Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Falënderoj Jehovain me anë të shërbimit të plotkohor

Falënderoj Jehovain me anë të shërbimit të plotkohor

Jetëshkrim

Falënderoj Jehovain me anë të shërbimit të plotkohor

TREGUAR NGA STENLI E. REJNOLDS

Linda në Londër, Angli, në vitin 1910. Pas Luftës I Botërore, prindërit u transferuan në një fshat të vogël të Uiltshirit që quhej Uestbëri Lej. Kur isha i vogël, shpesh pyesja: ‘Kush është Perëndia?’ Askush nuk ma tregonte dot. Ndërsa unë nuk arrija ta kuptoja përse një fshati aq të vogël sa yni i duheshin dy faltore dhe një kishë për të adhuruar Perëndinë.

NË VITIN 1935, katër vjet para se të fillonte Lufta II Botërore, së bashku me vëllanë më të vogël, Dikun, shkuam me biçikletë deri në Uejmauth, në bregun jugor të Anglisë, për të bërë një pushim në tenda. Ndërsa qëndronim ulur në tendën tonë, duke dëgjuar shiun që binte me gjyma dhe duke pyetur veten se çfarë të bënim, një zotëri i moshuar na bëri vizitë dhe më ofroi tri botime ndihmëse për studimin e Biblës: Harpa e Perëndisë, Drita I dhe Drita II. I mora, duke u gëzuar që gjeta diçka për të prishur monotoninë. Menjëherë u magjepsa pas asaj që lexova, por, në atë kohë, as që e kuptoja se kjo do të ndryshonte plotësisht jetën time, si edhe të vëllait tim.

Kur u ktheva në shtëpi, mamaja më tha se Kejt Parsons, e cila jetonte në fshatin tonë, shpërndante të njëjtin lloj literature biblike. Ajo ishte shumë e njohur sepse, ndonëse ishte mjaft e moshuar, ngiste një motoçikletë të vogël që të shkonte të vizitonte njerëzit në fshatin tonë të shpërndarë. Shkova t’i bëja një vizitë e, me kënaqësi, ajo më dha librat Krijimi dhe Pasuritë, si edhe botime të tjera të Shoqatës Watch Tower. Gjithashtu, më tha se ishte Dëshmitare e Jehovait.

Pasi i lexova librat duke i krahasuar me Biblën time, e kuptova se Jehovai është Perëndia i vërtetë dhe dëshiroja ta adhuroja atë. Prandaj i dërgova një letër dorëheqjeje kishës ku bëja pjesë dhe fillova të merrja pjesë në studimet biblike që mbaheshin në shtëpinë e çiftit Xhon dhe Alis Mudi. Ata jetonin në Uestbëri, qyteti më i afërt me fshatin tonë. Në ato mbledhje ishim vetëm shtatë veta. Para dhe pas mbledhjeve, Kejt Parsons i binte një organoje me gjuhëza dhe ne këndonim së bashku këngët e Mbretërisë, me sa na hante zëri.

Ditët e fillimit

E kuptoja se po jetonim në momente historike dhe kisha shumë dëshirë të merrja pjesë në veprën e predikimit, të profetizuar te Mateu 24:14. Prandaj, lashë duhanin, bleva një çantë-valixhe dhe iu dedikova Perëndisë Madhështor, Jehovait.

Në gusht të vitit 1936, Xhozef. F. Radhërfordi, presidenti i Shoqatës Watch Tower, ishte në vizitë në Glasgou, Skoci, për të folur rreth temës «Harmagedoni». Ndonëse Glasgou ishte rreth 600 kilometra larg, isha i vendosur të shkoja dhe të pagëzohesha në atë kongres. Kisha pak para, kështu që mora me vete biçikletën dhe i hipa trenit për në Karlajl, një qytet në kufirin skocez dhe prej andej pedalova për 160 kilometra më në veri. Po ashtu, bëra me biçikletë pjesën më të madhe të rrugës për në shtëpi, duke u kthyer i sfilitur fizikisht, por i forcuar frymësisht.

Që prej asaj kohe, udhëtoja me biçikletë sa herë që shkoja për të ndarë besimin tim me njerëzit në fshatrat aty afër. Në ato ditë, çdo Dëshmitar kishte një kartë dëshmie, ku ishte shtypur një mesazh biblik që ta lexonin pronarët e shtëpive. Gjithashtu, përdornim gramafonë portativë për të vënë regjistrime fjalimesh biblike nga presidenti i Shoqatës. Dhe, patjetër, mbanim gjithnjë një çantë revistash, * e cila na identifikonte si Dëshmitarë të Jehovait.

Pionier në kohë lufte

Vëllai im u pagëzua në vitin 1940. Lufta II Botërore kishte filluar në vitin 1939 dhe që të dy e kuptuam se kishte një nevojë urgjente për predikues në kohë të plotë. Prandaj, plotësuam kërkesën për pionierë. Ishim mirënjohës që na caktuan së bashku në shtëpinë e pionierëve në Bristol, ku do të jetonim bashkë me Edit Pulin, Bert Farmerin, Tom dhe Doroti Brixhisin, Bernard Hotënin dhe me pionierë të tjerë, besimin e të cilëve e kishim admiruar prej kohësh.

Shpejt, erdhi për të na marrë një kamion i vogël, në pjesët anësore të të cilit ishin shkruar me shkronja të zeza fjalët «DËSHMITARËT E JEHOVAIT». Shofer ishte Stenli Xhons, i cili më vonë u bë misionar në Kinë dhe u burgos atje për shtatë vjet me izolim, për shkak të aktivitetit të tij të predikimit.

Me vazhdimin e luftës, rrallë arrinim të flinim një natë të tërë. Pranë shtëpisë sonë të pionierëve binin bomba dhe na duhej të rrinim gjithnjë vigjilentë për t’u ruajtur nga bombat djegëse. Një mbrëmje u larguam nga qendra e Bristolit pas një asambleje të shkëlqyer ku pati 200 Dëshmitarë të pranishëm dhe, nën breshërinë e plumbave të shrapnelave të kundërajrorëve, arritëm në shtëpi, ku mund të ishim pak a shumë të sigurt.

Mëngjesin vijues, së bashku me Dikun, u kthyem në qytet për të mbledhur disa gjëra që i kishim lënë një ditë më parë. Shtangëm në vend. Bristoli ishte bërë gërmadhë. E gjithë qendra e qytetit ishte hedhur në erë dhe ishte djegur. Park Striti, ku kishte qenë më parë Salla jonë e Mbretërisë, ishte një grumbull rrënojash që nxirrnin tym. Megjithatë, asnjë Dëshmitar nuk ishte vrarë ose plagosur. Lumturisht, literaturën biblike e kishim transferuar tashmë nga Salla e Mbretërisë dhe e kishim shpërndarë nëpër shtëpitë e pjesëtarëve të kongregacionit. E falënderuam Jehovain për të dyja këto gjëra.

Liri e papritur

Kongregacioni Bristol, ku shërbeja si mbikëqyrës drejtues, kishte arritur deri në 64 shërbëtorë, në kohën kur mora fletën e thirrjes për shërbimin ushtarak. Shumë Dëshmitarë të tjerë i kishin dërguar në burg për qëndrimin e tyre asnjanës dhe prisja që edhe mua të më hiqej në mënyrë të ngjashme liria për të predikuar. Çështja ime u shtrua në një gjykatë vendëse në Bristol, ku për mua foli vëllai Entoni Buk, një ish-oficer burgu. Ai ishte një burrë i guximshëm e i patrembur, një përkrahës besnik i së vërtetës biblike. Si rezultat i përfaqësimit të tij të shkëlqyer, papritur më përjashtuan plotësisht nga shërbimi ushtarak, me kusht që të vazhdoja shërbimin e plotkohor.

U rrëqetha që isha i lirë dhe vendosa ta përdorja këtë liri për të predikuar në masën më të madhe që të ishte e mundur. Kur mora një telefonatë për t’u paraqitur në zyrën e degës në Londër, që të flitja me Albert D. Shroderin, mbikëqyrësin e degës, patjetër që pyeta veten se çfarë më priste. Imagjinoni habinë time kur më ftuan të shkoja në Jorkshir për të shërbyer si mbikëqyrës udhëtues, duke vizituar një kongregacion çdo javë, për të ndihmuar dhe për të inkurajuar vëllezërit! Ndihesha shumë i pavlefshëm për një caktim të tillë, por kisha marrë përjashtimin nga shërbimi ushtarak dhe isha i lirë për të shkuar. Prandaj, pranova drejtimin e Jehovait dhe shkova me gatishmëri.

Albert Shroderi më prezantoi me vëllezërit në një asamble të mbajtur në Hudërzfild dhe në prill të vitit 1941 fillova caktimin e ri. Çfarë gëzimi ishte të njihja ata vëllezër të dashur! Dashuria dhe dashamirësia e tyre më bëri të çmoja edhe më shumë faktin që Jehovai ka një popull tërësisht të përkushtuar ndaj tij, të cilët e duan njëri-tjetrin.​—Gjoni 13:35.

Privilegje të tjera shërbimi

Në vitin 1941, në Sallën De Montfort të Leiçesterit u mbajt një kongres i paharrueshëm kombëtar pesëditor. Megjithëse ushqimi ishte i racionuar dhe transporti kombëtar i kufizuar, të dielën totali i të pranishmëve arriti maksimumin me 12 000 veta, e megjithatë, në atë kohë, në vend kishte vetëm rreth 11 000 Dëshmitarë. U vunë regjistrime të fjalimeve nga presidenti i Shoqatës dhe u prezantua libri Fëmijët. Ai kongres ishte patjetër një moment i shënuar në historinë teokratike të popullit të Jehovait në Britani, pasi u mbajt në mes të Luftës II Botërore.

Jo shumë kohë pas këtij kongresi, mora ftesën për të shërbyer në familjen Bethel të Londrës. Atje, punova në repartet e transportit dhe të paketimit dhe më vonë në zyrë, duke u marrë me çështjet që kishin të bënin me kongregacionet.

Familjes Bethel i duhej të luftonte me bombardimet ajrore që bëheshin natë e ditë në Londër, si edhe me kontrollet e vazhdueshme që u bënin autoritetet vëllezërve përgjegjës që punonin aty. Prais Hjuxhs, Juart Çiti dhe Frank Plat u dërguan që të tre në burg për qëndrimin e tyre asnjanës dhe me kohë Albert Shroderin e dëbuan në Shtetet e Bashkuara. Pavarësisht nga këto presione, u vazhdua të tregohej kujdes i mirë për kongregacionet dhe për interesat e Mbretërisë.

Përpara në Galaad!

Kur mbaroi lufta, në vitin 1945, bëra kërkesën për t’u stërvitur si misionar në Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit dhe më pranuan në klasën e tetë, në vitin 1946. Shoqata mori masa që disa prej nesh, ku përfshiheshin Toni Atud, Stenli Xhons, Herold King, Don Rendëll dhe Stenli Udbërn, të udhëtonin me anije nga porti detar i Fauit në Kornuoll. Një Dëshmitar vendës na e kishte rregulluar udhëtimin me një anije të vogël mallrash që ishte ngarkuar me kaolin (argjilë porcelani). Dhomat tona ishin të mbushura me njerëz dhe zakonisht kuverta ishte e mbushur me ujë. Sa u lehtësuam kur më në fund iu afruam portit në të cilin duhej të ndalonim: Filadelfia!

Kompleksi i Galaadit gjendej në një vend të bukur, në Lansingun Jugor, në Nju-Jorkun e sipërm dhe stërvitja që mora atje nënkuptonte shumë për mua. Studentët në klasën tonë vinin nga 18 kombe, pra, ishte hera e parë që Shoqata kishte pasur mundësi të merrte kaq shumë shërbëtorë nga vende të huaja, dhe u bëmë të gjithë miq të ngushtë me njëri-tjetrin. U kënaqa jashtëzakonisht nga shoqëria e shokut të dhomës sime, Kalle Salavaara, nga Finlanda.

Koha kaloi shpejt dhe në përfundim të pesë muajve presidenti i Shoqatës, Natan H. Nor, mbërriti nga selia botërore e Bruklinit për të na dhënë diplomat dhe për të na treguar se ku do të ishin caktimet tona. Në ato kohë, studentët nuk e dinin se ku do të caktoheshin derisa të njoftohej në ceremoninë e diplomimit. Më caktuan të kthehesha në Bethelin e Londrës për të vazhduar punën atje.

Përsëri në Londër

Në Britani vitet e pasluftës ishin të vështira. Ushqimi dhe shumë gjëra të tjera të domosdoshme, duke përfshirë edhe letrën, vazhdonin të ishin me racion. Por ia dolëm mbanë dhe interesat e Mbretërisë së Jehovait u çuan përpara. Përveç punës në Bethel, shërbeja në asambletë krahinore e qarkore dhe vizitoja kongregacionet, duke përfshirë edhe disa në Irlandë. Një privilegj ishte edhe kur takova Erik Frostin dhe të tjerë vëllezër e motra nga Evropa dhe mësova prej tyre për integritetin e Dëshmitarëve të tjerë që kishin përballuar tmerret e kampeve naziste të përqendrimit. Shërbimi në Bethel ishte vërtet një privilegj i bekuar.

Kisha dhjetë vjet që njihja Xhoan Uebin, një pioniere speciale që shërbente në Uatford, një qytet tamam në veri të Londrës. Në vitin 1952 u martuam. Që të dy dëshironim të vazhdonim në shërbimin e plotkohor, kështu që u emocionuam kur, pasi dola nga Betheli, më emëruan mbikëqyrës qarkor. Qarku i parë që vizituam ishte përgjatë bregut jugor të Anglisë, në Suseks dhe Hampshir. Ato ditë, vepra e qarkut nuk ishte e lehtë. Udhëtonim kryesisht me autobus, me biçikletë dhe në këmbë. Shumë kongregacione kishin territore të mëdha rurale, të cilat shpesh mezi arriheshin, por numri i Dëshmitarëve vazhdonte të rritej në mënyrë të njëjtë.

Nju-Jork, 1958

Në vitin 1957 mora një ftesë tjetër nga Betheli: «A do të të pëlqente të vije në zyrë dhe të ndihmoje me rregullimet e udhëtimit për asamblenë e ardhshme ndërkombëtare, e cila do të mbahet në stadiumin Jenki dhe Polo Graunds në qytetin e Nju-Jorkut, në vitin 1958?» Shpejt, unë dhe Xhoana ishim të zënë duke marrë kërkesat e vëllezërve për aeroplanët dhe anijet e marra me qira nga Shoqata. Kjo asamble ishte pikërisht Asambleja e famshme Ndërkombëtare «Vullneti Hyjnor», ku morën pjesë një numër i madh njerëzish, 253 922 veta. Në këtë kongres, 7136 veta e simbolizuan dedikimin e tyre ndaj Jehovait me zhytje në ujë, shumë më tepër se dyfishi i numrit të të pagëzuarve në rastin historik, në Festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s., për të cilin raportohet në Bibël.​—Veprat 2:41.

Unë dhe Xhoana nuk do ta harrojmë kurrë dashamirësinë e vëllait Nor, kur personalisht na ftoi të merrnim pjesë në asamble për të dhënë një dorë, duke u kujdesur për delegatët që vinin në qytetin e Nju-Jorkut nga 123 vende. Qe një përvojë e lumtur dhe e kënaqshme për të dy.

Bekime të shërbimit të plotkohor

Pasi u kthyem, vazhduam në veprën udhëtuese derisa dolën probleme shëndetësore. Xhoana u shtrua në spital dhe unë pata një goditje të lehtë në tru. U transferuam në radhët e pionierëve specialë, por më vonë patëm privilegjin të shërbenim përsëri përkohësisht në veprën e qarkut. Më së fundi u kthyem në Bristol, ku kemi vazhduar në shërbimin e plotkohor. Vëllai im, Diku, jeton afër nesh, së bashku me familjen e tij, dhe shpesh kujtojmë të kaluarën.

Në vitin 1971, m’u dëmtua fare shikimi nga ndarja e retinës. Që atëherë kam pasur shumë vështirësi për të lexuar, kështu që regjistrimet e literaturës biblike në kaseta më janë dukur një masë e mrekullueshme që ka marrë Jehovai. Së bashku me Xhoanën, drejtojmë akoma studime biblike dhe, gjatë viteve, kemi pasur privilegjin të ndihmojmë rreth 40 persona për të njohur të vërtetën, duke përfshirë edhe një familje prej shtatë vetash.

Kur ia dedikuam jetën Jehovait më shumë se 60 vjet më parë, dëshira jonë ishte të fillonim shërbimin e plotkohor dhe të vazhdonim në atë shërbim. Sa mirënjohës jemi që kemi akoma forcë për t’i shërbyer Jehovait të Madh, pasi kjo është e vetmja mënyrë për ta falënderuar për mirësinë që na ka treguar dhe për vitet e lumtura që kemi kaluar së bashku!

[Shënimi]

^ par. 11 Një çantë rrobe që mund të varej në njërën shpatull dhe ishte bërë për të mbajtur kopje të revistave Kulla e Rojës dhe Ngushëllim (më vonë, Zgjohuni!).

[Figura në faqen 25]

Me vëllanë, Dikun (të parët majtas, Diku është në këmbë) dhe me pionierë të tjerë, para shtëpisë së pionierëve në Bristol

[Figura në faqen 25]

Shtëpia e pionierëve në Bristol, viti 1940

[Figura në faqen 26]

Stenli dhe Xhoan Rejnolds në ditën e martesës, më 12 janar 1952, dhe sot