Arrin të njohë Perëndinë e dashur
Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Arrin të njohë Perëndinë e dashur
NË MOSHËN 16-vjeçare, një brazilian me emrin Antonio ishte tashmë i zhgënjyer nga jeta. Ndjenjat e pavlefshmërisë e çuan të abuzonte me drogën dhe me alkoolin. Shpeshherë mendonte të bënte vetëvrasje. Pikërisht në këto momente atij i vinin ndër mend fjalët që i kishte thënë mamaja: «Perëndia është dashuri.» (1. Gjonit 4:8) Po ku ishte ky Perëndi i dashur?
Duke u përpjekur të merrte veten nga abuzimi me substancat e ndryshme të dëmshme, Antonio i kërkoi ndihmë priftit të famullisë së zonës. Ndonëse u bë shumë aktiv në kishën katolike, Antonio kishte ende shumë pyetje. Për shembull, atë e hutonin fjalët e Jezuit «do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë». (Gjoni 8:32) Çfarë lloj lirie premtoi Jezui? Kisha nuk u jepte dot përgjigje të kënaqshme pyetjeve të tij. Përfundimisht, Antonio u largua nga kisha dhe iu kthye zakoneve të tij të vjetra. Në fakt, ai u dha akoma më shumë pas abuzimit me substancat e ndryshme të dëmshme.
Rreth asaj kohe, Maria, gruaja e Antonios, filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Edhe pse nuk iu kundërvu studimit të saj, me mendje Antonio i konsideronte Dëshmitarët si «një fe amerikane që i shërben interesave të imperializmit amerikan».
Pa u shkurajuar, Maria linte vërdallë nëpër shtëpi kopje të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! me artikuj që mendonte se mund t’i interesonin Antonios. Meqë i pëlqente të lexonte, Antonio me raste u hidhte një sy revistave kur gruaja nuk ishte aty. Për herë të parë në jetën e tij, ai gjeti përgjigje për pyetjet që kishte nga Bibla. «Gjithashtu, fillova të vërej dashurinë dhe dashamirësinë që më tregonte gruaja ime dhe Dëshmitarët»,—kujton ai.
Aty nga mesi i vitit 1992, Antonio vendosi që ta studionte edhe ai Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Megjithatë, vazhdonte të përdorte drogën dhe të pinte rëndshëm. Një natë vonë, ndërsa po kthehej nga një lagje e varfër së bashku me një shokun e vet, i ndaloi policia. Kur i gjetën Antonios një sasi kokaine, policët filluan ta rrihnin. Një polic e hodhi përtokë, në baltë, dhe i vuri tytën e një pushke afër fytyrës. «Mbaroje!»—i thirri polici tjetër.
Ndërsa gjendej i shtrirë në baltë, Antonios i kaloi para syve gjithë jeta e tij. Të vetmet gjëra të mira që mund të sillte ndër mend ishin familja e tij dhe Jehovai. Bëri një lutje të shkurtër, duke i kërkuar ndihmë Jehovait. Pa ndonjë arsye të dukshme, policët u larguan. Ai shkoi në shtëpi, i bindur se Jehovai e kishte mbrojtur.
Antonio filloi ta studionte Biblën me forca të reja. Pak nga pak, bëri ndryshime për t’i pëlqyer Jehovait. (Efesianëve 4:22-24) Duke kultivuar vetëkontroll, ai filloi të zgjidhte problemet që kishte me drogën. Gjithsesi, kishte nevojë për ndihmë mjekësore. Dy muajt që kaloi në një klinikë rehabilitimi i dhanë mundësi të lexonte disa botime biblike, duke përfshirë edhe librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Pastaj, Antonio e ndante atë që kishte mësuar nga këta libra me pacientët e tjerë.
Kur doli nga klinika, Antonio e vazhdoi studimin e Biblës me Dëshmitarët. Sot, Antonio, Maria, dy vajzat e tyre dhe mamaja e Antonios i shërbejnë Jehovait së bashku si një familje e lumtur dhe e bashkuar. Antonio thotë: «Tani e kuptoj domethënien e vërtetë të fjalëve ‘Perëndia është dashuri’.»
[Figura në faqen 8]
Duke predikuar në Rio-de-Zhaneiro