Jeta e lumtur familjare i tërheq të tjerët drejt Perëndisë
Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Jeta e lumtur familjare i tërheq të tjerët drejt Perëndisë
JEHOVAI e bekoi Jozefin me shumë mençuri dhe aftësi shquese. (Veprat 7:10) Si rezultat, mendjehollësia e Jozefit «i pëlqeu faraonit dhe gjithë nëpunësve të tij».—Zanafilla 41:37.
Në mënyrë të ngjashme, sot, Jehovai i jep popullit të tij mendjehollësi dhe aftësi shquese nëpërmjet studimit të Biblës. (2. Timoteut 3:16, 17) Kjo mençuri dhe aftësi shquese japin fryte të mira dora-dorës që zbatohen këshillat e bazuara në Bibël. Sjellja e mirë e këtij populli shpesh ‘i ka pëlqyer atyre që e kanë vërejtur’, siç tregojnë përvojat vijuese nga Zimbabveja.
• Një grua kishte disa fqinj që ishin Dëshmitarë të Jehovait. Ndonëse nuk i pëlqente Dëshmitarët, ajo e admironte sjelljen e, sidomos, jetën e tyre familjare. Ajo vinte re se burri e gruaja kishin një marrëdhënie shumë të mirë me njëri-tjetrin dhe se fëmijët e tyre ishin të bindur. Në mënyrë të veçantë, vinte re se burri e donte shumë gruan e vet.
Në disa kultura afrikane ekziston një besim i zakonshëm që, në qoftë se një burrë e do gruan e tij, ajo duhet të ketë përdorur magjinë për ta «zbutur» burrin. Prandaj gruaja iu afrua fqinjës Dëshmitare dhe e pyeti: «Të lutem, a ma jep edhe mua magjinë që i bëre burrit tënd, në mënyrë që edhe burri im të më dojë aq shumë sa të do i yti?» Dëshmitarja iu përgjigj: «Oh, patjetër, do të ta sjell nesër pasdite.»
Ditën tjetër, motra i bëri vizitë fqinjës dhe i çoi «magjinë». Çfarë ishte? Ishte Bibla, si edhe botimi Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Pasi shqyrtuan informacione nga libri Njohuria, te tema «Të ndërtojmë një familje që nderon Perëndinë», ajo i tha gruas: «Kjo është ‘magjia’ që përdorim unë dhe burri im për të ‘zbutur’ njëri-tjetrin dhe kjo është arsyeja përse duhemi shumë.» Ato filluan një studim biblik dhe gruaja bëri përparim të shpejtë deri në pikën që e simbolizoi dedikimin e saj ndaj Jehovait me zhytje në ujë.
• Dy pionierë specialë që ishin caktuar në një kongregacion të vogël afër kufirit verilindor të Zimbabves me Mozambikun nuk dolën në shërbimin shtëpi më shtëpi për dy javë. Përse? Sepse ishin njerëzit që vinin tek ata për të dëgjuar çfarë kishin për të thënë. Një nga pionierët tregon se si ndodhi e gjithë kjo: «Çdo javë, udhëtonim 15 kilometra për të drejtuar një studim biblik në shtëpi me një person të interesuar. Nuk e kishim të lehtë të arrinim në këtë zonë. Na duhej të udhëtonim nëpër baltë dhe të kapërcenim lumenj vërshues, ku uji na vinte deri në grykë. Kjo donte të thoshte edhe që duhej të mbanim në ekuilibër rrobat dhe këpucët sipër kokës, duke çarë rrugën nëpër lumë dhe pastaj të visheshim përsëri kur të dilnim në anën tjetër.
Fqinjëve të personit të interesuar u kishte bërë shumë përshtypje zelli ynë. Mes atyre që e vunë re këtë ishte udhëheqësi i një organizate fetare vendëse. Ai u tha ithtarëve të tij: ‘A nuk doni edhe ju të jeni të zellshëm si ata dy të rinj që janë Dëshmitarë të Jehovait?’ Ditën tjetër, shumë nga ithtarët e tij erdhën në shtëpinë tonë për të zbuluar përse ishim kaq ngulmues në shërbim. Veç kësaj, për dy javët që pasuan, patëm kaq shumë vizitorë, sa s’kishim kohë as të përgatitnim ushqimin për vete!»
Një nga individët që vizitoi shtëpinë e pionierëve gjatë kësaj periudhe dyjavore ishte udhëheqësi fetar. Imagjinoni gëzimin e pionierëve kur ai pranoi një studim biblik në shtëpi!