Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sa shumë nevojë për ngushëllim!

Sa shumë nevojë për ngushëllim!

Sa shumë nevojë për ngushëllim!

«Ja, lotët e atyre që shtypeshin, por nuk kishin asnjë ngushëllues dhe nga ana e shtypësve të tyre ishte pushteti, kështu që ata nuk kishin asnjë ngushëllues.»​—EKLISIASTIU 4:1, BR.

A JENI duke kërkuar ngushëllim? A jeni duke pritur me etje një rreze lehtësimi që të depërtojë përmes reve të zeza të dëshpërimit? A jeni duke dëshiruar me zjarr një çikë qetësim për të lehtësuar një jetë të shkatërruar nga vuajtjet e rënda dhe nga përvojat e pakëndshme?

Në një rast ose në një tjetër, të gjithë kemi shumë nevojë për ngushëllim dhe inkurajim. Kjo ndodh sepse në jetë ka tepër gjëra që sjellin trishtim. Të gjithë kemi nevojë të ndiejmë mbrojtjen, sigurinë dhe përzemërsinë e të tjerëve. Disa prej nesh janë plakur dhe kjo gjë nuk u sjell lumturi. Të tjerë janë thellësisht të zhgënjyer që jeta nuk u ka dalë siç e kishin shpresuar. Të tjerë akoma janë tronditur nga përgjigjja që u ka kthyer një laborator analizash.

Për më tepër, pak veta do ta kundërshtonin se ngjarjet në kohën tonë e kanë bërë shumë të nevojshëm ngushëllimin e shpresën. Vetëm gjatë shekullit të kaluar, më shumë se njëqind milionë njerëz kanë vdekur nga lufta. * Gati të gjithë kanë lënë pas një familje të pikëlluar​—nëna dhe etër, motra e vëllezër, të veja dhe jetimë​—me një nevojë të dëshpëruar për lehtësim. Sot, më shumë se një miliard njerëz jetojnë në varfëri ekstreme. Gjysma e popullsisë së botës nuk ka mundësi të marrë rregullisht trajtim mjekësor dhe ilaçe të domosdoshme. Nëpër rrugët e qyteteve të mëdha e të ndotura enden miliona fëmijë të braktisur, shumë prej të cilëve përdorin drogë dhe praktikojnë prostitucionin. Miliona refugjatë vuajnë nëpër kampe të tmerrshme.

Gjithsesi, numrat, sado prekës që të jenë, nuk flasin për dhimbjen e pikëllimin që po përjetojnë disa njerëz në jetën e tyre. Shqyrtoni, për shembull, rastin e Svetllanës, një e re nga Ballkani, e cila u rrit në një varfëri mjeruese. * «Për të fituar para,​—thotë ajo,​—prindërit më dërgonin të lypja ose të vidhja. Jeta familjare degjeneroi deri në atë pikë sa u bëra viktimë e incestit. Gjeta punë si kameriere dhe mamaja ime, e cila merrte paratë që fitoja, më tha se po ta humbja punën, do të vriste veten. E gjithë kjo më çoi deri në prostitucion. Isha vetëm 13 vjeçe. Me kalimin e kohës, mbeta shtatzënë dhe bëra abort. Në moshën 15-vjeçare dukesha sikur isha 30 vjeçe.»

Lajmanis, një i ri nga Letonia, na tregon nevojën e tij për ngushëllim dhe kujtimet e zymta që e bënin të trishtohej. Në moshën 29-vjeçare, kishte bërë një aksident automobilistik, që e kishte lënë të paralizuar nga mesi e poshtë. Ishte ndier pa asnjë shpresë dhe i ishte kthyer alkoolit. Pesë vjet më vonë, ishte një njeri i mbaruar, një i alkoolizuar i paralizuar, pa asnjë të ardhme. Ku mund të gjente ngushëllim?

Ose mendoni për Enxhin. Burri i saj bëri tri operacione në tru, të cilat në fillim e kishin lënë pjesërisht të paralizuar. Pastaj, pesë vjet pas operacionit të fundit, pati një aksident shumë të rëndë, që mund ta kishte lënë edhe të vdekur në vend. Kur hyri në dhomën e urgjencës dhe pa të shoqin që ishte në gjendje kome, pasi ishte dëmtuar shumë rëndë në kokë, ajo e kuptoi se po u kanosej një tragjedi. E ardhmja për të dhe për familjen do të ishte e vështirë. Si mund të gjente mbështetje dhe inkurajim?

Për Patin, një ditë dimri, disa vjet më parë, u duk sikur filloi normalisht. Por, tri ditët vijuese i janë zhdukur nga kujtesa. Më vonë, i shoqi i tregoi se pasi kishte pasur dhimbje të mëdha në kraharor, asaj i kishte pushuar zemra. Në fillim, zemra kishte filluar t’i rrihte shumë shpejt dhe jo ritmikisht, pastaj kishte pushuar fare së rrahuri. Ajo s’merrte më frymë. «Faktikisht, isha e vdekur nga ana klinike»,​—thotë Pati. Por, në një mënyrë ose në një tjetër, ajo mbijetoi. Për qëndrimin e gjatë në spital, ajo thotë: «Isha e frikësuar nga eksperimentet e shumta, veçanërisht kur u përpoqën të bënin që zemra ime të rrihte shpejt e të pushonte, siç kishte bërë fillimisht.» Çfarë mund t’i sillte ngushëllimin dhe lehtësimin e nevojshëm gjatë kësaj kohe kritike?

Xho dhe Rebeka humbën djalin e tyre 19-vjeçar në një aksident automobilistik. «Nuk kemi kaluar kurrë një gjë më shkretuese se kjo,​—thonë ata.​—Edhe pse në të kaluarën jemi pikëlluar me të tjerët për humbjet që kanë pasur, nuk e ndienim vërtet dhimbjen e madhe të zemrës që ndiejmë tani.» Çfarë mund të arrinte ta zbuste këtë «dhimbje të madhe të zemrës», pikëllimin e jashtëzakonshëm për humbjen e dikujt që ata e donin kaq shumë?

Të gjithë këta individë dhe miliona të tjerë, faktikisht, kanë gjetur një burim ngushëllimi dhe lehtësimi që i tejkalon të tjerët. Ju lutemi, vazhdoni të lexoni, për të parë se si mund të përfitoni edhe ju nga ky burim.

[Shënimet]

^ par. 5 Numri i personelit ushtarak dhe i civilëve që kanë vdekur nuk dihet me saktësi. Për shembull, në librin Facts About the American Wars të vitit 1998, vetëm për Luftën II Botërore vërehej: «Shumë burime thonë se numri i atyre që vdiqën nga Lufta II Botërore (ushtarakë dhe civilë) është 50 milionë, por shumë veta që e kanë studiuar nga afër çështjen besojnë se shifra më e saktë është më e lartë​—deri në dyfishin e atij numri.»

^ par. 6 Emri është ndryshuar.

[Burimet e figurave në faqen 3]

KOMBET E BASHKUARA/FOTOGRAFI NGA J. K. ISAK

FOTOGRAFI E OKB-SË 146150 NGA O. MONSEN