«Ju dini kaq shumë për Biblën!»
Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
«Ju dini kaq shumë për Biblën!»
KUR Jezui 12-vjeçar u foli me guxim udhëheqësve fetarë në Jerusalem, «të gjithë ata që e dëgjonin, habiteshin nga zgjuarsia e tij dhe nga përgjigjet e tij». (Luka 2:47) Në mënyrë të ngjashme sot, shumë nga shërbëtorët e Jehovait që kanë moshë të re, marrin guxim për t’u folur mësuesve dhe shokëve të shkollës për Perëndinë dhe për Biblën, e shpesh kanë rezultate po kaq të kënaqshme.
Tifania, 14 vjeçe, ishte në një orë mësimi ku u diskutua rreth profecisë së Biblës për 70 javë vjetore, të cilën e gjejmë te Danieli 9:24-27. Mësuesi dha disa fakte lidhur me vargjet dhe e kaloi përciptazi argumentin.
Fillimisht, Tifania ngurronte të ngrinte dorën. «Por, nuk e di përse,—thotë ajo,—më bezdiste vërtet fakti që ato vargje nuk u shpjeguan plotësisht. Pastaj, pa e kuptuar as vetë, kisha ngritur dorën.» Mësuesi u mahnit që dikush kishte diçka për të thënë lidhur me argumentin, pasi shumica e studentëve e kishin të vështirë ta kuptonin.
Meqë iu dha mundësia të shpjegonte profecinë, Tifania u ngrit dhe foli rrjedhshëm, edhe pse s’ishte përgatitur më përpara. Kur mbaroi, në klasë kishte qetësi absolute. Tifania u ndie pak në siklet. Pastaj, klasa shpërtheu në një valë të gjatë duartrokitjesh.
«Kjo më bën shumë përshtypje, Tifani, më bën shumë përshtypje»,—thoshte vazhdimisht mësuesi. Ai pranoi se e dinte që këto vargje duhej të kishin një shpjegim të mëtejshëm, por Tifania ishte personi i parë që ia kishte shpjeguar kaq qartë. Në fund të orës së mësimit, ai e pyeti Tifaninë se si kishte mundësi që dinte kaq shumë për Biblën.
«Arsyeja është se jam Dëshmitare e Jehovait,—u përgjigj ajo.—Prindërve të mi u është dashur të ma shpjegonin këtë profeci disa herë, që ta kuptoja.»
Edhe shokët e shoqet e klasës u mahnitën nga njohuria që kishte ajo për Biblën. Një nxënëse i tha Tifanisë: «Tani e di përse ju Dëshmitarët e Jehovait shkoni shtëpi më shtëpi. Ju dini kaq shumë për Biblën!» Të tjerë premtuan se nuk do ta ngacmonin më për bindjet e saj.
Kur Tifania u tregoi prindërve përvojën që kishte pasur, ata i sugjeruan t’i ofronte mësuesit librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Kur ajo veproi kështu dhe i tregoi mësuesit pjesën që shpjegon profecinë e Danielit, ai e pranoi menjëherë librin dhe e falënderoi.
Vërtet, kur të rinjtë e krishterë flasin me guxim rreth asaj që u kanë mësuar prindërit për Perëndinë dhe për Biblën, ata i sjellin lavdi e nderim Jehovait dhe bekime vetes së tyre.—Mateu 21:15, 16.