Ku mund të drejtohemi për këshilla të mira?
Ku mund të drejtohemi për këshilla të mira?
«Industria e këshillave» është bërë tashmë një biznes që sjell shumë miliardë dollarë fitime në vit. Njerëzit duan ndihmë. Specialisti i shëndetit mendor, Hajnc Lehman, vëren: «[Në shoqërinë e sotme] ka mangësi edukative dhe shoqërore. Vlerat fetare nuk janë ashtu siç kanë qenë një herë e një kohë. Familjet janë shumë më pak të qëndrueshme . . . e, për pasojë, njerëzit s’dinë si t’ia dalin.» Autori Erik Maisel thotë: «Ata që njëherë e një kohë i drejtoheshin priftit të fisit të tyre që përdor magjinë për shërim, pastorit ose mjekut të familjes për ndihmë lidhur me problemet mendore, frymore dhe fizike, tani u drejtohen librave udhëzues për përmirësimin vetjak, që të gjejnë përgjigje.»
SHOQATA Psikologjike Amerikane ngriti një skuadër që të hetonte këtë industri lulëzuese. Ata thanë se ndërkohë që ekziston «një potencial shumë i madh për t’i ndihmuar njerëzit të kuptojnë veten dhe të tjerët . . . , reklamimet dhe titujt që shoqërojnë këto programe janë gjithnjë e më të tepruara dhe të bujshme». Një shkrimtar i Toronto Star thotë: «Ruhuni nga falsifikimet fetaro-frymore. . . . Ruhuni veçanërisht nga librat udhëzues për zhvillimin ose përmirësimin vetjak, nga kasetat ose seminarët, të cilët ofrojnë tepër gjëra në një kohë tepër të shkurtër dhe me tepër pak përpjekje ose vetëdisiplinim.» Kuptohet, ka shumë veta që përpiqen sinqerisht t’i ndihmojnë ata që janë në nevojë. Megjithatë, realiteti i trishtueshëm është që një numër individësh të paskrupull janë duke përfituar nga vetmia dhe nga vuajtjet e njerëzve, duke mos u ofruar asnjë ndihmë ose zgjidhje reale.
Duke pasur parasysh këtë, cili është një burim kryesor ndihme të cilit mund t’i besojmë? Ku mund të gjejmë këshilla praktike që funksionojnë siç duhet?
Burim udhëheqjeje të padështueshme
Predikuesi amerikan i shekullit të 19-të, Henri Uard Biçer, tha: «Bibla është harta e Perëndisë së cilës duhet t’i përmbaheni, që t’ju ruajë të mos përfundoni në fund të detit dhe t’ju tregojë ku është limani dhe si të arrini atje, pa u përplasur me shkëmbinj ose me brigje.» Një burrë tjetër tha për Biblën: «Askush nuk ia kalon ndonjëherë Shkrimit; libri zgjerohet dhe thellohet bashkë me vitet tona.» Përse duhet ta shqyrtoni seriozisht këtë burim?
Duke rekomanduar veten, Bibla thotë: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.» (2. Timoteut 3:16, 17) Përmbajtja e Biblës e ka origjinën nga vetë Burimi i jetës, Perëndia Jehova. (Psalmi 36:9) Si i tillë, ai e njeh shumë nga afër formimin tonë, siç na kujton Psalmi 103:14, ku thuhet: «Ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur.» Prandaj, mund të kemi siguri të plotë për vlerën e Biblës.
Në fakt, Bibla përmban shumë parime dhe udhëzime që mund të zbatohen në mënyrë të dobishme, në çfarëdo situate të gjendemi. Nëpërmjet saj, Perëndia na thotë: «Kjo është rruga, ecni në të!» (Isaia 30:21) A mund t’i plotësojë vërtet Bibla nevojat e njerëzve sot? Le ta shohim.
Bibla plotëson nevojat tona . . .
Për të përballuar ankthet. Bibla na thotë: «Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezu.» (Filipianëve 4:6, 7) A ka dalë e efektshme lutja për të përballuar ankthet emocionale që vijnë nga vështirësitë ekonomike, abuzimi seksual dhe ai me fjalë ose nga vdekja e një personi të dashur? Shqyrtoni përvojën vijuese.
Xheki, pasi mësoi për abuzimin seksual të vajzës së saj, pranon: «Ndjenja e fajit ngaqë isha e pafuqishme të mbroja fëmijën tim nuk mund të përshkruhen me fjalë. Më është dashur të luftoj me ndjenjat e hidhërimit, të inatit dhe të zemërimit. Këto ndjenja po fillonin të më helmonin jetën. Kisha nevojë të dëshpëruar që Jehovai të më ruante zemrën.» Pasi lexoi dhe rilexoi Filipianëve 4:6, 7, ajo punoi shumë për të zbatuar këshillën që përmban shkrimi. «Lutem çdo ditë, duke kërkuar vazhdimisht që të mos e lë veten të më shkatërrojnë ndjenjat negative dhe Jehovai më ka ndihmuar të zhvilloj një zemër të qetë e të lumtur. Ndiej vërtet paqe brenda vetes»,—tregon Xheki.
Edhe ju mund të gjendeni në ndonjë situatë që është përtej aftësive tuaja për ta kontrolluar ose për ta zgjidhur dhe që sjell me vete ankthe emocionale. Duke ndjekur këshillën e Biblës për t’u lutur, mund ta përballoni me efektshmëri. Psalmisti na inkurajon me këto fjalë: «Rrokullise mbi Jehovain udhën tënde dhe beso në të dhe ai vetë do të veprojë.»—Psalmi 37:5, BR.
Për inkurajim. Psalmisti tha këtë shprehje çmueshmërie: «O Zot, unë e dua selinë e shtëpisë sate dhe vendin ku qëndron lavdia jote. Këmba ime është e qëndrueshme në vend të sheshtë. Në kuvende unë do të bekoj Zotin.» (Psalmi 26:8, 12) Në Bibël inkurajohemi të mblidhemi së bashku rregullisht për të adhuruar Jehovain. Si mund t’i plotësojë nevojat tuaja ky shoqërim? Çfarë kanë provuar të tjerët?
Beki tregon: «Prindërit e mi nuk i shërbejnë Jehovait, kështu që më shkaktojnë vështirësi kur përpiqem të bëj ndonjë gjë që ka të bëjë me shërbimin ndaj Perëndisë. Më duhen shumë përpjekje për të ndjekur mbledhjet.» Beki mendon se i kanë ardhur shumë bekime, ngaqë është përpjekur fort për të ndjekur rregullisht mbledhjet e krishtere. «Mbledhjet ma forcojnë besimin, kështu që mund t’u rezistoj presioneve të përditshme si studente, si vajzë dhe si shërbëtore e Jehovait. Njerëzit në Sallën e Mbretërisë janë shumë të ndryshëm nga studentët në shkollë. Ata tregojnë interes e të ndihmojnë dhe bisedat tona janë gjithnjë inkurajuese. Janë miq të vërtetë.»
Po, duke ndjekur drejtimin e Biblës për t’u mbledhur bashkë rregullisht, Jehovai mund ta përmbushë nevojën tonë për inkurajim. Këtu ne provojmë vërtetësinë e fjalëve të psalmistit: «Perëndia është për ne një strehë dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.»—Psalmi 46:1.
Për punë të kënaqshme e që ia vlen. «Qëndroni të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin»,—na nxit Bibla. (1. Korintasve 15:58) A është vërtet e kënaqshme ‘vepra e Zotit’? A kryen shërbimi i krishterë diçka që ia vlen vërtet?
Amelia shpreh ndjenjat e saj: «Kam studiuar Biblën me një çift që ishin në prag të ndarjes. Gjithashtu, kam ndihmuar një grua së cilës i kishin vrarë në mënyrë të dhunshme të bijën. Gruan e torturonte pasiguria e gjendjes së të vdekurve. Në të dyja rastet, zbatimi i parimeve të Biblës u solli atyre paqe dhe shpresë në jetë. Ndiej një gëzim të madh dhe kënaqësi, sepse kam pasur një pjesë për t’i ndihmuar.» Skoti thotë: «Nëse ke një përvojë të bukur në shërbimin në fushë, fillon një studim biblik ose ke sukses në dëshminë joformale, do të flasësh për të vite me radhë. Të njëjtat ndjenja dhe i njëjti emocion përjetohen sa herë që e tregon përvojën. Shërbimi të sjell gëzimin më të madh e më të qëndrueshëm.»
Qartë, fakti që kanë zbatuar drejtimin e Biblës për t’u bërë shërbëtorë aktivë, e ka mbushur nevojën e këtyre individëve për punë të kënaqshme e që ia vlen. Edhe ju jeni të ftuar të merrni pjesë në këtë vepër për të arsimuar të tjerët lidhur me udhët dhe parimet e Perëndisë, në të njëjtën kohë, duke nxjerrë dobi për veten.—Isaia 48:17; Mateu 28:19, 20.
Të nxjerrim dobi nga Fjala e Perëndisë
Pa dyshim, Bibla është një burim i besueshëm me drejtime praktike në botën e sotme. Për të nxjerrë dobi prej saj, duhet të bëjmë përpjekje të vazhdueshme. Duhet ta lexojmë rregullisht, ta studiojmë e të meditojmë për të. Pavli këshilloi: «Kujdesu [përsiatu, BR] për këto gjëra dhe kushtoju atyre tërësisht, që përparimi yt të jetë i dukshëm për të gjithë.» (1. Timoteut 4:15; Ligji i përtërirë 11:18-21) Perëndia garanton se, nëse punojmë për të zbatuar këshillat e tij që gjenden në Bibël, do të jemi të suksesshëm. Ai premton: «Ki besim tek Zoti . . . Pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe ai vetë do të drejtojë shtigjet e tua.»—Fjalët e urta (Proverbat) 3:5, 6.
[Figurat në faqen 31]
Ndjekja e këshillave të Biblës e bën jetën të kënaqshme dhe të plotë