Përse ka kaq shumë korrupsion?
Përse ka kaq shumë korrupsion?
«Nuk duhet të pranosh ryshfet, sepse ryshfeti i verbon njerëzit që shohin qartë dhe mund të shtrembërojë fjalët e njerëzve të drejtë.»—Dalja 23:8, BR.
TRE mijë e pesëqind vjet më parë, Ligji i Moisiut e dënonte dhënien dhe marrjen e ryshfeteve. Në shekujt që kanë kaluar që nga ajo kohë, ligjet kundër korrupsionit janë shtuar shumë. Megjithatë, legjislacioni nuk ia ka dalë mbanë ta frenojë korrupsionin. Miliona ryshfete kalojnë nga dora në dorë çdo ditë dhe miliarda njerëz vuajnë pasojat e kësaj.
Korrupsioni është bërë kaq i përhapur dhe i stërholluar, saqë kërcënon të rrënojë gradualisht vetë strukturën e shoqërisë. Në disa vende, nuk bën dot pothuajse asgjë pa ia lyer rrotën dikujt. Një ryshfet i dhënë personit të duhur të jep mundësinë të marrësh një provim, të marrësh patentën, të sigurosh një kontratë pune ose të fitosh një gjyq. «Korrupsioni është si një ndotje me përmasa të mëdha, që rëndon gjendjen shpirtërore të njerëzve»,—ankohet Arnod Montebur, një avokat nga Parisi.
Dhënia dhe marrja e ryshfeteve mbizotëron sidomos në botën e tregtisë. Disa firma lënë mënjanë një të tretën e të gjitha fitimeve, vetëm e vetëm për të paguar nën dorë burokratët e korruptuar qeveritarë. Sipas revistës britanike The Economist, nga 25 miliardë dollarët që shpenzohen në vit për tregtinë ndërkombëtare të armëve, rreth 10 për qind shërben për t’u dhënë ryshfete blerësve të mundshëm. Dora-dorës që niveli i këtij korrupsioni është rritur, pasojat kanë qenë katastrofike. Thuhet se gjatë dekadës së fundit, kapitalizmi «me miqësi»—që përfshin praktika të korruptuara biznesi, duke favorizuar ata pak njerëz të privilegjuar që kanë lidhje të forta—ka rrënuar ekonomitë e shteteve të tëra.
Në mënyrë të pashmangshme, ata që vuajnë më shumë nga korrupsioni dhe nga shkatërrimi ekonomik që sjell ai, janë të varfrit, ata që rrallëherë kanë mundësi t’i japin ryshfet ndonjërit. Siç u tha në mënyrë të përmbledhur në revistën The Economist, «korrupsioni nuk është veçse një formë e shtypjes». A mund të mposhtet kjo lloj shtypjeje apo korrupsioni është i pashmangshëm? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, së pari duhet të identifikojmë disa shkaqe themelore të korrupsionit.
Cilat janë shkaqet e korrupsionit?
Përse njerëzit zgjedhin të jenë të korruptuar në vend që të jenë të ndershëm? Për disa prej tyre, të jenë të korruptuar mund të jetë rruga më e lehtë ose, faktikisht, e vetmja rrugë për të marrë atë që dëshirojnë. Disa herë, një ryshfet mund të jetë mjet i volitshëm për t’i shpëtuar ndëshkimit. Shumë veta që vërejnë politikanët, policët dhe gjykatësit, të cilët duket se e shpërfillin korrupsionin ose, madje, e praktikojnë vetë, thjesht ndjekin shembullin e tyre.
Ndërsa përmasat e korrupsionit rriten me shpejtësi, ai pranohet gjithnjë e më shumë derisa, më në fund, bëhet një mënyrë jetese. Njerëzit, Eklisiastiu) 8:11.
pagat e të cilëve janë tepër të ulëta, arrijnë në përfundimin se s’kanë asnjë alternativë tjetër. U duhet të kërkojnë ryshfete, nëse duan të bëjnë një jetë për të qenë. Dhe, kur ata që marrin ryshfete ose që i japin ato për të fituar një avantazh jo të ndershëm mbeten të pandëshkuar, pak veta janë të gatshëm të ecin kundër rrymës. «Sepse vendimi kundër një veprimi të keq nuk zbatohet menjëherë, zemra e bijve të njerëzve është e mbushur nga dëshira për të bërë të keqen»,—vërejti mbreti Solomon.—Predikuesi (Zjarrin e korrupsionit e mbajnë të ndezur dy forca të mëdha: egoizmi dhe lakmia. Për shkak të egoizmit, njerëzit e korruptuar mbyllin një sy ndaj vuajtjeve që u shkakton korrupsioni të tjerëve dhe e justifikojnë dhënien dhe marrjen e ryshfeteve, sepse nxjerrin dobi prej kësaj. Sa më shumë të mira materiale të grumbullojnë, aq më lakmitarë bëhen këta praktikues të korrupsionit. «Kush është i dhënë pas parasë, nuk ngopet kurrë me para,—vërejti Solomoni,—dhe kush dëshiron pasuritë [nuk kënaqet me të ardhura, BR].» (Predikuesi 5:10) Kuptohet, lakmia mund të jetë e mirë për të bërë para, por ajo gjithnjë i mbyll sytë para korrupsionit dhe paligjshmërisë.
Një faktor tjetër, që nuk duhet kaluar pa vënë re, është roli i sundimtarit të padukshëm të kësaj bote, të cilin Bibla e identifikon si Satana Djalli. (1. Gjonit 5:19; Zbulesa 12:9) Satanai e nxit energjikisht korrupsionin. Ryshfeti më i madh që njihet, ishte ai që i ofroi Satanai Krishtit. ‘Do të të jap të gjitha mbretëritë e botës, nëse bie përmbys para meje dhe më bën një akt adhurimi.’—Mateu 4:8, 9.
Sidoqoftë, Jezui ishte i pakorruptueshëm dhe i mësoi ithtarët e tij të silleshin në mënyrë të ngjashme. A mund të jenë mësimet e Krishtit një mjet i efektshëm për të luftuar korrupsionin sot? Artikulli vijues do të analizojë këtë pyetje.