Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si vepron sot fryma e Perëndisë?

Si vepron sot fryma e Perëndisë?

Si vepron sot fryma e Perëndisë?

AI ISHTE i çalë që kur kishte lindur. Përditë, ulej në portën e tempullit që quhej E bukura, për t’u kërkuar dhurata mëshire atyre që hynin në tempull. Gjithsesi, në një rast, lypësi sakat mori një dhuratë që vlente shumë më tepër se disa monedha të vogla. Ai u shërua!​—Veprat 3:2-8.

Edhe pse ata që ‘e ngritën’, kështu që ‘iu forcuan këmbët’, ishin apostujt Pjetër dhe Gjon, ata nuk e morën për vete meritën për shërimin. Përse jo? Vetë Pjetri shpjegoi: «Burra të Izraelit, pse po mrekulloheni për këtë? Ose pse po na i ngulni sytë sikur ne me fuqinë tonë të vetme ose me perëndishmëri të kishim bërë që ky njeri të ecë?» Pikërisht, Pjetri dhe Gjoni e kuptonin se një gjë e tillë nuk u arrit të bëhej me forcat e tyre, por me anë të frymës së shenjtë të Perëndisë.​—Veprat 3:7-16; 4:29-31.

Në atë kohë, këto ‘vepra të fuqishme’ u siguruan për të treguar se kongregacioni i ri i krishterë kishte mbështetjen e Perëndisë. (Hebrenjve 2:4) Por, apostulli Pavël tha se, pasi të kishin përmbushur qëllimin e tyre, ato do të ‘shfuqizoheshin’. * (1. Korintasve 13:8) Prandaj, tani në kongregacionin e vërtetë të krishterë nuk vërejmë ndonjë shërim, mesazh profetik ose dëbim demonësh, të udhëzuar nga Perëndia.

Por, a do të thotë kjo se fryma e shenjtë e Perëndisë nuk vepron më? Aspak! Le të shqyrtojmë disa mënyra të tjera në të cilat ishte aktive fryma e shenjtë e Perëndisë në shekullin e parë dhe është aktive në ditët tona.

«Fryma e së vërtetës»

Një vepër e frymës së shenjtë të Perëndisë është të informojë, të ndriçojë, të zbulojë të vërtetat. Pak para se të vdiste, Jezui u tha dishepujve të tij: «Kam edhe shumë gjëra të tjera për t’ju thënë, por ato ende ju nuk mund t’i mbani. Por, kur të vijë ai, fryma e së vërtetës, ai do t’ju prijë në çdo të vërtetë.»​—Gjoni 16:12, 13.

«Fryma e së vërtetës» u derdh në Festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s., kur rreth 120 dishepuj, të cilët ishin mbledhur në një dhomë të sipërme në Jerusalem, u pagëzuan me frymën e shenjtë. (Veprat 2:1-4) Mes të pranishmëve për atë festë vjetore ishte edhe apostulli Pjetër. I mbushur me frymën e shenjtë, Pjetri «u çua në këmbë» dhe shpjegoi në mënyrë të zgjeruar ose qartësoi disa të vërteta lidhur me Jezuin. Ai tregoi, për shembull, se si «Jezui Nazareas» u ‘ngrit në të djathtë të Perëndisë’. (Veprat 2:14, 22, 33) Gjithashtu, fryma e Perëndisë e shtyu Pjetrin t’u deklaronte me guxim dëgjuesve të tij judenj: «Ta dijë, pra, me siguri, gjithë shtëpia e Izraelit se atë Jezu që ju e keni kryqëzuar [vënë në shtyllë, BR], Perëndia e ka bërë Zot e Krisht.» (Veprat 2:36) Si rezultat i mesazhit të Pjetrit të frymëzuar nga fryma, rreth tre mijë persona «e pranuan fjalën e tij me gëzim» dhe u pagëzuan. Në këtë mënyrë, fryma e shenjtë e Perëndisë ndihmoi për t’i udhëhequr ata drejt së vërtetës.​—Veprat 2:37-41.

Fryma e shenjtë e Perëndisë shërbeu edhe si mësues e përkujtues. Jezui tha: «Ngushëlluesi [ndihmësi, BR], fryma e shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë.»​—Gjoni 14:26.

Në ç’mënyrë veproi fryma e shenjtë si mësues? Fryma e Perëndisë ua hapi mendjet dishepujve për gjëra që i kishin dëgjuar më parë nga Jezui, por nuk i kishin kuptuar plotësisht. Për shembull, apostujt e dinin se gjatë gjyqit të tij, Jezui i kishte thënë guvernatorit romak të Judesë, Ponc Pilatit: «Mbretëria ime nuk është e kësaj bote.» Megjithatë, në kohën kur Jezui u ngjit në qiell, rreth 40 ditë më vonë, ata kishin akoma pikëpamjen e gabuar se Mbretëria do të vendosej këtu në tokë. (Gjoni 18:36; Veprat 1:6) Me sa duket, apostujt nuk ishin në gjendje të kuptonin plotësisht domethënien e fjalëve të Jezuit, deri në kohën kur u derdh fryma e shenjtë e Perëndisë, në Festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s.

Gjithashtu, fryma e Perëndisë shërbeu si përkujtues, duke u risjellë në mend mësimet e ndryshme të Jezuit. Për shembull, profecitë që lidheshin me vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit morën domethënie të re me ndihmën e frymës së shenjtë. (Mateu 16:21; Gjoni 12:16) Duke rikujtuar mësimet e Jezuit, apostujt patën mundësi të mbronin me guxim pozitën e tyre para mbretërve, gjykatësve dhe udhëheqësve fetarë.​—Marku 13:9-11; Veprat 4:5-20.

Përveç këtyre, fryma e shenjtë e Perëndisë ndihmoi për t’i drejtuar të krishterët e hershëm në territore të frytshme në shërbim. (Veprat 16:6-10) Gjithashtu, fryma e Perëndisë i shtyu të krishterët e hershëm të merrnin pjesë për të shkruar Fjalën e Perëndisë, Biblën, për dobinë e gjithë njerëzimit. (2. Timoteut 3:16) Është e qartë, pra, se fryma e shenjtë ishte aktive në shumë mënyra në shekullin e parë. Nuk u sigurua vetëm e vetëm për të bërë mrekulli.

Fryma e shenjtë në ditët tona

Fryma e shenjtë ka punuar në mënyrë të ngjashme në dobi të të krishterëve të vërtetë sot. Kjo u bë e dukshme te një grup i vogël studentësh të Biblës në Allegeni, Pensilvania, SHBA, në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të. Këta studentë të zellshëm të Biblës dëshironin me zjarr të njihnin «të vërtetën».​—Gjoni 8:32; 16:13.

Një pjesëtar i këtij grupi, Çarlz Teiz Rasëll, tha për kërkimin që po bënte për të vërtetën biblike: «U luta . . . që të më jepej mundësia të hiqja nga mendja e nga zemra çdo paragjykim që mund të ishte një pengesë dhe që fryma e tij të më udhëhiqte për të pasur kuptueshmërinë e duhur.» Perëndia e bekoi këtë lutje të përulur.

Duke kërkuar me zell në Shkrime, Rasëllit dhe shokëve të tij iu qartësuan shumë gjëra. «Zbuluam se për shekuj të tërë,​—shpjegoi Rasëlli,​—sekte dhe grupe të ndryshme i kishin ndarë doktrinat biblike mes tyre, duke i përzier, pak a shumë, me hamendje dhe gabime njerëzore.» Kjo kishte sjellë si pasojë atë që ai e quajti «ta çosh dëm të vërtetën». Në fakt, të vërtetat biblike ishin varrosur nën një koleksion mësimesh pagane që kishin depërtuar gjatë shekujve në të ashtuquajturin krishterim. Por Rasëlli ishte i vendosur për ta njohur dhe për ta shpallur të vërtetën.

Në faqet e Kullës së Rojës së Sionit dhe Shpallëses së pranisë së Krishtit, Rasëlli dhe shokët e tij i denoncuan me guxim doktrinat e rreme fetare që e paraqitnin keq Perëndinë. Ata kuptuan se​—në kundërshtim me opinionin e përhapur fetar​—shpirti vdes, se pas vdekjes shkojmë në varr dhe se Jehovai është Perëndia i vetëm i vërtetë, prandaj nuk është pjesë e një Triniteti.

Gjithsesi, siç mund ta imagjinoni, ky demaskim i mësimeve të rreme e mbushi me zemërim klerin e të ashtuquajturit krishterim. Të zellshëm për të mbajtur fort pozitat e tyre me influencë, shumë klerikë katolikë e protestantë organizuan fushata që kishin si synim të diskreditonin Rasëllin. Por ai dhe shokët e tij nuk u dorëzuan. Të sigurt, ata iu drejtuan frymës së Perëndisë për udhëheqje. «Siguria që na dha Zotëria ynë,​—tha Rasëlli,​—është se . . . fryma e shenjtë e Atit, e dërguar për llogari dhe me kërkesën e Jezuit, Shpërblyesit, Ndërmjetësit dhe Kreut tonë, do të jetë udhëzuesi ynë.» Dhe sigurisht që fryma e shenjtë i udhëzoi! Këta Studentë të sinqertë të Biblës vazhduan të merrnin nga Bibla ujërat e kulluara të së vërtetës dhe t’i shpallnin ato në mbarë botën.​—Zbulesa 22:17.

Organizata e kohëve moderne e Dëshmitarëve të Jehovait ka mbetur e ndjeshme ndaj udhëheqjes së frymës së shenjtë të Perëndisë, edhe tani që ka kaluar më shumë se një shekull. Dora-dorës që fryma e Jehovait ndriçon pamjen e tyre frymore, Dëshmitarët me gatishmëri bëjnë ndreqjet e duhura për të qenë në harmoni me kuptueshmërinë e përditësuar.​—Fjalët e urta [Proverbat] 4:18.

«Do të bëheni dëshmitarët e mi»

Jezui identifikoi edhe një shfaqje tjetër të frymës së shenjtë të Perëndisë, kur u tha dishepujve të tij: «Ju do të merrni fuqi kur fryma e shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi . . . deri në skajin e dheut.» (Veprat 1:8) Premtimi i Jezuit për t’u dhënë dishepujve të tij «fuqi» dhe «frymë të shenjtë» për të kryer veprën që u ka caktuar Perëndia, zbatohet ende sot.

Si grup, Dëshmitarët e Jehovait janë të mirënjohur për aktivitetet e tyre të predikimit. (Shiko kutinë.) Në fakt, Dëshmitarët e Jehovait po e shpallin mesazhin e së vërtetës në më shumë se 230 vende dhe grupe ishujsh. Në çdo situatë të imagjinueshme, duke vënë në rrezik edhe jetën e tyre në zona të përçara nga lufta, ata e ngrenë me guxim zërin në mbështetje të Mbretërisë së Perëndisë. Zelli i tyre për shërbimin e krishterë jep dëshmi të fuqishme se fryma e shenjtë është në veprim sot. Veç kësaj, është e qartë se Perëndia Jehova po i bekon përpjekjet e tyre.

Vitin e kaluar, për shembull, më shumë se një miliard orë iu kushtuan predikimit të lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Me çfarë rezultati? Një numër prej 323 439 vetash e simbolizuan dedikimin e tyre ndaj Perëndisë, duke u pagëzuar në ujë. Përveç kësaj, u drejtuan 4 433 884 studime biblike javore në shtëpi me persona të interesuar. Gjithsej, u shpërndanë 24 607 741 libra, 631 162 309 revista dhe 63 495 728 broshura e libreza. Sa dëshmi e fuqishme e frymës së Perëndisë në veprim!

Fryma e Perëndisë dhe ju

Udha për një qëndrim të pastër para Perëndisë hapet kur një individ reagon në mënyrë pozitive ndaj lajmit të mirë, e vë jetën e tij në harmoni me normat e Perëndisë dhe shpreh besimin e tij në masën e shpërblesës. Këtyre personave apostulli Pavël u tha: «Perëndia . . . ju dha frymën e tij të shenjtë.»​—1. Thesalonikasve (1. Selanikasve) 4:7, 8; 1. Korintasve 6:9-11.

Kur kemi frymën e Perëndisë, marrim si rezultat shumë bekime të shkëlqyera. Çfarë lloj bekimesh? Pikësëpari, në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë thuhet: «Fryti i frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia [dhe] vetëkontrolli.» (Galatasve 5:22, 23) Prandaj, fryma e shenjtë e Perëndisë është një forcë e fuqishme për mirë, duke i dhënë mundësi një personi të shfaqë cilësi të perëndishme.

Përveç kësaj, nëse e lexoni Biblën dhe zbatoni atë që mësoni, fryma e Perëndisë mund t’ju ndihmojë të shtoni mençurinë, njohurinë, mendjehollësinë, gjykimin dhe aftësinë e të menduarit. Mbreti Solomon mori «mençuri dhe kuptueshmëri në masë shumë të madhe dhe një gjerësi zemre», sepse u përpoq t’i pëlqente Perëndisë në vend që t’u pëlqente njerëzve. (1. Mbretërve 4:29, BR) Meqë Jehovai i dha frymën e shenjtë Solomonit, patjetër që nuk do t’ia mbajë frymën e tij të shenjtë personave që përpiqen t’i pëlqejnë atij sot.

Fryma e shenjtë e Perëndisë i ndihmon, gjithashtu, të krishterët të luftojnë kundër Satanait dhe demonëve, kundër këtij sistemi të lig gjërash dhe kundër prirjeve mëkatare të mishit të papërsosur. Si është e mundur kjo? Apostulli Pavël përgjigjet: «Për çdo gjë kam forcë në sajë të atij që më jep fuqi.» (Filipianëve 4:13, BR) Fryma e shenjtë mund të mos i heqë sprovat ose tundimet, por mund të na ndihmojë t’u bëjmë ballë atyre. Duke u mbështetur në frymën e Perëndisë, mund të marrim ‘fuqi përtej asaj që është normale’ për të duruar çdo telash ose vuajtje.​—2. Korintasve 4:7, BR; 1. Korintasve 10:13.

Kur shqyrtojmë të gjitha dëshmitë, nuk mbetet asnjë dyshim se fryma e shenjtë e Perëndisë po vepron sot. Fryma e Jehovait u jep energji shërbëtorëve të tij që të japin dëshmi për qëllimet e tij madhështore. Ajo vazhdon të zbulojë vetëtima drite frymore dhe e forcon besimin tonë, duke na ndihmuar t’i mbetemi besnikë Krijuesit tonë. Sa mirënjohës duhet të jemi që Perëndia e ka mbajtur premtimin, duke u dhënë frymën e shenjtë shërbëtorëve të tij besnikë sot!

[Shënimi]

^ par. 4 Shiko artikullin «Përse kanë pushuar dhuratat e mrekullueshme të frymës?» në Kullën e Rojës, 15 gusht 1971, anglisht, faqet 501-505.

[Kutia në faqen 10]

Çfarë thonë njerëzit për Dëshmitarët e Jehovait?

«Ndërkohë që kishat e tjera paguajnë konsultues për t’i tërhequr njerëzit nëpër kisha ose ndërkohë që debatojnë për çështjet moderne, si homoseksualizmi dhe aborti, Dëshmitarët nuk bëjnë kompromis me botën që po ndryshon. Ata vazhdojnë të përshkojnë sistematikisht Tokën.»​—The Orange County Register i Kontesë Orinxh, Kaliforni, SHBA.

«Për sa i përket përhapjes së besimit, pak besime fetare janë aq entuziaste . . . sa Dëshmitarët e Jehovait.»​—The Republic e Kolumbus, Indiana, SHBA.

«Ata janë të vetmit që shkojnë derë më derë me ‘lajmin e mirë’, duke zbatuar parimet e Biblës.»​—Życie Literackie, Poloni.

«Duke ndërmarrë fushatën më të madhe të predikimit që njihet, Dëshmitarët e Jehovait e kanë çuar mesazhin e Jehovait anembanë botës.»​—News-Observer, Tamakua, Pensilvani, SHBA.

[Figurat në faqen 9]

Fryma e shenjtë e Perëndisë na ndriçon frymësisht,

. . . nxit cilësi të shkëlqyera të krishtere

. . . dhe na mbështet në veprën mbarëbotërore të predikimit