Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

T’i kushtojmë vëmendje fjalës profetike Të Perëndisë për ditët tona

T’i kushtojmë vëmendje fjalës profetike Të Perëndisë për ditët tona

T’i kushtojmë vëmendje fjalës profetike Të Perëndisë për ditët tona

«Kuptoje, o bir njeriu, se vizioni është për kohën e fundit.»​—DANIELI 8:17, BR.

1. Çfarë dëshiron Jehovai që të dijë i gjithë njerëzimi për ditët tona?

JEHOVAI nuk e mban për vete njohurinë për ngjarjet e ardhshme. Përkundrazi, ai është Zbuluesi i sekreteve. Në fakt, ai dëshiron që të gjithë ne ta dimë se jemi thellë në «kohën e fundit». Çfarë lajmi jetësor që është ky për gjashtë miliardë njerëzit që jetojnë tani në tokë!

2. Përse njerëzit janë të shqetësuar për të ardhmen e njerëzimit?

2 A është për t’u çuditur që bota është afër fundit të saj? Njeriu mund të ecë në hënë, por në shumë vende nuk mund të shëtitë pa frikë nëpër rrugët e këtij planeti. Mund ta mbushë shtëpinë me pajisje moderne, por nuk mund ta ndalë valën e familjeve të prishura. Mund të sjellë edhe epokën e informacionit, por nuk u mëson dot njerëzve të jetojnë së bashku në paqe. Këto dështime mbështetin dëshmitë e bollshme biblike se po jetojmë në kohën e fundit.

3. Kur u përdorën për herë të parë në tokë fjalët ‘koha e fundit’?

3 Këto fjalë tronditëse​—‘koha e fundit’​—u përdorën fillimisht në tokë rreth 2600 vjet më parë, nga engjëlli Gabriel. I tmerruar, një profet i Perëndisë dëgjoi Gabrielin që thoshte: «Kuptoje, o bir njeriu, se vizioni është për kohën e fundit.»​—Danieli 8:17, BR.

Kjo është ‘koha e fundit’!

4. Si i referohet ndryshe Bibla kohës së fundit?

4 Shprehjet ‘koha e fundit’ dhe ‘koha e caktuar e fundit’ shfaqen gjashtë herë në librin e Danielit. (Danieli 8:17, 19; 11:35, 40; 12:4, 9) Ato përkojnë me «ditët e fundit» që paratha apostulli Pavël. (2. Timoteut 3:1-5) Jezu Krishti iu referua kësaj periudhe si «prania» e tij si Mbret i kurorëzuar në qiell.​—Mateu 24:37-39, BR.

5, 6. Cilët janë ‘endur andej-këtej’ në faqet e Fjalës së Perëndisë gjatë kohës të fundit dhe me çfarë rezultati?

5 Te Danieli 12:4 thuhet: «Sa për ty, o Daniel, bëji sekrete fjalët dhe vulose librin deri në kohën e fundit. Shumë do të enden andej-këtej dhe njohuria e vërtetë do të bëhet e bollshme.» (BR) Një pjesë e mirë e asaj që shkroi Danieli u mbajt e fshehtë dhe u vulos për shekuj të tërë, për kuptueshmërinë njerëzore. Por, ç’të themi për sot?

6 Në këtë kohë të fundit, shumë të krishterë besimplotë janë ‘endur andej-këtej’ në faqet e Fjalës së Perëndisë, Biblës. Rezultati? Me bekimin e Jehovait në përpjekjet e tyre, njohuria e vërtetë është bërë e bollshme. Për shembull, Dëshmitarët e mirosur të Jehovait janë bekuar me mendjehollësi, duke u dhënë mundësi të kuptojnë se Jezu Krishti u bë Mbret qiellor në vitin 1914. Në harmoni me fjalët e apostullit që janë dokumentuar te 2. Pjetrit 1:19-21, këta të mirosur dhe shokët e tyre besnikë po i ‘kushtojnë vëmendje fjalës profetike’ dhe janë plotësisht të sigurt se kjo është koha e fundit.

7. Cilat janë disa nga tregimet që e bëjnë unik librin e Danielit?

7 Libri i Danielit është unik në shumë aspekte. Në faqet e tij, një mbret kërcënon se do t’i ekzekutojë të mençurit e tij, pasi nuk janë në gjendje t’ia zbulojnë dhe t’ia interpretojnë ëndrrën enigmatike që ka parë, por profeti i Perëndisë e zgjidh enigmën. Tre të rinj që refuzojnë të adhurojnë një shëmbëlltyrë shumë të lartë, hidhen në një furrë tejet të nxehur, e megjithatë shpëtojnë pa u djegur as edhe një çikë. Gjatë një kremtimi festiv, qindra veta shohin një dorë që shkruan fjalë të mistershme në murin e pallatit. Komplotues të ligj bëjnë që një njeri i moshuar të hidhet në gropën e luanëve, por ai del që andej pa asnjë gërvishtje. Në një vizion shihen katër bisha dhe atyre u jepet domethënie profetike që shtrihet deri në kohën e fundit.

8, 9. Si mund të nxjerrim dobi nga libri i Danielit, veçanërisht tani, në kohën e fundit?

8 Është e qartë se libri i Danielit përmban dy linja shumë të ndryshme. Njëra është tregimtare, tjetra profetike. Që të dyja mund të na e ndërtojnë besimin. Fragmentet tregimtare na tregojnë se Perëndia Jehova i bekon ata që mbajnë integritetin ndaj tij. Fragmentet profetike e ndërtojnë besimin, duke treguar se Jehovai e di rrjedhën e historisë shekuj, madje mijëvjeçarë më parë.

9 Profeci të ndryshme të dokumentuara nga Danieli e drejtojnë vëmendjen te Mbretëria e Perëndisë. Ndërsa vërejmë përmbushjen e këtyre profecive, na forcohet besimi, e po kështu edhe bindja, se po jetojmë në kohën e fundit. Por disa kritikë e sulmojnë Danielin, duke thënë se profecitë në librin që mban emrin e tij, në fakt, u shkruan pas ngjarjeve që dukej se i përmbushnin ato. Nëse këto pohime janë të vërteta, kjo do të bënte të lindnin pyetje serioze për atë që paratha libri i Danielit për kohën e fundit. Skeptikët vënë në dyshim edhe fragmentet tregimtare të librit. Prandaj, le të hetojmë.

Në gjyq!

10. Në cilin kuptim e akuzojnë librin e Danielit?

10 Imagjinojeni veten sikur ndodheni në një sallë gjyqi, duke ndjekur një proces gjyqësor. Prokurori këmbëngul se i akuzuari është fajtor për mashtrim. E, pra, libri i Danielit na paraqitet si një vepër autentike e shkruar nga një profet hebre që jetoi gjatë shekullit të shtatë e të gjashtë p.e.s. Por, kritikët pohojnë se libri është mashtrim. Prandaj, le të shohim fillimisht nëse pjesa tregimtare e librit është në harmoni me faktet historike.

11, 12. Çfarë ndodhi me akuzën se Belshazari ishte thjesht një personazh imagjinar?

11 Supozoni se po shqyrtojmë atë që mund të quhet çështja e monarkut që mungonte. Kapitulli 5 i Danielit tregon se në vitin 539 p.e.s., kur u pushtua Babilonia, Belshazari sundonte si mbret mbi atë qytet. Kritikët e sulmuan këtë pohim, sepse emri i Belshazarit nuk gjendej asgjëkundi përveçse në Bibël. Në vend të tij, si mbret të fundit babilonas, historianët e lashtë identifikonin Nabonidin.

12 Megjithatë, në vitin 1854, në rrënojat e qytetit të lashtë babilonas të Urit, ku ndodhet Iraku i sotëm, u nxorën disa cilindra të vegjël argjile. Këto dokumente me shkrim kuneiform përfshinin një lutje, ku mbreti Nabonid i referohej «Bel-sar-usurit, birit tim të madh». Edhe kritikëve iu desh ta pranonin: ky ishte Belshazari i librit të Danielit. Prandaj, monarku që mungonte, në fund të fundit nuk mungonte, por thjesht nuk ishte njohur ende në burimet botërore. Kjo është vetëm një nga provat e shumta se shkrimet e Danielit janë vërtet autentike. Këto prova tregojnë se libri i Danielit është me siguri pjesë e Fjalës së Perëndisë që meriton vëmendjen tonë të kujdesshme pikërisht tani, në kohën e fundit.

13, 14. Kush ishte Nabukodonosori dhe për cilin perëndi të rremë, në veçanti, kishte devocion ai?

13 Pjesë përbërëse të librit të Danielit janë edhe profecitë që kanë të bëjnë me marshimin e fuqive botërore dhe me veprimet e disa sundimtarëve të tyre. Një nga këta sundimtarë mund të quhet një mbret luftarak që ndërtoi një perandori. Si princ trashëgimtar i Babilonisë, ai, së bashku me ushtrinë e tij, dërrmoi forcat ushtarake të faraonit egjiptian Neko në Karkemish. Por një mesazh e detyroi princin fitimtar babilonas t’ua ngarkonte gjeneralëve të tij operacionet e spastrimit. Pasi mësoi se i ati, Nabopolasari, kishte vdekur, ky i ri me emrin Nabukodonosor mori fronin në vitin 624 p.e.s. Gjatë mbretërimit të tij 43-vjeçar, ai ndërtoi një perandori që përfshinte territore të cilat dikur ishin pushtuar nga Asiria dhe e shtriu zotërimin e tij në Siri dhe në Palestinë e deri në kufi me Egjiptin.

14 Devocioni fetar i Nabukodonosorit i drejtohej në mënyrë të veçantë Mardukut, perëndisë kryesor të Babilonisë. Për të gjitha pushtimet e tij, mbreti ia jepte meritën Mardukut. Në Babiloni, Nabukodonosori ndërtoi e zbukuroi tempujt e Mardukut dhe të shumë hyjnive të tjera babilonase. Ndoshta, shëmbëlltyra prej ari që ky mbret babilonas ngriti në rrafshinën e Durës i dedikohej Mardukut. (Danieli 3:1, 2) Gjithashtu, duket se për planifikimin e lëvizjeve të tij ushtarake, Nabukodonosori mbështetej shumë te shortaria.

15, 16. Çfarë bëri Nabukodonosori për Babiloninë dhe çfarë ndodhi kur ai u mburr për madhështinë e saj?

15 Duke përfunduar muret dyfishe e masive të Babilonisë, të cilat kishte nisur t’i ndërtonte i ati, Nabukodonosori e bëri kryeqytetin të pathyeshëm në dukje. Thuhet se për të kënaqur mbretëreshën e tij mede, të cilën e kishte marrë malli për kodrat dhe pyjet e vendit të saj, Nabukodonosori ndërtoi kopshtet e varura, të cilësuara si një nga shtatë mrekullitë e botës së lashtë. Ai e bëri Babiloninë qytetin më të madh me mure të asaj kohe. Sa krenar që ishte për atë qendër të adhurimit të rremë!

16 «A nuk është kjo Babilonia e Madhe, që unë ndërtova?»​—u mburr Nabukodonosori një ditë. Gjithsesi, sipas Danielit 4:30-36, «ndërsa fjala ishte ende në gojën e mbretit», ai u godit nga çmenduria. Duke mos qenë i aftë të sundonte për shtatë vjet, ai hëngri bimësi, pikërisht siç kishte parathënë Danieli. Pastaj iu kthye mbretëria. A e dini domethënien profetike të të gjithë kësaj? A mund ta shpjegoni se si përmbushja e saj kryesore na sjell pikërisht në kohën e fundit?

Të shqyrtojmë elementet profetike

17. Si do ta përshkruanit ëndrrën profetike që i dërgoi Perëndia Nabukodonosorit vitin e dytë të mbretërimit të tij si sundimtar i botës?

17 Tani le të shqyrtojmë disa elemente profetike në librin e Danielit. Gjatë vitit të dytë të mbretërimit të Nabukodonosorit si sundimtar i botës, sipas profecisë biblike (606-605 p.e.s.), Perëndia i dërgoi një ëndërr të llahtarshme. Sipas kapitullit 2 të Danielit, ëndrra kishte të bënte me një shëmbëlltyrë tejet të madhe me kokë ari, kraharor dhe krahë argjendi, bark dhe kofshë bakri, këmbë hekuri dhe pjesa e fundit e këmbëve ishte hekur përzier me argjilë. Çfarë përfaqësonin pjesët e ndryshme të shëmbëlltyrës?

18. Çfarë përfaqësonin koka prej ari, kraharori e krahët prej argjendi dhe barku e kofshët prej bakri të shëmbëlltyrës së ëndrrës?

18 Profeti i Perëndisë i tha Nabukodonosorit: «Ti, o mbret, . . . ti je koka e artë.» (Danieli 2:37, 38) Nabukodonosori qe në krye të një dinastie që sundoi mbi Perandorinë Babilonase. Ajo u përmbys nga Medo-Persia, që përfaqësohej nga kraharori dhe krahët prej argjendi. Pastaj erdhi Perandoria Greke, e paraqitur nga barku dhe kofshët prej bakri. Si lindi kjo fuqi botërore?

19, 20. Kush ishte Aleksandri i Madh dhe çfarë roli luajti ai për ta bërë Greqinë fuqi botërore?

19 Në shekullin e katërt p.e.s., një djalë i ri luajti rol të rëndësishëm në përmbushjen e profecisë së Danielit. Ai lindi në vitin 356 p.e.s. dhe bota e ka quajtur Aleksandri i Madh. Me vrasjen e të atit, Filipit, në vitin 336 p.e.s., Aleksandri 20-vjeçar trashëgoi fronin e Maqedonisë.

20 Në fillim të majit të vitit 334 p.e.s. Aleksandri ndërmori një fushatë pushtimesh. Ai kishte një ushtri të vogël, por të efektshme, me 30 000 këmbësorë dhe 5000 kalorës. Në lumin Granik, në pjesën veriperëndimore të Azisë së Vogël (tani Turqia), Aleksandri fitoi betejën e tij të parë kundër persëve, në vitin 334 p.e.s. Deri në vitin 326 p.e.s., ky pushtues i pandalshëm i kishte nënshtruar ata dhe kishte shkuar deri në lindje të lumit Ind, që ndodhet në Pakistanin e sotëm. Gjithsesi, Aleksandri e humbi betejën e tij të fundit, ndërsa gjendej në Babiloni. Më 13 qershor 323 p.e.s., pasi kishte jetuar vetëm 32 vjet e 8 muaj, Aleksandri iu dorëzua armikut më të tmerrshëm, vdekjes. (1. Korintasve 15:55) Megjithatë, me anë të pushtimeve të tij Greqia ishte bërë fuqi botërore, siç parathuhej në profecinë e Danielit.

21. Përveç Perandorisë Romake, cilën fuqi tjetër botërore paraqitnin këmbët prej hekuri të shëmbëlltyrës së ëndrrës?

21 Çfarë përfaqësojnë këmbët prej hekuri të shëmbëlltyrës tejet të madhe? E pra, ishte Roma e fortë si hekuri, e cila dërrmoi dhe copëtoi Perandorinë Greke. Duke mos treguar aspak respekt për Mbretërinë e Perëndisë të shpallur nga Jezu Krishti, në vitin 33 të e.s. romakët e vranë Jezuin, duke e vënë në një shtyllë mundimi. Duke u përpjekur të shkatërronte krishterimin e vërtetë, Roma persekutoi dishepujt e Jezuit. Megjithatë, këmbët prej hekuri të shëmbëlltyrës në ëndrrën e Nabukodonosorit paraqitnin jo vetëm Perandorinë Romake, por edhe pasuesen e saj politike: fuqinë botërore anglo-amerikane.

22. Si na ndihmon shëmbëlltyra e ëndrrës për të kuptuar se jemi thellë në kohën e fundit?

22 Studime të kujdesshme provojnë që jemi thellë në kohën e fundit, sepse kemi arritur te pjesa e fundit e këmbëve prej hekuri dhe argjile që kishte shëmbëlltyra e ëndrrës. Disa qeveri të ditëve të sotme janë si hekuri ose autoritare, kurse të tjera janë si argjila. Me gjithë natyrën e brishtë të argjilës, nga e cila është bërë «fara njerëzore», sundimtarët si hekuri kanë qenë të detyruar ta lënë popullin e thjeshtë të thotë në njëfarë mase fjalën e tij në qeveritë që e sundojnë. (Danieli 2:43; Jobi 10:9) Sigurisht, aq sa mund të bashkohet hekuri me argjilën, aq mund të ngjiten së bashku sundimi autoritar me popullin e thjeshtë. Por Mbretëria e Perëndisë së shpejti do të sjellë fundin e kësaj bote të copëtuar nga ana politike.​—Danieli 2:44.

23. Si do t’i përshkruaje ëndrrën dhe vizionet që pa Danieli në vitin e parë të mbretërimit të Belshazarit?

23 Edhe kapitulli i 7-të i profecive tërheqëse të Danielit na sjell në kohën e fundit. Aty tregohet një ngjarje që ndodhi në vitin e parë të mbretit babilonas Belshazar. Në atë kohë në të 70-at e tij, Danieli sheh «një ëndërr dhe vizione që i vinin në kokë mbi shtratin e tij». Sa e frikësojnë këto vizione! «Ja!​—thërret ai,​—Katër erërat e qiejve po trazonin detin e paanë. Dhe katër bisha të stërmëdha po dilnin nga deti, secila e ndryshme nga të tjerat.» (Danieli 7:1-8, 15, BR) Ç’bisha të jashtëzakonshme! E para është një luan me krahë dhe e dyta është si një ari. Pastaj vjen një leopard me katër krahë dhe katër koka. Bisha e katërt, që është e fortë në mënyrë të pazakontë, ka dhëmbë të mëdhenj hekuri dhe dhjetë brirë. Mes dhjetë brirëve të saj ngrihet një bri «i vogël», që ka «sy si sytë e një njeriu» dhe «një gojë që thotë gjëra madhështore». Çfarë krijesash groteske!

24. Sipas Danielit 7:9-14, çfarë sheh Danieli në qiell dhe çfarë tregon ky vizion?

24 Më pas, vizionet e Danielit drejtohen për nga qielli. (Danieli 7:9-14, BR) «I Lashti i Ditëve», Perëndia Jehova, shihet i ulur si Gjykatës në fronin e tij të lavdishëm. ‘Një mijë mijëra i shërbejnë dhe dhjetë mijë herë dhjetë mijë vazhdojnë të qëndrojnë në këmbë përpara tij.’ Duke i gjykuar bishat në mënyrë të pafavorshme, Perëndia ua heq sundimin dhe shkatërron bishën e katërt. Sundimi i përhershëm mbi «popujt, grupet kombëtare dhe gjuhët» i lihet në dorë «dikujt si një bir njeriu». Kjo i referohet kohës së fundit dhe kurorëzimit të Birit të njeriut, Jezu Krishtit, në vitin 1914.

25, 26. Cilat pyetje mund të lindin kur lexojmë librin e Danielit dhe cili botim mund të na ndihmojë për të gjetur përgjigje?

25 Lexuesve të librit të Danielit patjetër që u lindin pyetje. Për shembull, çfarë përfaqësojnë katër bishat e kapitullit 7 të Danielit? Cili është shpjegimi i «shtatëdhjetë javëve» profetike të Danielit 9:24-27? Ç’të themi për kapitullin 11 të Danielit dhe për konfliktin profetik të «mbretit të veriut» me «mbretin e jugut»? Çfarë mund të presim nga këta mbretër në kohën e fundit?

26 Jehovai u ka dhënë mendjehollësi për këto çështje shërbëtorëve të tij të mirosur në tokë, «të shenjtëve të Më të Lartit», siç quhen ata te Danieli 7:18, (BR). Për më tepër, «skllavi i besueshëm dhe i matur» ka marrë masa që të fitojmë mendjehollësi të mëtejshme për shkrimet e frymëzuara të profetit Daniel. (Mateu 24:45, BR) Tani atë e kemi në dispozicion, sepse kohët e fundit u prezantua libri Kushtoju vëmendje profecive të Danielit! Ky botim me 320 faqe, i ilustruar bukur, trajton çdo pjesë të librit të Danielit. Shqyrton çdo profeci besimndërtuese dhe çdo fragment tregimtar që dokumentoi profeti i dashur Daniel.

Domethënie të vërtetë për ditët tona

27, 28. (a) Ç’mund të themi për përmbushjen e profecive në librin e Danielit? (b) Në cilën periudhë po jetojmë dhe çfarë duhet të bëjmë?

27 Shqyrtoni këtë pikë domethënëse: të gjitha profecitë e librit të Danielit janë përmbushur, përveç disa hollësive. Për shembull, tani shohim situatën botërore që u paraqit nga pjesa e fundit e këmbëve të shëmbëlltyrës së ëndrrës në kapitullin 2 të Danielit. Cungut me rrënjë të pemës në kapitullin 4 të Danielit iu hoqën rrathët me kurorëzimin e Mbretit Mesianik, Jezu Krishtit, në vitin 1914. Pikërisht, siç ishte parathënë në kapitullin 7 të Danielit, i Lashti i Ditëve në atë kohë ia dha sundimin Birit të njeriut.​—Danieli 7:13, 14; Mateu 16:27–17:9.

28 Të 2300 ditët e kapitullit 8 të Danielit, si edhe 1290 dhe 1335 ditët e kapitullit 12, kanë kaluar që të gjitha, i kemi lënë pas në rrjedhën e kohës. Një studim i kapitullit 11 të Danielit tregon se konflikti ndërmjet «mbretit të veriut» dhe «mbretit të jugut» ka arritur në fazat përfundimtare. E gjithë kjo u bashkohet dëshmive biblike që tregojnë se tani jemi thellë në kohën e fundit. Duke marrë parasysh vendin unik që zëmë në rrjedhën e kohës, çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë? Pa dyshim, duhet t’i kushtojmë vëmendje fjalës profetike të Perëndisë Jehova.

Si do të përgjigjeshit?

• Çfarë dëshiron Perëndia që të dijë tërë njerëzimi për ditët tona?

• Si mund të na e ndërtojë besimin libri i Danielit?

• Çfarë karakteristikash kishte shëmbëlltyra e ëndrrës së Nabukodonosorit dhe çfarë simbolizonin ato?

• Çfarë vlen të theksohet për përmbushjen e profecive që gjejmë në librin e Danielit?

[Pyetjet]