Ta luftojmë korrupsionin me shpatën e frymës
Ta luftojmë korrupsionin me shpatën e frymës
«VISHNI PERSONALITETIN E RI QË U KRIJUA SIPAS VULLNETIT TË PERËNDISË NË DREJTËSI TË VËRTETË DHE NË BESNIKËRI.»—Efesianëve 4:24, BR.
NË KULMIN e saj, Perandoria Romake ishte administrata më e madhe njerëzore që kishte parë ndonjëherë bota. Legjislacioni romak ishte kaq i efektshëm, saqë është ende baza e kodit ligjor të shumë vendeve. Megjithatë, pavarësisht nga arritjet e Romës, legjionet e saj nuk qenë në gjendje të mposhtnin një armik dinak: korrupsionin. Përfundimisht, korrupsioni e shpejtoi rënien e Romës.
Apostulli Pavël ishte një prej atyre që vuajtën nga zyrtarët e korruptuar romakë. Feliksi, guvernatori romak që e mori në pyetje, me sa duket e dinte se Pavli ishte i pafajshëm. Por ai, që ishte një nga guvernatorët më të korruptuar të ditëve të tij, e vonoi gjyqin e Pavlit, duke shpresuar se ky do t’i jepte para për të siguruar lirimin.—Veprat 24:22-26.
Në vend që t’i jepte ryshfet, Pavli i foli hapur Feliksit për «drejtësi, për vetëkontroll». Feliksi nuk e ndryshoi mënyrën e sjelljes dhe Pavli mbeti në burg, në vend që të përpiqej ta mënjanonte procesin ligjor, duke dhënë ryshfet. Ai predikonte mesazhin e së vërtetës dhe të ndershmërisë dhe jetonte në përputhje me të. «Ne besojmë se kemi ndërgjegje të mirë,—u shkroi ai të krishterëve judenj,—duke dashur të sillemi mirë [me ndershmëri, BR] në çdo gjë.»—Hebrenjve 13:18.
Një qëndrim i tillë ishte në kontrast të thellë me parimet morale të kohës. Pallasi, vëllai i Feliksit, ishte një nga njerëzit më të pasur të botës së lashtë dhe pasurinë e tij, që përllogaritej 45 milionë dollarë, e kishte grumbulluar thuajse të tërën me anë të ryshfeteve dhe të zhvatjeve. Gjithsesi, kjo pasuri bëhet e parëndësishme kur krahasohet me miliarda dollarët që kanë fshehur disa sundimtarë të korruptuar të shekullit të 20-të, nëpër llogari të fshehta bankare. Qartë, vetëm naivët do të besonin se qeveritë e sotme e kanë fituar luftën kundër korrupsionit.
Meqë korrupsioni ka mbetur i rrënjosur për kaq shumë kohë, a duhet të mendojmë se ai thjesht është pjesë e natyrës njerëzore? Apo mund të bëhet diçka për ta frenuar atë?
Si mund të frenohet korrupsioni?
Është e qartë se hapi i parë për të frenuar korrupsionin është të pranojmë se ai është shkatërrimtar dhe i gabuar, sepse u sjell dobi njerëzve të paskrupull në dëm të të tjerëve. Pa dyshim, në këtë drejtim është bërë njëfarë progresi. Xhejms Fouli, zëvendëssekretar shteti i SHBA-së, tha: «Të gjithë ne e kuptojmë se kostoja e ryshfeteve është e lartë. Ryshfetet minojnë qeverisjen e mirë, dëmtojnë rendimentin dhe zhvillimin e ekonomisë, shtrembërojnë tregtinë dhe dënojnë shtetasit kudo në botë.» Shumë veta janë dakord me të. Më 17 dhjetor 1997, 34 shtete të mëdha nënshkruan një «konventë kundër ryshfeteve», e cila u përpilua me synimin që «të ketë ndikim të konsiderueshëm në luftën globale kundër korrupsionit». Konventa «e quan krim t’i ofrosh, t’i premtosh ose t’i japësh ryshfet një nëpunësi të huaj, me qëllim që të marrësh ose të mbash kontrata ndërkombëtare biznesi».
Gjithsesi, ryshfetet për të fituar kontrata biznesi në vende të tjera, përbëjnë vetëm majën e ajsbergut të korrupsionit. Për të eliminuar korrupsionin në masë kërkohet një hap i dytë, shumë më i vështirë: ndryshimi i zemrës ose, më saktë, ndryshimi i shumë zemrave. Njerëzit në çdo vend duhet të mësojnë t’i urrejnë ryshfetet dhe korrupsionin. Vetëm atëherë do të zhduken ryshfetet. Në revistën Newsweek thuhej se për të arritur këtë, disa mendojnë që qeveritë duhet «të inkurajojnë një ndjenjë të përgjithshme virtyti të njerëzve». Transparency International, një grup ndikues që lufton korrupsionin, rekomandon, po ashtu, që përkrahësit e këtij grupi «të injektojnë një ‘farë integriteti’» në vendin e tyre të punës.
Lufta kundër korrupsionit është një luftë morale që nuk mund ta fitojë legjislacioni i vetëm ose «shpata» e ndëshkimeve ligjore. (Romakëve 13:4, 5) Farërat e virtytit dhe të integritetit duhen mbjellë në zemrat e njerëzve. Kjo mund të arrihet më së miri duke përdorur atë që apostulli Pavël e përshkroi si ‘shpata e frymës’, domethënë, Fjalën e Perëndisë, Biblën.—Efesianëve 6:17.
Bibla e dënon korrupsionin
Përse Pavli refuzoi të mbyllte sytë para korrupsionit? Sepse dëshironte të bënte vullnetin e Perëndisë, «i cili nuk trajton asnjë me anshmëri, as nuk pranon ryshfet». (Ligji i përtërirë 10:17, BR) Për më tepër, Pavli, pa dyshim, e mbante mend udhëzimin specifik që gjendet në Ligjin e Moisiut: «Nuk duhet të jesh i anshëm ose të pranosh ryshfet, sepse ryshfeti ua verbon sytë të mençurve dhe shtrembëron fjalët e të drejtëve.» (Ligji i përtërirë 16:19, BR) Në mënyrë të ngjashme, mbreti David e kuptoi që Jehovai e urren korrupsionin dhe kërkoi që Perëndia të mos e llogariste ndërmjet mëkatarëve, ‘dora e djathtë e të cilëve është plot ryshfete’.—Psalmi 26:10, BR.
Ata që e adhurojnë me të vërtetë Perëndinë kanë edhe arsye të tjera për ta refuzuar korrupsionin. «Me anë të drejtësisë një mbret i jep vendit stabilitet,—shkroi Solomoni,—por ai që është lakmues për ryshfete e rrënon atë.» (Proverbat [Fjalët e urta] 29:4, New International Version) Drejtësia, veçanërisht kur praktikohet që nga zyrtarët më të lartë e duke vazhduar më poshtë, sjell stabilitet, kurse korrupsioni e varfëron një vend. Në mënyrë interesante, në Newsweek theksohej: «Në një sistem ku të gjithë duan një copë nga torta e korrupsionit dhe e dinë se si ta marrin atë, ekonomitë s’mund të bëjnë gjë tjetër veçse të rrënohen.»
Edhe atëherë kur ekonomitë nuk rrënohen plotësisht, ata që e duan drejtësinë ndihen të Psalmi 73:3, 13) Krijuesi ynë, ai që na dha dëshirën e brendshme për drejtësi, ndien dhimbje, gjithashtu, për këtë gjë. Në të kaluarën, Jehovai ka ndërhyrë për të çrrënjosur korrupsionin që kishte plasur sheshit. Për shembull, ai ua tha hapur banorëve të Jerusalemit arsyen përse do t’i braktiste në duart e armiqve të tyre.
zhgënjyer kur korrupsioni lulëzon pa qenë i penguar. (Nëpërmjet profetit të tij, Mikesë, Perëndia tha: «Dëgjoni këtë, o krerë të shtëpisë së Jakobit dhe qeveritarë të shtëpisë së Izraelit, që urreni drejtësinë dhe shtrembëroni çdo gjë që është e ndershme. Krerët e tij gjykojnë për një dhuratë [ryshfet, BR], priftërinjtë e tij japin mësim për një pagesë, profetët e tij kryejnë shortari për para . . . Prandaj, për shkakun tuaj, Sioni do të lërohet si një arë, Jerusalemi do të bëhet një grumbull rrënimesh.» Korrupsioni e kishte shkatërruar shoqërinë në Izrael, pikërisht ashtu siç e gërreu Romën shekuj më vonë. Në vërtetim të paralajmërimit të Perëndisë, rreth një shekull pasi Mikea shkroi ato fjalë, Jerusalemi u shkatërrua dhe u braktis.—Mikea 3:9, 11, 12.
Gjithsesi, asnjë njeri ose komb nuk duhet të jetë i korruptuar. Perëndia i inkurajon të ligjtë që të largohen nga mënyra e tyre e jetesës dhe të ndryshojnë mënyrën e të menduarit. (Isaia 55:7) Ai dëshiron që gjithsecili nga ne ta zëvendësojë lakminë me altruizëm dhe korrupsionin me drejtësi. «Kush shtyp të varfërin fyen rëndë atë që e ka bërë, por ai që ka mëshirë për nevojtarin e nderon atë»,—na kujton Jehovai.—Fjalët e urta 14:31.
Ta luftojmë me sukses korrupsionin me të vërtetën biblike
Çfarë mund ta shtyjë një person që të bëjë një ndryshim të tillë? E njëjta forcë që e shtyu Pavlin të hiqte dorë nga jeta si farise për t’u bërë një ithtar i guximshëm i Jezu Krishtit. «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese»,—shkroi ai. (Hebrenjve 4:12) Sot, e vërteta biblike nxit ende ndershmërinë, madje, edhe ndërmjet atyre që janë përfshirë thellësisht në korrupsion. Shqyrtoni një shembull.
Jo shumë kohë pasi kishte mbaruar shërbimin ushtarak, Aleksandri, që është nga Evropa Lindore, u bashkua me një bandë që merrej me shantazhe, me zhvatje dhe me ryshfete. * «Puna ime ishte t’u zhvatja para, gjoja për mbrojtje, biznesmenëve të pasur,—shpjegon ai.—Pasi kisha fituar besimin e një biznesmeni, pjesëtarë të tjerë të skuadrës sonë e kërcënonin se do të përdornin dhunën. Atëherë, ofrohesha t’ia zgjidhja çështjen për një shumë të madhe parash. ‘Klientët’ më falënderonin që i ndihmoja të zgjidhnin problemet e tyre, kur faktikisht isha unë ai që po ua shkaktoja. Sado e çuditshme që të duket, ky ishte një aspekt i punës që më pëlqente.
Gjithashtu, më pëlqenin paratë dhe emocionet që më ofronte ky stil jetese. Kisha një makinë të kushtueshme, jetoja në një apartament të këndshëm dhe kisha para për të blerë çdo gjë që dëshiroja. Njerëzit ma kishin frikën dhe kjo më jepte një ndjenjë pushteti. Ndihesha, në njëfarë mënyre, sikur askush nuk mund të më prekte dhe sikur qëndroja mbi ligjin. Çdo problem me policinë mund të zgjidhej ose me anë të një avokati ekspert, i cili kishte mënyra për t’i dredhuar sistemit të drejtësisë, ose me një ryshfet që ia jepja personit të duhur.
Megjithatë, rrallëherë ekziston besnikëria mes atyre, jetesa e të cilëve varet nga korrupsioni. Një anëtar i bandës më mori me sy të keq dhe filluan të mos më pëlqenin më. Papritur, humba makinën luksoze, paratë dhe të dashurën time që më kushtonte shtrenjtë me tekat e saj. Madje më rrahën keq. Ky ndryshim rrethanash më bëri të mendoja seriozisht për qëllimin e jetës.
Disa muaj më parë, mamaja ime ishte bërë Dëshmitare e Jehovait dhe unë fillova të lexoja literaturën e tyre. Shkrimi i Fjalëve të urta 4:14, 15 më bëri vërtet të mendohem: ‘Mos hyr në shtegun e të pabesëve dhe mos ec në rrugën e njerëzve të këqij; evitoje atë, mos kalo nëpër të; largoju prej saj dhe shko tutje.’ Fragmente si këto më bindën se ata që duan të bëjnë një jetë krimineli nuk kanë të ardhme të vërtetë. Fillova t’i lutesha Jehovait dhe t’i kërkoja të më udhëhiqte në udhën e duhur. Studiova Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe, më në fund, ia dedikova jetën Perëndisë. Që nga ajo kohë, kam jetuar ndershmërisht.
Sigurisht, të jetoj sipas normave të ndershme ka nënkuptuar të fitoj shumë më pak para. Por tani e ndiej se kam një të ardhme, se jeta ime ka domethënie të vërtetë. E kuptoj se stili i mëparshëm i jetesës me përfitime shumë të mëdha ishte tamam si një shtëpi letre që pritej të shembej nga momenti në moment. Më parë, ndërgjegjen e kisha të pandjeshme. Tani, falë studimit të Biblës, ajo më ngacmon sa herë që tundohem për të mos qenë i ndershëm, madje edhe në gjërat e vogla. Po përpiqem të jetoj në harmoni me Psalmin 37:3, ku thuhet: ‘Ki besim te Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë.’»
«Ai që urren ryshfetet do të jetojë»
Siç e zbuloi Aleksandri, e vërteta e Biblës mund ta shtyjë një person të mposhtë korrupsionin. Ai bëri ndryshime në harmoni me atë që thotë apostulli Pavël në letrën dërguar efesianëve: «Të zhvisheni, për sa i takon sjelljes së mëparshme, nga njeriu i vjetër që korruptohet me anë të lakmive të gënjeshtrës dhe të përtëriteni në frymën e mendjes suaj dhe të visheni me njeriun [personalitetin, BR] e ri, të krijuar sipas Perëndisë në drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës. Prandaj, duke e lënë mënjanë gënjeshtrën, secili t’i thotë të vërtetën të afërmit të vet, sepse jemi gjymtyrë, njëri me tjetrin. Ai që vidhte, le të mos vjedhë më, por më tepër të mundohet duke bërë ndonjë punë të mirë me duart e veta, që të ketë t’i japë diçka atij që ka nevojë.» (Efesianëve 4:22-25, 28) Vetë e ardhmja e njerëzimit varet nga transformime të tilla.
Po të lihen pa u frenuar, lakmia dhe korrupsioni mund ta rrënojnë tokën, ashtu siç kontribuan për rrënimin e Perandorisë Romake. Por, lumturisht, Krijuesi i njerëzimit nuk ka në plan t’ia lërë rastësisë çështje të tilla. Ai ka vendosur ‘të shkatërrojë ata që shkatërrojnë dheun’. (Zbulesa 11:18) Gjithashtu, Jehovai u premton atyre që dëshirojnë me etje një botë pa korrupsion, se së shpejti do të vijnë «qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilët banon drejtësia».—2. Pjetrit 3:13.
Vërtet, sot mund të mos jetë e lehtë të jetohet sipas normave të ndershme. Gjithsesi, Jehovai na siguron se, në fund të fundit, «një njeri lakmitar i sjell telashe familjes së tij, por ai që urren ryshfetet do të jetojë». * (Fjalët e urta 15:27, NIV) Duke hequr dorë tani nga korrupsioni, tregojmë sinqeritetin tonë kur i lutemi Perëndisë: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.»—Mateu 6:10.
Ndërkohë që presim atë Mbretëri të veprojë, secili prej nesh mund të ‘mbjellë sipas drejtësisë’, duke refuzuar të tolerojë ose të praktikojë korrupsionin. (Osea [Hozea] 10:12) Nëse veprojmë kështu, edhe jeta jonë do të dëshmojë për fuqinë e Fjalës së frymëzuar të Perëndisë. Shpata e frymës mund ta mposhtë korrupsionin.
[Shënimet]
^ par. 20 Emri i tij është ndryshuar.
^ par. 28 Sigurisht, ekziston një dallim mes ryshfetit dhe bakshishit. Ryshfeti jepet për të shtrembëruar drejtësinë ose për qëllime të tjera të pandershme, kurse bakshishi është një shprehje çmueshmërie për shërbimet e bëra. Kjo është shpjeguar në artikullin «Pyetje nga lexuesit», në Kullën e Rojës, 1 tetor 1986, anglisht.
[Figura në faqen 7]
Me ndihmën e Biblës, mund të zhvillojmë «personalitetin e ri» dhe të shmangim korrupsionin