Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Besimplotë e të patrembur përballë shtypjes naziste

Besimplotë e të patrembur përballë shtypjes naziste

Besimplotë e të patrembur përballë shtypjes naziste

Më 17 qershor 1946, mbretëresha Vilhelmina e Holandës i dërgoi një mesazh ngushëllimi një familjeje Dëshmitarësh të Jehovait në Amsterdam. Me këtë mesazh mbretëresha shprehte admirimin e saj për djalin e familjes, Jakob van Benekomin, të cilin e kishin ekzekutuar nazistët gjatë Luftës II Botërore. Disa vjet më parë, këshilli i qytetit Dutinhem, një qytet në pjesën lindore të Holandës, vendosi që një rruge t’i vinte emrin Bernard Polman, i cili ishte po ashtu një Dëshmitar i Jehovait i ekzekutuar gjatë luftës.

PËRSE gjatë Luftës II Botërore, nazistët u sulën kundër Jakobit, Bernardit dhe Dëshmitarëve të tjerë të Jehovait në Holandë? Gjithashtu, çfarë u dha mundësi këtyre Dëshmitarëve të qëndronin besimplotë gjatë viteve me persekutim mizor e përfundimisht të fitonin respektin dhe admirimin e bashkëkombësve dhe të mbretëreshës? Për ta zbuluar, le të rishikojmë disa ngjarje që çuan në një ballafaqim ngjashëm atij të Davidit me Goliadin, ndërmjet një grupi të vogël Dëshmitarësh të Jehovait dhe makinës gjigante naziste të luftës.

Nën ndalim, por më aktivë se kurrë

Më 10 maj 1940, ushtria naziste bëri një sulm të rrufeshëm mbi Holandën. Duke qenë se literatura që shpërndanin Dëshmitarët e Jehovait demaskonte veprimet e liga të nazizmit dhe mbështeste Mbretërinë e Perëndisë, nazistët nuk humbën kohë, por menjëherë u përpoqën të ndalonin aktivitetet e Dëshmitarëve. Më pak se tre javë pasi pushtuan Holandën, ata nxorën një dekret të fshehtë, me të cilin vinin nën ndalim Dëshmitarët e Jehovait. Më 10 mars 1941, një raport shtypi e bëri publik ndalimin, duke i akuzuar Dëshmitarët se po bënin fushatë «kundër gjithë shtetit dhe institucioneve të kishës». Rrjedhimisht, ndjekja e Dëshmitarëve u intensifikua.

Interesant është fakti se, ndonëse Gestapoja famëkeqe ose policia sekrete mbante nën mbikëqyrje të gjitha kishat, ajo persekutonte rëndë vetëm një organizatë të krishterë. «Persekutimi deri në vdekje,​—thekson historiani holandez, dr. Lui de Jong,​—ra vetëm mbi një grup fetar: Dëshmitarët e Jehovait.»​—Het Koninkrik der Nederlanden in de Tweede Wereldoorlog (Mbretëria e Holandës gjatë Luftës II Botërore).

Për të gjetur dhe për të arrestuar Dëshmitarët, Gestapoja kishte edhe bashkëpunimin e policisë holandeze. Përveç kësaj, një mbikëqyrës qarkor që ishte frikësuar dhe ishte kthyer në apostat, u jepte nazistëve informacione për ish-bashkëbesimtarët e tij. Nga fundi i prillit të vitit 1941, ishin vënë nën arrest 113 Dëshmitarë. A i ndali ky sulm i egër aktivitetet e predikimit?

Përgjigjen e gjejmë në një dokument sekret, Meldungen aus den Niederlanden (Raporte nga Holanda), që kishte përgatitur Sicherheitspolizei gjermane (policia e sigurimit) në prill të vitit 1941. Për Dëshmitarët e Jehovait, në raport thuhet: «Ky sekt i ndaluar vazhdon aktivitetin energjik në gjithë vendin, duke mbajtur mbledhje ilegale dhe duke afishuar trakte me slogane, si ‘Të persekutosh Dëshmitarët e Perëndisë është një krim’ dhe ‘Jehovai do t’i ndëshkojë persekutuesit me shkatërrim të përjetshëm’.» Dy javë më vonë, i njëjti burim raportonte se «me gjithë intensifikimin e masave të rrepta të Policisë së Sigurimit kundër aktiviteteve të Studentëve të Biblës, aktivitetet e tyre vazhdojnë të rriten.» Po, pavarësisht nga rreziku i arrestimit, Dëshmitarët e vazhduan veprën e tyre, duke shpërndarë në publik më shumë se 350 000 copë literaturë vetëm në vitin 1941.

Çfarë i dha mundësi këtij grupi të vogël, por në rritje, të përbërë nga disa qindra Dëshmitarë që të kishin guximin t’u bënin ballë armiqve të tyre të frikshëm? Ashtu si Isaia, profeti besnik i lashtësisë, Dëshmitarët i druheshin Perëndisë, jo njeriut. Përse? Sepse ata i merrnin për zemër fjalët siguruese që i tha Jehovai Isaisë: «Unë, unë vetë, jam ai që ju ngushëllon; kush je ti që i trembesh njeriut që po vdes?»​—Isaia 51:12.

Qëndrimi i patrembur imponon respekt

Aty nga fundi i vitit 1941, numri i Dëshmitarëve të arrestuar kishte arritur në 241. Gjithsesi, pak prej tyre i ishin dorëzuar frikës së njeriut. Vili Lagesi, një anëtar famëkeq i policisë sekrete gjermane, citohet se ka thënë që «90 për qind e Dëshmitarëve të Jehovait refuzuan të zbulonin ndonjë gjë, kurse vetëm një përqindje shumë e vogël e grupeve të tjera [fetare] pati forcën për të qëndruar në heshtje». Një vëzhgim që bëri kleriku holandez Johanes J. Buskes, i cili u burgos së bashku me disa Dëshmitarë, vërteton pohimin e Lagesit. Në vitin 1951, Buskesi shkroi:

«Në atë kohë, krijova respekt të madh për ta, për shkak të besimit që kishin dhe për fuqinë e këtij besimi. Nuk do ta harroj kurrë atë të ri (nuk mund të ketë qenë më shumë se 19 vjeç), i cili kishte shpërndarë fletushka ku parathuhej rënia e Hitlerit dhe e Rajhut të Tretë. . . . Mund ta kishin liruar brenda një gjysmë viti, po të kishte premtuar se nuk do të merrte pjesë në një aktivitet të tillë. Këtë gjë ai e refuzoi me shumë forcë dhe e dënuan me punë të detyruar në kohë të pacaktuar, në Gjermani. E dinim mirë se çfarë nënkuptonte kjo. Mëngjesin tjetër, kur e morën me vete dhe ne i uruam lamtumirën, i thashë se do të mendonim për të dhe do të luteshim. E vetmja përgjigje e tij ishte: ‘Mos u shqetëso për mua. Mbretëria e Perëndisë do të vijë me siguri.’ Një gjë të tillë nuk e harron kollaj, edhe sikur të kesh çdo kundërshtim të imagjinueshëm për mësimet e këtyre Dëshmitarëve të Jehovait.»

Me gjithë kundërshtimin mizor, numri i Dëshmitarëve vazhdoi të rritej. Ndërkohë që pak kohë para se të fillonte Lufta II Botërore, kishte rreth 300 Dëshmitarë, në vitin 1943 numri i tyre kishte arritur 1379. Mjerisht, në fund të po atij viti, 54 nga më shumë se 350 Dëshmitarët e arrestuar, kishin vdekur në kampe të ndryshme përqendrimi. Ndërsa, në vitin 1944, kishte ende 141 Dëshmitarë të Jehovait nga Holanda që mbaheshin nëpër kampe të ndryshme përqendrimi.

Viti i fundit i persekutimit nazist

Pas ditës së zbarkimit të aleatëve në Normandi, më 6 qershor 1944, persekutimi i Dëshmitarëve hyri në vitin e tij të fundit. Nga ana ushtarake, nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre ishin vënë me shpatulla për muri. Një person do të mendonte se në situatën ku ndodheshin, nazistët do të hiqnin dorë nga ndjekja e të krishterëve të pafajshëm. Megjithatë, gjatë atij viti u arrestuan 48 Dëshmitarë të tjerë dhe vdiqën edhe 68 nga Dëshmitarët e burgosur. Njëri prej tyre ishte Jakob van Benekomi, i përmendur më lart.

Jakobi 18-vjeçar ishte mes 580 personave që u pagëzuan si Dëshmitarë të Jehovait në vitin 1941. Jo shumë kohë pas kësaj, ai dha dorëheqjen nga një punë e mirë, sepse në të i kërkohej të bënte kompromis me asnjanësinë e krishterë. Gjeti punë si korrier dhe filloi të shërbente si shërbëtor në kohë të plotë. Një herë kur po transportonte literaturë biblike, e kapën dhe e arrestuan. Në gusht të vitit 1944, Jakobi 21-vjeçar i shkruante familjes së tij nga një burg në qytetin Roterdam:

«Jam në gjendje shumë të mirë dhe plot gëzim. . . . Deri tani më kanë marrë në pyetje katër herë. Dy herët e para ishin mjaft të rënda dhe më rrahën keq, por me forcën dhe me dashamirësinë e pamerituar të Zotërisë, deri tani kam qenë në gjendje të mos zbuloj asgjë. . . . Kam pasur mundësi të mbaj fjalime këtu, gjashtë gjithsej, me një total prej 102 dëgjuesish. Disa prej tyre tregojnë shumë interes dhe kanë premtuar që sapo të lirohen, do të vazhdojnë me këtë interes.»

Më 14 shtator 1944, Jakobin e çuan në një kamp përqendrimi në qytetin holandez Amersfort. Edhe atje, ai vazhdoi të predikonte. Si? Një tjetër i burgosur kujton: «Të burgosurit ruanin mbeturinat e cigareve që kishin hedhur tutje rojat dhe përdornin faqet e një Bible si letra cigaresh. Disa herë, Jakobi arrinte të lexonte ca fjalë nga një faqe Bible që po e përgatitnin për ta përdorur si letër për të mbledhur cigaren. Menjëherë, ai i përdorte këto fjalë si bazë për të na predikuar. S’kaloi shumë dhe Jakobit i vumë nofkën ‘Njeriu i Biblës’.»

Në tetor të vitit 1944, Jakobi ishte mes një grupi të madh të burgosurish, të cilët i urdhëruan të gërmonin ledhe të fshehura që të ngecnin tanket. Jakobi refuzoi ta bënte këtë punë, sepse ndërgjegjja nuk e lejonte të mbështeste përpjekjet e luftës. Edhe pse rojat e kërcënonin vazhdimisht, ai nuk u dorëzua. Më 13 tetor, një oficer e nxori nga izolimi dhe e çoi në vendin e punës. Edhe një herë, Jakobi qëndroi i palëkundur. Në fund, Jakobin e urdhëruan të gërmonte varrin e tij dhe e pushkatuan.

Vazhdon ndjekja e Dëshmitarëve

Qëndrimi i guximshëm i Jakobit dhe i të tjerëve i tërboi nazistët dhe i nxiti për një fushatë tjetër ndjekjeje kundër Dëshmitarëve. Një nga shënjestrat e tyre ishte 18-vjeçari Evert Ketelari. Fillimisht, Everti ia doli mbanë të largohej dhe të fshihej, por më vonë e arrestuan dhe e rrahën rëndë, që ta detyronin të jepte informacione për Dëshmitarët e tjerë. Ai refuzoi dhe e dërguan në Gjermani për punë të detyruar.

Po atë muaj, në tetor të vitit 1944, policia e ndoqi Bernard Luimesin, burrin e motrës së Evertit. Kur e gjetën, ai ishte bashkë me dy Dëshmitarë të tjerë: me Antoni Rehmejerin dhe me Albertus Bosin. Albertusi kishte kaluar tashmë 14 muaj në një kamp përqendrimi. Megjithatë, pasi ishte liruar, ai kishte rifilluar me zell veprën e predikimit. Fillimisht, nazistët i rrahën pa mëshirë tre burrat dhe pastaj i pushkatuan. Vetëm pasi kishte mbaruar lufta, trupat e tyre u gjetën dhe u rivarrosën. Pak kohë pas luftës, disa gazeta lokale raportuan këtë ekzekutim. Në një nga gazetat shkruhej se tre Dëshmitarët kishin refuzuar vendosmërisht t’u bënin nazistëve ndonjë shërbim që ishte në kundërshtim me ligjin e Perëndisë, dhe shtohej se «për këtë, iu desh ta paguanin me jetën e tyre».

Ndërkohë, më 10 nëntor 1944, u arrestua Bernard Polmani, i përmendur më parë, dhe u dërgua për të punuar në një projekt ushtarak. Ai ishte i vetmi Dëshmitar ndër të dënuarit me punë të detyruar dhe i vetmi që refuzoi të bënte këtë punë. Rojat përdorën disa taktika që ta detyronin të bënte kompromis. Nuk i dhanë ushqim. E rrahën mizorisht me shkopinj, me bel dhe me kondakun e një pushke. Përveç kësaj, e detyruan të kalonte nëpër ujin e ftohtë që i arrinte deri në gju dhe pastaj e mbyllën në një bodrum të lagësht, ku iu desh të kalonte natën me rroba të lagura. Megjithatë, Bernardi nuk u dorëzua.

Gjatë asaj kohe, persekutuesit lejuan që Bernardit t’i bënin vizitë dy nga motrat e tij që nuk ishin Dëshmitare të Jehovait. Ato e nxitën që të ndryshonte mendim, por kjo nuk arriti ta lëkundte. Kur e pyetën nëse mund të bënin ndonjë gjë për të, Bernardi u tha të shkonin në shtëpi dhe të studionin Biblën. Atëherë, persekutuesit lejuan që ta vizitonte e shoqja që ishte shtatzënë, duke shpresuar se ajo do t’ia thyente rezistencën. Por, prania dhe fjalët e saj inkurajuese shërbyen vetëm për ta forcuar vendosmërinë e Bernardit që t’i mbetej besnik Perëndisë. Më 17 nëntor 1944, Bernardin e pushkatuan pesë nga torturuesit e tij, ndërsa tërë të dënuarit e tjerë me punë të detyruar e shikonin. Edhe pasi Bernardi kishte vdekur dhe trupi i tij ishte bërë shoshë nga plumbat, oficeri përgjegjës u tërbua kaq shumë saqë nxori revolverin dhe e qëlloi Bernardin në të dy sytë.

Edhe pse ky trajtim mizor i tronditi Dëshmitarët që morën vesh për ekzekutimin, ata qëndruan besnikë e të patrembur dhe vazhduan aktivitetin e tyre të krishterë. Një kongregacion i vogël Dëshmitarësh të Jehovait, i cili gjendej afër zonës ku ishte vrarë Bernardi, raportoi pak pas ekzekutimit: «Këtë muaj, me gjithë motin e keq dhe vështirësitë që na ka vënë Satanai përpara, kemi qenë në gjendje të fitojmë shumë terren. Numri i orëve që kemi kaluar në fushë u rrit nga 429 në 765. . . . Duke predikuar, një vëlla takoi një burrë, të cilit arriti t’i jepte një dëshmi të mirë. Burri e pyeti nëse kjo ishte e njëjta fe e atij që e kishin pushkatuar. Kur dëgjoi se ishte e njëjta, burri thirri: ‘Çfarë njeriu, çfarë besimi! Ja, këtë quaj unë një hero për besimin!’»

Në kujtesën e Jehovait

Në maj të vitit 1945, nazistët u mundën dhe u tërhoqën nga Holanda. Me gjithë persekutimin e pamëshirshëm gjatë luftës, numri i Dëshmitarëve të Jehovait ishte rritur nga disa qindra vetë në më shumë se 2000. Duke folur për këta Dëshmitarë të kohës së luftës, historiani dr. de Jong pranon: «Shumica më e madhe e tyre refuzoi të mohonte besimin, me gjithë kërcënimet dhe torturat.»

Ka arsye të vlefshme, pra, që disa autoritete në botë i kanë kujtuar Dëshmitarët e Jehovait për qëndrimin e guximshëm që mbajtën përballë sundimit nazist. Gjithsesi, ç’është më e rëndësishmja, dëshminë e shkëlqyer që kanë dhënë këta Dëshmitarë të kohës së luftës do ta kujtojnë Jehovai dhe Jezui. (Hebrenjve 6:10) Gjatë Mbretërimit të afërt Mijëvjeçar të Jezu Krishtit, këta Dëshmitarë besimplotë e të patrembur, të cilët dhanë jetën e tyre në shërbim të Perëndisë, do të ngrihen nga varret përkujtimore, me perspektivën e jetës së përhershme në një tokë parajsore!​—Gjoni 5:28, 29.

[Figura në faqen 24]

Jakob van Benekom

[Figura në faqen 26]

Copë gazete me dekretin për ndalimin e Dëshmitarëve të Jehovait

[Figurat në faqen 27]

Djathtas: Bernard Luimes; poshtë: Albertus Bos (majtas) dhe Antoni Rehmejer; në fund: zyra e Shoqatës në Hemstede