Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ka Bibla ndonjë kod të fshehtë?

A ka Bibla ndonjë kod të fshehtë?

A ka Bibla ndonjë kod të fshehtë?

RRETH dy vjet pas vrasjes së kryeministrit të Izraelit, Jitzhak Rabin, në vitin 1995, një gazetar pohoi se me ndihmën e teknologjisë kompjuterike, kishte zbuluar një parashikim për këtë ngjarje, të fshehur në tekstin origjinal hebraik të Biblës. Gazetari, Majkëll Droznin, shkroi se ishte përpjekur ta paralajmëronte kryeministrin më shumë se një vit para vrasjes, por më kot.

Tani janë botuar libra dhe artikuj të tjerë, ku pohohet se ky kod i fshehtë siguron provë absolute që Bibla është e frymëzuar nga Perëndia. A ekziston një kod i tillë? A duhet të jetë një kod i fshehur baza për të besuar se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia?

Një koncept i ri?

Koncepti për një kod të fshehur në tekstin e Biblës nuk është i ri. Ai është një koncept kryesor në Kabala ose në misticizmin tradicional judaik. Sipas mësuesve të Kabalasë, domethënia bazë e tekstit të Biblës nuk është domethënia e vërtetë e tij. Ata besojnë se Perëndia i përdori shkronjat e tekstit biblik hebraik si simbole, të cilat kur kuptohen siç duhet zbulojnë një të vërtetë më të madhe. Sipas pikëpamjes së tyre, çdo shkronjë hebraike dhe vendin ku ndodhet ajo në tekstin biblik i zgjodhi Perëndia me një qëllim specifik në mendje.

Sipas Xhefri Satinoverit, një kërkues i kodit të Biblës, këta misticistë judaikë besojnë se shkronjat hebraike të përdorura për të dokumentuar tregimin e krijimit në Zanafillë, përmbajnë fuqi të jashtëzakonshme mistike. Ai shkruan: «Me pak fjalë, Zanafilla nuk është thjesht një përshkrim; ajo është mjeti i vetë aktit të krijimit, një projekt në mendjen e Perëndisë, të cilin ai e shfaqi në formë fizike.»

Një rabi kabalist i shekullit të 13-të, Bakjá ben Asheri nga Saragoza, Spanjë, shkroi për njëfarë informacioni të fshehur që i ishte zbuluar atij, duke lexuar çdo shkronjë të 42-të në një pjesë të tekstit të Zanafillës. Kjo metodë, duke kapërcyer shkronja sipas një renditjeje të veçantë, në përpjekje për të zbuluar mesazhe të fshehura, është baza e konceptit modern të kodit të Biblës.

Kompjuterët «zbulojnë» kodin

Para epokës së kompjuterit, aftësia e njerëzve për të shqyrtuar tekstin e Biblës në këtë mënyrë ishte e kufizuar. Megjithatë, në gusht të vitit 1994, gazeta Statistical Science botoi një artikull, ku Elijahu Rips, nga Universiteti Hebraik i Jerusalemit, dhe kërkues të tjerë, bashkëpunëtorë të tij, bënin disa pohime të habitshme. Ata shpjegonin se, duke hequr gjithë hapësirat mes shkronjave dhe duke hequr disa shkronja sipas një radhitjeje me intervale të njëjta, kishin zbuluar në tekstin hebraik të Zanafillës emrat e 34 rabinëve të famshëm, të mbyllur me kod në tekst. Kishin zbuluar edhe informacione të tjera, si për shembull, datën e lindjes ose të vdekjes së tyre, afër këtyre emrave. * Pas eksperimentesh të përsëritura, kërkuesit botuan përfundimin që kishin arritur, pra që informacioni i mbyllur me kod në librin e Zanafillës nuk mund të ishte produkt i rastësisë, të paktën nga ana statistike, dhe kjo ishte provë e informacionit të frymëzuar të fshehur qëllimisht në kod në librin e Zanafillës, mijëra vjet më parë.

Duke u bazuar në këtë metodë, gazetari Droznin bëri eksperimentet e tij, duke kërkuar informacione të fshehura në pesë librat e parë të Biblës Hebraike. Sipas Droznin, ai gjeti emrin Jitzhak Rabin të shkruar në tekstin e Biblës, me anë të renditjes me 4772 shkronja. Duke e rregulluar tekstin biblik në rreshta me 4772 shkronja secili, ai pa se emri i Rabinit (i lexuar vertikalisht) kryqëzohej me një varg (Ligji i përtërirë 4:42, që lexohej horizontalisht), të cilën Droznin e përktheu «vrasësi që do të vrasë».

Faktikisht, te Ligji i përtërirë 4:42 flitet për një vrasës që ka vrarë pa dashje. Prandaj, shumë e kanë kritikuar mënyrën arbitrare që ka përdorur Droznin, duke pohuar se metodat e tij joshkencore mund të përdoren për të gjetur mesazhe të ngjashme në çfarëdo teksti. Por, Droznin këmbënguli në të tijën, duke hedhur këtë sfidë: «Kur kritikët e mi të gjejnë një mesazh për vrasjen e një kryeministri, të mbyllur me kod në [romanin] Mobi Dik, atëherë do t’u besoj.»

Provë frymëzimi?

Profesori Brendën Mekei, i Departamentit të Shkencës Kompjuterike në Universitetin Kombëtar Australian, pranoi sfidën që hodhi Droznin dhe bëri kërkime të zgjeruara me kompjuter, në gjithë tekstin në anglisht të Mobi Dik-ut. * Duke përdorur të njëjtën metodë që përshkroi Droznin, Mekei pohon se ka gjetur «parashikime» për vrasjen e Indira Gandit, të Martin Luter King të Riut, të Xhon F. Kenedit, të Abraham Linkolnit dhe të tjerëve. Sipas Mekeit, ai zbuloi se Mobi Dik «profetizonte», gjithashtu, vrasjen e Jitzhak Rabinit.

Duke iu kthyer tekstit hebraik të Zanafillës, profesor Mekei dhe shokët e tij kanë sfiduar edhe rezultatet eksperimentale të Ripsit dhe të shokëve të tij. Akuza ishte se rezultatet nuk kanë të bëjnë kaq shumë me ndonjë mesazh të frymëzuar të mbyllur në kod, sesa me metodën dhe mënyrën e kërkimit të kërkuesve, ku të dhënat përshtaten sipas gjykimit të tyre. Debatet e studiuesve për këtë pikë vazhdojnë.

Një çështje tjetër lind kur bëhen pohime se këto mesazhe të koduara ishin fshehur qëllimisht në tekstin «standard» ose «origjinal» hebraik. Ripsi dhe bashkëpunëtorët e tij thonë se e bënë kërkimin e tyre me «tekstin standard, të pranuar në përgjithësi, të librit të Zanafillës». Droznin shkruan: «Të gjitha Biblat në gjuhën origjinale hebraike që ekzistojnë tani janë njësoj, shkronjë për shkronjë.» Por, a është vërtet kështu? Në vend të një teksti «standard», sot përdoren disa botime të Biblës Hebraike, të bazuara në dorëshkrime të ndryshme të lashta. Megjithëse mesazhi i Biblës nuk ndryshon, dorëshkrimet individuale nuk janë identike, shkronjë për shkronjë.

Sot, shumë përkthime bazohen në Kodikun e Leningradit, dorëshkrimi më i lashtë i plotë masoretik hebraik, i kopjuar rreth vitit 1000 të e.s. Por Rips dhe Droznin përdorën një tekst tjetër, domethënë, Korenin. Shlomo Sternberg, një rabin i rrymës tradicionale të judaizmit dhe matematikan në Universitetin e Harvardit, shpjegon se Kodiku i Leningradit «ndryshon nga botimi i Korenit i përdorur nga Droznin, me 41 shkronja vetëm në librin e Ligjit të përtërirë». Rrotullat e Detit të Vdekur përfshijnë pjesë të tekstit biblik të kopjuar më shumë se 2000 vjet më parë. Shpesh, drejtshkrimi i përdorur në këto rrotulla ndryshon në mënyrë të konsiderueshme nga tekstet e mëvonshme masoretike. Në disa rrotulla, disa shkronja u shtuan lirisht për të treguar se cilët tinguj zanorë duheshin përdorur, meqë nuk ishin shpikur akoma shenjat diakritike për të përcaktuar zanoret. Në rrotulla të tjera, janë përdorur më pak shkronja. Një krahasim i bërë ndërmjet tërë dorëshkrimeve ekzistuese biblike tregon se domethënia e tekstit të Biblës mbetet e paprekur. Megjithatë, ky krahasim tregon, gjithashtu, në mënyrë të qartë se drejtshkrimi dhe numri i shkronjave ndryshojnë nga teksti në tekst.

Kërkimi për një mesazh të fshehur të supozuar varet nga fakti që teksti nuk duhet të ketë ndryshuar as edhe një çikë. Një shkronjë e ndryshuar do të shtrembëronte plotësisht renditjen dhe mesazhin, po të kishte të tillë. Perëndia e ka ruajtur mesazhin e tij nëpërmjet Biblës. Por nuk e ka ruajtur të paprekur çdo shkronjë, sikur të ishte i fiksuar me çështje të tilla të parëndësishme si ndryshimet drejtshkrimore që janë bërë gjatë shekujve. A nuk tregon kjo se ai nuk ka fshehur ndonjë mesazh të fshehtë në Bibël?​—Isaia 40:8; 1. Pjetrit 1:24, 25.

A kemi nevojë për një kod të fshehtë të Biblës?

Apostulli Pavël shkroi shumë qartë se «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë». (2. Timoteut 3:16, 17) Mesazhi i qartë dhe i drejtpërdrejtë i Biblës nuk është tepër i vështirë për t’u kuptuar ose për t’u zbatuar, por shumë njerëz zgjedhin ta shpërfillin atë. (Ligji i përtërirë 30:11-14) Profecitë që janë paraqitur hapur në Bibël na japin një bazë të fortë për të besuar se ajo është e frymëzuar. * Ndryshe nga një kod i fshehtë, profecitë e Biblës nuk janë arbitrare dhe nuk ‘janë objekt i interpretimeve të veçanta’.​—2. Pjetrit 1:19-21.

Apostulli Pjetër shkroi se «nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht, duke shkuar pas përrallave të sajuara me mjeshtëri». (2. Pjetrit 1:16) Koncepti i një kodi të Biblës i ka rrënjët në misticizmin judaik, duke përdorur metoda «të sajuara me mjeshtëri» që errësojnë dhe shtrembërojnë domethënien e qartë të tekstit të frymëzuar biblik. Vetë Shkrimet Hebraike e dënojnë në mënyrë të qartë një metodë të tillë mistike.​—Ligji i përtërirë 13:1-5; 18:9-13.

Sa të lumtur jemi që kemi mesazhin dhe udhëzimin e qartë të Biblës, e cila mund të na ndihmojë të njohim Perëndinë! Kjo është shumë më mirë sesa të përpiqemi të mësojmë për Krijuesin tonë, duke kërkuar mesazhe të fshehura që janë produkte të interpretimeve personale dhe të imagjinatës së ndihmuar nga kompjuteri.​—Mateu 7:24, 25.

[Shënimet]

^ par. 9 Në gjuhën hebraike, vlerat numerike mund të përfaqësohen edhe me shkronja. Prandaj, këto data u përcaktuan nga shkronjat në tekstin hebraik, dhe jo nga numërorë.

^ par. 13 Hebraishtja është një gjuhë pa zanore. Ato i shton lexuesi, sipas kontekstit. Po të shpërfillet konteksti, domethënia e një fjale mund të ndryshohet plotësisht, duke i shtuar zanore të ndryshme. Anglishtja i ka të vendosura zanoret dhe kjo e bën shumë më të vështirë e më të kufizuar këtë kërkim fjalësh.

^ par. 19 Për më shumë informacione rreth frymëzimit të Biblës dhe rreth profecive të saj, shiko broshurën Një libër për të gjithë njerëzit, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.