Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jeta e përsosur, jo vetëm një ëndërr!

Jeta e përsosur, jo vetëm një ëndërr!

Jeta e përsosur, jo vetëm një ëndërr!

Një botë e përsosur: çfarë nënkupton për ju? Imagjinoni një shoqëri njerëzore ku nuk ka krime, abuzim me drogën, zi buke, varfëri ose padrejtësi. Të gjithë gëzojnë shëndet të shkëlqyer emocional dhe fizik. Nuk ka pikëllim ose palumturi sepse edhe vdekja është eliminuar. A është realiste të presim me dëshirim një botë të tillë?

EDHE pse nuk i shpërfillin përparimet e shkencës dhe të teknologjisë, shumica e njerëzve nuk besojnë me të vërtetë se inteligjenca ose njohuria njerëzore do të sjellin një botë të përsosur, ku të gjithë të jetojnë në paqe e lumturi. Nga ana tjetër, prirja njerëzore është, pa dyshim, të dëshirojë t’i përmirësojë gjërat dhe t’i korrigjojë papërsosmëritë. Sigurisht, vetëm ëndërrimi jorealist nuk do t’i ndihmojë të pastrehët dhe të varfërit, as nuk do të kënaqë sakatët dhe të sëmurët që dëshirojnë fort çlirim nga vuajtjet e tyre. Një botë e përsosur thjesht nuk mund të vijë nëpërmjet krijimtarisë njerëzore. Megjithatë, pavarësisht nga gjendja e mjeruar dhe shtypja aktuale, ekzistojnë arsye të vlefshme për të besuar se një botë që mund të quhet e përsosur është faktikisht shumë afër.

Kur mendoni për jetën e përsosur, mund t’ju vijë ndër mend jeta e Jezu Krishtit. Por, Jezui nuk ishte i vetmi njeri i përsosur që ka jetuar ndonjëherë në tokë. Adami dhe Eva, të krijuar sipas shëmbëllimit të Perëndisë, gëzonin jetë të përsosur në një parajsë. Megjithatë, ata e humbën këtë gjendje të shkëlqyer, ngaqë u rebeluan kundër Atit të tyre qiellor. (Zanafilla 3:1-6) Gjithsesi, Krijuesi kishte ngulitur te njerëzit dëshirën për të jetuar përgjithmonë. Predikuesi 3:11 dëshmon për këtë: «Ai [Perëndia] e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën e vet; ka vënë madje përjetësinë në zemrat e tyre, pa i dhënë mundësinë asnjë njeriu të zbulojë veprën që Perëndia ka bërë nga fillimi deri në fund.»

Ndërkohë që papërsosmëria dhe mëkati e çuan njerëzimin të bënte një jetë ‘kotësie’ dhe ‘skllavërimi ndaj korruptimit’, vini re fjalët ngushëlluese të apostullit Pavël: «Pritja e paduruar e krijimit po pret zbulimin e bijve të Perëndisë. Sepse krijimi i ishte nënshtruar kotësisë jo me anë të vullnetit të vet, por nëpërmjet atij që e nënshtroi, mbi bazën e shpresës se edhe vetë krijimi do të lirohet nga skllavërimi ndaj korruptimit dhe do të ketë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë.» (Romakëve 8:19-21, BR) Bibla e bën të qartë se masat e Perëndisë për ta rikthyer jetën e përsosur njerëzore janë vënë në dispozicion nëpërmjet Jezu Krishtit.​—Gjoni 3:16; 17:3.

Përveç kësaj shprese të mrekullueshme për të ardhmen, të gjithë ne kemi mundësinë për të përparuar frymësisht, duke e bërë të dukshëm përparimin tonë që tani.

Të përpiqemi të jemi të arsyeshëm

Jezu Krishti e konsideroi kaq të rëndësishme çështjen e përsosmërisë, saqë i tha një auditori të madh: «Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej.» (Mateu 5:48) A priste vërtet Jezui që të jemi të patëmetë në sistemin e tanishëm të lig? Jo. Patjetër, ne duhet të përpiqemi të kultivojmë cilësinë e bujarisë, të dashamirësisë dhe të dashurisë ndaj njerëzve të tjerë, e megjithatë, shpesh ne dështojmë të bëjmë atë që është e drejtë. Madje, edhe një nga apostujt e Jezuit shkroi: «Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi. Po të themi se s’kemi mëkatuar, e bëjmë atë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne.»​—1 Gjonit 1:9, 10.

Gjithsesi, mund ta përmirësojmë mënyrën se si e konsiderojmë veten dhe si trajtojmë të tjerët, duke shmangur ekstremet. Kush mund të gjejë një recetë më të mirë për të fituar një personalitet të ekuilibruar e të arsyeshëm, sesa ajo që gjendet në Fjalën e Perëndisë, në Bibël? Të kultivojmë cilësi të tilla, si gëzimi dhe maturia, do të na ndihmojë të shkojmë mirë me të tjerët në punë, me bashkëshortin ose bashkëshorten dhe me prindërit ose me fëmijët tanë. Apostulli Pavël i këshilloi të krishterët: «Gëzohuni gjithnjë në Zotin; po jua them përsëri: Gëzohuni! Zemërbutësia [arsyetueshmëria, BR] juaj le të njihet nga të gjithë njerëzit.»​—Filipianëve 4:4, 5.

Dobi që vijnë kur jemi të arsyeshëm

Kur jemi të arsyeshëm në atë që presim dhe kur shmangim maninë për përsosmëri, që na mundon dhe na shkatërron, i sjellim dobi vetes dhe të tjerëve. Të njohim potencialin tonë të vërtetë do të thotë të jemi realistë dhe të arsyeshëm për atë që dëshirojmë të bëjmë. Duhet të mbajmë në mend se Perëndia na krijoi të jetojmë në tokë dhe të gjejmë kënaqësi në punën domethënëse që na sjell dobi neve dhe të tjerëve.​—Zanafilla 2:7-9.

Nëse keni qenë tepër kërkues me veten, përse të mos i drejtoheni Jehovait në lutje? Duke marrë miratimin e Perëndisë do të ndieni lehtësim të madh. Jehovai e njeh formimin dhe gjendjen tonë të papërsosur, prandaj nuk është i paarsyeshëm ose person që nuk kënaqet lehtë. Psalmisti na siguron: «Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij. Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur.» (Psalmi 103:13, 14) Sa mirënjohës mund të jemi që Perëndia i trajton njerëzit në një mënyrë kaq të mëshirshme! Ai i njeh kufizimet tona e, megjithatë, në sytë e tij mund të jemi të çmuar si fëmijë të dashur.

Në vend që të ushqejmë maninë për përsosmëri, sa më e mençur është të kultivojmë aftësi shquese frymore dhe një pikëpamje të ekuilibruar! Për më tepër, mund të jemi të sigurt se askush nuk e pengon dot Jehovain që të përmbushë qëllimin e tij për ta ngritur njerëzimin deri në përsosmëri nën Mbretërinë e Perëndisë. Por, çfarë nënkupton përsosmëria njerëzore?

Jeta e përsosur është më e mirë se mania për përsosmëri

Përsosmëri nuk do të thotë të kemi maninë për përsosmëri. Ata që do të kenë privilegjin të jetojnë në Parajsën në tokë nën Mbretërinë e Perëndisë, patjetër që nuk do të jenë individë tepër kërkues, që e konsiderojnë veten tepër të drejtë. Një nga kërkesat për të mbijetuar mjerimin e madh është çmueshmëria nga zemra për flijimin shpërblyes, siç u shpreh shumica e madhe ndërkombëtare që përshkroi apostulli Gjon: «Shpëtimi është [ia detyrojmë, BR] i Perëndisë tonë që është ulur mbi fron dhe i Qengjit.» (Zbulesa 7:9, 10, 14) Të gjithë të mbijetuarit nga mjerimi i madh që po afrohet do të jenë mirënjohës që Krishti vdiq me gatishmëri për ta dhe për të gjithë ata që ushtrojnë besim tek ai. Flijimi i tij i dashur vë themelin për të sjellë çlirim të qëndrueshëm nga papërsosmëritë dhe dobësitë e tyre.​—Gjoni 3:16; Romakëve 8:21, 22.

Si do të jetë jeta e përsosur? Në vend të konkurrencës dhe të ambicies egoiste, dashuria dhe dashamirësia mes njerëzve do ta bëjnë jetën të denjë për ta jetuar, duke eliminuar ankthin dhe vlerësimin e paktë për veten. Gjithsesi, jeta e përsosur nuk do të jetë e mërzitshme ose monotone. Fjala e Perëndisë nuk tregon të gjitha hollësitë për Parajsën, por, ama, përshkruan llojin e jetës që mund të presim: «Do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta dhe do të hanë frytin. Nuk do të ndërtojnë më që të banojë një tjetër, nuk do të mbjellin më që të hajë një tjetër; sepse ditët e popullit tim do të jenë si ditët e drurëve; dhe të zgjedhurit e mi do të gëzojnë për një kohë të gjatë veprën e duarve të tyre. Nuk do të lodhen më kot dhe nuk do të lindin fëmijë për të përballuar një shkatërrim.»​—Isaia 65:21-23.

Në vend që të rrimë e të hamendemi se çfarë lloj zbavitjeje, dyqanesh, teknologjie ose transporti do të sigurojë Mbretëria, ta imagjinojmë veten duke gëzuar përmbushjen e këtyre fjalëve: «‘Ujku dhe qengji do të kullosin bashkë, luani do të hajë kashtën porsi kau dhe gjarpëri do të ushqehet me pluhur. Nuk do të bëjnë më asnjë dëm apo shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë’,​—thotë Zoti.» (Isaia 65:25) Sa e ndryshme do të jetë jeta e përsosur nga ajo që jetojmë sot! Nëse arrini të bëheni një prej atyre që do të konsiderohen të denjë për të jetuar në atë kohë, do të keni arsye për të pasur siguri se Ati juaj i dashur qiellor do të interesohet për ju dhe për familjen tuaj. «Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.»​—Psalmi 37:4.

Jeta e përsosur nuk është thjesht një ëndërr. Qëllimi i dashur i Jehovait për njerëzimin do të realizohet plotësisht. Ju dhe familja juaj mund të jeni ndër ata që do të arrijnë përsosmërinë njerëzore dhe do të jetojnë përgjithmonë në botën e re të Perëndisë. Bibla parathotë: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.»​—Psalmi 37:29.

[Figura në faqen 6]

Mund ta përmirësojmë mënyrën se si e konsiderojmë veten dhe të tjerët, duke shmangur maninë për përsosmëri ose kapjen pas çikërrimave

[Figura në faqen 7]

Përse të mos e përfytyroni veten duke gëzuar tashmë kushte paqësore dhe të drejta në Parajsë?