Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndajnë shpresën e krishterë në Senegal

Ndajnë shpresën e krishterë në Senegal

Ne jemi lloji që ka besim

Ndajnë shpresën e krishterë në Senegal

PESHKU ka qenë një ushqim bazë që në kohët e lashta. Për mijëra vjet, njerëzit kanë peshkuar në detet, liqenet dhe lumenjtë e tokës. Disa nga apostujt e Jezu Krishtit ishin peshkatarë në Detin e Galilesë. Megjithatë, atyre Jezui u ofroi një lloj tjetër peshkimi. Ky ishte një peshkim frymor që do t’u sillte dobi jo vetëm peshkatarëve, por edhe peshqve.

Në këtë aspekt, Jezui i tha peshkatarit Pjetër: «Tash e tutje ti do të jesh peshkatar njerëzish të gjallë.» (Luka 5:10) Ky lloj peshkimi po vazhdon sot në më shumë se 230 vende, duke përfshirë edhe Senegalin. (Mateu 24:14) Këtu, ‘peshkatarët e njerëzve’ në ditët moderne po e ndajnë me guxim shpresën e tyre të krishterë me të tjerët.​—Mateu 4:19.

Senegali gjendet në cepin më perëndimor të Afrikës. Ai zë hapësirën nga zonat ranore të shkretëtirës që gjendet në kufi me Saharanë në veri, deri te pyjet e lagësht të rajonit të Kazamansës në jug. Senegali është një vend që e rrahin edhe erërat e thata të shkretëtirës, edhe flladet e ftohta e freskuese të Atlantikut. Këtu jetojnë më shumë se nëntë milionë njerëz. Banorët e Senegalit janë të njohur për mikpritjen e tyre. Pjesa më e madhe e tyre nuk pohojnë se janë të krishterë. Shumë janë barinj delesh, kurse të tjerë janë barinj gjedhësh, devesh e dhish. Ka edhe fermerë që kultivojnë kikirikë, pambuk dhe oriz. Patjetër, ka edhe peshkatarë, që i sjellin rrjetat plot me peshq nga Oqeani Atlantik dhe nga disa lumenj të mëdhenj që gjarpërojnë nëpër vend. Industria e peshkut luan një rol jetësor në ekonominë e Senegalit. Në fakt, gjella e famshme kombëtare është ceebu jën, një gjellë e shijshme me oriz, peshk dhe perime.

«Peshkatarë njerëzish»

Në Senegal ka 863 predikues të zellshëm të Mbretërisë së Perëndisë. Këtu peshkimi frymor nisi në fillim të viteve 50 të shekullit të 20-të. Në vitin 1965, në kryeqytetin Dakar u hap një zyrë dege e Shoqatës Watch Tower. «Peshkatarë» misionarë filluan të vinin nga shumë vende të largëta. Nisën veprimet e «peshkimit» dhe ndarja e shpresës së krishterë në Senegal u shtua në mënyrë të vazhdueshme. Së fundi, në Almadies, në periferi të Dakarit, u ngritën ndërtesa të reja të degës dhe iu dedikuan Jehovait në qershor të vitit 1999. Çfarë kohe e gëzuar!

Sfida për të pranuar të vërtetën

Në këtë vend kontaktohen rregullisht njerëz me shumë prejardhje të ndryshme dhe disa kanë reaguar pozitivisht ndaj mesazhit të shpresës që gjendet në Fjalën e Perëndisë. Ndonëse shumë nuk kanë njohuri për Biblën, ata gëzohen kur mësojnë se premtimet që u bëri Perëndia Jehova profetëve besnikë të kohëve të lashta do të përmbushen së shpejti.

Shpesh, duhet guxim për të marrë një qëndrim të patundur në favor të parimeve të krishtere, veçanërisht kur përfshihen traditat dhe zakonet familjare. Për shembull, në Senegal praktikohet gjerësisht poligamia. Shqyrtoni rastin e një burri që kishte dy gra, kur filloi të studionte Biblën. A do ta kishte guximin për të pranuar të vërtetën e krishterë dhe për t’u vënë në harmoni me kërkesën biblike për të qenë burrë i një gruaje të vetme? (1. Timoteut 3:2) Veç kësaj, a do të mbante gruan e rinisë së tij, gruan me të cilën u martua së pari? Kjo është pikërisht ajo që bëri ai dhe tani shërben si plak i zellshëm në një nga kongregacionet më të mëdha në zonën e Dakarit. Edhe gruaja e tij e parë e ka pranuar të vërtetën, së bashku me 12 fëmijët e tij, 10 nga gruaja e parë dhe 2 nga ish-gruaja e tij e dytë.

Një pengesë tjetër për të pranuar shpresën e krishterë mund të jetë analfabetizmi. A do të thotë kjo se një person analfabet nuk mund ta pranojë dhe ta praktikojë të vërtetën? Aspak! Shqyrtoni shembullin e Maries, një nënë e palodhur me tetë fëmijë. Ajo e kuptoi shpejt se sa e rëndësishme ishte të shqyrtonte çdo ditë një shkrim biblik me të vegjlit e saj, para se të niseshin për në shkollë dhe ajo të shkonte në punë. Por si mund ta bënte këtë, kur nuk dinte të lexonte? Herët çdo mëngjes, ajo merrte broshurën Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë dhe qëndronte në rrugën me rërë përballë shtëpisë së saj. Kur kalonin njerëz andej, ajo i pyeste nëse dinin të lexonin. Kur gjente ndonjë që lexonte, ajo i jepte broshurën dhe i thoshte me zell: «Unë nuk di të lexoj, prandaj a mund të ma lexosh këtë pjesë sot, të lutem?» Ajo e dëgjonte me vëmendje leximin. Pastaj e falënderonte kalimtarin dhe hynte shpejt në shtëpi për të pasur një diskutim të gjallë të shkrimit me fëmijët e saj para se të niseshin për në shkollë.

Reagojnë njerëz të çdo lloji

Në Senegal, njerëzit mund t’i gjeni të ulur në rrugë duke shitur peshk, perime ose fruta në treg ose duke pushuar nën një pemë madhështore baobabi, duke pirë ataya, një çaj të gjelbër paksa të hidhur. Duke qenë të vendosur për të ndarë lajmin e mirë me të gjithë ata që takonin, dy vëllezër i folën një njeriu sakat, i cili po lypte në rrugë. Pasi e përshëndetën, ata i thanë: «Shumë njerëz të japin ndonjë lek, por nuk ndalojnë për të folur me ty. Ne kemi ardhur të të flasim për diçka shumë të rëndësishme që ka të bëjë me të ardhmen tënde.» Lypësi u habit. «Do të donim të të bënim një pyetje,​—vazhduan vëllezërit.​—Si mendon, përse ka kaq shumë vuajtje në botë?» «Ky është vullneti i Perëndisë»,​—u përgjigj lypësi.

Atëherë vëllezërit arsyetuan me të, duke përdorur Shkrimet dhe i shpjeguan Zbulesën 21:4. Lypësin e preku shumë ky mesazh shprese, si edhe fakti që dikush ishte aq i interesuar për të, sa të ndalonte e t’i fliste për Biblën. Atij iu mbushën sytë me lot. Në vend që t’u kërkonte para, ai iu lut vëllezërve që të merrnin të gjitha monedhat që kishte në kanaçen e lypësit. Kaq këmbëngulës ishte, saqë kjo gjë tërhoqi vëmendjen e të gjithë kalimtarëve. Me shumë vështirësi, vëllezërit e bindën atë që t’i mbante paratë për vete. Më në fund ai pranoi, por këmbënguli që ata ta vizitonin përsëri.

Edhe universiteti i madh në Dakar është pjesë e gjuetisë në rrjetën frymore të peshkimit. Atje, një student i mjekësisë me emrin Zhan-Lui filloi të studionte Biblën. Ai e pranoi shumë shpejt të vërtetën, ia dedikoi jetën Jehovait dhe u pagëzua. Dëshira e tij ishte që t’i shërbente Perëndisë në shërbimin si pionier në kohë të plotë, por i pëlqente edhe të studionte për mjekësi. Për shkak të një kontrate që kishte bërë me shtetin e tij, ai ishte i detyruar të mbaronte studimet. Megjithatë, në të njëjtën kohë që studionte, filloi të shërbente si pionier ndihmës. Pak kohë pasi mori diplomën si mjek, ai mori ftesën për të shërbyer në një shtëpi të madhe Bethel në Afrikë, si mjeku i familjes. Edhe një tjetër i ri që u kontaktua në Universitetin e Dakarit, po shërben tani në familjen Bethel të vendit të tij.

Patjetër, peshkimi frymor në Senegal është shpërblyes. Njerëzit aty e çmojnë shumë literaturën biblike të Dëshmitarëve të Jehovait dhe tani kjo literaturë po botohet në gjuhën vendase, volofe. Duke e dëgjuar lajmin e mirë në gjuhën e tyre amtare, shumë njerëz me zemër të sinqertë janë ndier të inkurajuar për të reaguar me mirënjohje. Me bekimin e Jehovait, pa dyshim, do të kapen shumë peshq të tjerë simbolikë, ndërsa «peshkatarët e njerëzve» në Senegal vazhdojnë të ndajnë shpresën e krishterë me zell, besim dhe guxim.

[Harta dhe figura në faqen 31]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

SENEGALI

[Figura]

Ndajnë shpresën e krishterë në Senegal

[Burimi]

Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.