Peshkojnë njerëz në detin Egje
Peshkojnë njerëz në detin Egje
ME GREQINË kontinentale në veri dhe në perëndim, ishullin e Kretës në jug dhe Turqinë në lindje, deti Egje mbulon një zonë shumë të gjerë të Mesdheut lindor. Anembanë detit Egje, i cili është djepi i disa qytetërimeve të mëdha të hershme, janë shpërndarë ishuj të mëdhenj e të vegjël. Konturet e dhëmbëzuara të ishujve, ku të zë syri grumbuj me shtëpi të bardha e të vogla që shkëlqejnë në dritën e diellit, e frymëzuan një poet t’i krahasonte këta ishuj me «kuaj guri me krifa të egërsuara».
S’është për t’u habitur që këta ishuj janë bërë një nga pikat më të preferuara turistike në botë! Bukurinë e tyre fizike e shtojnë cilësitë e shkëlqyera të burrave dhe grave që jetojnë e punojnë aty. Të thjeshtë e mikpritës, megjithatë të pavarur, këta njerëz i shtojnë një karakteristikë speciale veçantisë së këtyre ishujve.
Shumë ishullarë jetojnë duke peshkuar në ujërat e detit Egje. Megjithatë, në atë zonë po sjell rezultate të bollshme një lloj tjetër i rëndësishëm «peshkimi». «Peshkatarët e njerëzve», ungjillëzues të lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë, përshkojnë ishujt e Egjeut duke bërë dishepuj të krishterë.—Mateu 4:18, 19; Luka 5:10.
Rreth 19 shekuj më parë, disa ungjillëzues të krishterë vizituan ishujt e Egjeut. Rreth vitit 56 të e.s., apostulli Pavël, duke u kthyer nga udhëtimi i tij i tretë misionar, ndaloi për pak kohë në ishujt Lesbos, Kios, Samos, Kos dhe Rodos. Gjithnjë një predikues i zellshëm, Pavli duhet t’u ketë predikuar disa ishullarëve. (Veprat 20:14, 15, 24; 21:1, 2) Pas dy vjetësh burgimi në Romë, ka shumë të ngjarë që ai të ketë vizituar Kretën dhe të ketë kryer aktivitet të krishterë atje. Aty nga fundi i shekullit të parë, apostullin Gjon e syrgjynosën në ishullin Patmos, sepse fliste «për fjalën e Perëndisë dhe për dëshminë e Jezu Krishtit». (Zbulesa 1:9) Ç’të themi për lajmëtarët e lajmit të mirë në ditët moderne në këta ishuj?
Fushata shpërblyese predikimi
Të predikosh në këta grupe ishujsh është një punë e vështirë dhe e mundimshme. Kërkon shumë përpjekje dhe vetëmohim. Disa ishuj janë shumë të veçuar. Transporti me rrugë detare ose ajrore është i rrallë në disa prej tyre dhe nuk ekziston fare në të tjerët, sidomos gjatë dimrit. Deti mund të jetë i trazuar, veçanërisht kur fryjnë meltemia—erëra të forta stinore që fryjnë nga veriu. Për më tepër, fshatrat e shumë ishujve janë të izoluara dhe mezi arrihen, për shkak të rrugëve me pluhur e të pashtruara, të cilat shpesh kalohen me zor. Disa fshatra mund të arrihen vetëm me varka të vogla.
Të marrim, për shembull, ishullin Ikarie. Të 11 lajmëtarët e lajmit të mirë të Mbretërisë në kongregacionin e vogël të atjeshëm nuk mund t’i mbulojnë të gjitha fshatrat e atij ishulli dhe të ishujve të vegjël aty afër. Prandaj, vëllezër të krishterë dhe motra të krishtere nga Samos vijnë që të ndihmojnë për t’u predikuar njerëzve në
Ikarie, si edhe atyre në ishujt Furnoi, Patmos dhe Lipsos. Kohët e fundit, gjatë një fushate të tillë dyditore, Dëshmitarët arritën të shpërndanin 650 revista, 99 broshura dhe 25 libra me argumente biblike. Për ta ishte një surprizë kur takuan njerëz që as e kishin idenë se kush është Jehovai, njerëz që iu lutën të qëndronin dhe t’u mësonin më shumë nga Bibla. Një zonjë i tha një Dëshmitareje: «Mirë, ti tani po ikën. Po unë kam akoma shumë pyetje për Biblën. Kush do të më ndihmojë?» Motra e krishterë premtoi se do ta ndiqte interesin duke përdorur telefonin dhe në këtë mënyrë filloi një studim biblik.Kur një mbikëqyrës udhëtues vizitoi Ikarien, bëri rregullime që të mbulohej i gjithë ishulli brenda një fundjave. Përpiloi një listë me rreth 30 lajmëtarë të Mbretërisë që do të ndihmonin, të cilët do të vinin nga Samos. Vëllezërit që do të vizitonin duhej të paguanin për të qëndruar dy net në një hotel dhe për të marrë me qira makina dhe automjete me fuqi motorike në të katër rrotat. Dy ditë me radhë kishte rënë shi i fortë dhe parashikimi i motit për fundjavën ishte i zymtë. Por vëllezërit nuk lanë që kjo t’i pengonte dhe kujtuan fjalët e Predikuesit 11:4: «Kush e ka mendjen te era nuk ka për të mbjellë dhe kush ri e shikon retë nuk ka për të korrur.» Në fund, moti u përmirësua një çikë dhe, pasi e kishin mbuluar të gjithë ishullin me mesazhin e tyre të rëndësishëm, vëllezërit u kthyen në shtëpi të lumtur e të kënaqur.
Të 16 lajmëtarët që jetojnë në ishullin Andros bëjnë shumë përpjekje për të mbuluar gjithë ishullin. Kur dy vëllezër arritën në një fshat të izoluar, ishin të vendosur t’u predikonin tërë banorëve. U folën njerëzve në shtëpi, në rrugë dhe në fusha. Madje, shkuan edhe në rajonin e policisë dhe lanë literaturë. Të sigurt se kishin kontaktuar tërë banorët e fshatit, po bëheshin gati të iknin. Ndërsa po largoheshin nga sheshi kryesor, panë priftin ortodoks që po vinte. Duke u kujtuar se atij nuk i kishin dhënë dëshmi, i ofruan një botim të vogël, të cilën prifti e pranoi me kënaqësi. Tani e dinin me siguri që nuk kishin kaluar pa vënë re asnjë në përpjekjet e tyre për të predikuar.
Gavdos (ose Kauda)—një ishull i vogël vetëm me 38 banorë, nën pjesën e dalë të Kretës—konsiderohet si pika më jugore e Evropës. (Veprat 27:16) Një mbikëqyrës udhëtues me gruan, bashkë me një tjetër çift të martuar, kaluan tri ditë duke predikuar atje. Për të kursyer, ata fjetën në një tendë. Të gjithë banorët u arritën me lajmin e mirë dhe vëllezërit u kënaqën që njerëzit atje nuk kishin paragjykime. Ata nuk kishin dëgjuar asnjë gjë, të mirë a të keqe, për Dëshmitarët e Jehovait. Vendësit, duke përfshirë edhe priftin, pranuan 19 libra dhe 13 broshura. Ndërsa Dëshmitarët po ktheheshin në Kretë me një varkë të vogël, deti u bë i trazuar, duke ua vënë jetën në rrezik. «Falënderuam Jehovain që arritëm gjallë në shtëpi, por, gjithashtu, i dhamë lavdi që na lejoi të nderonim emrin e tij në këtë ishull të vogël, që është pika më jugore e Evropës»,—thanë ata.
Patmosi është ishulli ku apostulli Gjon shkroi librin e fundit të Biblës, Zbulesën. Deri kohët e fundit, në Patmos nuk kishte asnjë Dëshmitar të Jehovait. Vëllezërit në Samos organizuan me kujdes një fushatë predikimi në atë ishull. Ata e dinin se mund të pritnin kundërshtim të ashpër, sepse ishulli është një kështjellë e Kishës Ortodokse Greke. Dy motra që po i prezantonin lajmin e mirë një zonje, u ftuan brenda në shtëpi. Bashkëshorti i kësaj zonje i pyeti me ngulm motrat kush i
kishte dërguar në shtëpinë e tyre. Kur i shpjeguan se po vizitonin çdo shtëpi, ai i pyeti përsëri: «Jeni të sigurta se nuk ju ka dërguar ndonjë fqinji ynë këtu?» E shoqja, e cila i kishte njohur Dëshmitarët e Jehovait kur ishte në Zaire, më vonë u shpjegoi motrave çfarë kishte ndodhur atë mëngjes. Ajo u tha: «Po i lutesha Jehovait, siç kisha bërë ditët e tjera, që të dërgonte disa Dëshmitarë në ishull. Burri im qeshte me mua. Kur ju pashë në derë, mbeta e habitur e po kështu edhe im shoq. Ja përse ju pyeste vazhdimisht kush ju kishte dërguar në shtëpinë tonë.» Me zonjën u fillua menjëherë një studim biblik. Studimi u drejtua për dhjetë muaj me telefon, ndonëse kjo i kushtoi shumë para motrës dhe gruas së interesuar. Ajo u pagëzua dhe tani është e vetmja Dëshmitare në atë ishull, ku apostulli Gjon ishte në izolim 1900 vjet më parë.«Peshkojnë» nëpër porte
Çdo verë, nëpër portet e shumta të ishujve të detit Egje ndalojnë anije të mëdha pasagjerësh, të cilat sjellin vazhdimisht pushues që duan të vizitojnë ishujt. Kështu, Dëshmitarët e Jehovait kanë një mundësi të pashoqe për të arritur njerëz nga shumë kombe dhe gjuhë. Kongregacionet mbajnë në depo literaturë biblike në shumë gjuhë dhe lajmëtarët u shpërndajnë turistëve mijëra revista. Disa anije pasagjerësh ndalojnë nëpër të njëjtat porte çdo javë dhe kjo u jep vëllezërve mundësi të shkëlqyera për të bërë rivizita e madje për të drejtuar studime biblike me disa pjesëtarë të ekuipazheve të anijeve.
Në verën e vitit 1996, një motër, e cila është predikuese në kohë të plotë në Rodos, i dha dëshmi një të riu xhamajkan, i cili punonte në një anije pasagjerësh që ndalonte në atë port çdo të premte. Të premten vijuese, të riun e ftuan të ndiqte një kongres krahinor që do të mbahej në ishull. Me Biblën në anglisht në dorë, motra pioniere e ndihmoi që të kuptonte disa të vërteta biblike që u prezantuan në program. Të riut i bëri shumë përshtypje dashuria dhe ngrohtësia që treguan Dëshmitarët në kongres. Të premten vijuese, ai ftoi dy vëllezër pionierë në anije. Pionierët morën me vete literaturë në anglisht dhe spanjisht. Brenda më pak se një ore çantat e tyre të shërbimit u boshatisën. I riu xhamajkan studioi Biblën çdo të premte, deri në fund të verës. Verën tjetër, u kthye përsëri, gati
për të vazhduar studimin. Gjithsesi, kësaj radhe vendosi të ndryshonte punë, që të kishte mundësi të bënte përparim frymor. Pastaj u largua përsëri nga ishulli. Sa të lumtur ishin vëllezërit në Rodos kur morën vesh se ky i ri ishte pagëzuar në fillim të vitit 1998!Kapin «peshq» migrues
Deti Egje njihet se ka një bollëk peshqish migrues, siç janë sardelet dhe peshku shpatë, të cilët kalojnë nëpër ujërat e këtij deti dhe përfundojnë në rrjetat e peshkatarëve zanatçinj. Në mënyrë të ngjashme, ungjillëzuesit e Mbretërisë gjejnë shumë zemra të ndjeshme mes punëtorëve imigrantë, të cilët janë transferuar në Greqi nga shumë vende të Evropës Lindore.
Rezi ishte 10 vjeçe kur lexoi për herë të parë për Jehovain dhe për qëllimet e tij, në faqet e Kullës së Rojës dhe të Zgjohuni! Në atë kohë ishte në Shqipëri. Tre vjet më vonë, u transferua së bashku me familjen në ishullin Rodos. Një ditë, Rezi iu lut Jehovait që ta ndihmonte të gjente popullin e tij në këtë vend, që do të ishte shtëpia e saj e re. Ditën tjetër, Rezi u gëzua shumë kur i ati solli në shtëpi ato revista të njohura, Kullën e Rojës dhe Zgjohuni! Rezi u takua me motrën që i kishte dhënë revistat babait të saj dhe shpejt filloi të studionte librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Disa herë, kërkonte që ta bënin studimin tri herë në ditë. Pas dy muajsh, u bë lajmëtare e papagëzuar dhe në mars të vitit 1998, u pagëzua, në moshën 14-vjeçare. Po atë ditë filloi si pioniere ndihmëse dhe gjashtë muaj më vonë, hyri në radhët e pionierëve të rregullt ose në shërbimin e plotkohor.
Një vëlla në ishullin Kos po studionte me disa njerëz nga Rusia. Kur i pyeti nëse kishin ndonjë mik që dëshironte të studionte Biblën, ata i drejtuan te një çift armen, Leonidasi dhe Ofelia, gruaja e tij, në një fshat rreth 30 kilometra larg. Atje, vëllezërit i priste një surprizë. Çifti armen nxori një çantë plot me literaturë biblike në rusisht dhe armenisht, botuar nga Shoqata Watch Tower. Ata shpjeguan se kishin studiuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe kishin përparuar deri në pikën që ishin bërë lajmëtarë të papagëzuar. Për shkak të trazirave politike dhe të vështirësive ekonomike, u ishte dashur të largoheshin nga vendi. Sapo kishin mbërritur në Kos, ata kishin filluar studim me nënën dhe motrën e Leonidasit, të cilat kishin shkuar atje që më përpara. Papritur e papandehur, Dëshmitari kishte tri studime biblike për të drejtuar: një me Ofelinë, një me Leonidasin dhe një me nënën e motrën e Leonidasit. Kjo i kërkonte të udhëtonte me motor për 30 kilometra, tri herë në javë. Leonidasi dhe gruaja e tij u pagëzuan disa muaj më vonë. Çfarë shpërblimi për frymën vetësakrifikuese të vëllezërve vendas!
Jehovai bën të rritet
Bekimi i Jehovait në përpjekjet e palodhura të më shumë se 2000 lajmëtarëve aktivë të Mbretërisë në këta ishuj të Egjeut, është i dukshëm. Tani, atje ka 44 kongregacione dhe 25 grupe me Dëshmitarë të Jehovait. Nga grupet, 17 janë në gjuhë të huaja, pasi vullneti i Jehovait është që «gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’ia arrijnë njohjes të së vërtetës». (1. Timoteut 2:4) Veç kësaj, 13 pionierë specialë po bëjnë gjithnjë e më shumë përpjekje për të arritur shumë njerëz të tjerë në këto territore të izoluara.
Për shekuj të tërë, deti Egje ka qenë një qendër e zhvillimit kulturor dhe e tregtisë. Dekadat e fundit, ai është bërë vendi i preferuar për pushime nga qindra mijë turistë. Por, ç’është më e rëndësishmja, duke punuar si «peshkatarë njerëzish», lajmëtarët e Mbretërisë kanë gjetur në këta ishuj shumë njerëz me zemër të sinqertë, të zellshëm për të lavdëruar Jehovain. Së bashku ata i janë përgjigjur në mënyrë të jashtëzakonshme ftesës profetike: «Le t’i japin lavdi Zotit, le ta shpallin lëvdimin e tij në ishuj!»—Isaia 42:12.
[Harta në faqen 22]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Deti Egje
GREQI
Lesbos
Kios
Samos
Ikarie
Furnoi
Patmos
Kos
Rodos
Kretë
TURQI
[Figura në faqen 23]
Ishulli Lesbos
[Figura në faqen 24]
Ishulli Patmos
[Figura në faqen 24]
Ishulli i Kretës