A besoni në atë që nuk mund ta shihni?
A besoni në atë që nuk mund ta shihni?
KUR dikush thotë ‘besoj vetëm atë që mund ta shoh’, nuk është duke folur në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Faktikisht, të gjithë ne besojmë në gjëra që nuk mund t’i shohim.
Për shembull, në shkollë ndoshta keni bërë një eksperiment për të provuar ekzistencën e fushës magnetike. Eksperimenti mund të bëhet kështu: në një fletë letre shpërndahet pak pluhur hekuri. Pastaj e vendosim fletën mbi magnetin. Kur fleta fillon të dridhet, pluhuri i
hekurit, si me ndonjë magji, mblidhet afër poleve të magnetit dhe formon modelin e fushës magnetike. Nëse e keni bërë këtë eksperiment, a e patë faktikisht fushën magnetike? Jo, por efekti i saj te pluhuri i hekurit është i dukshëm, duke ju dhënë prova bindëse që fusha magnetike ekziston.Ne pranojmë pa i diskutuar edhe gjëra të tjera që nuk mund t’i shohim. Kur shikojmë një pikturë të bukur ose admirojmë një skulpturë të punuar me mjeshtëri, nuk dyshojmë për ekzistencën e një piktori ose të një skulptori. Prandaj, kur vërejmë një ujëvarë ose kur vështrojmë perëndimin e diellit, a nuk duhet të nxitemi që të paktën të shqyrtojmë mundësinë se ato janë vepra të një Artisti ose të një Skulptori të Madh?
Përse disa nuk besojnë?
Në mënyrë ironike, disa njerëz nuk besojnë më te Perëndia për shkak të asaj që u është mësuar në kishë. Kështu kishte ndodhur me një norvegjez, të cilit iu tha se Perëndia i djeg të ligjtë në një ferr të zjarrtë. Ky burrë, thjesht, nuk mund ta kuptonte çfarë lloj Perëndie ishte ai që torturonte njerëzit në atë mënyrë, prandaj u bë ateist.
Gjithsesi, më vonë burri pranoi të shqyrtonte Biblën, i ndihmuar nga një Dëshmitar i Jehovait. Ai u mahnit kur kuptoi se Bibla nuk mëson që të ligjtë torturohen në një ferr të zjarrtë. Bibla e krahason vdekjen me gjumin. Në varr, nuk ndiejmë asnjë dhembje, nuk jemi të vetëdijshëm për asgjë. (Predikuesi 9:5, 10) Gjithashtu, ai mësoi se ata njerëz që Perëndia i gjykon të ligj në mënyrë të pandreqshme do të mbeten përgjithmonë në varr. (Mateu 12:31, 32) Pjesa tjetër e të vdekurve do të ringjallet në kohën e duhur të Perëndisë, me perspektivën për të marrë jetën e përhershme në kushte parajsore. (Gjoni 5:28, 29; 17:3) Ky shpjegim ishte i arsyeshëm. Ai ishte në harmoni me pohimin e Biblës se «Perëndia është dashuri». (1 Gjonit 4:8) Ky burrë i sinqertë e vazhdoi studimin e Fjalës së Perëndisë dhe, me kalimin e kohës, arriti të dojë Perëndinë e Biblës.
Të tjerë e hedhin poshtë ekzistencën e një Krijuesi të dashur për shkak të mbizotërimit të vuajtjeve dhe të padrejtësisë. Ata janë dakord me një suedez, i cili një herë tregoi me dorë nga qielli dhe pyeti: «Si mund të ketë një Perëndi të plotfuqishëm e shumë bujar aty lart, kur ne këtu poshtë kemi kaq shumë korrupsion dhe ligësi?» Ngaqë askush nuk iu përgjigj dot kësaj pyetjeje, edhe ai u bë ateist. Më vonë filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ai mësoi se Fjala e Perëndisë siguron një *
përgjigje të kënaqshme për pyetjen e lashtë: përse e lejon Perëndia ligësinë?Ky burrë i sinqertë mësoi se ekzistenca e ligësisë nuk provon në vetvete se Perëndia nuk ekziston. Për ta ilustruar: një njeri mund të modelojë një thikë për të prerë mishin. Një klient mund ta blejë thikën dhe ta përdorë, jo për të prerë mishin, po për të kryer një vrasje. Fakti që thika u përdor keq nuk e hedh poshtë në asnjë mënyrë ekzistencën e bërësit të saj. Në mënyrë të ngjashme, fakti që toka nuk është përdorur në harmoni me qëllimin për të cilin u krijua nuk do të thotë se ajo nuk pati Krijues.
Bibla mëson se vepra e Perëndisë është e përsosur. Ai «nuk e njeh padrejtësinë; ai është i drejtë dhe i mirë». (Ligji i përtërirë 32:4) Perëndia u jep njerëzve dhurata të mira, por disa nga dhuratat janë keqpërdorur, duke shkaktuar vuajtje të papërshkrueshme. (Jakobit 1:17) Megjithatë, Perëndia do të sjellë fundin e vuajtjeve. Pas kësaj, «zemërbutët do të zotërojnë tokën . . . dhe do të banojnë gjithnjë mbi të».—Psalmi 37:11, 29.
Suedezi i përmendur më parë prekej kur shihte vuajtjet e njerëzve të tjerë. Në fakt, interesimi i tij i dhembshur për të tjerët vërteton ekzistencën e Perëndisë. Si?
Për shumicën e njerëzve, alternativa e vetme në vend të besimit te Perëndia është besimi në evolucionin. Evolucionistët mësojnë «mbijetesën e më të fortit», domethënë që njerëzit dhe kafshët konkurrojnë brenda llojit të tyre për të mbijetuar. Më të fortët jetojnë, më të dobëtit vdesin. Ata thonë se ky është rregulli i natyrshëm i gjërave. Por, nëse është «e natyrshme» që të dobëtit të vdesin për t’i bërë vend të fortëve, si mund ta shpjegojmë faktin që, ashtu si ai suedez, disa njerëz të fortë preken kur shohin vuajtjet e njerëzve të tjerë?
Të njohim Perëndinë
Perëndinë nuk mund ta shohim, sepse nuk ka një formë njerëzore. Megjithatë, Perëndia dëshiron që ne ta njohim atë. Një mënyrë se si mund të njihemi me të është duke vëzhguar veprat e tij të jashtëzakonshme: «pikturat» dhe «skulpturat» e krijimit. Te Romakëve 1:20, Bibla thotë: «Cilësitë e tij [të Perëndisë] të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë.» Po, pikërisht si studimi i një pikture ose i një skulpture mund t’ju ndihmojë të fitoni mendjehollësi për personalitetin e artistit, meditimi për veprat e mrekullueshme të Perëndisë mund t’ju ndihmojë të njiheni më mirë me personalitetin e tij.
Sigurisht, thjesht duke parë veprat krijuese të Perëndisë nuk mund t’u përgjigjemi të gjitha pyetjeve shqetësuese të jetës. Por, përgjigjet e këtyre pyetjeve mund t’i gjejmë duke kërkuar në Fjalën e Perëndisë, në Bibël. Pikërisht duke lexuar Biblën me mendje të hapur, dy burrat e përmendur më parë arritën në përfundimin se Perëndia ekziston dhe se interesohet për atë që na ndodh.
[Shënimi]
^ par. 8 Për informacione të mëtejshme rreth arsyeve përse e lejon Perëndia ligësinë, të lutemi shih librin A ka një Krijues që interesohet për ju?, kapitulli 10, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
[Burimi i figurës në faqen 28]
J. Hester dhe P. Skoven (AZ State Univ.), NASA