Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Ju të gjithë jeni vëllezër»

«Ju të gjithë jeni vëllezër»

«Ju të gjithë jeni vëllezër»

«Mos u quani Rabi, sepse mësuesi juaj është një i vetëm, kurse ju të gjithë jeni vëllezër.»​—MATEU 23:8, BR.

1. Cila çështje meriton vëmendjen tonë?

«KUSH meriton më shumë nderim, një misionar apo një bethelit?»​—e pyeti pa të keq një e krishterë, në një vend të Lindjes, një misionare nga Australia. Ajo donte të dinte se kush duhej respektuar më shumë, një misionar nga një vend tjetër apo një shërbëtor vendas që shërben në zyrën e degës së Shoqatës Watch Tower. Kjo pyetje e pafajshme, e cila pasqyron një kulturë që i kushton shumë vëmendje shtresës shoqërore, e kapi në befasi misionaren. Megjithatë, pyetja se kush është më i madh lind nga dëshira për të ditur se ku qëndrojnë njerëzit në rangun e pushtetit dhe të ndikimit.

2. Si duhet t’i konsiderojmë bashkadhuruesit tanë?

2 Ky interesim s’është aspak i ri. Edhe dishepujt e Jezuit kishin debate të vazhdueshme se kush ishte më i madhi. (Mateu 20:20-24; Marku 9:33-37; Luka 22:24-27) Edhe ata vinin nga një kulturë që i kushtonte mjaft vëmendje shtresës shoqërore dhe kjo ishte kultura e judaizmit të shekullit të parë. Duke pasur në mend këtë shoqëri, Jezui i këshilloi dishepujt: «Mos u quani Rabi, sepse mësuesi juaj është një i vetëm, kurse ju të gjithë jeni vëllezër.» (Mateu 23:8, BR) Studiuesi biblik Albert Barns vërejti se një titull fetar, siç është «Rabi», që do të thotë «mësues», «ka prirjen të nxitë krenarinë dhe një ndjenjë epërsie tek ata që e marrin këtë titull, dhe smirë e një ndjenjë inferioriteti tek ata që nuk e kanë. E gjithë fryma dhe prirja e këtij titulli është në kundërshtim me ‘thjeshtësinë që është te Krishti’». Në fakt, të krishterët nuk u drejtohen mbikëqyrësve që ndodhen mes tyre si «plaku filan», duke e përdorur fjalën «plak» si një titull lajkatues. (Jobi 32:21, 22) Nga ana tjetër, pleqtë që jetojnë në harmoni me frymën e këshillës së Jezuit, i nderojnë pjesëtarët e tjerë të kongregacionit, pikërisht siç i nderon Jehovai adhuruesit besnikë dhe siç i nderon Jezu Krishti ithtarët besnikë.

Shembulli i Jehovait dhe i Jezuit

3. Si i nderoi Jehovai krijesat e tij frymore?

3 Ndonëse është «Më i Larti», Jehovai që nga fillimi i nderoi krijesat e tij, duke i përfshirë në veprat që bëri. (Psalmi 83:18, BR) Kur krijoi njeriun e parë, Jehovai përfshiu në projekt Birin e tij të vetëmlindur, duke e përdorur si «kryemjeshtër». (Proverbat [Fjalët e urta] 8:27-30, BR; Zanafilla 1:26) Madje, Jehovai ftoi edhe engjëjt e tij qiellorë të shpreheshin se si do ta shkatërronin mbretin e lig Ahab, kur Ai kishte vendosur ta bënte këtë.​—1 Mbretërve 22:19-23.

4, 5. Si i nderon Jehovai krijesat njerëzore?

4 Jehovai mbretëron si Sovrani Suprem i universit. (Ligji i përtërirë 3:24) Ai nuk ka nevojë të konsultohet me njerëzit. Megjithatë, përkulet, si të thuash, për t’u kushtuar vëmendje atyre. Një psalmist këndoi: «Kush i përngjan Zotit, Perëndisë tonë, që banon në vende shumë të larta, kush [ai, BR] ulet për të parë gjërat që ndodhen në qiejtë dhe mbi tokë? Ai e ngre të mjerin nga pluhuri.»​—Psalmi 113:5-8.

5 Para se ta shkatërronte Sodomën dhe Gomorrën, Jehovai i dëgjoi pyetjet e Abrahamit dhe ia kënaqi ndjenjën e drejtësisë. (Zanafilla 18:23-33) Edhe pse tashmë e dinte rezultatin e kërkesave të Abrahamit, Jehovai e dëgjoi me durim Abrahamin dhe e pranoi arsyetimin e tij.

6. Çfarë rezultoi nga fakti që Jehovai i tregoi nderim Habakukut, kur ky i bëri një pyetje?

6 Gjithashtu, Jehovai e dëgjoi Habakukun, i cili e pyeti: «Deri kur, o Zot, do të bërtas dhe ti nuk do të më dëgjosh?» A e konsideroi Jehovai këtë pyetje si një sfidë ndaj autoritetit të tij? Jo, ai i konsideroi pyetjet e Habakukut si të përligjura e, prandaj, zbuloi qëllimin e tij për të ngritur kaldeasit që të ekzekutonin gjykimin. Ai e siguroi profetin se ‘gjykimi i parathënë do të vinte me siguri’. (Habakuku 1:1, 2, 5, 6, 13, 14; 2:2, 3) Duke i marrë seriozisht shqetësimet e Habakukut dhe duke iu përgjigjur atij, Jehovai e nderoi profetin. Si rezultat, profeti i shqetësuar u çel dhe u gëzua, duke pasur besim të plotë te Perëndia i shpëtimit të tij. Kjo gjë pasqyrohet në librin e frymëzuar të Habakukut që na e forcon edhe ne sot besimin te Jehovai.​—Habakuku 3:18, 19.

7. Përse është domethënës roli i Pjetrit në Festën e Ditës së Pesëdhjetë, në vitin 33 të e.s.?

7 Jezu Krishti është një shembull tjetër i shkëlqyer i një personi që tregoi respekt për të tjerët. Jezui u kishte thënë dishepujve se «kushdo që do të më mohojë përpara njerëzve, edhe unë do ta mohoj përpara Atit tim». (Mateu 10:32, 33) Megjithatë, natën e tradhtimit të tij, që të gjithë dishepujt e braktisën dhe apostulli Pjetër e mohoi tri herë. (Mateu 26:34, 35, 69-75) Jezui pa përtej dukjes së jashtme dhe u kushtoi vëmendje ndjenjave më të brendshme të Pjetrit, pendimit të tij të thellë. (Luka 22:61, 62) Vetëm 51 ditë më vonë, Krishti i dha dinjitet apostullit të penduar duke e lënë që të përfaqësonte 120 dishepujt e Jezuit në Festën e Ditës së Pesëdhjetë dhe të përdorte të parin nga «çelësat e mbretërisë». (Mateu 16:19; Veprat 2:14-40) Pjetrit iu dha një mundësi që ‘të kthehej e të forconte vëllezërit e tij’.​—Luka 22:31-33.

T’u japim nderim pjesëtarëve të familjes

8, 9. Si mund t’i imitojë një burrë Jehovain dhe Jezu Krishtin, kur i jep nder gruas së vet?

8 Burrat dhe prindërit bëjnë mirë të imitojnë Jehovain dhe Jezu Krishtin kur ushtrojnë autoritetin që u ka dhënë Perëndia. Pjetri këshilloi: «Ju burra, gjithashtu, jetoni me gratë tuaja me urtësi, duke e çmuar [duke i dhënë nderim, BR] gruan si një enë më delikate dhe e nderoni.» (1 Pjetrit 3:7) Imagjinoni sikur jeni duke mbajtur në dorë një vazo delikate porcelani, e cila, patjetër, është më e brishtë se një enë druri. A nuk do të tregonit më shumë kujdes? Një burrë mund ta bëjë këtë duke imituar Jehovain, duke i dëgjuar mendimet e gruas së tij kur merr vendime për çështjet familjare. Sillni ndër mend se Jehovai gjeti kohë që të arsyetonte me Abrahamin. Duke qenë i papërsosur, një burrë mund të mos arrijë t’i kuptojë të gjitha aspektet e një çështjeje. Prandaj, a nuk do të ishte e mençur që ta nderonte gruan e tij, duke e marrë sinqerisht në konsideratë mendimin e saj?

9 Në vendet ku autoriteti i meshkujve është i rrënjosur thellësisht, një burrë duhet të mbajë në mend se gruas së tij mund t’i duhet të kapërcejë një pengesë shumë të madhe për të shprehur ndjenjat e saj më të brendshme. Imitoni mënyrën se si i trajtoi Jezu Krishti kur ishte në tokë dishepujt e tij, që ishin pjesë e klasës së nuses së tij të ardhshme. Ai i çmonte ata, duke marrë në konsideratë kufizimet e tyre fizike e frymore edhe përpara se t’ia thoshin nevojat që kishin. (Marku 6:31; Gjoni 16:12, 13; Efesianëve 5:28-30) Përveç kësaj, gjeni kohë për të vërejtur atë që po bën gruaja juaj për ju e për familjen dhe shprehjani çmueshmërinë me fjalë e me vepra. Si Jehovai, ashtu edhe Jezui, i çmuan, i lavdëruan dhe i bekuan personat e denjë. (1 Mbretërve 3:10-14; Jobi 42:12-15; Marku 12:41-44; Gjoni 12:3-8) Pasi iu bë burri Dëshmitar i Jehovait, një e krishterë në Lindje tha: «Zakonisht burri im ecte tre ose katër hapa para meje, duke m’i lënë mua t’i mbaja të gjitha gjërat. Tani, çantat i mban ai dhe tregon çmueshmëri për atë që bëj në shtëpi.» Një fjalë e sinqertë çmueshmërie bën shumë për ta ndihmuar gruan tuaj të ndihet e vlerësuar.​—Fjalët e urta 31:28.

10, 11. Çfarë mund të mësojnë prindërit nga shembulli i shkëlqyer i Jehovait në mënyrën se si e trajtoi kombin rebel të Izraelit?

10 Në mënyrën se si trajtojnë fëmijët e tyre, veçanërisht kur nevojitet qortimi, prindërit duhet të imitojnë shembullin e Perëndisë. «Jehovai vazhdoi të paralajmëronte Izraelin dhe Judën» që të ktheheshin nga rrugët e tyre të këqija, por ata «vazhduan ta forconin qafën e tyre». (2 Mbretërve 17:13-15, BR) Madje, izraelitët «e mashtronin me gojën e tyre dhe e gënjenin me gjuhën e tyre». Shumë prindër mund të mendojnë se fëmijët e tyre ndonjëherë veprojnë pikërisht kështu. Izraelitët «iu drejtuan [e vunë në sprovë, BR] Perëndisë» dhe i shkaktuan dhimbje, duke e bërë të ndihej i lënduar. E megjithatë, Jehovai ‘ishte i mëshirshëm, ua falte padrejtësitë dhe nuk i shkatërronte’.​—Psalmi 78:36-41.

11 Madje, Jehovai iu lut izraelitëve: «Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë . . . Edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora.» (Isaia 1:18) Ndonëse nuk ishte Jehovai që kishte gabuar, ai e ftoi kombin rebel të vinte dhe t’i ndreqnin gjërat. Sa qëndrim i shkëlqyer, të cilin prindërit duhet ta imitojnë në mënyrën se si i trajtojnë fëmijët e tyre! Kur e kërkon situata, jepuni dinjitet duke dëgjuar versionin e tyre të ngjarjes dhe arsyetoni me ta përse duhet të ndryshojnë.

12. (a) Përse duhet të shmangim nderimin e fëmijëve më shumë se Jehovain? (b) Çfarë kërkohet për të respektuar dinjitetin e fëmijëve, kur i qortojmë?

12 Sigurisht, disa herë fëmijët kanë nevojë për këshilla të forta. Prindërit nuk do të donin të ishin si Eli, i cili ‘nderonte më tepër fëmijët e tij se Jehovain’. (1 Samuelit 2:29) Gjithsesi, fëmijët duhet të shohin motivin e dashur që qëndron pas korrigjimit. Ata duhet të jenë në gjendje të kuptojnë se prindërit i duan. Pavli i këshillon etërit: «Mos provokoni për zemërim fëmijët tuaj, por i edukoni në disiplinë dhe në këshillë të Zotit.» (Efesianëve 6:4) Edhe pse përfshihet autoriteti prindëror, pika është se babai duhet të marrë në konsideratë dinjitetin e fëmijëve, duke mos i zemëruar për shkak të ashpërsisë së tij të tepruar. Qartë, që të merret në konsideratë dinjiteti i fëmijëve kërkohet kohë dhe përpjekje nga ana e prindërve, por për frytet e kësaj pune ia vlen çdo sakrificë.

13. Cila është pikëpamja e Biblës për të moshuarit në familje?

13 Të tregohet nderim ndaj pjesëtarëve të familjes përfshin më tepër se t’i jepet dinjitet gruas dhe fëmijëve. «Kur jeni të moshuar, bindjuni fëmijëve tuaj»,​—thotë një proverb japonez. Thelbi i këtij proverbi është që prindërit e moshuar duhet të përmbahen që të mos e teprojnë me autoritetin e tyre prindëror dhe duhet të marrin parasysh atë që thonë fëmijët e tyre, tashmë të rritur. Ndërkohë që është biblike që prindërit të nderojnë fëmijët e tyre duke i dëgjuar, fëmijët nuk duhet të shfaqin një qëndrim pa respekt ndaj pjesëtarëve të moshuar të familjes. «Mos e përçmo nënën tënde kur të jetë [vetëm ngaqë është, BR] plakë»,​—thuhet te Fjalët e urta 23:22. Mbreti Solomon jetoi në harmoni me këtë proverb dhe e nderoi nënën e tij kur ajo iu afrua për t’i bërë një kërkesë. Solomoni urdhëroi që të vihej një fron në të djathtë të fronit të vet dhe dëgjoi atë që nëna e tij e moshuar, Betsheba, kishte për t’i thënë.​—1 Mbretërve 2:19, 20.

14. Si mund t’i nderojmë pjesëtarët e moshuar të kongregacionit?

14 Në familjen tonë të zgjeruar frymore, kemi mundësi të mira që të ‘jemi të parët’ për t’u treguar nderim pjesëtarëve të moshuar të kongregacionit. (Romakëve 12:10, BR) Ata mund të mos jenë në gjendje të bëjnë aq sa bënin më përpara dhe kjo mund t’i dëshpërojë. (Predikuesi [Eklisiastiu] 12:1-7) Një Dëshmitare e moshuar e mirosur, e cila dergjej në shtrat, në një spital, një herë e shprehu kështu dëshpërimin: «Mezi pres sa të vdes dhe të rikthehem në punë.» Këta persona të moshuar mund t’i ndihmojë vlerësimi dhe nderimi që u tregojmë. Izraelitët morën urdhrin: «Çohu në këmbë para atij që ka kokën të zbardhur, nderoje plakun.» (Levitiku 19:32) Tregoni konsideratë, duke i bërë personat e moshuar të ndiejnë se janë të çmuar dhe të nevojshëm. ‘Të çoheni’ mund të përfshijë të uleni dhe të dëgjoni ndërsa ata tregojnë atë që kanë kryer vite më parë. Kjo do t’u japë dinjitet të moshuarve dhe do ta pasurojë jetën tonë frymore.

‘Jini të parët për të treguar nderim’

15. Çfarë mund të bëjnë pleqtë për t’u dhënë dinjitet pjesëtarëve të kongregacionit?

15 Pjesëtarët e kongregacionit ecin mbarë kur pleqtë u lënë një shembull të shkëlqyer. (1 Pjetrit 5:2, 3) Me gjithë programin e ngjeshur që kanë, pleqtë e dashur marrin iniciativën për t’iu afruar të rinjve në moshë, kryefamiljarëve, nënave të vetme, grave shtëpiake dhe të moshuarve, qoftë që këta janë duke hasur ndonjë problem, qoftë që jo. Pleqtë dëgjojnë atë që pjesëtarët e kongregacionit kanë për të thënë dhe i lavdërojnë për atë që janë në gjendje të bëjnë. Një plak i vëmendshëm që bën komente vlerësuese për atë që po bën një vëlla ose një motër, është duke imituar Jehovain, i cili i vlerëson krijesat e tij tokësore.

16. Përse duhet t’i konsiderojmë pleqtë si persona që meritojnë nderim së bashku me të tjerët në kongregacion?

16 Duke imituar Jehovain, pleqtë lënë një shembull të shkëlqyer në zbatimin e këshillës së Pavlit: «Me dashuri vëllazërore kini përzemërsi të butë për njëri-tjetrin. Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.» (Romakëve 12:10, BR) Kjo mund të jetë më e vështirë për pleqtë që jetojnë në vende ku është e zakonshme t’i kushtohet vëmendje shtresës shoqërore. Për shembull, në një vend të Lindjes ka dy fjalë për «vëlla», një nderuese dhe një tjetër për përdorim të zakonshëm. Deri kohët e fundit, pjesëtarët e kongregacionit u drejtoheshin pleqve dhe atyre më të moshuarve me termin nderues, kurse të tjerëve u drejtoheshin me termin e zakonshëm. Megjithatë, ata u inkurajuan që në çdo rast të përdornin termin e zakonshëm, sepse, siç u dha Jezui ithtarëve të tij, «ju të gjithë jeni vëllezër». (Mateu 23:8) Ndonëse dallimi mund të mos jetë kaq i qartë në vendet e tjera, të gjithë ne duhet të jemi syçelë ndaj prirjes njerëzore për të bërë dallime të shtresave shoqërore.​—Jakobit 2:4.

17. (a) Përse pleqtë duhet të jenë persona të afrueshëm? (b) Si mund ta imitojnë pleqtë Jehovain, kur kanë të bëjnë me pjesëtarët e kongregacionit?

17 Vërtet, Pavli na inkurajoi t’i trajtojmë disa pleq si të denjë për ‘nderim të dyfishtë’, por ata janë prapëseprapë vëllezër. (1 Timoteut 5:17) Nëse jemi në gjendje ‘t’i afrohemi me guxim fronit të hirit’ të Sovranit Universal, a nuk duhet të jemi në gjendje t’u afrohemi pleqve, të cilët duhet të imitojnë Jehovain? (Hebrenjve 4:16; Efesianëve 5:1) Mbikëqyrësit mund ta përcaktojnë se sa të afrueshëm janë, duke shqyrtuar sa shpesh të tjerët vijnë për t’u kërkuar këshilla ose për të bërë sugjerime. Mësoni nga mënyra se si i përfshin Jehovai të tjerët në projektet e tij. Ai u jep dinjitet të tjerëve duke u besuar përgjegjësi. Edhe nëse disa sugjerime të dhëna nga një Dëshmitar tjetër mund të duken jopraktike, pleqtë duhet ta vlerësojnë interesimin e treguar. Sillni ndër mend si i trajtoi Jehovai pyetjet hetuese të Abrahamit dhe thirrjet e pikëlluara të Habakukut.

18. Si mund ta imitojnë pleqtë Jehovain kur ndreqin ata që kanë nevojë për ndihmë?

18 Disa të bashkëkrishterë kanë vërtet nevojë për ndreqje. (Galatasve 6:1) Prapëseprapë, ata janë të çmuar në sytë e Jehovait, të denjë për t’u trajtuar me dinjitet. «Kur dikush që ofron këshilla më trajton me respekt, ndihem i lirë për t’iu afruar»,​—tha një Dëshmitar. Shumica e njerëzve reagojnë mirë ndaj këshillave kur të tjerët i trajtojnë me dinjitet. Mund të duhet më shumë kohë, por duke i dëgjuar ata që kanë bërë ndonjë hap të gabuar ua bëni më të lehtë të pranojnë ndonjë këshillë që u nevojitet. Mbani në mend si arsyetoi Jehovai me izraelitët vazhdimisht, i shtyrë nga dhembshuria që kishte për ta. (2 Kronikave 36:15; Titit 3:2) Këshilla e dhënë me empati dhe me mirëkuptim do të prekë zemrën e atyre që kanë nevojë për ndihmë.​—Fjalët e urta 17:17; Filipianëve 2:2, 3; 1 Pjetrit 3:8.

19 Nderimi që u tregojmë të tjerëve përfshin edhe ata që ka mundësi të bëhen vëllezërit tanë frymorë në të ardhmen. Këta njerëz ndoshta janë të ngadalshëm ta pranojnë mesazhin tonë tani, por ne duhet të jemi, gjithsesi, të durueshëm me ta dhe të pranojmë dinjitetin e tyre si njerëz. Jehovai «nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim». (2 Pjetrit 3:9) A nuk duhet të kemi edhe ne pikëpamjen e Jehovait? Duke pasur parasysh njerëzit në përgjithësi, mund të shtrojmë rrugën për të dhënë dëshmi nëse përpiqemi gjithnjë të jemi miqësorë. Sigurisht, ne shmangim llojin e miqësisë që mund të përfshijë rreziqe frymore. (1 Korintasve 15:33) Megjithatë, tregojmë «dashamirësi njerëzore», duke mos i përçmuar njerëzit që nuk besojnë si ne.​—Veprat 27:3, BR.

20 Po, Jehovai dhe Jezu Krishti e konsiderojnë secilin prej nesh si të denjë për respekt. Le të mbajmë gjithnjë ndër mend si veprojnë ata dhe, në mënyrë të ngjashme, të jemi të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit! Gjithashtu, le të mbajmë gjithnjë ndër mend fjalët e Zotërisë tonë Jezu Krisht: «Ju të gjithë jeni vëllezër.»​—Mateu 23:8.

Si do të përgjigjeshit?

• Si duhet t’i konsiderojmë bashkadhuruesit tanë?

• Si na shtyn shembulli i Jehovait dhe i Jezuit që të nderojmë të tjerët?

• Çfarë mund të bëjnë burrat dhe prindërit për të nderuar të tjerët?

• Duke i konsideruar të bashkëkrishterët si vëllezërit e tyre, në ç’mënyrë i shtyn kjo pleqtë të veprojnë?

[Pyetjet]

19. Si duhet t’i konsiderojmë njerëzit që nuk besojnë si të krishterët?

20. Çfarë duhet të na shtyjë të bëjmë, shembulli i Jehovait dhe i Jezu Krishtit?

[Figura në faqen 18]

Nderojeni gruan tuaj me fjalë çmueshmërie

[Figura në faqen 18]

Jepuni dinjitet fëmijëve, duke i dëgjuar

[Figura në faqen 18]

Trajtojini me dinjitet pjesëtarët e kongregacionit