punuar gjendej edhe shtëpia e një personi që kishte reaguar tepër ashpër ndaj Norës, në vizitat e mëparshme. Me kurajë, Nora shkoi përsëri tek ajo shtëpi. Për habinë e saj, zbuloi se aty kishte ardhur me qira një banore e re që quhej Nolin. Për më tepër, Nolina dhe mamaja e saj i ishin lutur Perëndisë për ndihmë që të kuptonin Biblën. «Kur u ofrova një studim biblik,​—shpjegon Nora,​—u kënaqën jashtë mase.» Nolina dhe mamaja e saj bënë përparim të shpejtë. Me kalimin e kohës, që të dyja filluan të merrnin pjesë me Norën në veprën e shërimit frymor.

Një shembull tjetër që tregon fuqinë e lutjes është ai i një çifti që jeton në qytetin Johanesburg në Afrikën e Jugut. Një të shtunë në mbrëmje, në vitin 1996, martesa e Denisit dhe Karolës ishte gati të merrte fund. Si mjet të fundit, ata vendosën të luteshin për ndihmë, gjë që e bënë vazhdimisht deri natën vonë. Mëngjesin vijues, në orën 11.00, dy Dëshmitarë të Jehovait trokitën në derën e tyre. Doli Denisi dhe u tha të pritnin derisa të thërriste gruan e tij. Brenda, Denisi e paralajmëroi Karolën se po t’i ftonte Dëshmitarët të hynin, mund ta kishte të vështirë t’i hiqte qafe pastaj. Karola i kujtoi Denisit që ishin lutur për ndihmë dhe i tha se kjo mund të ishte përgjigjja e Perëndisë ndaj lutjeve të tyre. Prandaj, i ftuan brenda Dëshmitarët dhe filluan një studim biblik me librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Denisi dhe Karola u rrëqethën nga ajo që mësuan. Po atë pasdite morën pjesë në mbledhjen e tyre të parë në Sallën e Mbretërisë që kishin Dëshmitarët e Jehovait në atë zonë. Duke zbatuar njohurinë që kishin marrë nga Bibla, Denisi dhe Karola gjetën zgjidhje për problemet e tyre martesore. Tani ata janë lavdërues të lumtur e të pagëzuar të Jehovait dhe i ndajnë rregullisht bindjet e tyre të bazuara në Bibël me fqinjët.

Po nëse ndiheni të padenjë për t’u lutur?

Disa njerëz të sinqertë mund të ndihen të padenjë për t’u lutur, për shkak të mënyrës së tyre të keqe të jetesës. Jezu Krishti tregoi historinë e një njeriu të tillë, të një taksambledhësi të përbuzur. Duke hyrë në oborrin e tempullit, ky njeri u ndie i padenjë të shkonte në vendin e zakonshëm të lutjeve. ‘Duke ndenjur larg . . . [ai] rrihte kraharorin e vet duke thënë: «O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj mua mëkatarit.»’ (Luka 18:13) Sipas fjalëve të Jezuit, ky njeri u dëgjua me miratim. Kjo provon se Perëndia Jehova është vërtet hirmadh dhe dëshiron t’i ndihmojë mëkatarët që janë vërtet të penduar.

Shqyrtoni rastin e një të riu nga Afrika e Jugut, me emrin Pol. Kur ishte djalë i vogël, Poli kishte marrë pjesë në mbledhjet e krishtere së bashku me nënën e tij. Por gjatë viteve të shkollës së mesme, kishte filluar të shoqërohej me të rinj që nuk ndiqnin udhën e Perëndisë. Pasi kishte lënë shkollën, ai kishte shërbyer në ushtrinë e qeverisë së mëparshme të aparteidit në Afrikën e Jugut. Pastaj, papritur, e dashura e tij e kishte lënë. Kjo mënyrë e pakënaqshme jetese e kishte lënë Polin shumë të dëshpëruar. «Një mbrëmje,​—kujton ai,​—iu luta Jehovait dhe i kërkova ndihmë, edhe pse nuk i isha afruar sinqerisht Perëndisë për shumë vjet.»

Jo shumë kohë pas kësaj lutjeje, mamaja e ftoi Polin që të merrte pjesë në Përkujtimin vjetor të vdekjes së Krishtit. (Luka 22:19) Polit iu duk e çuditshme që mamaja i bëri këtë ftesë, pasi ai kishte qenë rebel dhe kishte treguar pak interes për Biblën. «E konsiderova këtë ftesë si përgjigjen e Jehovait ndaj lutjes sime dhe mendova se duhej të reagoja edhe unë ndaj kësaj.» Që nga ajo kohë, Poli filloi të ndiqte të gjitha mbledhjet e krishtere. Pas katër muajsh studimi biblik, u kualifikua për pagëzim. Për më tepër, mbaroi studimet për inxhinieri dhe zgjodhi karrierën e pjesëmarrjes në veprën ungjillëzuese në kohë të plotë. Sot, Poli është njeri i lumtur, jo më i dëshpëruar nga jeta e tij e kaluar. Për 11 vjetët e fundit, ai ka shërbyer në zyrën e degës së Shoqatës Watch Tower në Afrikën e Jugut.

Vërtet, Perëndia Jehova u përgjigjet me dashamirësi lutjeve dhe «është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë [me zell, BR]». (Hebrenjve 11:6) Së shpejti do të mbërrijë dita e madhe e Jehovait dhe do t’i japë fund tërë ligësisë. Ndërkohë, Jehovai po u përgjigjet lutjeve të popullit të tij për forcë e për udhëheqje, ndërsa marrin pjesë me zell në veprën jetësore të dëshmisë. Në këtë mënyrë po ndihmohen miliona individë nga të gjitha kombet për t’u afruar në kongregacionin e krishterë dhe për t’u bekuar me njohurinë biblike që çon në jetën e përhershme.​—Gjoni 17:3.

[Figura në faqen 5]

Lutja me gjithë zemër e Kornelit bëri që ai të kishte një vizitë nga apostulli Pjetër

[Figura në faqen 6]

Lutja ka ndihmuar shumë veta në kohë dëshpërimi

[Figurat në faqen 7]

Është mirë të lutemi për ndihmë që të kuptojmë Biblën

Çiftet e martuara mund të luten për ndihmë që të forcojnë martesën e tyre