Si mund të na ndihmojë Jezu Krishti?
Si mund të na ndihmojë Jezu Krishti?
AJO që bëri Jezu Krishti për t’i ndihmuar njerëzit kur ishte në tokë, qe e mrekullueshme. Kjo ishte kaq e vërtetë, saqë, pasi numëroi ngjarje të shumta të jetës së Jezuit, një dëshmitar okular tha: «Janë edhe shumë gjëra të tjera që i bëri Jezui, të cilat, po të shkruheshin një nga një, unë mendoj se nuk do të mjaftonte mbarë bota që t’i nxinte librat që do të mund të shkruheshin.» (Gjoni 21:25) Meqë Jezui bëri kaq shumë gjëra në tokë, ne mund të pyesim: ‘Si mund të jetë ai ndihmësi ynë në qiell? A mund të nxjerrim dobi tani nga dhembshuria e butë e Jezuit?’
Përgjigjja na e ngroh shumë zemrën dhe na siguron. Bibla na thotë se Krishti hyri «në vetë qiellin për të dalë tani përpara Perëndisë për ne». (Hebrenjve 9:24) Çfarë bëri ai për ne? Apostulli Pavël shpjegon: «[Krishti] hyri një herë e përgjithmonë në shenjtërore [«në vetë qiellin»], jo me gjakun e cjepëve dhe të viçave, por me gjakun e vet, dhe fitoi një shpëtim të amshuar.»—Hebrenjve 9:12; 1. Gjonit 2:2.
Sa lajm i mirë është ky! Në vend që t’i jepte fund veprës së mrekullueshme në dobi të njerëzve, ngjitja në qiell i dha mundësi atij të bënte edhe më shumë për njerëzimin. Kjo sepse Perëndia, me dashamirësinë e tij të madhe të pamerituar, e emëroi Jezuin që të shërbente si «shërbëtor publik», një kryeprift, «në të djathtën e fronit të Madhërisë në qiej».—Hebrenjve 8:1, 2, BR.
«Një shërbëtor publik»
Pra, në qiell Jezui do të ishte një shërbëtor publik për njerëzimin. Ai do të bënte një punë si ajo që bënte kryeprifti i Izraelit për adhuruesit e Perëndisë në kohët e lashta. Çfarë pune ishte kjo? Pavli shpjegon: «Çdo kryeprift vihet për të ofruar dhurata dhe flijime, prandaj është e nevojshme që edhe ky [Jezu Krishti i ngjitur lart] të ketë diçka që të kushtojë.»—Hebrenjve 8:3.
Jezui kishte për të ofruar diçka shumë më të lartë se ajo që ofronte kryeprifti i lashtë. «Në qoftë se gjaku i demave dhe i cjepëve» mund të sillte një masë pastrimi frymor për Izraelin e lashtë, ‘aq më shumë [do të mundë] gjaku i Krishtit . . . të pastrojë ndërgjegjen tonë nga veprat e vdekura për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë’.—Hebrenjve 9:13, 14.
Jezui është një shërbëtor publik i jashtëzakonshëm, edhe sepse i është dhënë pavdekësia. Në Izraelin e lashtë pati «priftërinj në numër të madh, sepse vdekja nuk i linte të qëndronin përgjithnjë». Por, ç’të themi për Jezuin? Pavli shkruan: «Ai . . . ka priftëri të patjetërsueshme, prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë Hebrenjve 7:23-25; Romakëve 6:9) Pikërisht, ne kemi në të djathtën e Perëndisë në qiell një shërbëtor publik që ‘gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ne’. Vetëm mendo se çfarë do të thotë kjo për ne tani!
për ta.» (Kur Jezui ishte në tokë, njerëzit mblidheshin tek ai për ndihmë dhe disa herë përshkonin largësi të mëdha për ta marrë këtë ndihmë. (Mateu 4:24, 25) Në qiell, Jezui është menjëherë në dispozicion të njerëzve në të gjitha kombet. Nga pozita e tij e favorshme qiellore, ai është gjithnjë në dispozicion si shërbëtor publik.
Çfarë lloj kryeprifti është Jezui?
Përshkrimi që i bëhet Jezu Krishtit në tregimet e Ungjijve nuk na lë asnjë dyshim për gatishmërinë e tij për të ndihmuar dhe për dhembshurinë e tij të butë. Sa vetësakrifikues që ishte! Në më shumë se një rast, atij iu ndërpre qetësia, kur së bashku me dishepujt po përpiqeshin të bënin pak pushim, i cili u nevojitej shumë. Në vend që të ndihej sikur po i hiqnin momente të çmuara paqeje dhe qetësie, «ai u shty nga mëshira» për njerëzit që i kërkonin ndihmë. Edhe kur Jezui ishte i lodhur, i uritur dhe i etur për ujë, «ai i mirëpriti» njerëzit dhe ishte gati të hiqte dorë nga ushqimi për të ndihmuar mëkatarët e sinqertë.—Marku 6:31-34; Luka 9:11-17; Gjoni 4:4-6, 31-34.
I shtyrë nga mëshira, Jezui bëri hapa praktikë për të përmbushur nevojat fizike, emocionale dhe frymore të njerëzve. (Mateu 9:35-38; Marku 6:35-44) Për më tepër, ai u mësoi të gjenin lehtësim dhe ngushëllim të përhershëm. (Gjoni 4:7-30, 39-42) Për shembull, sa tërheqëse është ftesa e tij personale: «Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.»—Mateu 11:28, 29.
Dashuria e Jezuit për njerëzit ishte kaq e madhe, saqë përfundimisht e dha jetën e tij për njerëzimin mëkatar. (Romakëve 5:6-8) Në lidhje me këtë, apostulli Pavël arsyetoi: «Ai [Perëndia Jehova] që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjërat bashkë me të? . . . Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne.»—Romakëve 8:32-34.
Një kryeprift, të cilit mund t’i vijë keq
Si njeri, Jezui provoi urinë, etjen, lodhjen, ankthin, dhimbjen dhe vdekjen. Stresi dhe presionet që duroi, e pajisën në një mënyrë shumë unike për të shërbyer si Kryeprift për njerëzimin e vuajtur. Pavli shkroi: «[Jezui] duhej t’u ngjante në çdo gjë vëllezërve, që të mund të ishte i mëshirshëm e kryeprift besnik në ato që i përkasin Perëndisë, për t’u bërë pajtim për mëkatet e popullit. Sepse duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen.»—Hebrenjve 2:17, 18; 13:8.
Jezui e tregoi se është i kualifikuar dhe i gatshëm që t’i ndihmojë njerëzit të afrohen më shumë me Perëndinë. Por, a do të thotë kjo se atij i duhet të bindë një Perëndi të ashpër e të pamëshirshëm, i cili nuk është i prirur të falë? Aspak, sepse Bibla na siguron që ‘Zoti [Jehovai, BR] është i mirë dhe i gatshëm të falë’. Gjithashtu, ajo thotë: «Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.» (Psalmi 86:5; 1. Gjonit 1:9) Faktikisht, fjalët dhe veprat e përzemërta të Jezuit pasqyrojnë vetë dhembshurinë, mëshirën dhe dashurinë e Atit të tij.—Gjoni 5:19; 8:28; 14:9, 10.
Si u sjell lehtësim Jezui mëkatarëve të penduar? Duke i ndihmuar të gjejnë gëzim dhe kënaqësi në përpjekjet e tyre të sinqerta për t’i pëlqyer Perëndisë. Duke u shkruar të bashkëkrishterëve të mirosur, Pavli e përmblodhi situatën, duke thënë: «Duke pasur, pra, një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jezuin, Birin e Perëndisë, le ta mbajmë fort rrëfimin tonë të besimit. Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t’i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar. Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje [në kohën e duhur, BR].»—«Ndihmë në kohën e duhur»
Por, çfarë mund të bëjmë kur ballafaqohemi me probleme që mendojmë se janë më të mëdha nga sa mund të mbajmë ne: një sëmundje e rëndë, barra shtypëse e fajit, shkurajimi mbytës dhe dëshpërimi? Mund të përdorim po atë masë në të cilën vetë Jezui u mbështet rregullisht: privilegjin e çmuar të lutjes. Për shembull, natën para se të jepte jetën për ne, «ai lutej edhe më fort; dhe djersa e tij po bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë». (Luka 22:44) Tamam, Jezui e di se si ndihet një person kur i lutet Perëndisë me shumë zjarr. Ai «me klithma të larta dhe me lot, i ofroi lutje dhe urata atij që mund ta shpëtonte nga vdekja, dhe u dëgjua [me miratim, BR] për shkak të frikës së tij nga Perëndia».—Hebrenjve 5:7.
Jezui e di se sa shumë do të thotë për njerëzit që dikush ‘t’i dëgjojë me miratim’ dhe t’i forcojë. (Luka 22:43) Për më tepër, ai premtoi: «Çdo gjë që t’i kërkoni Atit në emrin tim, ai do t’jua japë. . . . Kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë.» (Gjoni 16:23, 24) Prandaj, ne mund t’i lutemi Perëndisë me besim se ai do ta lejojë Birin e tij që të zbatojë autoritetin e vet dhe vlerën e flijimit të tij shpërblyes për dobinë tonë.—Mateu 28:18.
Mund të jemi të sigurt se në pozitën e tij qiellore, Jezui do të sigurojë ndihmën e duhur në kohën e duhur. Për shembull, nëse kemi kryer një mëkat, për të cilin na vjen keq sinqerisht, mund të gjejmë ngushëllim nga siguria se «kemi një ndihmës tek ati, Jezu Krishtin, të drejtin». (1. Gjonit 2:1, 2, BR) Ndihmësi dhe Ngushëlluesi ynë në qiell do të ndërmjetësojë për ne, kështu që lutjet tona në emrin e tij dhe në harmoni me Shkrimet, do të marrin përgjigje.—Gjoni 14:13, 14; 1. Gjonit 5:14, 15.
Të tregojmë çmueshmëri për ndihmën e Krishtit
Nuk është vetëm dobia që mund t’i lutemi Perëndisë me anë të Birit të tij. Me vlerën e flijimit të vet shpërblyes, «Krishti na shpengoi», duke u bërë, si të thuash, «zotëria që bleu» racën njerëzore. (Galatasve 3:13; 4:5; 2. Pjetrit 2:1) Mund ta tregojmë çmueshmërinë tonë për gjithçka që bën Krishti për ne, duke pranuar se është pronari ynë dhe duke iu përgjigjur me gëzim ftesës së tij: «Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet [shtyllën e mundimeve, BR] dhe të më ndjekë.» (Luka 9:23) ‘Të mohojmë vetveten’ nuk është thjesht një pohim gojor se kemi ndryshuar pronar. Në fund të fundit, Krishti «ka vdekur për të gjithë, me qëllim që ata të cilët jetojnë, të mos jetojnë që sot e tutje për veten e tyre, po për atë që vdiq për ta». (2. Korintasve 5:14, 15) Prandaj, çmueshmëria për shpërblesën do të ketë një efekt të thellë në pikëpamjet tona, në synimet dhe në stilin tonë të jetës. Borxhi i përjetshëm që kemi ndaj «Krishtit Jezu i cili e dha veten për ne» duhet të na motivojë të mësojmë më shumë për të dhe për Atin e tij të dashur, Perëndinë Jehova. Gjithashtu, duhet të dëshirojmë të rritim besimin tonë, të jetojmë sipas normave dobiprurëse të Perëndisë dhe të jemi «të zellshëm në vepra të mira».—Titit 2:13, 14; Gjoni 17:3.
Kongregacioni i krishterë është mjeti nëpërmjet të cilit marrim ushqim frymor në kohën e duhur, inkurajim dhe udhëheqje. (Mateu 24:45-47; Hebrenjve 10:21-25) Për shembull, nëse ndonjëri është i sëmurë frymësisht, mund të «thërrasë pleqtë [e emëruar] të kishës [kongregacionit, BR]». Jakovi shton këtë siguri: «Dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta mëkëmbë, dhe nëse ka bërë mëkate, ato do t’i falen.»—Jakobit (Jakovit, BR) 5:13-15.
Ta ilustrojmë: një burrë që është duke kryer dënimin e tij në burg në Afrikën e Jugut, i shkroi një plaku kongregacioni, duke shprehur çmueshmërinë për «të gjithë Dëshmitarët e Jehovait që po kryejnë veprën e mirë të filluar nga Jezu Krishti, duke i ndihmuar njerëzit të synojnë drejt Mbretërisë së Perëndisë». Pastaj
shkruante: «U gëzova jashtë mase kur mora letrën tuaj. Interesimi juaj për shpëtimin tim frymor më ka prekur thellë. Kjo është edhe një arsye më tepër që të filloj t’i vë veshin thirrjes së Perëndisë Jehova për pendim. Për 27 vjet kam qenë duke u penguar dhe duke humbur rrugën në errësirën e mëkatit, të mashtrimit, të punëve të paligjshme, të praktikave imorale dhe të feve të dyshimta. Pasi u njoha me Dëshmitarët e Jehovait, mendoj se më në fund e kam gjetur rrugën: rrugën e drejtë. Gjithçka që më duhet të bëj është ta ndjek atë rrugë.»Më shumë ndihmë në të ardhmen e afërt
Kushtet që po keqësohen në botë janë një dëshmi e qartë se po jetojmë në periudhën kritike kohore që duhet t’i paraprijë shpërthimit të ‘mjerimit të madh’. Që tani, një shumicë e madhe nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët po ‘i lajnë rrobat e tyre dhe po i zbardhin në gjakun e Qengjit’. (Zbulesa 7:9, 13, 14; 2. Timoteut 3:1-5) Duke ushtruar besim në flijimin shpërblyes të Jezuit, ata po marrin faljen e mëkateve dhe po ndihmohen që të kenë një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë, duke u bërë faktikisht miqtë e tij.—Jakobit 2:23.
Qengji, Jezu Krishti, «do t’i kullotë [të mbijetuarit nga mjerimi i madh] dhe do t’i çojë te burimet e gjalla të ujërave; dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre». (Zbulesa 7:17) Atëherë Krishti do t’i kryejë plotësisht detyrat e tij si Kryeprift. Ai do t’i ndihmojë të gjithë miqtë e Perëndisë që të nxjerrin plotësisht dobi—frymësisht, fizikisht, mendërisht dhe emocionalisht—nga «burimet e gjalla të ujërave». Ajo që Jezui e filloi në vitin 33 të e.s. dhe që ka vazhduar ta bëjë nga qielli që prej asaj kohe, atëherë do të arrijë deri në përsosmëri.
Prandaj, kurrë të mos heqim dorë të tregojmë çmueshmëri të thellë për gjithë atë që kanë bërë—dhe që po bëjnë—Perëndia dhe Krishti për ne. Apostulli Pavël nxiti: «Gëzohuni gjithnjë në Zotin. . . . Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarsie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezu.»—Filipianëve 4:4, 6, 7.
Ekziston një mënyrë domethënëse për ta treguar çmueshmërinë për Jezu Krishtin, Ndihmësin tonë në qiell. Të mërkurën, më 19 prill 2000, pas perëndimit të diellit, Dëshmitarët e Jehovait rreth e rrotull botës do të mblidhen për të kremtuar Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. (Luka 22:19) Ky do të jetë një rast ku mund të thelloni çmueshmërinë tuaj për flijimin shpërblyes të Krishtit. Me shumë ngrohtësi ju ftojmë të merrni pjesë dhe të dëgjoni se si mund të nxirrni dobi përjetësisht nga masa e mrekullueshme që ka marrë Perëndia për shpëtim, nëpërmjet Krishtit. Ju lutemi, kontaktoni Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj për të mësuar orarin dhe vendin e saktë se ku do të mbahet kjo mbledhje e veçantë.
[Figura në faqen 7]
Jezui e di se si ndihet një person kur i lutet me zjarr Perëndisë
[Figurat në faqen 8]
Krishti do të na ndihmojë të përballojmë probleme më të mëdha se ato që mund të zgjidhim ne
[Figura në faqen 9]
Krishti na ndihmon me anë të pleqve të dashur