Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ato që duhet të dini për shtrigërinë

Ato që duhet të dini për shtrigërinë

Ato që duhet të dini për shtrigërinë

SHTRIGËRIA e kohëve moderne është e vështirë për t’u përkufizuar. Kjo ndodh sepse ata që e praktikojnë atë, ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri. Ata nuk pranojnë asnjë autoritet ose doktrinë a libër të shenjtë kryesor, për të bashkuar besimin. Ndryshojnë edhe për sa i përket traditës, organizimit, riteve dhe opinionit se cilët perëndi të nderojnë. Një shkrimtare vëren: «Bota e okultizmit u ofron individëve një ‘treg të lirë’ idesh.» Një shkrimtare tjetër thotë: «Shumica e neopaganëve kanë mosmarrëveshje pothuajse për çdo gjë.»

Për shumë veta, kontradiktat nuk përbëjnë një problem. Një manual për ato që dëshirojnë të bëhen shtriga thotë: «Kur ballafaqoheni me informacione që në dukje janë kontradiktore, shqyrtojini ato dhe merrni një vendim se cilin prej tyre të ndiqni. Besojini intuitës suaj. Me fjalë të tjera, ndihuni të lirë të zgjidhni mes riteve të botuara dhe teksteve udhëzuese për ritet, për të vendosur se çfarë ju duket e drejtë.»

Për ata që njohin natyrën e së vërtetës, këto kontradikta përbëjnë një problem. E vërteta është fakt, një gjë reale. Gjërat nuk janë të vërteta thjesht sepse një njeriu i duken ashtu ose meqë shpreson a beson se janë të vërteta. Për shembull, për një periudhë mjekët besonin se mund ta kuronin pneumoninë, duke e therur një pulë të gjallë në dy pjesë dhe duke i vendosur pjesët mbi kraharorin e pacientit. Pa dyshim, shumë pacientë besuan sinqerisht se ky mjekim do t’i shëronte. Por, bindjet dhe shpresat e tyre nuk ishin në harmoni me faktin: një procedurë e tillë nuk e kuron pneumoninë. Njerëzit nuk mund ta krijojnë të vërtetën, ata vetëm mund të përpiqen ta kuptojnë atë.

Bibla pohon se përmban të vërtetën për gjërat frymore. Kur ishte në tokë, Jezu Krishti i tha Atit të tij në lutje: «Fjala jote është e vërteta.» (Gjoni 17:17) Apostulli Pavël shkroi: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia.» (2. Timoteut 3:16) Shumë nga ata që praktikojnë shtrigërinë nuk janë dakord me këtë. Në vend të kësaj, ata kërkojnë frymëzim dhe udhëheqje në mitet, në fetë e lashta e madje edhe në gjërat fantastiko-shkencore. Por, a nuk është e arsyeshme që të paktën ta marrim në shqyrtim atë që thotë Bibla? Në fund të fundit, ajo njihet pothuajse nga të gjithë si një libër i shenjtë. Gjithashtu, është një nga librat më të vjetër fetarë që ka mbijetuar. Bibla u shkrua brenda një periudhe prej 1600 vjetësh, e megjithatë është konsekuente në gjithë mësimet e saj. Le t’i krahasojmë mësimet e Biblës me disa besime të përgjithshme që shprehin aktualisht ata që përkrahin shtrigërinë.

Cilët banojnë në sferën frymore?

Një pyetje themelore, ndërsa kërkojmë të kuptojmë gjërat frymore është kjo: Kush banon në sferën frymore? Ndërkohë që pjesa më e madhe e shtrigave moderne janë ithtare të një besimi të orientuar nga natyra dhe politeist, disa adhurojnë një perëndeshë-nënë të madhe, e cila konsiderohet se ka rol të trefishtë: vajzë, nënë dhe plakë, duke përfaqësuar fazat themelore të jetës. I dashuri i saj është një perëndi me brirë. Shtriga të tjera adhurojnë një hyjni që është edhe perëndi, edhe perëndeshë. Një shkrimtar thotë: «Perëndesha dhe Perëndia shihen si një shfaqje e forcave femërore dhe mashkullore të natyrës. Secila [duke pasur] karakteristika unike që, kur kombinohen së bashku, sjellin si rezultat krijimin e harmonishëm të jetës.» Një autoritet tjetër shkruan: «Një nga zgjedhjet më të rëndësishme në Shtrigëri është zgjedhja që i bëni ju hyjnive (perëndi/perëndesha) me të cilët do të punoni. . . . Ky Art ju jep lirinë për të zgjedhur dhe rrjedhimisht për të nderuar format tuaja të Hyjnisë.»

Bibla nuk mbështet asnjë nga këto ide. Gjithë shërbimin e tij Jezu Krishti ia kushtoi veprës për t’u mësuar të tjerëve për Jehovain, «të vetmin Perëndi të vërtetë». (Gjoni 17:3) Bibla pohon: «Zoti [Jehovai, BR] është i madh dhe i denjë të lëvdohet në kulm; ai është më frikësuesi nga tërë perënditë. Sepse tërë perënditë e kombeve janë idhuj [pa vlerë, BR].»​—1. Kronikave 16:25, 26.

Ç’të themi për Djallin? Një fjalor, Webster’s Ninth New Collegiate Dictionary, e përkufizon shtrigërinë si «komunikim me djallin». Sot, vështirë se do të gjendej një shtrigë që të ishte dakord me këtë përkufizim, pasi shumë prej tyre nuk pranojnë as ekzistencën e Satana Djallit. Një grua me moshë të re, e përshkruar në The Irish Times si «shtrigë e rangut të lartë dhe udhëheqëse e një prej kuvendeve më me influencë të Irlandës», arsyeton kështu: «Të besosh te Djalli nënkupton të pranosh krishterimin . . . [Djalli] nuk mund të banojë në një univers ku nuk ekziston asnjë Perëndi.»

Bibla vërteton ekzistencën e Djallit dhe e akuzon atë për shumë nga vuajtjet dhe trazirat në tokë. (Zbulesa 12:12) Jezui jo vetëm që mësoi se Djalli ekziston, por tregoi edhe se ka mundësi që, pa e ditur, të bëjmë atë që dëshiron Djalli. Për shembull, udhëheqësit fetarë të vetëquajtur të drejtë në shekullin e parë pohonin se ishin, në njëfarë mënyre, bij të Perëndisë dhe besonin se po bënin vullnetin e Perëndisë. Jezui, i cili mund ta dallonte se çfarë kishin në zemër, e dinte se nuk ishte ashtu. Ai u tha hapur: «Ju jeni nga djalli, që është ati juaj dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj.» (Gjoni 8:44) Më tej, në librin biblik të Zbulesës thuhet se Djalli po «mashtron gjithë dheun».​—Zbulesa 12:9.

A ka magji të mirë?

Është e qartë se magjinë e kanë lidhur gjithnjë me okultizmin. * Shumë njerëz, si në kohët e lashta, ashtu edhe në ato moderne, besojnë se shtrigat e praktikojnë magjinë për t’u bërë dëme të tjerëve. Shtrigave u atribuojnë fuqi për të shkaktuar dhimbje të mëdha, e madje edhe vdekjen, me anë të magjisë. Zakonisht, shtrigave ua kanë hedhur fajin për një numër të pafund fatkeqësish, ku përfshihen sëmundjet, vdekja dhe prishja e prodhimeve bujqësore.

Sot, shtrigat i mohojnë me forcë këto akuza. Edhe pse pranojnë që rastësisht mund të ekzistojnë shtriga të pandershme, të cilat ndjekin të ligën, shumica pohon se magjia e tyre përdoret për të sjellë dobi, jo dëme. Uikanet u mësojnë të tjerëve se pasojat e magjisë do t’i rikthehen trefish personit që e praktikon atë dhe thonë se kjo është një arsye kryesore që i pengon të thonë mallkime. Shembuj të kësaj magjie të ashtuquajtur të mirë përfshijnë yshtjet për të mbrojtur vetveten; për të pastruar shtëpinë nga forcat e dëmshme që kanë lënë banuesit e saj të mëparshëm; për ta bërë një njeri që të bjerë në dashuri me ty; për të shëruar dhe për të ruajtur shëndetin; për të parandaluar humbjen e punës dhe për të fituar para. Meqë shtrigërisë i atribuohet një fuqi e tillë kaq e madhe, s’është për t’u habitur pse është bërë shumë e përhapur.

Megjithatë, Bibla nuk bën asnjë dallim mes magjisë që është e mirë dhe asaj që është e keqe. Në Ligjin që i dha Moisiut, Perëndia e bëri shumë të qartë pikëpamjen e tij. Ai tha: «Nuk do të zbatoni asnjë lloj . . . magjie.» (Levitiku 19:26) Gjithashtu, lexojmë: «Të mos gjendet midis teje . . . ndonjë që praktikon shortarinë, bën parashikime, interpreton shenjat dhe merret me magji, as ai që përdor yshtje as mediume që konsultojnë frymat.»​—Ligji i përtërirë 18:10, 11.

Përse e tha këtë Perëndia? Jo sepse ka për qëllim të na mohojë një gjë të dobishme. Jehovai ia dha këto ligje popullit të tij, sepse i donte dhe nuk dëshironte që ata të bëheshin skllevër të frikës dhe të besëtytnisë. Në vend të kësaj, ai i fton shërbëtorët e vet që t’i afrohen për gjërat që u nevojiten. Ai është Dhënësi i ‘çdo gjëje të mirë dhe i çdo dhurate të përsosur’. (Jakovit 1:17) Apostulli Gjon i siguroi bashkëbesimtarët: «Ç’të kërkojmë, e marrim nga ai [Perëndia], sepse zbatojmë urdhërimet e tij dhe bëjmë gjërat që janë të pëlqyera prej tij.»​—1. Gjonit 3:22.

Ç’të themi për frymërat e liga?

Shumë shtriga janë dakord me Biblën në këtë pikë: frymërat e liga ekzistojnë. Në një ese, një përkrahës i shtrigërisë paralajmëron: «Hijet janë përreth nesh: ato ekzistojnë, në botën e padukshme që është paralele me tonën, e mbushur me krijesa të gjalla. . . . Termat ‘demon i vogël’, ‘frymë e ligë’ dhe ‘demon’ janë më se të saktë. Ato [frymërat] janë shumë të forta. . . . Janë lloji më inteligjent . . . janë të afta (nëse dikush i ndihmon duke u hapur një derë), të hyjnë në botën tonë. . . . Ato mund të hyjnë në trupin tuaj . . . , madje, duke fituar një masë kontrolli mbi ju. Po, kjo është, pikërisht, si historitë e vjetra që bëjnë fjalë për pushtimet nga demonët.»

Në kohët biblike, njerëzit e pushtuar nga demonët vuanin në mënyra të ndryshme. Disa prej atyre që prekeshin nga ky problem nuk mund të flitnin, disa verboheshin, disa vepronin si të çmendur dhe disa kishin fuqi mbinjerëzore. (Mateu 9:32; 12:22; 17:15, 18; Marku 5:2-5; Luka 8:29; 9:42; 11:14; Veprat 19:16) Disa herë, agonia shtohej kur një person e pushtonin shumë demonë në të njëjtën kohë. (Luka 8:2, 30) Sigurisht, pra, Jehovai ka arsye të vlefshme përse i paralajmëron njerëzit t’i rrinë larg shtrigërisë dhe praktikave të tjera të okultizmit.

Fe e bazuar në të vërtetën

Sot, shumë njerëz i tërheq shtrigëria, sepse u duket një fe e natyrës, e padëmshme dhe dobiprurëse. Në disa vende, ajo është bërë diçka e pranueshme. Njerëzit nuk kanë më frikë prej saj. Përkundrazi, shpesh është bërë një gjë e zakonshme. Në një ambient ku toleranca fetare i bën shumë veta të pranojnë edhe gjërat e çuditshme, shtrigëria ka fituar një respekt të konsiderueshëm.

Tamam, bota e feve është bërë një treg ku njerëzit janë të lirë të zgjedhin atë që u përshtatet nevojave të tyre, njësoj si bëjnë kur blejnë një palë këpucë. Në kontrast, Jezui foli vetëm për dy zgjedhje. Ai tha: «Hyni nga dera e ngushtë, sepse e gjerë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të. Përkundrazi sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!» (Mateu 7:13, 14) Natyrisht, jemi të lirë të zgjedhim cilin shteg të marrim. Por, meqë është në lojë mirëqenia jonë e përjetshme, kjo zgjedhje është shumë e rëndësishme. Për të arritur ndriçimin frymor, duhet të ndjekim udhën e së vërtetës​—udhën që gjendet vetëm në Fjalën e Perëndisë, në Bibël.

[Shënimi]

^ par. 12 Në anglisht, ekzistojnë dy fjalë për magjinë: «magic» dhe «magick». Këto përdoren për të dalluar ndryshimin mes okultizmit dhe iluzioneve të bëra në skenë. Shiko Zgjohuni!, 8 shtator 1993, anglisht, faqe 26, me titull: «A ka rrezik duke praktikuar magjinë?»

[Figura në faqen 5]

Sot, shumë veta e konsiderojnë shtrigërinë si një fe të padëmshme të natyrës

[Figura në faqen 6]

Magjinë e kanë lidhur gjithnjë me okultizmin

[Figura në faqen 6]

Mos vallë praktikuesit e shtrigërisë po bëjnë, pa e ditur, atë që dëshiron Djalli?

[Figurat në faqen 7]

Bibla zbulon udhën e së vërtetës