Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fytyra në ndryshim e «krishterimit»: E pranueshme për Perëndinë?

Fytyra në ndryshim e «krishterimit»: E pranueshme për Perëndinë?

Fytyra në ndryshim e «krishterimit»: E pranueshme për Perëndinë?

SUPOZONI se keni porositur një piktor t’ju bëjë një portret. Kur ka mbaruar, ju mahniteni, sepse ngjashmëria është e përsosur. Mendoni për fëmijët, nipërit dhe për stërnipërit tuaj që do ta shohin portretin me shumë krenari.

Megjithatë, disa breza më pas, një nga pasardhësit tuaj mendon se balli pa flokë në portret nuk duket bukur, kështu që i shton flokë. Një tjetri nuk i pëlqen forma e hundës, kështu që e ndryshon. Në breza të ardhshëm bëhen edhe «përmirësime» të tjera, prandaj përfundimisht portreti ngjan shumë pak me ju. Po ta dinit se do të ndodhte kjo gjë, si do të ndiheshit? Patjetër do të ishit i indinjuar.

Mjerisht, ajo që i ndodhi këtij portreti, në thelb, është ajo që i ka ndodhur kishës që mban emrin e krishterë. Historia tregon se shumë shpejt pas vdekjes së apostujve të Krishtit, fytyra zyrtare e «krishterimit» filloi të ndryshonte, tamam si e kishte parathënë Bibla.​—Mateu 13:24-30, 37-43; Veprat 20:30. *

Sigurisht, është më se e përshtatshme t’ia aplikojmë parimet biblike kulturave dhe epokave të ndryshme. Por, është një çështje krejt tjetër të ndryshosh mësimet biblike për t’ia përshtatur mendimeve të përhapura. Megjithatë, kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur. Shqyrtoni, për shembull, ndryshimet që janë bërë në disa aspekte të rëndësishme.

Kisha përqafon shtetin

Jezui mësoi se qeveria ose Mbretëria e tij është qiellore dhe, në kohën e duhur do të shkatërrojë të gjitha qeveritë njerëzore e do të sundojë mbi tërë tokën. (Danieli 2:44; Mateu 6:9, 10) Nuk do të sundojë nëpërmjet sistemeve politike njerëzore. «Mbretëria ime nuk është e kësaj bote»,​—tha Jezui. (Gjoni 17:16; 18:36) Kështu, dishepujt e Jezuit, edhe pse u bindeshin ligjeve, nuk përziheshin me politikën.

Megjithatë, në kohën e perandorit romak Kostandinit, në shekullit e katërt, shumë nga ata që deklaronin se ishin të krishterë e kishin humbur durimin duke pritur kthimin e Krishtit dhe vendosjen e Mbretërisë së Perëndisë. Gradualisht, qëndrimi i tyre kundrejt politikës ndryshoi. «Para kohës së Kostandinit, të krishterët nuk kishin kërkuar të merrnin pushtet [politik] si mjet për të çuar përpara kauzën e tyre. Pas Kostandinit, krishterimi dhe politika e lartë shkonin dorë për dore»,​—thuhet në librin Europe​—A History. Krishterimi i rimodeluar u bë feja zyrtare «universale» ose «katolike» e Perandorisë Romake.

Në enciklopedinë Great Ages of Man thuhet se për shkak të këtij bashkimi kishë-shtet, «aty nga viti 385 A.D., vetëm 80 vjet pas valës së fundit të madhe të persekutimit të të krishterëve, vetë kisha filloi të ekzekutonte heretikët. Klerikët e saj ushtronin një pushtet pothuajse të njëjtë me atë të perandorëve». Kështu filloi një epokë ku shpata zuri vendin e bindjes si mjet të kthimit në fe dhe kleri që mbante tituj e që po fitonte pushtet, zëvendësoi predikuesit e përulur të shekullit të parë. (Mateu 23:9, 10; 28:19, 20) Historiani H. G. Uells shkroi për «dallimet e thella mes» krishterimit të shekullit të katërt «dhe mësimeve të Jezuit të Nazaretit». Këto «dallime të thella» prekën, madje, edhe mësimet themelore rreth Perëndisë dhe Krishtit.

Rimodelojnë Perëndinë

Krishti dhe dishepujt e tij mësuan se ekziston vetëm «një Perëndi, Ati», të cilin e dallon emri i tij personal, Jehova, që shfaqet rreth 7000 herë në dorëshkrimet e hershme biblike. (1. Korintasve 8:6; Psalmi 83:18) Jezuin e krijoi Perëndia dhe është «i parëlinduri i çdo krijese», thotë versioni katolik Douay i Biblës te Kolosianëve 1:15. Kështu, duke qenë një krijesë, Jezui pohoi hapur: «Ati është më i madh se unë.»​—Gjoni 14:28.

Por në shekullin e tretë, disa klerikë me shumë ndikim, të dashuruar pas mësimit trinitar të filozofit pagan grek Platonit, filluan ta rimodelonin Perëndinë, që t’i përshtatej formulës së Trinitetit. Në shekujt që pasuan, kjo doktrinë, pa asnjë bazë biblike, e ngriti Jezuin duke e bërë të barabartë me Jehovain dhe e shndërroi frymën e shenjtë ose forcën aktive të Perëndisë në një person.

Lidhur me adoptimin që i bëri kisha konceptit pagan të Trinitetit, New Catholic Encyclopedia thotë: «Formulimi ‘një Perëndi në tre Persona’ nuk ishte i themeluar fortësisht e, patjetër, jo plotësisht i asimiluar në jetën e krishterë dhe në shpalljen e besimit, para fundit të shekullit të katërt. Por është pikërisht ky formulim që ka merituar fillimisht titullin dogma e Trinitetit. Ndër Etërit Apostolikë nuk kishte pasur as edhe një gjë që t’i afrohej sikur edhe pak këtij mentaliteti ose këndvështrimi.»

Në mënyrë të ngjashme, The Encyclopedia Americana thotë: «Trinitarizmi i shekullit të katërt nuk pasqyronte me saktësi mësimin e hershëm të krishterë që kishte të bënte me natyrën e Perëndisë, por, përkundrazi, ishte një devijim nga ky mësim.» The Oxford Companion to the Bible e quan Trinitetin një prej shumë «formulimeve të mëvonshme të kredos». Megjithatë, Triniteti nuk ishte i vetmi koncept pagan që asimiloi kisha.

Rimodelojnë shpirtin

Sot besohet në përgjithësi që njerëzit kanë një shpirt të pavdekshëm, i cili mbijeton pas vdekjes së trupit. Por a e dinit se edhe ky mësim i kishës ishte një shtesë e mëvonshme? Jezui konfirmoi të vërtetën biblike se të vdekurit «nuk dinë asgjë», janë, si të thuash, në gjumë. (Predikuesi [Eklisiastiu] 9:5; Gjoni 11:11-13) Jeta do të rikthehej me anë të ringjalljes, domethënë ‘ngritjes’ nga gjumi i vdekjes. (Gjoni 5:28, 29) Shpirti i pavdekshëm, po të ekzistonte, nuk do të kishte nevojë për asnjë ringjallje, meqë pavdekësia e përjashton vdekjen.

Jezui, madje, e demonstroi mësimin biblik të ringjalljes duke ngritur njerëz nga vdekja. Merrni shembullin e Lazrit, i cili kishte katër ditë që kishte vdekur. Kur Jezui e ringjalli, Lazri doli nga varri si një njeri i gjallë që merrte frymë. Asnjë shpirt i pavdekshëm nuk u kthye nga parajsa qiellore në trupin e Lazrit, kur ky u zgjua nga vdekja. Po të ishte kështu, vështirë se Jezui do t’i kishte bërë një favor Lazrit duke e ringjallur.​—Gjoni 11:39, 43, 44.

Atëherë, cili është burim i teorisë së shpirtit të pavdekshëm? The Westminster Dictionary of Christian Theology thotë se koncepti «ka të bëjë më shumë me filozofinë greke, sesa me zbulesën biblike». The Jewish Encyclopedia shpjegon: «Besimi se shpirti vazhdon të ekzistojë pas shpërbërjes së trupit është më shumë një çështje spekulimesh filozofike dhe teologjike, sesa çështje e një besimi të thjeshtë dhe, për pasojë, nuk mësohet në asnjë vend në mënyrë të qartë në Shkrimin e Shenjtë.»

Shpesh, një gjë e rreme i hap rrugën tjetrës, dhe kjo ndodhi me mësimin e shpirtit të pavdekshëm. Ai i hapi rrugën konceptit pagan të mundimit të përjetshëm në një ferr të zjarrtë. * E megjithatë, Bibla e pohon haptazi se «paga e mëkatit është vdekja», jo mundimi i përjetshëm. (Romakëve 6:23) Kështu, duke përshkruar ringjalljen, King James Version thotë: «Deti dorëzoi të vdekurit që ishin në të dhe vdekja e ferri dorëzuan të vdekurit që ishin në ta.» Në mënyrë të ngjashme, Bibla Douay thotë se «deti . . . dhe vdekja e ferri dorëzuan të vdekurit e tyre». Pikërisht, e shprehur thjesht, ata që gjenden në ferr janë të vdekur, ‘në gjumë’, siç tha Jezui.​—Zbulesa 20:13.

A besoni me të vërtetë se mësimi i dënimit të përjetshëm në ferr i tërheq njerëzit drejt Perëndisë? Vështirë. Në mendjet e njerëzve të drejtë e të dashur, ky është një mendim i neveritshëm! Bibla, nga ana tjetër, mëson se «Perëndia është dashuri» dhe se mizoria, madje edhe ndaj kafshëve, është e neveritshme për të.​—1. Gjonit 4:8; Fjalët e urta (Proverbat) 12:10; Jeremia 7:31; Jona 4:11.

Shfytyrojnë «portretin» në kohët moderne

Shfytyrimi i Perëndisë dhe i krishterimit vazhdon edhe sot e kësaj dite. Një profesor i fesë, kohët e fundit e përshkroi luftën në kishën e tij protestante si luftë «të autoritetit të Shkrimit e të besimit kundër autoritetit të ideologjive të papajtueshme e njerëzore; të besnikërisë së kishës ndaj pozitës së Krishtit si Zotëri kundër përshtatjes dhe riformulimit të krishterimit sipas frymës së epokës. Çështja kryesore është: Kush e përcakton drejtimin që merr kisha: . . . Shkrimi i Shenjtë apo ideologjia mbizotëruese e kohës?».

Mjerisht, «ideologjia mbizotëruese e kohës» vazhdon të ketë prirjen për të fituar. Nuk është e fshehtë, për shembull, që shumë kisha e kanë ndryshuar qëndrimin e tyre për çështje të ndryshme, në mënyrë që të duken përparimtare dhe me mendje të hapur. Sidomos në çështjet morale, kishat janë bërë krejt liberale, siç u përmend në artikullin e mëparshëm. Megjithatë, Bibla nuk lë vend për dyshim se kurvëria, tradhtia bashkëshortore dhe homoseksualizmi janë mëkate të rënda në sytë e Perëndisë dhe se ata që praktikojnë këto mëkate «nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë».​—1. Korintasve 6:9, 10; Mateu 5:27-32; Romakëve 1:26, 27.

Kur apostulli Pavël shkroi fjalët e cituara më sipër, bota greko-romake përreth tij ishte mbushur me të gjitha format e ligësisë. Pavli mund të kishte arsyetuar: ‘Po, Perëndia e bëri pluhur e hi Sodomën dhe Gomorrën për mëkate të rënda seksuale, por kjo ndodhi 2000 vjet më parë! Patjetër, nuk zbatohet për këtë epokë të ndriçuar.’ Megjithatë, ai nuk nxori justifikime të tilla dhe refuzoi të korruptonte të vërtetën biblike.​—Galatasve 5:19-23.

Shikoni «portretin» origjinal

Duke u folur udhëheqësve fetarë judenj të kohës së tij, Jezui u tha se adhurimi i tyre ishte ‘i kotë, sepse mësonin doktrina që janë urdhërime nga njerëzit’. (Mateu 15:9) Ata klerikë bënin me Ligjin që Jehovai i dha Moisiut tamam të njëjtën gjë që ka bërë dhe po bën ende kleri i të ashtuquajturit krishterim me mësimet e Krishtit​—ata hodhën një dorë «bojë» tradite mbi të vërtetën hyjnore. Por Jezui i demaskoi të gjitha mashtrimet, për dobinë e njerëzve me zemër të sinqertë. (Marku 7:7-13) Jezui foli të vërtetën, pavarësisht nëse u pëlqente apo jo shumë vetave. Autoriteti i tij ishte gjithnjë Fjala e Perëndisë.​—Gjoni 17:17.

Çfarë kontrasti paraqet Jezui për shumë nga ata që sot deklarohen të krishterë! Në fakt, Bibla paratha: «Njerëzit do të jenë të etur për të rejat më të fundit dhe do të mbledhin . . . mësues sipas shijeve të tyre; pastaj, në vend që të dëgjojnë të vërtetën, ata do t’u kthehen miteve.» (2. Timoteut 4:3, 4, The Jerusalem Bible) Këto «mite», nga të cilat kemi shqyrtuar vetëm disa, janë shkatërrimtare frymësisht, kurse e vërteta e Fjalës së Perëndisë ndërton dhe të çon në jetën e përhershme. Kjo është e vërteta që Dëshmitarët e Jehovait ju inkurajojnë të shqyrtoni.​—Gjoni 4:24; 8:32; 17:3.

[Shënimet]

^ par. 4 Siç e zbuloi Jezui në shëmbëlltyrën e grurit dhe të egjrës, si edhe në ilustrimin e rrugës së gjerë dhe të asaj të ngushtë (Mateu 7:13, 14), gjatë shekujve do të kishte disa njerëz që do të vazhdonin të praktikonin krishterimin e vërtetë. Megjithatë, ata do të mbuloheshin nga një shumicë ngjashëm egjrave, e cila do ta shpallte veten dhe mësimet e saj si fytyra e vërtetë e krishterimit. Kjo është fytyra së cilës i referohet artikulli ynë.

^ par. 19 «Ferr» është përkthyer nga fjala hebraike Sheol dhe nga fjala greke Hades, dhe që të dyja këto kanë kuptimin thjesht «varr». Kështu, edhe pse përkthyesit anglezë të King James Version e kanë përkthyer fjalën Sheol 31 herë «ferr», ata, gjithashtu, e kanë përkthyer 31 herë «varr» dhe 3 herë «gropë», duke treguar, në këtë mënyrë, se këta terma nënkuptojnë në thelb të njëjtën gjë.

[Kutia dhe figura në faqen 7]

Origjina e emrit «i krishterë»

Të paktën dhjetë vjetët e parë pas vdekjes së Jezuit, ithtarët e tij njiheshin se i përkitnin «Udhës». (Veprat 9:2; 19:9, 23; 22:4) Përse? Sepse mënyra e tyre e të jetuarit përqendrohej rreth besimit te Jezu Krishti, i cili është «udha, e vërteta dhe jeta». (Gjoni 14:6) Pastaj, ca kohë pas vitit 44 të e.s., në Antiokinë siriane, dishepujt e Jezuit «u quajtën të krishterë nën drejtimin hyjnor». (Veprat 11:26, BR) Ky emër fitoi shpejt përdorim, madje edhe mes zyrtarëve publikë. (Veprat 26:28) Emri i ri nuk e ndryshoi mënyrën e krishterë të të jetuarit, e cila vazhdoi të modelohej sipas asaj të Krishtit.​—1. Pjetrit 2:21.

[Figurat në faqen 7]

Nëpërmjet shërbimit të tyre publik, Dëshmitarët e Jehovait i drejtojnë njerëzit te Fjala e Perëndisë, Bibla

[Burimi i figurës në faqen 4]

E treta majtas: Kombet e Bashkuara/Fotografi nga Saw Lwin