Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dasma të gëzueshme që nderojnë Jehovain

Dasma të gëzueshme që nderojnë Jehovain

Dasma të gëzueshme që nderojnë Jehovain

Uelshi dhe Elthia u martuan në vitin 1985, në Soveto të Afrikës së Jugut. Herë pas here, ata shfletojnë albumin e dasmës së bashku me vajzën e tyre, Zinzin, dhe kujtojnë atë ditë të gëzuar. Zinzit i pëlqen shumë të gjejë kush janë të ftuarit në dasmë dhe i ka qejf në veçanti fotografitë e nënës së saj me atë veshje aq të bukur.

DASMA filloi me një fjalim martese, i cili u mbajt në një sallë publike në Soveto. Pastaj, një kor të rinjsh të krishterë i kënduan Jehovait këngë lavdie, me katër zëra. Më tej, të ftuarit hëngrën një drekë të këndshme, ndërsa në sfond dëgjoheshin lehtë meloditë e Mbretërisë të regjistruara në kasetë. Nuk u shërbyen pije alkoolike dhe nuk pati muzikë me zë të lartë ose vallëzime. Në vend të kësaj, të ftuarit u kënaqën me shoqërinë e njëri-tjetrit, ndërsa uronin çiftin. Gjithsej, dasma zgjati rreth tre orë. «Ishte një dasmë që do të më sjellë gjithnjë në mend kujtime të këndshme»,​—solli ndër mend Rajmondi, një plak i krishterë.

Në kohën kur u martuan, Uelshi dhe Elthia ishin vullnetarë në degën e Shoqatës Watch Tower Bible and Tract në Afrikën e Jugut. Ata kishin mundësi të përballonin shpenzimet vetëm për një dasmë modeste. Disa të krishterë kanë zgjedhur të lënë shërbimin e plotkohor dhe të fillojnë një punë për të mbuluar shpenzimet e një dasme të ndërlikuar. Megjithatë, Uelshi dhe Elthia nuk ndiejnë keqardhje që zgjodhën të bënin një dasmë modeste, sepse kjo i lejoi të vazhdonin t’i shërbenin Perëndisë si shërbëtorë në kohë të plotë derisa u lindi Zinzi.

Por, ç’të themi nëse një çift do të zgjidhte që në dasmë të kishte muzikë, jo nga meloditë e Mbretërisë, dhe vallëzime? Po sikur të vendosin që të shërbehet verë ose pije të tjera alkoolike? Po në rast se kanë mundësi të përballojnë shpenzimet për një dasmë të madhe e të ndërlikuar? Si mund të sigurohen se ngjarja do të dalë një rast i lumtur, që u ka hije adhuruesve të Perëndisë? Pyetje të tilla duhen marrë në shqyrtim me kujdes, pasi Bibla urdhëron: «Nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë.»​—1. Korintasve 10:31.

Të shmangim ahengjet e shfrenuara

Është e vështirë të imagjinohet një dasmë pa gëzim. Rreziku shumë më i madh është se mos shkohet në ekstremin tjetër dhe teprohet me ahengje të shfrenuara. Në shumë dasma të njerëzve që nuk janë Dëshmitarë, ndodhin gjëra që nuk e nderojnë Perëndinë. Për shembull, është e zakonshme që njerëzit të pinë alkool derisa të dehen. Mjerisht, kjo ka ndodhur edhe në disa dasma të krishtere.

Bibla paralajmëron se «pija dehëse është e turbullt [e potershme, BR]». (Fjalët e urta [Proverbat] 20:1) Fjala hebraike e përkthyer «e potershme» do të thotë të «bësh zhurmë të madhe». Nëse alkooli mund ta bëjë të zhurmshëm një njeri, imagjinoni çfarë mund t’i bëjë një turme të madhe me njerëz që mblidhen bashkë dhe pinë tepër! Qartë, raste të tilla mund të degjenerojnë me lehtësi deri në ‘dehje, ahengje të shfrenuara e të tjera si këto’, të cilat në Bibël radhiten si «veprat e mishit». Praktika të tilla e ndalojnë një person të papenduar për të trashëguar jetën e përhershme nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë.​—Galatasve 5:19-21, BR.

Fjala greke për «aheng i shfrenuar» përdorej për të përshkruar një grup të zhurmshëm të rinjsh gjysmë të dehur, që endeshin nëpër rrugë dhe këndonin, kërcenin dhe luanin muzikë. Nëse në një dasmë alkooli qarkullon tepër lirisht dhe nëse ka muzikë me zë të lartë e vallëzime të pakufizuara, ekziston një rrezik i vërtetë që dasma të kthehet në diçka të ngjashme me ahengjet e shfrenuara. Në një atmosferë të tillë, personat e dobët frymësisht e moralisht mund të bien lehtë në tundim dhe të kryejnë vepra të tjera të mishit, si «kurvëria, papastërtia, sjellja e shthurur [ose të dorëzohen në] shpërthime zemërimi». Çfarë mund të bëhet për të parandaluar që këto vepra të mishit të prishin gëzimin e një dasme të krishterë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le të shqyrtojmë çfarë thotë Bibla për një dasmë.

Një dasmë ku shkoi Jezui

Jezuin dhe dishepujt e tij i ftuan në një dasmë në Kanë të Galilesë. Ata e pranuan ftesën e, madje, Jezui i kontribuoi gëzimit të rastit. Kur mbaroi vera, ai, me anë të një mrekullie, siguroi një sasi të mëtejshme vere të cilësisë më të mirë. Ajo që teproi nga dasma, pa dyshim, u shërbeu nevojave të dhëndrit mirënjohës dhe të familjes së tij, për një farë kohe.​—Gjoni 2:3-11.

Mund të nxjerrim disa mësime nga dasma ku shkoi Jezui. Së pari, ai bashkë me dishepujt nuk hynë pa ftuar në gostinë e dasmës. Bibla thotë në mënyrë specifike se ata i kishin ftuar. (Gjoni 2:1, 2) Në mënyrë të ngjashme, në dy ilustrime për gosti dasmash, Jezui foli në mënyrë të përsëritur për dasmorët që ishin të pranishëm sepse i kishin ftuar.​—Mateu 22:2-4, 8, 9; Luka 14:8-10.

Në disa vende, është zakon që kushdo në lagje ndihet i lirë për të marrë pjesë në një gosti dasme, është i ftuar apo jo. Megjithatë, kjo mund të krijojë vështirësi financiare. Një çift të fejuarish që nuk janë të pasur, mund të hyjnë në borxhe për t’u siguruar që të ketë mjaft ushqim dhe pije për një turmë të papërcaktuar. Prandaj, nëse një çift i krishterë vendos të bëjë një dasmë modeste me një numër specifik të ftuarish, të bashkëkrishterët që nuk janë ftuar duhet ta kuptojnë e ta respektojnë këtë gjë. Një njeri që u martua në Kejptaun të Afrikës së Jugut, kujton se në dasmë kishte ftuar 200 veta. Megjithatë, erdhën 600 veta dhe shumë shpejt e mbaruan ushqimin. Mes të paftuarve ishin edhe turistët e një autobusi, të cilët qëlluan të vizitonin qytetin Kejptaun fundjavën që ishte dasma. Shoferi i autobusit ishte një i afërm i largët i nuses dhe mendonte që ishte e drejta e tij të sillte me vete të gjithë grupin, pa u konsultuar fare me nusen ose me dhëndrin!

Përveç rastit kur është thënë se një dasmë është e lirë për të gjithë, një ithtar i vërtetë i Jezuit nuk do të donte të ishte i pranishëm në një dasmë nëse nuk e kanë ftuar, dhe të merrte ushqimin dhe pijen që ishte siguruar për të ftuarit. Ata që tundohen të shkojnë, edhe pse nuk janë të ftuar, duhet të pyesin veten: ‘A nuk do të tregonte pjesëmarrja ime në këtë dasmë mungesë dashurie për të sapomartuarit? A nuk do të shkaktoja probleme dhe a nuk do t’ua hiqja gëzimin e rastit?’ Në vend që të ofendohet sepse nuk e kanë ftuar, një i krishterë me empati mund të dërgojë me dashuri një mesazh për të përgëzuar çiftin dhe për t’i uruar bekimin e Jehovait. Madje, mund të shqyrtojë edhe mundësinë për ta ndihmuar çiftin, duke i dërguar një dhuratë për të shtuar lumturinë e dasmës së tyre.​—Predikuesi (Eklisiastiu) 7:9; Efesianëve 4:28.

Kush është përgjegjës?

Në disa pjesë të Afrikës, është një zakon që dasmën ta marrin përsipër të afërmit më të moshuar. Çiftet mund të ndihen mirënjohës për këtë, sepse i lehtëson nga detyrimet financiare. Ata mund të mendojnë se kjo gjë i liron edhe nga përgjegjësia për ndonjë gjë që mund të ndodhë. Megjithatë, para se të pranojë ndonjë lloj ndihme nga të afërmit me qëllime të mira, një çift duhet të sigurohet se do të respektohen dëshirat e tyre.

Edhe pse Jezui ishte Biri i Perëndisë, i cili «zbriti nga qielli», nuk ka asnjë dëshmi se ai i mori në dorë çështjet dhe drejtoi dasmën në Kanë. (Gjoni 6:41) Përkundrazi, tregimi biblik na thotë se ishte caktuar dikush tjetër që të vepronte si «drejtuesi i gostisë». (Gjoni 2:8, BR) Ky burrë, nga ana e vet, i përgjigjej kryefamiljarit të ri, domethënë dhëndrit.​—Gjoni 2:9, 10.

Të afërmit e krishterë duhet të respektojnë kreun që ka caktuar Perëndia për familjen e re. (Kolosianëve 3:18-20) Ai është personi që duhet të mbajë përgjegjësinë për atë që ndodh në dasmën e tij. Natyrisht, dhëndri duhet të jetë i arsyeshëm dhe, nëse është e mundur, të marrë parasysh dëshirat e nuses së tij, të prindërve dhe të të afërmve të nuses. Por, nëse të afërmit ngulin këmbë që t’i rregullojnë gjërat në kundërshtim me dëshirat e çiftit, atëherë çiftit mund t’i duhet të refuzojë me mirësjellje ndihmën e tyre dhe të paguajë vetë për një dasmë modeste. Në këtë mënyrë, nuk do të ndodhë asnjë gjë që mund ta lërë çiftin me kujtime të pakëndshme. Për shembull, në një dasmë të krishterë në Afrikë, një i afërm jobesimtar, i cili vepronte si drejtues i ceremonive, ngriti një dolli për nder të të parëve të vdekur.

Disa herë, një çift largohet nga dasma për të filluar muajin e mjaltit, para se të mbarojnë kremtimet e dasmës. Në rast të tillë, dhëndri duhet të marrë masa që të ketë njerëz përgjegjës, për t’u siguruar se do të mbahen normat biblike dhe se kremtimet do të përfundojnë në një orar të arsyeshëm.

Planifikim i kujdesshëm dhe ekuilibër

Me sa duket, në dasmën ku ishte i pranishëm Jezui, kishte një bollëk ushqimi të mirë, pasi Bibla e përshkruan si një gosti dasme. Siç është vërejtur, kishte edhe verë me bollëk. Pa dyshim, ka pasur muzikë të përshtatshme dhe vallëzim dinjitoz, sepse ky ishte një aspekt i zakonshëm i jetës shoqërore judaike. Jezui e tregoi këtë në ilustrimin e famshëm për birin plëngprishës. Në atë histori, babai i pasur ishte kaq i lumtur për kthimin e birit të tij të penduar, saqë tha: «Të hamë dhe të gëzohemi.» Sipas Jezuit, festa përfshinte edhe «këngë e valle».​—Luka 15:23, 25.

Gjithsesi, është interesant fakti se Bibla nuk i referohet në mënyrë specifike muzikës dhe vallëzimit në dasmën e Kanës. Në fakt, në asnjë tregim biblik për dasma nuk flitet për vallëzime. Duket se mes shërbëtorëve besimplotë të Perëndisë në kohët biblike, vallëzimi ishte një gjë e rastit, jo aspekti kryesor i dasmave të tyre. A mund të mësojmë ndonjë gjë nga kjo?

Në disa dasma të krishtere në Afrikë, përdoren sisteme të fuqishme elektronike akustike. Muzika mund të jetë aq e lartë, sa të ftuarit nuk bisedojnë dot rehat me njëri-tjetrin. Disa herë, duket qartë që mungon ushqimi, por nuk ka mungesë vallëzimesh që bëhen lehtë të pakufizuara. Në vend që të jetë një gosti dasme, këto raste thjesht mund të jenë pretekste për një mbrëmje vallëzimi. Më tej, muzika me zë të lartë shpesh tërheq sherrxhinj, njerëz të panjohur që thjesht vijnë pa u ftuar.

Meqë tregimet biblike për dasma nuk theksojnë muzikën dhe vallëzimet, a nuk duhet ta udhëheqë kjo një çift që planifikon të bëjë një dasmë që nderon Jehovain? Megjithatë, në përgatitje për disa dasma të kohëve të fundit në Afrikën Jugore, të rinjtë e krishterë që ishin zgjedhur për të përfaqësuar shoqëruesit e çiftit, kaluan shumë orë duke praktikuar hapa të ndërlikuar vallëzimi. Për muaj të tërë, ata përdorën një sasi të tepruar kohe në këtë mënyrë. Por të krishterët duhet të ‘blejnë kohën’ për ‘gjërat më të rëndësishme’, siç është vepra ungjillëzuese, studimi personal dhe pjesëmarrja në mbledhjet e krishtere.​—Efesianëve 5:16, BR; Filipianëve 1:10, BR.

Duke gjykuar nga sasia e verës që siguroi Jezui, duket se dasma në Kanë ishte e madhe dhe e ndërlikuar. Megjithatë, mund të jemi të sigurt se nuk ishte një gosti e zhurmshme dhe se të ftuarit nuk abuzuan me alkoolin siç ndodhte në disa dasma judaike. (Gjoni 2:10) Përse mund të jemi të sigurt për këtë? Sepse Zotëria Jezu Krisht ishte i pranishëm. Nga të gjithë njerëzit, Jezui do të kishte pasur kujdesin më të madh për t’iu bindur urdhrit të Perëndisë lidhur me shoqëritë e këqija: «Mos merr pjesë në gosti me pijanecë.»​—Fjalët e urta 23:20, DSF.

Prandaj, nëse një çift vendos që në dasmë të shërbehet verë ose pije të tjera alkoolike, duhet të marrë masa që kjo të bëhet nën kontrollin e rreptë të personave përgjegjës. Gjithashtu, nëse vendosin të kenë muzikë, duhet të zgjedhin melodi të përshtatshme dhe të kenë një person përgjegjës që rregullon volumin e zërit. Nuk duhen lejuar të ftuarit të marrin nën kontroll muzikën dhe të vënë muzikë të dyshimtë ose të ngrenë volumin në nivel të paarsyeshëm. Nëse do të ketë vallëzime, mund të bëhen në mënyrë dinjitoze dhe të kufizuar. Nëse të afërmit jobesimtarë ose të krishterë të papjekur përdorin lëvizje vallëzimi vulgare ose sensuale, dhëndrit mund t’i duhet të ndryshojë muzikën ose me takt të kërkojë që të pushojë vallëzimi. Përndryshe, dasma mund të degjenerojë në një festë të shfrenuar dhe të bëhet shkak për pengim.​—Romakëve 14:21.

Për shkak të rreziqeve që përfshijnë disa lloje vallëzimi modern, muzika e lartë dhe qarkullimi i lirshëm i alkoolit, disa dhëndurë të krishterë kanë vendosur të mos i përfshijnë këto aspekte në dasmën e tyre. Disa prej tyre janë kritikuar për këtë, por në vend të kësaj, ata duhen lavdëruar për dëshirën që kanë për të shmangur ndonjë gjë që mund të sjellë sharje mbi emrin e shenjtë të Perëndisë. Nga ana tjetër, disa dhëndurë marrin masa që të ketë muzikë të përshtatshme, një kohë për vallëzim dhe alkool të shërbyer me kufi. Në të dyja rastet, dhëndri është përgjegjës për atë që lejon të ndodhë në dasmën e tij.

Në Afrikë, disa njerëz të papjekur i përçmojnë martesat dinjitoze të krishtere dhe thonë se janë sikur po marrin pjesë në një funeral. Megjithatë, kjo nuk është një pikëpamje e ekuilibruar. Veprat mëkatare të mishit mund të sjellin entuziazëm të përkohshëm, por i lënë të krishterët me ndërgjegje të trazuar dhe sjellin sharje mbi emrin e Perëndisë. (Romakëve 2:24) Nga ana tjetër, fryma e shenjtë e Perëndisë sjell gëzim të vërtetë. (Galatasve 5:22) Shumë çifte të krishtere e kujtojnë me krenari ditën e dasmës së tyre, duke e ditur se ishte një rast i lumtur dhe jo një «shkak për pengim».​—2. Korintasve 6:3, BR.

Uelshi dhe Elthia i kujtojnë ende komentet e shumta miratuese të të afërmve jobesimtarë, që morën pjesë në dasmë. Një prej tyre u tha: «U lodhëm me dasmat e zhurmshme që bëhen këto ditë. Ishte kaq bukur të merrje pjesë në një dasmë siç duhet, sa për të ndryshuar.»

Ç’është më e rëndësishmja, dasmat e krishtere që janë të gëzueshme dhe dinjitoze nderojnë Nismëtarin e martesës, Perëndinë Jehova.

[Kutia dhe figura në faqen 22]

LISTË KONTROLLI PËR ORGANIZIMIN E NJË DASME

• Nëse ftoni një të afërm jobesimtar për të mbajtur fjalim, a ia keni bërë të qartë që të mos futë ndonjë traditë që nuk është e krishterë?

• Nëse do të ketë muzikë, a keni zgjedhur vetëm këngë të përshtatshme?

• A do të ketë një volum të arsyeshëm muzika?

• Nëse lejohen vallëzimet, a do të bëhen në mënyrë dinjitoze?

• A do të shërbehet vetëm me përkore alkooli?

• A do të ketë persona përgjegjës për të kontrolluar shpërndarjen e alkoolit?

• A keni caktuar një orar të arsyeshëm për të përfunduar dasmën?

• A do të ketë persona përgjegjës për të siguruar rregullin deri në fund?