Muzikë që kënaq Perëndinë
Muzikë që kënaq Perëndinë
Muzika është përshkruar si «më i vjetri dhe më i natyrshmi i të gjitha arteve të bukura». Ashtu si gjuha, ajo është një dhuratë e jashtëzakonshme që i ndan njerëzit nga kafshët. Muzika nxit ndjenjat. Ajo mund të kënaqë veshin dhe të mbetet në mendje. Mbi të gjitha, muzika mund të kënaqë Perëndinë.
SIÇ e tregon Bibla, izraelitët ishin të talentuar për muzikë. Në fakt, Unger’s Bible Dictionary komenton se muzika ishte «një art i spikatshëm në kohët e lashta biblike». Si pjesë e jetës së përditshme, edhe muzika instrumentale, edhe ajo vokale, ishin karakteristike në adhurimin e tyre. Por, në mënyrë më të spikatshme përdorej zëri i njerëzve.
Mbreti David caktoi nga levitët disa përfaqësues «për shërbimin e këngës» në tabernakull, para se të përurohej tempulli i ndërtuar nga Solomoni, biri i tij. (1. Kronikave 6:31, 32) Kur arka e besëlidhjes, e cila përfaqësonte praninë e Jehovait, mbërriti në Jerusalem, Davidi mori masa që disa levitë ‘të kujtonin, të falënderonin dhe të lëvdonin Zotin’. Lavdërimin me zë ata e shoqëronin ‘me harpa dhe qeste . . . me cembale . . . me tromba’. Këta burra ishin «caktuar me emër për të lëvduar Zotin, sepse mirësia e tij është e përjetshme [‘për kohë të pacaktuar është dashamirësia e tij e dashur’, BR]».—1. Kronikave 16:4-6, 41; 25:1.
Refreni «dashamirësia e dashur [e Jehovait] është për kohë të pacaktuar» shfaqet shumë herë në Psalme, që është libri biblik më shumë i shoqëruar me muzikë. Për shembull, kjo shprehje përbën pjesën dytësore të secilit nga 26 vargjet e Psalmit 136. «Fakti që kjo frazë është e shkurtër e bën të përshtatshme për buzët e njerëzve,—vëren një dijetar biblik.—Kushdo që e dëgjonte, mund ta mbante mend atë.»
Mbishkrimet në psalme tregojnë përdorimin e gjerë të veglave muzikore. Psalmi përmend bririn, harpën, dajren, fyellin dhe cimbalet, përveç veglave me tela. Megjithatë, theksi vihet më shumë te zëri njerëzor. 150Vargu 6 bën thirrje: «Çdo gjë që merr frymë le të lëvdojë Zotin. Aleluja [Lavdëroni Jah, BR].»
Meqë muzika shpreh ndjenjat e njerëzve, në kohët biblike mendimet pikëlluese nxitnin këngë vaji ose këngë monotone vetëm me fjalë. Gjithsesi, kjo formë kënge ishte e kufizuar në folklorin e muzikës izraelite. «Vetëm në një këngë të përmortshme ose vaji do të ishte i preferuar këndimi monoton vetëm me fjalë në vend të melodisë së muzikës ose modulimit dhe emfazës gojore të të folurit normal»,—vërehet në enciklopedinë biblike Mendjehollësi mbi Shkrimet. *
Natën para se të vdiste, Jezui dhe apostujt e tij besimplotë i kënduan lavdi Jehovait, pa dyshim, duke kënduar fjalët e Psalmeve Halel. (Psalmet 113-118) Sa duhet t’i ketë forcuar kjo gjë dishepujt e Jezuit që të përballonin humbjen e Zotërisë së tyre! Më shumë se kaq, vendosmëria e tyre për të mbetur shërbëtorë besimplotë të Sovranit Suprem të universit, Jehovait, duhet të jetë thelluar, ndërsa pesë herë këndonin refrenin «sepse dashamirësia e tij e dashur është për kohë të pacaktuar».—Psalmi 118:1-4, 29, BR.
Të krishterët e hershëm në Efes dhe në Kolose këndonin «psalme dhe lavde për Perëndinë» (fjalë për fjalë «himne»). Këtyre u shtonin «këngë frymore» që i këndonin në zemër të tyre. (Efesianëve 5:19; Kolosianëve 3:16, BR) Si me këngë, ashtu edhe me fjalë, ata e përdornin gojën në mënyrë të përshtatshme për të shprehur lavde. A nuk kishte deklaruar Jezui se «ç’ka zemra qet goja»?—Mateu 12:34.
Muzikë që nuk e kënaq Perëndinë
Jo e gjithë muzika e përmendur në Bibël e kënaqte Perëndinë. Shqyrtoni ngjarjen që ndodhi në malin Sinai, ku Moisiu po merrte Ligjin, duke përfshirë edhe Dhjetë Urdhërimet. Çfarë dëgjoi Moisiu kur zbriti nga mali? ‘Nuk ishte tingulli i këngës për gjëra të fuqishme’, ‘nuk ishte tingulli i këngës së humbjes’, por ‘tingulli i një tjetër kënge’. Kjo ishte muzikë e shoqëruar me idhujtari, një praktikë që shkaktoi pakënaqësinë e Perëndisë dhe solli vdekjen e rreth 3000 personave që bënë atë muzikë.—Dalja 32:18, 25-28, BR.
Edhe pse njerëzit mund të kompozojnë, të luajnë dhe të pëlqejnë çdo lloj muzike, nuk është e thënë se çdo lloj muzike e kënaq Perëndinë. Përse jo? Apostulli i krishterë Pavël shpjegon: «Të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë.» (Romakëve 3:23) Ritet pagane të pjellorisë, doktrina e pavdekësisë së shpirtit të njeriut dhe adhurimi i Marisë si «nëna e Perëndisë» paraqiten shpesh si tema të kompozimeve muzikore. Megjithatë, besime dhe praktika të tilla e fyejnë Perëndinë e së vërtetës, sepse janë në kundërshtim me atë që zbulohet në Fjalën e tij të frymëzuar, në Bibël.—Ligji i përtërirë 18:10-12; Ezekieli 18:4; Luka 1:35, 38.
Ta zgjedhim me mençuri muzikën
Mundësia për të zgjedhur muzikë është marramendëse. Kapakët e kompakt-disqeve projektohen për t’i shtyrë blerësit që të blejnë çdo lloj inçizimesh muzikore. Por, nëse një adhurues i Perëndisë dëshiron t’i pëlqejë Atij, do të ushtrojë kujdes dhe do të zgjedhë me mençuri, që të shmangë muzikën vokale dhe instrumentale të frymëzuar nga bindje të rreme fetare ose që përqendrohet në imoralitet dhe në demonizëm.
Alberti, i cili më parë shërbente si misionar i krishterë në Afrikë, e pranon se atje kishte pak mundësi të luante në piano. Megjithatë, ai dëgjonte shpesh disa pllaka gramafoni që kishte marrë me vete. Tani që është kthyer në vendin e tij, Alberti viziton kongregacionet e krishtere si mbikëqyrës udhëtues. Kohën për të dëgjuar muzikë e ka të kufizuar. «Kompozitori im i preferuar është Bethoveni,—vëren ai.—Gjatë viteve, kam mbledhur disqe të simfonive, koncerteve, sonatave dhe kuarteteve që ka bërë ai.» Ai ka provuar shumë kënaqësi duke dëgjuar këto disqe. Sigurisht, çdo njeri ka shijet e veta për muzikën, por si të krishterë ne mbajmë në mend këshillën e Pavlit: «Nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë.»—1. Korintasve 10:31.
Muzika dhe dedikimi
Dashuria e parë e Suzit ishte muzika. «Fillova të luaj në piano kur isha 6 vjeçe, në violinë kur isha 10 vjeçe dhe, së fundi, në harpë kur isha 12 vjeçe»,—shpjegon ajo. Më vonë, Suzi ndoqi Kolegjin Mbretëror të Muzikës në Londër, Angli, për të studiuar harpën. Studioi katër vjet me një interpretuese të famshme spanjolle të harpës dhe një vit tjetër në Konservatorin e Parisit, duke fituar titull nderi në muzikë, si edhe diploma për të luajtur harpën dhe për të dhënë mësime pianoje.
Në Londër, Suzi u shoqërua me një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait. Atje, mes Dëshmitarëve të tjerë, ajo gjeti interesim dhe dashuri të vërtetë. Gradualisht, dashuria për Jehovain iu rrit dhe zelli për shërbimin e tij e shtyu të kërkonte mënyra për t’i shërbyer. Kjo çoi në dedikim dhe pagëzim. «Kur ke muzikën si karrierë, ke një jetë të dedikuar ndaj diçkaje, kështu që jeta e dedikuar nuk ishte diçka e re për mua»,—vëren Suzi. Koha që kishte për të marrë pjesë në koncerte u zvogëlua gradualisht që ajo merrte pjesë në shërbimin e krishterë për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë, duke iu bindur urdhrave të Jezuit.—Mateu 24:14; Marku 13:10.
Si ndihet ajo tani që kalon vetëm një kohë të kufizuar duke luajtur muzikë? «Disa herë, ndihem pak e dëshpëruar që nuk kam më shumë kohë për t’u praktikuar,—pranon ajo,—por akoma luaj në instrumentet e mia dhe më pëlqen muzika. Muzika është dhuratë nga Jehovai. Më jep më shumë kënaqësi tani që e kam vënë shërbimin e tij në vendin e parë në jetën time.»—Mateu 6:33.
Muzikë që lëvdon Perëndinë
Alberti dhe Suzi, bashkë me afro gjashtë milionë Dëshmitarë të tjerë të Jehovait, e lavdërojnë rregullisht Perëndinë Jehova me muzikë. Në mbledhjet e krishtere që mbahen nëpër Sallat e Mbretërisë në 234 vende ata i fillojnë dhe i mbarojnë mbledhjet e tyre, aty ku është e mundur, duke i kënduar këngë Jehovait. Në shkallë maxhor dhe minor, melodi të bukura shoqërojnë tekste të bazuara në Bibël, ku lavdërohet Perëndia Jehova.
Të gjithë të pranishmit i ngrenë zërat e tyre në këngë, duke kënduar me përzemërsi se Jehovai është një Perëndi i kujdesshëm (Kënga 44). I këndojnë këngë lavdie Jehovait (Kënga 190). Këngët e tyre pasqyrojnë gëzimet dhe përgjegjësitë e vëllazërisë së krishterë, të jetesës së krishterë dhe të cilësive të krishtere. Diçka që e shton kënaqësinë është shumëllojshmëria e stileve muzikore që Dëshmitarët nga Azia, Australia, Evropa, Amerika e Veriut dhe Amerika e Jugut përdorën kur kompozuan meloditë. *
«Këndojini Zotit [Jehovait, BR] një këngë të re, këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës! Këndojini Zotit, bekoni emrin e tij»,—janë fjalët hapëse të një himni madhështor mbretëror të shkruar në ditët e psalmistit. «Lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij. Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mrekullitë e tij midis tërë popujve.» (Psalmi 96:1-3) Pikërisht këtë po bëjnë Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj dhe ju ftojnë që të bashkoheni edhe ju për të kënduar këtë lavdi. Do të jeni të mirëpritur në Sallat e tyre të Mbretërisë, ku mund të mësoni se si ta lavdëroni Jehovain me muzikë që e kënaq atë.
[Shënimet]
^ par. 7 Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., anglisht.
^ par. 22 Këto këngë paraqiten në librin Këndojini lavdi Jehovait, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., anglisht.
[Figura në faqen 28]
I këndojnë lavdi Jehovait