Të mbështetim me vendosmëri mësimin hyjnor
Të mbështetim me vendosmëri mësimin hyjnor
«Beso te Jehovai me të gjithë zemrën tënde dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Në të gjitha udhët e tua vërja veshin dhe ai vetë do t’i bëjë të drejta shtigjet e tua.»—PROVERBAT 3:5, 6, BR.
1. Në ç’mënyrë jemi ekspozuar ndaj njohurisë njerëzore si kurrë më parë?
AKTUALISHT, në mbarë botën janë në qarkullim rreth 9000 gazeta të përditshme. Çdo vit, vetëm në Shtetet e Bashkuara botohen rreth 200 000 libra të rinj. Sipas një përllogaritjeje, në mars të vitit 1998, në Internet kishte rreth 275 milionë faqe në rrjet. Thuhet se kjo shifër rritet me një sasi prej 20 milionë faqesh çdo muaj. Si kurrë më parë, njerëzit kanë mundësi të marrin informacione për pothuajse çdo subjekt. Edhe pse kjo situatë ka aspektet e veta pozitive, një bollëk i tillë tejet i madh informacionesh ka shkaktuar probleme.
2. Çfarë problemesh mund të vijnë ngaqë ekziston mundësia për të marrë një bollëk tejet të madh informacionesh?
2 Disa njerëz janë bërë maniakë pas informacionit, duke ushqyer gjithnjë dëshirën e pangopur për t’u përditësuar me informacione, ndërkohë që lënë pas dore gjëra më të rëndësishme. Të tjerë marrin informacione të pjesshme për fusha të ndërlikuara njohurie dhe pastaj e konsiderojnë veten ekspertë në këto fusha. Të bazuar vetëm në një kuptueshmëri të kufizuar, ata marrin ndoshta vendime të rëndësishme që mund t’u shkaktojnë dëme atyre vetë ose të tjerëve. Veç kësaj, ekziston gjithnjë rreziku i ekspozimit ndaj informacioneve të rreme ose të pasakta. Shpesh nuk ka ndonjë mënyrë të besueshme për të verifikuar nëse është i saktë dhe i ekuilibruar i gjithë informacioni që vërshon.
3. Çfarë paralajmërimesh gjejmë në Bibël për kërkimin e mençurisë njerëzore?
3 Kureshtja ka qenë prej kohësh një karakteristikë e njerëzve. Rreziqet që vijnë kur një person humbet tepër kohë për të marrë informacione të cilat nuk i përdor ose që janë, madje, të dëmshme, u kuptuan në ditët e mbretit Solomon. Ai tha: «Ruhu . . . . Shkruhen shumë libra, por nuk mbarohet kurrë kjo punë, dhe studimi i tepërt e lodh trupin.» (Predikuesi [Eklisiastiu] 12:12) Shekuj më vonë, apostulli Pavël i shkroi Timoteut: «Ruaj atë që të është besuar, duke u shmangur nga fjalët e kota dhe profane dhe nga kundërshtimet e asaj që quhet në mënyrë të rreme shkencë [‘njohuri’, BR], të cilën e përqafuan disa dhe dolën nga besimi.» (1. Timoteut 6:20, 21) Po, të krishterët sot duhet të shmangin ekspozimin e panevojshëm ndaj ideve të dëmshme.
4. Cila është një mënyrë për të shfaqur besimin te Jehovai dhe te mësimet e tij?
4 Veç kësaj, populli i Jehovait bën mirë t’u vërë veshin fjalëve që thuhen te Proverbat (Fjalët e urta) 3:5, 6: «Beso te Jehovai me të gjithë zemrën tënde dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Në të gjitha udhët e tua vërja veshin dhe ai vetë do t’i bëjë të drejta shtigjet e tua.» (BR) Të besojmë te Jehovai përfshin të hedhim poshtë çdo ide që bie në kundërshtim me Fjalën e Perëndisë, qoftë që del nga arsyetimi ynë personal, qoftë nga arsyetimi i dikujt tjetër. Për të mbrojtur gjendjen tonë frymore, është jetësore t’i stërvitim aftësitë perceptuese, me qëllim që të mund të identifikojmë informacionet e dëmshme dhe t’i shmangim ato. (Hebrenjve 5:14) Le të trajtojmë disa burime informacionesh të tilla.
Një botë e pushtuar nga Satanai
5. Cili është një burim idesh të dëmshme dhe kush qëndron pas tij?
5 Bota njerëzore është një burim prodhimtar idesh të dëmshme. (1. Korintasve 3:19) Jezu Krishti iu lut Perëndisë për dishepujt e tij: «Nuk të kërkoj që ti t’i heqësh nga bota, por që ti t’i mbrosh nga i ligu.» (Gjoni 17:15) Kërkesa e Jezuit, që dishepujt e tij të mbroheshin nga «i ligu», tregoi ndikimin që ka Satanai në botë. Fakti që jemi të krishterë nuk na mbron automatikisht nga ndikimet e këqija të kësaj bote. Gjoni shkroi: «E dimë: ne jemi prej Hyjit, kurse mbarë bota është nën pushtetin e Djallit.» (1. Gjonit 5:19, DSF) Veçanërisht gjatë kësaj pjese përfundimtare të ditëve të fundit duhet pritur që Satanai dhe demonët e tij ta mbushin botën me informacione të dëmshme.
6. Si mund të shkaktojë pandjeshmëri morale bota e zbavitjes?
6 Gjithashtu, duhet pritur që disa nga këto informacione të dëmshme të duken ndoshta të padëmshme. (2. Korintasve 11:14) Shqyrtoni, për shembull, botën e zbavitjes me programet televizive, filmat, muzikën dhe me faqet e shtypura. Shumë veta janë dakord se në gjithnjë e më shumë raste, disa forma zbavitjeje nxitin praktika degraduese, siç janë imoraliteti, dhuna dhe abuzimi me drogën. Kur ekspozohet për herë të parë ndaj një forme zbavitjeje që bie në një nivel të ri të ulët, auditori mund të tronditet. Por, ekspozimi i vazhdueshëm mund ta bëjë të pandjeshëm një person. Nuk duhet ta konsiderojmë kurrë si të pranueshme ose të padëmshme zbavitjen që nxit ide të dëmshme.—Psalmi 119:37.
7. Cili lloj i mençurisë njerëzore mund të na e gërryejë besimin te Bibla?
7 Shqyrtoni një burim tjetër informacionesh shumë dëmtuese: vërshimin e ideve të botuara nga disa shkencëtarë dhe dijetarë, të cilët vënë në dyshim faktin që Bibla është autentike. (Krahaso Jakobit 3:15.) Material i tillë shfaqet shpesh në revistat kryesore e në libra të njohur, dhe mund të gërryejë besimin te Bibla. Disa njerëz krenohen duke ia dobësuar autoritetin Fjalës së Perëndisë me spekulime që s’kanë të sosur. Një rrezik i ngjashëm ekzistonte në ditët e apostujve, siç është e qartë nga fjalët e apostullit Pavël: «Tregoni kujdes se mos ndokush ju bën prenë e tij me anë të filozofisë dhe me mashtrime të kota, sipas traditës së njerëzve, sipas elementeve të botës dhe jo sipas Krishtit.»—Kolosianëve 2:8.
Armiq të së vërtetës
8, 9. Si bëhet e dukshme apostazia sot?
8 Apostatët mund të përbëjnë një kërcënim tjetër ndaj gjendjes sonë frymore. Apostulli Pavël paratha që apostazia do të lindte mes atyre që pohonin se ishin të krishterë. (Veprat 20:29, 30; 2. Thesalonikasve [Selanikasve] 2:3) Në përmbushje të fjalëve të tij, pas vdekjes së apostujve, një apostazi e madhe çoi në zhvillimin e të ashtuquajturit krishterim. Sot, nuk ka asnjë apostazi në masë të madhe në popullin e Perëndisë. Megjithatë, ca individë kanë lënë radhët tona dhe disa prej tyre janë të vendosur të përgojojnë Dëshmitarët e Jehovait, duke përhapur gënjeshtra dhe informacione të rreme. Disa prej tyre punojnë me grupe të tjera, duke i bërë rezistencë të organizuar adhurimit të pastër. Duke vepruar kështu, ata marrin anën e apostatit të parë, Satanait.
9 Disa apostatë po përdorin gjithnjë e më shumë forma të ndryshme të komunikimit masiv, duke përfshirë edhe Internetin, për të përhapur informacione të rreme për Dëshmitarët e Jehovait. Si rezultat, kur individë të sinqertë bëjnë kërkime për bindjet tona, mund të ndeshen me propagandën apostate. Edhe disa Dëshmitarë janë ekspozuar pa dashje ndaj këtij materiali të dëmshëm. Përveç kësaj, me raste apostatët marrin pjesë në programe televizive ose radiofonike. Cili është drejtimi i matur që duhet ndjekur, duke pasur parasysh këtë?
10. Cili është reagimi i mençur ndaj propagandës apostate?
10 Apostulli Gjon i udhëzoi të krishterët të mos i pranonin apostatët në shtëpi. Ai shkroi: «Në qoftë se dikush vjen te ju dhe nuk sjell këtë doktrinë, mos e pranoni në shtëpi dhe mos e përshëndetni, sepse ai që e përshëndet bëhet pjesëtar në veprat e tij të liga.» (2. Gjonit 10, 11) Duke shmangur çdo kontakt me këta kundërshtarë do të mbrohemi nga mendimet e tyre të korruptuara. Të ekspozohemi ndaj mësimeve apostate nëpërmjet mjeteve të ndryshme të komunikimit modern është po aq e dëmshme sa edhe ta presim vetë apostatin në shtëpinë tonë. Nuk duhet të lejojmë kurrë që kureshtja të na tërheqë në një drejtim të tillë shkatërrimtar!—Fjalët e urta 22:3.
Brenda kongregacionit
11, 12. (a) Cili ishte një burim idesh të dëmshme në kongregacionin e shekullit të parë? (b) Si dështuan disa të krishterë të mbështetnin me vendosmëri mësimet hyjnore?
11 Shqyrtoni edhe një burim tjetër të mundshëm idesh të dëmshme. Edhe pse jo me mendimin që të mësojë gjëra të rreme, një i krishterë i dedikuar mund të zhvillojë zakonin për të folur pa u menduar. (Fjalët e urta 12:18) Për shkak të natyrës sonë të papërsosur, të gjithë gabojmë kohë pas kohe me gjuhën. (Fjalët e urta 10:19; Jakobit 3:8) Me sa duket, në ditët e apostullit Pavël, në kongregacion kishte disa që nuk e kontrollonin gjuhën dhe përfshiheshin në debate dhe grindje për fjalë. (1. Timoteut 2:8) Kishte të tjerë që kishin tepër konsideratë për opinionet e veta e, madje, shkuan deri aty sa sfiduan autoritetin e Pavlit. (2. Korintasve 10:10-12) Një frymë e tillë solli si pasojë konflikte të panevojshme.
12 Disa herë, këto mosmarrëveshje arrinin deri në «grindje të ashpra për çikërrima», duke prishur paqen e kongregacionit. (1. Timoteut 6:5, BR; Galatasve 5:15) Për ata që shkaktonin këto grindje, Pavli shkroi: «Në qoftë se dikush mëson një doktrinë tjetër dhe nuk ndjek fjalët e shëndosha të Zotit tonë Jezu Krisht dhe doktrinën sipas perëndishmërisë, ai mbahet me të madh dhe nuk di asgjë, por vuan nga sëmundja e grindjes dhe e të zënit me [për, BR] fjalë, prej nga lindin smira, grindja, të sharat, dyshimet e këqija.»—1. Timoteut 6:3, 4.
13. Çfarë sjelljeje kishin shumë të krishterë në shekullin e parë?
Jakobit 1:27) Ata i shmangnin «shoqëritë e këqija» edhe brenda kongregacionit të krishterë, me qëllim që të ruanin gjendjen e tyre frymore.—1. Korintasve 15:33; 2. Timoteut 2:20, 21.
13 Lumturisht, në kohët apostolike, pjesa më e madhe e të krishterëve ishin besimplotë dhe vazhduan të ishin të përqendruar në veprën e shpalljes së lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Ata ishin të zënë duke u kujdesur për «jetimët dhe të vejat në pikëllimet e tyre» dhe e mbajtën veten «të pastër nga bota», duke mos e humbur kohën në debate të kota për fjalë. (14. Nëse nuk jemi të kujdesshëm, si mund të shndërrohet një shkëmbim normal idesh në debate të dëmshme?
14 Po kështu, situatat e përshkruara në paragrafin 11 nuk janë tipike për kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait sot. Megjithatë, bëjmë mirë ta pranojmë se ka mundësi që të lindin debate të tilla të kota. Sigurisht, është normale të diskutojmë për tregimet biblike ose të pyesim për aspekte që nuk janë zbuluar ende në lidhje me botën e re të premtuar. Gjithashtu, nuk ka asgjë të gabuar të shkëmbejmë ide për çështje personale, siç janë veshja dhe krehja ose zgjedhja e zbavitjes. Megjithatë, nëse bëhemi dogmatikë për idetë tona dhe ofendohemi kur të tjerët nuk janë dakord me ne, në kongregacion mund të lindin ndarje për çështje të parëndësishme. Ajo që fillon si një bisedë e vogël e padëmshme mund të bëhet vërtet e dëmshme.
Të ruajmë atë që na është besuar
15. Deri në çfarë mase mund të na dëmtojnë frymësisht «doktrinat e demonëve» dhe çfarë këshille na ofrohet në Shkrime?
15 Apostulli Pavël paralajmëron: «Fryma e thotë shkoqur se në kohët e fundit disa do ta mohojnë besimin, duke u vënë veshin frymëve gënjeshtare dhe doktrinave të demonëve.» (1. Timoteut 4:1) Tamam, idetë e dëmshme përbëjnë një kërcënim real. Në mënyrë të kuptueshme, Pavli iu lut mikut të tij të dashur, Timoteut: «O Timote, ruaj atë që të është besuar, duke u shmangur nga fjalët e kota dhe profane dhe nga kundërshtimet e asaj që quhet në mënyrë të rreme shkencë [‘njohuri’, BR], të cilën e përqafuan disa dhe dolën nga besimi.»—1. Timoteut 6:20, 21.
16, 17. Çfarë na ka besuar Perëndia dhe si duhet ta ruajmë atë?
16 Si mund të nxjerrim dobi sot nga ky paralajmërim i dashur? Timoteut i ishte besuar diçka e vlefshme për të cilën duhej të kujdesej dhe ta mbronte. Çfarë ishte? Pavli shpjegon: «Ruaje modelin e fjalëve të shëndosha që dëgjove prej meje me besim dhe dashuri, që janë në Krishtin Jezu. Ruaje visarin e mirë [këtë gjë të shkëlqyer që të është besuar, BR] me anë të frymës së shenjtë që rri te ne.» (2. Timoteut 1:13, 14) Pikërisht, ajo që i ishte besuar Timoteut përfshinte ‘fjalët e shëndosha’, «doktrinën sipas perëndishmërisë». (1. Timoteut 6:3) Në harmoni me këto fjalë, të krishterët sot janë të vendosur të mbrojnë besimin e tyre dhe tërësinë e të vërtetave që u janë besuar.
17 Të ruajmë këto gjëra që na janë besuar përfshin edhe të zhvillojmë gjëra të tilla, si: zakonet e mira të studimit të Biblës dhe ngulmimin në lutje, ndërsa u bëjmë «të mirën të gjithëve, por në radhë të parë atyre që janë në familjen e besimit». (Galatasve 6:10; Romakëve 12:11-17) Më tej, Pavli këshillon: «Ndiq drejtësinë, perëndishmërinë, besimin, dashurinë, zemërgjerësinë dhe zemërbutësinë. Lufto luftën e drejtë të besimit, rrok [kapu fort pas, BR] jetën e përjetshme, në të cilën u thirre dhe për të cilën ke bërë rrëfimin e mirë të besimit përpara shumë dëshmitarëve.» (1. Timoteut 6:11, 12) Fakti që Pavli përdori fraza të tilla, si «lufto luftën e mirë» dhe «kapu fort», na e bën të qartë se duhet t’u rezistojmë në mënyrë aktive dhe me vendosmëri ndikimeve të dëmshme nga ana frymore.
Nevojitet aftësi shquese
18. Si mund të shfaqim ekuilibër të krishterë ndaj informacioneve të botës?
18 Sigurisht, për të luftuar luftën e mirë të besimit duhet aftësi shquese. (Fjalët e urta 2:11; Filipianëve 1:9) Për shembull, nuk do të ishte e arsyeshme të mos i besonim asnjë informacioni të botës. (Filipianëve 4:5; Jakobit 3:17) Jo të gjitha idetë njerëzore bien në kundërshtim me Fjalën e Perëndisë. Jezui përmendi se njerëzit e sëmurë kanë nevojë të konsultohen me një mjek të kualifikuar dhe ky është një profesion i botës. (Luka 5:31) Pavarësisht nga natyra relativisht primitive e trajtimit mjekësor që ekzistonte në ditët e Jezuit, ai e pranoi se ndihma e mjekut mund të sillte disa dobi. Sot, të krishterët shfaqin ekuilibër në çështjet e informacioneve të botës, por i rezistojnë ekspozimit ndaj ndonjë informacioni që mund të jetë i dëmshëm frymësisht për ta.
19, 20. (a) Si veprojnë me aftësi shquese pleqtë, kur ndihmojnë ata që flasin në mënyrë jo të mençur? (b) Si e trajton kongregacioni dikë që ngul këmbë duke përhapur mësime të rreme?
19 Aftësia shquese është, gjithashtu, jetësore për pleqtë, kur u kërkohet të ndihmojnë ata që flasin në mënyrë jo të mençur. (2. Timoteut 2:7) Ndonjëherë, anëtarët e kongregacionit mund të hutohen pas diskutimeve për çështje të parëndësishme dhe për argumente të turbullta. Për të mbrojtur unitetin e kongregacionit, pleqtë duhet të jenë të shpejtë për të trajtuar probleme të tilla. Në të njëjtën kohë, ata nuk u atribuojnë motive të gabuara vëllezërve të tyre dhe nuk nguten për t’i konsideruar si apostatë.
20 Pavli e përshkroi frymën me të cilën duhet dhënë ndihma. Ai tha: «Vëllezër, në qoftë se dikush bie në ndonjë faj, ju që jeni frymorë, lartësojeni [përpiquni ta ndreqni, BR] me frymë butësie.» (Galatasve 6:1) Duke folur në mënyrë specifike për të krishterët që luftojnë me dyshimet, Juda shkroi: «Vazhdoni të tregoni mëshirë ndaj disave që kanë dyshime; shpëtojini duke ia rrëmbyer zjarrit.» (Judës 22, 23, BR) Sigurisht, nëse pas këshillave të njëpasnjëshme, dikush ngul këmbë duke përhapur mësime të rreme, pleqtë duhet të marrin veprime vendimtare, me qëllim që të mbrojnë kongregacionin.—1. Timoteut 1:20; Titit 3:10, 11.
Ta mbushim mendjen me gjëra të denja për lëvdim
21, 22. Për çfarë duhet të jemi përzgjedhës dhe me çfarë duhet ta mbushim mendjen?
21 Kongregacioni i krishterë i shmang fjalët e dëmshme që ‘përhapen si gangrena’. (2. Timoteut 2:16, 17, BR; Titit 3:9) Kjo ndodh pavarësisht nëse këto fjalë pasqyrojnë «mençurinë» mashtruese të botës, propagandën e apostatëve ose bisedat e pamenduara në kongregacion. Edhe pse dëshira e shëndetshme për të mësuar gjëra të reja mund të jetë dobiprurëse, kureshtja e pafrenuar mund të na ekspozojë ndaj ideve të dëmshme. Ne nuk jemi në padije të planeve të Satanait. (2. Korintasve 2:11) E dimë se ai po bën përpjekje të mëdha për të na shpërqendruar, që të na ngadalësojë në shërbimin që i bëjmë Perëndisë.
22 Si shërbëtorë të shkëlqyer, le ta mbështetim me vendosmëri mësimin hyjnor! (1. Timoteut 4:6) E përdorshim kohën në mënyrë të mençur, duke qenë përzgjedhës në informacionin që duam të marrim! Atëherë nuk do të na lëkundë me lehtësi propaganda e frymëzuar nga Satanai. Po, le të vazhdojmë të shqyrtojmë «çdo gjë që është e vërtetë, çdo gjë që konsiderohet serioze, çdo gjë që është e drejtë, çdo gjë që është e dëlirë, çdo gjë që është e dashur, çdo gjë për të cilën flitet mirë, çdo virtyt që të ketë dhe çdo gjë të denjë për lëvdim». Nëse e mbushim mendjen dhe zemrën me gjëra të tilla, Perëndia i paqes do të jetë me ne.—Filipianëve 4:8, 9, BR.
Çfarë kemi mësuar?
• Në ç’mënyrë mençuria e botës mund të përbëjë një kërcënim për gjendjen tonë frymore?
• Çfarë mund të bëjmë për t’u mbrojtur nga informacionet e dëmshme apostate?
• Cili lloj i foluri duhet shmangur brenda kongregacionit?
• Si shfaqet ekuilibri i krishterë, kur kemi të bëjmë me bollëkun e tepërt të sotëm të informacioneve?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 9]
Shumë libra dhe revista të njohura bien në kundërshtim me vlerat tona të krishtere
[Figura në faqen 10]
Të krishterët mund të shkëmbejnë mendime pa u bërë dogmatikë