Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Te Romakëve 12:19, a po tregonte apostulli Pavël që të krishterët nuk duhet të zemërohen, kur tha: «Mos u hakmerrni për veten, o të dashur, por lërini vend zemërimit.» (BR)

Në kuptimin e ngushtë të fjalës, jo. Këtu, apostulli Pavël po i referohej zemërimit të Perëndisë. Sigurisht, kjo nuk do të thotë se s’ka rëndësi nëse të krishterët rrëmbehen apo jo nga zemërimi. Bibla na këshillon në mënyrë të qartë që të mos zemërohemi. Shqyrtoni disa shembuj këshillash hyjnore.

«Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen; mos u dëshpëro; kjo do të të çonte edhe ty të bëje të keqen.» (Psalmi 37:8) «Kushdo [vazhdon të, BR] zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit.» (Mateu 5:22, DSF) «Veprat e mishit janë të shfaqura dhe janë kurvëria, papastërtia, sjellja e shthurur, idhujtaria, praktika spiritiste, armiqësitë, grindjet, xhelozia, shpërthime zemërimi.» (Galatasve 5:19, 20, BR) «Le të flaket larg jush çdo hidhërim, zemërim, inat, trazirë dhe shpifje me çdo ligësi.» (Efesianëve 4:31) «Çdo njeri të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim.» (Jakobit 1:19) Përveç kësaj, libri i Fjalëve të urta na këshillon vazhdimisht që të mos i lëmë vend zemërimit ose të mos bëhemi pre e inatit për fyerje të parëndësishme dhe për gabime njerëzore.​—Fjalët e urta (Proverbat) 12:16; 14:17, 29; 15:1; 16:32; 17:14; 19:11, 19; 22:24; 25:28; 29:22.

Konteksti i shkrimit të Romakëve 12:19 është në harmoni me këshilla të tilla. Pavli rekomandoi që dashuria jonë të jetë pa hipokrizi; që të bekojmë ata që na persekutojnë; që të përpiqemi të mendojmë mirë për të tjerët; që të mos e kthejmë të keqen me të keqe dhe që të përpiqemi të jemi paqësorë me të gjithë. Pastaj, nxiti: «Mos u hakmerrni për veten, o të dashur, por lërini vend zemërimit, sepse është shkruar: ‘Hakmarrja është imja, unë do të shpaguaj,​—thotë Jehovai.’»​—Romakëve 12:9, 14, 16-19, BR.

Tamam, ne nuk duhet të lejojmë që zemërimi të na shtyjë të kundërpërgjigjemi me veprime hakmarrëse. Ne nuk i njohim në mënyrë të përsosur situatat dhe nuk kemi një ndjenjë të përsosur për drejtësinë. Nëse lejojmë që zemërimi të na shtyjë të bëjmë veprime hakmarrëse, shpesh do të gabojmë. Kjo do t’u shërbente synimeve të Djallit, Kundërshtarit të Perëndisë. Diku tjetër, Pavli shkroi: «Zemërohuni dhe mos mëkatoni; dielli të mos perëndojë mbi inatin tuaj; dhe mos i jepni vend djallit.»​—Efesianëve 4:26, 27.

Rruga më e mirë dhe më e mençur është të lëmë që të vendosë Perëndia se kur dhe mbi kë duhet sjellë hakmarrja. Këtë ai mund ta bëjë duke i njohur të gjitha faktet dhe çdo shpagim që merr do të pasqyrojë drejtësinë e tij të përsosur. Mund ta kuptojmë që Pavli donte të theksonte këtë pikë te Romakëve 12:19, kur vërejmë se ai i referohet Ligjit të përtërirë 32:35, 41, ku përfshihen edhe këto fjalë: «Mua më përket hakmarrja dhe shpërblimi.» (Krahaso Hebrenjve 10:30.) Prandaj, ndonëse në tekstin grek nuk gjenden fjalët «e Perëndisë», disa përkthyes modernë i kanë shtuar ato te Romakëve 12:19. Kjo bën që shkrimi të lexohet «le të hakmerret Perëndia» (The Contemporary English Version); «lërini vend zemërimit të Perëndisë» (American Standard Version); «Perëndia le të ndëshkojë, nëse dëshiron» (The New Testament in Modern English); «lini vend për shpagimin hyjnor».​—The New English Bible.

Edhe atëherë kur armiqtë e së vërtetës na persekutojnë ose na keqtrajtojnë, mund të shprehim besim në përshkrimin që dëgjoi Moisiu për Perëndinë Jehova: «Zoti [Jehovai, BR], Perëndi i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri, që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin por nuk e lë pa ndëshkuar fajtorin.»​—Eksodi (Dalja) 34:6, 7.