Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Tre nga Ungjijtë tregojnë për ankimin që u bë, ngaqë Jezuin e vajosën me vaj të kushtueshëm. A u ankuan shumë apostuj, apo ishte kryesisht Juda?

Këtë ngjarje e gjejmë të dokumentuar në Ungjijtë që shkruan Mateu, Marku dhe Gjoni. Duket se Juda ishte i pari që u ankua, e pastaj të paktën disa apostuj ishin dakord me të. Kjo ngjarje ilustron përse mund të jemi mirënjohës që kemi katër tregime Ungjijsh. Ajo që shkroi çdo shkrimtar ishte e saktë, por jo të gjithë japin të njëjtat hollësi. Duke krahasuar tregimet paralele, fitojmë një pikëpamje më të plotë e më të hollësishme për shumë ngjarje.

Tregimi te Mateu 26:6-13 jep vendngjarjen​—shtëpinë e Simon lebrosit në Betani​—por nuk përmend gruan që filloi t’i derdhë Jezuit në kokë vajin e parfumuar. Mateu vëren se «kur e panë këtë gjë, dishepujt e tij u zemëruan» dhe u ankuan që vaji mund të ishte shitur dhe fondet mund t’u ishin dhënë të varfërve.

Tregimi i Markut përfshin pjesën më të madhe të këtyre hollësive. Por ai shton se gruaja e theu enën që mbante vajin. Aty kishte vaj të parfumuar që ishte «nard i vërtetë», si ai që mund të ishte importuar nga India. Lidhur me ankimin, Marku raporton se «disa u indinjuan» dhe «ata ishin të indinjuar ndaj asaj». (Marku 14:3-9) Prandaj, dy tregimet bëjnë të ditur se në ankim ishte përfshirë më shumë se një apostull. Por, si filloi e gjithë kjo?

Gjoni, i cili ishte dëshmitar okular, shtoi hollësi të rëndësishme. Ai thotë emrin e gruas që hodhi vajin​—Maria, motra e Martës dhe e Lazrit. Gjoni dha edhe këtë hollësi, të cilën mund ta marrim si plotësim në vend që ta marrim si kundërshtim: «Vajosi me të këmbët e Jezuit dhe i fshiu këmbët e tij me flokët e saj.» Duke i kombinuar tregimet, mund të kuptojmë se Maria duhet ta ketë hedhur vajin, për të cilin Gjoni konfirmon se ishte «nard i pastër», në kokën dhe në këmbët e Jezuit. Gjoni ishte shumë i afërt me Jezuin dhe kishte prirjen të indinjohej kur Atë e trajtonin pa respekt. Lexojmë: «Një nga dishepujt e tij, Juda Iskarioti, bir i Simonit, ai që do [po bëhej gati, BR] ta tradhtonte, tha: ‘Pse nuk u shit ky vaj për treqind denarë dhe t’u jepej fitimi të varfërve?’»​—Gjoni 12:2-8.

Sigurisht, Juda ishte «një nga dishepujt e tij», por mund ta dalloni indinjimin që ndiente Gjoni nga fakti që dikush që kishte këtë pozitë po planifikonte të tradhtonte Jezuin. Përkthyesi dr. K. Hauard Mathni vërejti lidhur me Gjonin 12:4: «Pjesorja e tashme ‘duke u bërë gati’ [ose «po bëhej gati»] dhe paskajorja e tashme ‘për të tradhtuar’ [ose «po bëhej gati ta tradhtonte»] shprehin që të dyja një veprim të vijueshëm ose të vazhdueshëm. Kjo tregon se akti i tradhtimit të Jezuit nga Juda nuk ishte një veprim i momentit, i bërë në mënyrë impulsive, pasi ishte menduar e planifikuar për shumë ditë.» Gjoni shtoi hollësinë se Juda u ankua «jo se kujdesej për të varfrit, por sepse ishte vjedhës dhe duke qenë se ai e mbante qesen, mbante ç’shtinin atje brenda».

Prandaj, duket logjike që ankimin e filloi vjedhësi Juda, sepse, po të ishte shitur vaji i kushtueshëm dhe fondet të viheshin në qesen e parave që mbante, ai do të kishte më shumë për të vjedhur. Pasi Juda bëri këtë ankim, disa apostuj të tjerë mund të kenë murmuritur, duke qenë dakord me atë që dukej një ankim i vlefshëm. Sidoqoftë, Juda ishte nxitësi kryesor i ankimit.