E ndihmuar për të mposhtur ndrojtjen
Jetëshkrim
E ndihmuar për të mposhtur ndrojtjen
TREGUAR NGA RUTH L. ALRIK
Nuk u përmbajta dot dhe ia dhashë të qarit mu aty, te dera e shtëpisë së klerikut. Ai sapo kishte vjellë një sërë akuzash të rreme kundër Çarlz T. Rasëllit, i cili shërbeu si presidenti i parë i Shoqatës Watch Tower Bible and Tract. Më lejoni t’ju shpjegoj përse unë, ndonëse isha një vajzë e vogël, u bëja vizita të tilla njerëzve.
LINDA në një fermë në Nebraska, SHBA, më 1910, në një familje shumë fetare. Çdo mëngjes e çdo mbrëmje, pas buke, lexonim si familje Biblën. Babai ishte drejtor i shkollës të së dielës në kishën metodiste të qytetit të vogël Uinsajd, rreth 6 kilometra larg fermës. Kishim një kaloshinë me perde në dritare, që tërhiqej nga kuaj, kështu që, pavarësisht nga moti, mund të shkonim në kishë të dielën në mëngjes.
Kur isha afro 8 vjeçe, vëllai im i vogël u sëmur me paralizën e fëmijëve dhe mamaja e çoi në një sanatorium në Ajoua, për mjekim. Me gjithë kujdesin e saj të madh, vëllai vdiq ndërsa ishte në spital. Por, ndërkohë, në Ajoua mamaja kishte takuar një Studente të Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Ato kishin bërë shumë biseda e, madje, mamaja kishte shkuar me zonjën në disa mbledhje të Studentëve të Biblës.
Kur u kthye në shtëpi, mamaja solli me vete disa vëllime të Studime mbi Shkrimet, të cilat i kishte botuar Shoqata Watch Tower. Shumë shpejt, ajo u bind se Studentët e Biblës mësonin të vërtetën dhe se mësimet e pavdekësisë së shpirtit të njeriut dhe të mundimit të përjetshëm të të ligjve nuk ishin të vërteta.—Zanafilla 2:7; Predikuesi (Eklisiastiu) 9:5, 10; Ezekieli 18:4.
Megjithatë, babai u zemërua shumë dhe iu kundërvu përpjekjeve të mamasë për të ndjekur mbledhjet e Studentëve të Biblës. Ai vazhdoi të na merrte, mua dhe Klarensin, vëllanë më të
madh, në kishë. Por, kur babai nuk ishte në shtëpi, mamaja studionte Biblën me ne. Si rezultat, ne fëmijët patëm një mundësi të mirë që të krahasonim mësimet e Studentëve të Biblës me ato të kishës sonë.Unë dhe Klarensi shkonim rregullisht në shkollën e së dielës në kishë, dhe ai i bënte mësueses pyetje të cilave ajo nuk u përgjigjej dot. Kur shkonim në shtëpi, i tregonim mamasë dhe kjo çonte në diskutime të gjata rreth këtyre çështjeve. Përfundimisht, e lashë kishën dhe fillova të ndiqja mbledhjet e Studentëve të Biblës, së bashku me mamanë. S’kaloi shumë kohë dhe edhe Klarensi bëri të njëjtën gjë.
Përballoj ndrojtjen
Në shtator të vitit 1922, unë dhe mamaja morëm pjesë në kongresin historik të Studentëve të Biblës në Sidër-Point, Ohajo. E kam akoma para syve atë parullë jashtëzakonisht të madhe të shpalosur, ndërsa Xhozef F. Radhërfordi, atëherë president i Shoqatës Watch Tower Society, i nxiti më shumë se 18 000 të pranishmit me fjalët e parullës: «Lajmëroni Mbretin dhe Mbretërinë!» Kjo më preku thellë dhe e ndjeva urgjencën për t’u folur të tjerëve për lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë.—Mateu 6:9, 10; 24:14.
Në kongreset e mbajtura nga viti 1922 deri në vitin 1928, u adoptuan një seri rezolutash dhe mesazhet e tyre u shkruan në formë fletushkash, të cilat Studentët e Biblës ua shpërndanë dhjetëra milionë njerëzve anembanë botës. Unë isha e dobët dhe hollake (në fakt më thërritnin langua) dhe kaloja shpejt e shpejt nga një shtëpi në tjetrën duke shpërndarë këto mesazhe të shtypura. Më pëlqente vërtet kjo punë. Por, të flisja nëpër dyer, t’u tregoja personalisht të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë, kjo ishte një çështje tjetër.
Që ta dini, isha kaq e ndrojtur si natyrë, sa tmerrohesha edhe kur mamaja ftonte grupe të mëdha kushërinjsh çdo vit. Zhdukesha në dhomën time dhe qëndroja atje. Një herë, mamaja donte t’i bënte një fotografi gjithë familjes dhe më tha të dilja nga dhoma. Ngaqë nuk doja të dilja, fillova të bërtisja kur ajo më nxori me zor nga dhoma.
Megjithatë, erdhi dita kur me vendosmëri futa literaturën biblike në çantë. Vazhdoja t’i
përsëritja vetes «nuk e bëj dot», por momentin tjetër thosha «duhet ta bëj». Më në fund, u nisa të predikoja. Pas kësaj, isha shumë e lumtur që kisha marrë guximin për të dalë. Gëzimi më i madh për mua vinte nga fakti që e kisha kryer veprën e jo nga vetë momentet kur isha duke e kryer këtë vepër. Kjo ishte koha kur takova klerikun e përmendur më sipër dhe ika duke qarë. Me kalimin e kohës dhe me ndihmën e Jehovait isha në gjendje t’u flitja njerëzve në dyer dhe gëzimi m’u shtua. Pastaj, në vitin 1925 e simbolizova dedikimin ndaj Jehovait me pagëzimin në ujë.Filloj shërbimin e plotkohor
Kur isha 18 vjeçe bleva një makinë me paratë që trashëgova nga një teze dhe fillova të shërbeja si pioniere, siç quhet shërbimi i plotkohor. Dy vjet më vonë, më 1930, së bashku me një shoqe shërbimi, pranuam një caktim predikimi. Në atë periudhë, edhe Klarensi kishte filluar të shërbente si pionier. Jo shumë kohë më pas, ai pranoi ftesën për të shërbyer në Bethel, në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork.
Rreth asaj periudhe prindërit tanë u ndanë, kështu që unë dhe mamaja ndërtuam një shtëpi-rimorkio dhe filluam të shërbenim si pioniere së bashku. Kjo ishte koha kur në Shtetet e Bashkuara filloi Kriza e Madhe. U bë pothuajse sfidë të vazhdoje në veprën e pionierit, por ne ishim të vendosura të mos e linim këtë vepër. E këmbenim literaturën biblike me pula, vezë dhe prodhime bahçeje, si edhe me bateri të vjetra dhe me alumin, të cilat nuk i përdornin. Këto të fundit i këmbenim me para, për të blerë benzinë për makinën dhe për të përballuar shpenzimet e tjera. Gjithashtu, mësova të lubrifikoja makinën dhe të ndryshoja vajin, për të kursyer para. Pamë se si Jehovai, në përputhje me premtimin e tij, e hapi rrugën që të na ndihmonte të kapërcenim pengesat.—Mateu 6:33.
Në caktime misionare
Në vitin 1946, më ftuan të merrja pjesë në klasën e shtatë të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit, e cila ndodhej afër Lansingut Jugor, në Nju-Jork. Deri atëherë, unë dhe mamaja kishim shërbyer si pioniere së bashku për më shumë se 15 vjet, por ajo nuk donte të ndërhynte në këtë rast për të marrë stërvitje për veprën misionare. Kështu që më inkurajoi të pranoja privilegjin për të ndjekur Shkollën e Galaadit. Pas diplomimit, m’u caktua si shoqe shërbimi Marta Hesi, nga Peoria, Ilinoi. Së bashku me dy motra të tjera, na caktuan për një vit në Klivlend, Ohajo, ndërsa pritnim caktimin përtej detit.
Ky caktim erdhi në vitin 1947. Mua dhe Martën na caktuan në Havai. Meqë ishte e lehtë të hyje në këta ishuj, mamaja erdhi për të jetuar pranë nesh në qytetin Honolulu. Shëndeti i saj po keqësohej, kështu që përveçse kujdesesha për aktivitetet e mia misionare, ndihmoja edhe mamanë. Pata mundësi të kujdesesha për të derisa vdiq në Havai në vitin 1956, në moshën 77-vjeçare. Kur mbërritëm në Havai, kishte vetëm 130 Dëshmitarë, por në kohën kur vdiq mamaja, kishte më shumë se njëmijë, kështu që nuk kishte më nevojë për misionarë.
Pastaj, unë dhe Marta morëm një letër nga Shoqata Watch Tower, ku na ofrohej një caktim në Japoni. Shqetësimi i parë ishte nëse në moshën tonë, do të mund ta mësonim dot gjuhën japoneze. Në atë kohë, unë isha 48 vjeçe dhe Marta vetëm katër vjet më e vogël. Por, e lamë çështjen në duart e Jehovait dhe pranuam caktimin.
Menjëherë pas kongresit ndërkombëtar të vitit 1958, që u mbajt në stadiumin Jenki dhe Polo Graunds të Nju-Jorkut, hipëm në një anije për në Tokio. Na goditi një tajfun ndërsa i afroheshim portit të Jokohamës, ku takuam Don dhe Mabel Hasletin, Llojd dhe Melba Berrin, si edhe misionarë
të tjerë. Atëherë në Japoni kishte vetëm 1124 Dëshmitarë.Menjëherë iu futëm punës për të mësuar gjuhën japoneze dhe për të shkuar në shërbimin nga shtëpia në shtëpi. Duke përdorur alfabetin anglez, shkruam prezantime në japonisht, të cilat i lexonim. Si përgjigje, të zotët e shtëpive na thoshin «Yoroshii desu» ose «Kekko desu», të cilat e mësuam se kishin kuptimin «shumë mirë» ose «mirë». Por nuk e kuptonim gjithnjë nëse i zoti i shtëpisë ishte i interesuar apo jo, sepse ato fjalë përdoreshin edhe për të shprehur refuzim. Kuptimi varej nga toni i zërit që përdorej ose nga shprehja e fytyrës së personit. Na u desh kohë që të mësonim t’i interpretonim këto gjëra.
Përvoja që ma ngrohën zemrën
Duke luftuar ende me gjuhën, një ditë vizitova fjetoren e një Shoqërie Mitsubishi dhe takova një vajzë 20-vjeçare. Ajo bëri përparim të mirë në njohurinë biblike dhe u pagëzua në vitin 1966. Një vit më vonë, filloi të shërbente si pioniere dhe shpejt pas kësaj u emërua pioniere speciale. Ka shërbyer si e tillë që nga ajo kohë. Për mua ka qenë gjithnjë frymëzim të shoh se si ajo e ka përdorur kohën dhe energjinë e saj, që nga rinia, në shërbimin e plotkohor.
Të marrësh qëndrim për të vërtetën biblike është sfidë, dhe kjo sfidë është veçanërisht e madhe për njerëzit që jetojnë në një shoqëri jo të krishterë. Megjithatë, me mijëra veta e kanë përballuar këtë sfidë, duke përfshirë disa nga ata me të cilët kam studiuar Biblën. Ata i kanë hequr qafe altarët budistë dhe raftet shintoiste të kushtueshme, të cilat gjenden tradicionalisht në shtëpitë japoneze. Meqë disa herë të afërmit i keqinterpretojnë këto veprime si mungesë respekti për të parët e vdekur, të rinjve në të vërtetën u duhet guxim Veprat 19:18-20.
që ta bëjnë këtë. Veprimet e tyre të guximshme të kujtojnë ato të të krishterëve të hershëm, të cilët hoqën qafe sendet që lidheshin me adhurimin e rremë.—Më kujtohet një studente e Biblës, një grua shtëpiake, e cila po planifikonte të transferohej nga Tokio, së bashku me familjen. Dëshironte të transferohej në një shtëpi të re që ishte e lirë nga objektet që kishin të bënin me adhurimin pagan. Prandaj, ia tha burrit dëshirën e saj dhe ai bashkëpunoi me gatishmëri. Më tregoi me gëzim për këtë gjë, por pastaj u kujtua se kishte paketuar një vazo të madhe e të kushtueshme mermeri që e kishte blerë sepse thoshin që siguronte lumturinë në shtëpi. Meqë kishte dyshime për lidhjet që mund të kishte me adhurimin e rremë, ajo e theu vazon me çekiç dhe e hodhi poshtë.
Të shihja këtë grua dhe të tjerë që me gatishmëri çliroheshin nga objekte të kushtueshme që lidheshin me adhurimin e rremë dhe me guxim fillonin një jetë të re shërbimi ndaj Jehovait, ka qenë një përvojë shumë shpërblyese dhe e kënaqshme për mua. E falënderoj gjithnjë Jehovain që kam pasur mundësi të gëzoj më shumë se 40 vjet shërbim misionar në Japoni.
«Mrekulli» të ditëve moderne
Kur shqyrtoj më shumë se 70 vjetët në shërbimin e plotkohor, mrekullohem nga ato që për mua janë mrekulli të ditëve moderne. Kur isha e re dhe shumë e ndrojtur, nuk do ta kisha menduar kurrë se mund ta kaloja gjithë jetën time duke marrë iniciativën për t’u folur njerëzve rreth një Mbretërie, për të cilën shumica nuk ka dëshirë të dëgjojë gjë. Megjithatë, jo vetëm që kam qenë në gjendje ta bëj këtë, por kam parë edhe qindra, për të mos thënë mijëra të tjerë, të bëjnë të njëjtën gjë. Këtë e kanë bërë me kaq efektshmëri, saqë ata pak më shumë se një mijë Dëshmitarë që ishin në Japoni kur erdha unë në vitin 1958, janë rritur në 222 000 sot.
Kur unë dhe Marta erdhëm fillimisht në Japoni, na caktuan të jetonim në zyrën e degës në Tokio. Në vitin 1963, në atë vend u ndërtua një ndërtesë e re dege me gjashtë kate dhe kemi jetuar atje, që nga ajo kohë. Në nëntor 1963 ishim mes 163 të pranishmëve për fjalimin e dedikimit të mbajtur nga mbikëqyrësi i degës sonë, Llojd Berri. Në atë moment, kishim arritur 3000 Dëshmitarë në Japoni.
Ka qenë kënaqësi të shoh veprën e predikimit të Mbretërisë të rritet në mënyrë të jashtëzakonshme, duke arritur më shumë se 14 000 në vitin 1972, kur në qytetin Numazu u përfundua një degë e re e zgjeruar. Por, në vitin 1982, në Japoni kishte më shumë se 68 000 lajmëtarë të Mbretërisë dhe në qytetin Ebina, rreth 80 kilometra larg Tokios, u ngrit një ndërtesë dege shumë më e madhe.
Ndërkohë, u rinovua ndërtesa e mëparshme e degës, e cila ndodhej në qendër të Tokios. Me kohë, ajo shërbeu si shtëpi misionare për më shumë se 20 misionarë që kanë shërbyer në Japoni për 40 a 50 vjet ose më gjatë, duke përfshirë edhe mua, bashkë me shoqen time të shërbimit nga shumë kohë, Marta Hesin. Një mjek dhe gruaja e tij, që është infermiere, jetojnë në shtëpinë tonë. Ata kujdesen për ne, duke na plotësuar me dashuri nevojat shëndetësore. Kohët e fundit, ekipit iu shtua edhe një infermiere tjetër, si edhe motra të tjera të krishtere që vijnë si ndihmësinfermiere gjatë ditës. Nga dy pjesëtarë të familjes Bethel në Ebina vijnë me radhë për të gatuar dhe për të na pastruar shtëpinë. Në fakt, Jehovai ka qenë i mirë me ne.—Psalmi 34:8, 10.
Një pikë e rëndësishme në jetën time si misionare ndodhi nëntorin e kaluar, 36 vjet pas dedikimit të ndërtesës në të cilën jetojnë tani shumë prej nesh që jemi misionarë nga shumë kohë. Më 13 nëntor, 1999, isha mes 4486 vetave, duke përfshirë qindra Dëshmitarë nga shumë kohë, që vinin nga 37 vende, të cilët morën pjesë në dedikimin e ndërtesave të zgjeruara të degës së Shoqatës Watch Tower Bible and Tract në Ebina të Japonisë. Aktualisht, në atë familje dege ka rreth 650 anëtarë.
Gjatë pothuajse 80 vjetëve që kur fillova me ndrojtje të shkoja shtëpi më shtëpi duke shpërndarë mesazhe biblike, Jehovai ka qenë ndihmë forcuese për mua. Ai më ka ndihmuar të mposht ndrojtjen. Besoj fortësisht se Jehovai mund të përdorë gjithsecilin që e vë besimin tek ai, edhe ata që janë tepër të turpshëm, si puna ime. Sa jetë të kënaqshme kam pasur, duke u folur të tjerëve për Perëndinë tonë, Jehovain!
[Figura në faqen 21]
Me mamanë dhe Klarensin, i cili ishte në vizitë nga Betheli
[Figura në faqen 23]
Pjesëtarë të klasës sonë, duke studiuar në lëndinë, në Shkollën e Galaadit afër Lansingut Jugor, Nju-Jork
[Figura në faqen 23]
Majtas: Unë, Marta Hesi dhe mamaja, në Havai
[Figura në faqen 24]
Djathtas: Anëtarë të familjes sonë misionare në Tokio
[Figura në faqen 24]
Poshtë: Me shoqen time të shërbimit nga shumë kohë, Marta Hesin
[Figura në faqen 25]
Ndërtesat e zgjeruara të degës në Ebina u dedikuan nëntorin e kaluar