Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ta kërkojmë Jehovain me zemër të përgatitur

Ta kërkojmë Jehovain me zemër të përgatitur

Ta kërkojmë Jehovain me zemër të përgatitur

PRIFTI izraelit Ezdra ishte një hulumtues, studiues, kopist dhe mësues i shkëlqyer i Ligjit. Për të krishterët e sotëm ai është edhe një shembull i jashtëzakonshëm për shërbimin me gjithë shpirt. Përse? Sepse e mbajti devocionin hyjnor edhe kur jetonte në Babiloni, një qytet i mbushur me perëndi të rremë dhe me adhurim demonësh.

Devocioni hyjnor i Ezdrës nuk ishte i rastësishëm. Ai punoi për ta zhvilluar atë. Në fakt, ai na thotë se «e kishte përgatitur zemrën e tij për të konsultuar ligjin e Jehovait dhe për ta zbatuar atë».​—Ezdra 7:10, BR.

Ashtu si Ezdra, populli i Jehovait sot dëshiron të bëjë gjithçka që Jehovai i kërkon, ndërsa jeton në një botë që është armike e adhurimit të vërtetë. Prandaj, le të shqyrtojmë disa mënyra se si edhe ne mund ta përgatitim zemrën, personin tonë të brendshëm​—ku përfshihen mendimet, qëndrimet, dëshirat dhe motivet tona​—për të «konsultuar ligjin e Jehovait dhe për ta zbatuar atë».

Të përgatitim zemrën

«Të përgatitësh» do të thotë «të bësh gati që më përpara për ndonjë qëllim: të ujdisësh për një përdorim, për një zbatim ose për një gjendje të veçantë». Patjetër, nëse kemi marrë njohuri të saktë për Fjalën e Perëndisë dhe ia kemi dedikuar jetën Jehovait, atëherë zemra jonë ka provuar me siguri se është e përgatitur dhe mund të krahasohet me «tokën e mirë» për të cilën foli Jezui në shëmbëlltyrën e mbjellësit.​—Mateu 13:18-23.

Megjithatë, zemra jonë ka nevojë për vëmendje dhe rafinim të vazhdueshëm. Përse? Për dy arsye. Së pari, sepse tendencat e dëmshme, si egjrat në një kopsht, mund të zënë rrënjë me lehtësi, veçanërisht në këto «ditë të fundit» kur «ajri» i sistemit të Satanait është më shumë se kurrë i mbushur me farërat e dëmshme të mënyrës mishore të të menduarit. (2. Timoteut 3:1-5; Efesianëve 2:2, BR) Arsyeja e dytë ka të bëjë me vetë tokën. Po të lihet pa u kultivuar, toka mund të thahet shpejt, të ngurtësohet dhe të bëhet e pafrytshme. Ose një numër i madh njerëzish mund të ecin pa kujdes në një kopsht dhe ta ngjeshin dheun, duke e kthyer në një masë të ngurtësuar. Toka figurative e zemrës sonë është e ngjashme. Ajo mund të bëhet jo pjellore, nëse e lëmë pas dore ose nëse e ngjeshin njerëzit që nuk interesohen për mirëqenien tonë frymore.

Pra, sa e rëndësishme është që secili nga ne të zbatojë këshillën e Biblës: «Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet e jetës.»​—Fjalët e urta (Proverbat) 4:23.

Elemente që pasurojnë «tokën» e zemrës sonë

Le të shqyrtojmë disa elemente ose cilësi që do ta pasurojnë «tokën» e zemrës sonë, me qëllim që të favorizojë rritjen e shëndetshme. Sigurisht, ka shumë gjëra që e përmirësojnë zemrën, por këtu do të shqyrtojmë gjashtë prej tyre: vetëdijen për nevojën tonë frymore, përulësinë, ndershmërinë, druajtjen hyjnore, besimin dhe dashurinë.

«Të lumtur janë ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore »,​—tha Jezui. (Mateu 5:3, BR) Ashtu si uria na kujton se kemi nevojë të hamë, vetëdija për nevojën tonë frymore na mban të uritur për ushqim frymor. Nga natyra, njerëzit e dëshirojnë një lloj të tillë ushqimi, sepse ai i jep domethënie dhe qëllim jetës. Presionet nga sistemi satanik i gjërave ose thjesht përtesa, kur vjen fjala për të studiuar, mund ta mpijnë vetëdijen tonë lidhur me këtë nevojë. Por, Jezui tha: «Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë.»​—Mateu 4:4.

Në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, vaktet e rregullta, të ekuilibruara dhe të shëndetshme e përmirësojnë shëndetin dhe e pririn trupin që të ketë oreks për vaktin tjetër kur t’i vijë koha. E njëjta gjë mund të thuhet në kuptim frymor. Ndoshta nuk e konsideroni veten si persona që studioni shumë, por nëse e bëni shprehi leximin e Fjalës së Perëndisë çdo ditë dhe nëse i studioni rregullisht botimet e bazuara në Bibël, do të zbuloni se do t’ju shtohet oreksi. Në fakt, do të pritni me padurim orarin e studimit të Biblës. Prandaj, mos u dorëzoni menjëherë; punoni fort për të pasur një oreks të shëndetshëm frymor!

Përulësia e zbut zemrën

Përulësia është një element jetësor për të pasur një zemër të përgatitur, sepse ajo na bën më të prirur për të mësuar dhe na ndihmon t’i pranojmë më me gatishmëri këshillat dhe korrigjimin e dashur. Shqyrtoni shembullin e shkëlqyer të mbretit Josia. Gjatë mbretërimit të tij u gjet një dokument që përmbante Ligjin që Perëndia kishte dhënë nëpërmjet Moisiut. Kur Josia dëgjoi fjalët e Ligjit dhe e kuptoi sa shumë ishin larguar etërit e tij nga adhurimi i pastër, i grisi rrobat e veta dhe qau para Jehovait. Përse e preku kaq thellë Fjala e Perëndisë zemrën e mbretit? Tregimi thotë se zemra e tij ishte e «zbutur», kështu që ai u përul kur dëgjoi fjalët e Jehovait. Jehovai e vuri re zemrën e përulur e të ndjeshme të Josisë dhe e bekoi në përputhje me të.​—2. Mbretërve 22:11, 18-20, DSF.

Përulësia u dha mundësi dishepujve «të thjeshtë e të pamësuar» të Jezuit që të kuptonin dhe të zbatonin të vërtetat frymore, të cilat nuk i kuptuan dot njerëzit që ishin ‘të mençur e intelektualë’, por vetëm «sipas mishit». (Veprat 4:13, DSF; Luka 10:21, BR; 1. Korintasve 1:26) Këta të fundit nuk ishin të përgatitur për të pranuar fjalën e Jehovait, sepse zemrat e tyre ishin ngurtësuar nga krenaria. A është për t’u çuditur që Jehovai e urren krenarinë?​—Fjalët e urta 8:13; Danieli 5:20.

Ndershmëria dhe druajtja hyjnore

Profeti Jeremia shkroi: «Më dinake se çdo gjë tjetër është zemra, e pashërueshme, kush është ai që mund ta njohë?» (Jeremia 17:9, DSF) Kjo dinakëri shfaqet në mënyra të ndryshme, si për shembull, kur gjejmë justifikime për gabimet që bëjmë. Gjithashtu, ajo duket edhe kur përligjim të meta të rënda të personalitetit. Megjithatë, ndershmëria do të na ndihmojë të fitojmë mbi zemrën dinake, duke na ndihmuar të përballojmë të vërtetën rreth vetes sonë, me qëllim që të përmirësohemi. Psalmisti shfaqi një ndershmëri të tillë kur u lut: «Më heto, o Zot, dhe më vër në provë; pastro me zjarr trurin dhe zemrën time.» Qartë, psalmisti e kishte përgatitur zemrën e tij që të pranonte të pastrohej me zjarr ose të rafinohej dhe të vihej në provë nga Jehovai, edhe pse kjo gjë mund të ketë nënkuptuar që ai të pranonte ekzistencën e veçorive ngjashëm skorieve, të cilat duheshin hequr.​—Psalmi 17:3; 26:2.

Druajtja hyjnore, e cila përfshin «të urresh të keqen», është një ndihmë e fuqishme në këtë proces rafinimi. (Fjalët e urta 8:13) Ndërsa çmon dashamirësinë e dashur dhe mirësinë e Jehovait, një person që i druhet vërtet Atij është gjithnjë i vetëdijshëm se Jehovai ka fuqinë për t’u dhënë ndëshkimin e madje edhe vdekjen atyre që nuk i binden. Jehovai tregoi se ata që i druhen atij, edhe i binden, kur tha për Izraelin: «Ah, sikur të kishin gjithnjë një zemër të tillë, të më kishin frikë dhe të respektonin tërë urdhërimet e mia, që të rronin gjithnjë në begati ata dhe bijtë e tyre!»​—Ligji i përtërirë 5:29.

Qartë, qëllimi i druajtjes hyjnore është, jo që të na mbajë në një gjendje nënshtrimi nga tmerri, por që të na shtyjë t’i bindemi Atit tonë të dashur, për të cilin e dimë se ka për zemër atë që është më e mira për ne. Në fakt, një druajtje e tillë hyjnore është ndërtuese e madje nxit gëzimin, gjë që e tregoi gjerësisht vetë Jezu Krishti.​—Isaia 11:3; Luka 12:5.

Një zemër e përgatitur është e pasur në besim

Një zemër e fortë në besim e di se çfarëdo gjëje që na kërkon ose na drejton Jehovai me anë të Fjalës së tij është gjithnjë e drejtë dhe për të mirën tonë. (Isaia 48:17, 18) Një person me zemër të tillë gjen kënaqësi të madhe dhe gëzim duke zbatuar thirrjen e Fjalëve të urta 3:5, 6, ku thuhet: «Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.» Gjithsesi, një zemër së cilës i mungon besimi nuk do të ishte e prirur të besonte te Jehovai, veçanërisht nëse duke vepruar kështu do t’i duhej të bënte sakrifica, si për shembull, duke thjeshtuar jetën për t’u përqendruar në interesat e Mbretërisë. (Mateu 6:33) Me arsye të vlefshme, Jehovai e konsideron si «të ligë» një zemër pa besim.​—Hebrenjve 3:12.

Besimi ynë te Perëndia pasqyrohet në shumë fusha, duke përfshirë edhe gjërat që bëjmë në vetmi në shtëpinë tonë. Të marrim, për shembull, parimin që gjejmë te Galatasve 6:7: «Mos u gënjeni: Perëndia nuk vihet dot në lojë, sepse ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.» Besimi ynë te ky parim do të pasqyrohet në gjëra të tilla, si: në filmat që shikojmë, në librat që lexojmë, sa e studiojmë Biblën dhe në lutjet tona. Tamam, një besim i fortë që na shtyn të mbjellim «për frymë» është faktor kyç për të pasur një zemër të përgatitur për të pranuar Fjalën e Jehovait dhe për t’iu bindur asaj.​—Galatasve 6:8.

Dashuria​—Cilësia më e madhe

Më tepër se të gjitha cilësitë e tjera, dashuria e bën vërtet të ndjeshme tokën e zemrës sonë ndaj Fjalës së Jehovait. Kështu, kur e krahasoi me besimin dhe shpresën, apostulli Pavël e përshkroi dashurinë si «më e madhja nga të gjitha» këto cilësi. (1. Korintasve 13:13) Një zemër e mbushur me dashuri për Perëndinë gjen kënaqësi dhe gëzim të madh duke iu bindur atij dhe patjetër nuk e acarojnë kërkesat e Perëndisë. Apostulli Gjon tha: «Sepse kjo është dashuria e Perëndisë: që ne të zbatojmë urdhërimet e tij; dhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda.» (1. Gjonit 5:3) Në mënyrë të ngjashme, Jezui tha: «Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë.» (Gjoni 14:23) Vini re se një dashuri e tillë është reciproke. Në fakt, Jehovai i do thellësisht ata që tërhiqen drejt tij nga dashuria.

Jehovai e di se jemi të papërsosur dhe mëkatojmë vazhdimisht ndaj tij. Pavarësisht nga kjo, ai nuk qëndron larg nesh. Ajo që kërkon Jehovai te shërbëtorët e tij është ‘një zemër e plotë’ që na nxit t’i shërbejmë atij me dëshirë, me ‘një shpirt të kënaqur’. (1. Kronikave 28:9, BR) Sigurisht, Jehovai e di se na duhet kohë dhe përpjekje për të kultivuar cilësi të mira në zemrën tonë e për të prodhuar frytet e frymës. (Galatasve 5:22, 23) Prandaj, është i duruar me ne, «sepse mirë e di si jemi të përbërë, s’e harron se ne jemi pluhur». (Psalmi 103:14, DSF) Duke pasqyruar të njëjtin qëndrim, Jezui nuk i kritikoi kurrë ashpër dishepujt e tij për të metat e tyre, por me durim i ndihmoi dhe i inkurajoi. A nuk na shtyn dashuria, mëshira dhe durimi që treguan Jehovai dhe Jezui, që t’i duam edhe më shumë?​—Luka 7:47; 2. Pjetrit 3:9.

Nëse ndonjëherë ju duket një luftë të shkulni zakone të rrënjosura thellë e që janë ngjashëm egjrave ose të thyeni masa veçorish të ngurta ngjashëm argjilës, mos t’ju lëshojë zemra ose të shkurajoheni. Në vend të kësaj, vazhdoni të punoni për t’u përmirësuar ndërkohë që jeni «këmbëngulës në lutje», duke përfshirë përgjërimet e shpeshta ndaj Jehovait për frymën e tij! (Romakëve 12:12) Me ndihmën e tij të gatshme, ashtu si Ezdra, do t’ia dalim mbanë të kemi një zemër plotësisht të përgatitur «për të konsultuar ligjin e Jehovait dhe për ta zbatuar atë».

[Figura në faqen 31]

Ezdra e mbajti devocionin hyjnor edhe në Babiloni

[Burimi i figurës në faqen 29]

Garo Nalbandian