Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përse njerëzimi ka nevojë për një ndihmës?

Përse njerëzimi ka nevojë për një ndihmës?

Përse njerëzimi ka nevojë për një ndihmës?

‘ISHA përndjekës i dhunshëm’,​—pranoi një burrë që më parë kishte qenë krenar e i dhunshëm. Ai kishte qenë një blasfemues i ashpër, i cili kishte ngacmuar dhe kishte sulmuar mizorisht ithtarët e Jezu Krishtit që i druheshin Perëndisë. «Por,​—pranoi ai me mirënjohje,​—m’u dha mëshirë.» Sado e pabesueshme të duket, ky persekutues i tërbuar u bë apostulli i krishterë besnik me emrin Pavël.​—1. Timoteut 1:12-16; Veprat 9:1-19.

Jo gjithkush ka bërë ato lloj gjërash që bëri Pavli. Megjithatë, që të gjithë ne dështojmë t’i plotësojmë normat e Perëndisë. Përse? Sepse «të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë». (Romakëve 3:23) Për më tepër, ne e kemi shumë të lehtë të zhytemi në dëshpërim, ndoshta duke menduar se jemi tepër të këqinj që Perëndia të na japë mëshirë. Duke medituar për prirjet e tij mëkatare, vetë Pavli thirri: «Oh, njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?» Duke iu përgjigjur pyetjes që ngriti vetë, ai shkroi: «I falem nderit Perëndisë me anë të Jezu Krishtit, Zotit tonë.»​—Romakëve 7:24, 25.

Si është e mundur që një Krijues i drejtë të ketë të bëjë me njerëz mëkatarë? (Psalmi 5:4) Vini re se Pavli tha: «I falem nderit Perëndisë me anë të Jezu Krishtit, Zotit tonë.» Një person tjetër, të cilit Perëndia i tregoi mëshirë, shpjegoi: «Në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat [një ndihmës, BR] te Ati, Jezu Krishtin të drejtin. Ai është shlyesi [një flijim pajtues, BR] për mëkatet tona; dhe jo vetëm për tonat, por edhe për ato të të gjithë botës.»​—1. Gjonit 2:1, 2.

Përse Jezu Krishti është quajtur «një ndihmës te Ati»? Veç kësaj, si është Jezui «një flijim pajtues» për mëkatet?

Përse nevojitet një ndihmës?

Jezui erdhi në tokë «për të dhënë shpirtin e tij si shpërblesë në shkëmbim për shumë». (Mateu 20:28, BR) Shpërblesa është çmimi që paguhet për të riblerë ose për të shkaktuar lirimin e dikujt a të diçkaje. Forma foljore e fjalës hebraike të përkthyer «shpërblesë» jep idenë e mbulimit ose të shlyerjes së mëkateve. (Psalmi 78:38) Fjala greke, si ajo që gjendet te Mateu 20:28, përdorej, veçanërisht, për t’iu referuar çmimit që paguhej për të riblerë robërit e luftës ose për të liruar skllevërit. Që të plotësohen kërkesat e drejtësisë, duhet dhënë një gjë në shkëmbim të një tjetre që ka vlerë përkatëse me të parën.

Njerëzimi ra në skllavëri për shkak të rebelimit të njeriut të parë kundër Perëndisë. Siç tregohet në kapitullin 3 të Zanafillës, ai njeri i përsosur, Adami, zgjodhi të ndiqte rrugën e mosbindjes ndaj Perëndisë Jehova. Duke bërë kështu, e shiti veten e tij dhe pasardhësit që akoma s’i kishin lindur, në skllavërinë e mëkatit dhe të vdekjes. Kështu, Adami humbi, për vete dhe për gjithë pasardhësit e tij, dhuratën e jetës së përsosur njerëzore.​—Romakëve 5:12, 18, 19; 7:14.

Në Izraelin e lashtë, Perëndia dha rregulla që të bëheshin flijime kafshësh për të shlyer ose për të mbuluar mëkatet e popullit. (Levitiku 1:4; 4:20, 35) Kështu, jeta e kafshës që flijohej jepej në vend të jetës së mëkatarit. (Levitiku 17:11) Rrjedhimisht, «dita e shlyerjes» mund të quhej ndryshe edhe «dita e shpërblesave».​—Levitiku 23:26-28.

Gjithsesi, meqë kafshët janë më të ulëta se njeriu, është «e pamundur që gjaku i demave dhe i cjepëve të heqë [plotësisht] mëkatet». (Hebrenjve 10:1-4) Që një flijim të ketë vlerë të mjaftueshme për të shlyer ose për të hequr përgjithnjë mëkatet, ai duhej të kishte vlerë të barabartë me atë që humbi Adami. Peshorja e drejtësisë kërkonte që një njeri i përsosur (Jezu Krishti) të baraspeshonte atë që kishte humbur një njeri tjetër i përsosur (Adami). Vetëm një jetë e përsosur njerëzore mund të paguante çmimin e shpërblesës, për të riblerë pasardhësit e Adamit nga skllavëria në të cilën i kishte shitur babai i tyre i parë. Ligji «jetë për jetë» do të plotësonte kërkesat e drejtësisë së vërtetë.​—Eksodi (Dalja) 21:23-25.

Kur Adami mëkatoi dhe u dënua me vdekje, pasardhësit e tij, të cilët ende s’kishin lindur, ishin akoma në ijët e tij, prandaj vdiqën bashkë me të. Njeriu i përsosur Jezu, «Adami i fundit», hoqi dorë vullnetarisht nga krijimi i një familjeje. (1. Korintasve 15:45) Kur vdiq si një flijim i përsosur njerëzor, ai kishte pasardhës të palindur në ijët e tij. Prandaj, mund të thuhet se raca e mundshme e përsosur që ndodhej brenda ijëve të tij, vdiq bashkë me të. Jezui e mori familjen mëkatare e të vdekshme të Adamit, duke e bërë të tijën. Ai hoqi dorë nga e drejta për të pasur një familje të tijën. Duke flijuar jetën e vet të përsosur njerëzore, Jezui ribleu gjithë njerëzimin që ka ardhur nga Adami, që të mund të ishin familja e Tij dhe kështu ai vetë u bë ‘një Atë i përjetshëm’.​—Isaia 9:5, 6.

Flijimi shpërblyes i Jezuit i hapi rrugën njerëzimit të bindur për të marrë mëshirën e Perëndisë dhe për të fituar jetën e përhershme. Rrjedhimisht, apostulli Pavël shkroi: «Paga që paguan mëkati është vdekja, por dhurata që jep Perëndia është jeta e përhershme me anë të Jezu Krishtit, Zotërisë tonë.» (Romakëve 6:23, BR) Ne s’mund të bëjmë gjë tjetër veçse të lëvdojmë Jehovain për dashurinë dhe për dhembshurinë që shoqërojnë shpërblesën, e cila u dha me një kosto shumë të madhe nga ana e vet dhe nga ana e Birit të vet shumë të dashur. (Gjoni 3:16) Dhe sigurisht, Jezui provoi se ishte «një ndihmës te Ati» kur u ringjall në jetën qiellore dhe i paraqiti Perëndisë në qiej vlerën e flijimit të tij shpërblyes. * (Hebrenjve 9:11, 12, 24; 1. Pjetrit 3:18) Por, në ç’mënyrë është tani Jezu Krishti ndihmësi ynë në qiell?

[Shënimi]

^ par. 12 Shiko kapitujt 4 dhe 7 të librit Njohuria që të çon në jetën e përhershme, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

[Figura në faqen 4]

Jeta e përsosur njerëzore e Jezuit u bë çmimi për të riblerë pasardhësit e Adamit