Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Klasa e 108-të e Galaadit nxitet për të bërë shërbim të shenjtë

Klasa e 108-të e Galaadit nxitet për të bërë shërbim të shenjtë

Klasa e 108-të e Galaadit nxitet për të bërë shërbim të shenjtë

NË BIBËL, për adhurimin e Perëndisë shpesh përdoret shprehja «shërbim i shenjtë». Kjo shprehje vjen nga një term grek që i referohet shërbimit që i bëhet Perëndisë. (Romakëve 9:4, BR) Të 5562 të pranishmit që dëgjuan programin e diplomimit të klasës së 108-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit dëgjuan oratorët që dhanë këshilla praktike, të cilat do t’i ndihmonin të diplomuarit që t’i bënin një shërbim të shenjtë të pranueshëm Perëndisë Jehova. *

Teodor Xharaz, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, shërbeu si drejtues. Programi u hap me këngën numër 52, «Emri i Atit tonë» (anglisht). Në strofën e dytë të asaj kënge deklarohet: «Kërkojmë mënyra që të mund të shenjtërojmë emrin tënd të pakrahasueshëm.» Këto fjalë e shprehnin tamam dëshirën e sinqertë të studentëve të klasës së të diplomuarve (të cilët ishin nga 10 vende), që ta përdornin stërvitjen e tyre në caktimet misionare, të cilat do të ishin në 17 vende të ndryshme.

Në komentet hyrëse, vëllai Xharaz e përqendroi vëmendjen në pesë muajt e studimit intensiv të Biblës që i përgatitën studentët për shërbimin në fusha të huaja. Kjo i ndihmoi që të ‘sigurohen për të gjitha gjërat’, domethënë, ta hetojnë nën dritën e Fjalës së Perëndisë atë që kanë mësuar më parë dhe të ‘mbajnë fort atë që është e shkëlqyer’. (1 Selanikasve [Thesalonikasve] 5:21, BR) Ai i inkurajoi të mbahen fort me besnikëri pas Jehovait, Fjalës së tij dhe pas caktimeve për të cilat u stërvitën. Çfarë do t’i ndihmojë, ndërsa bëjnë gjithë këtë?

Këshilla praktike për të bërë shërbim të shenjtë

Lon Shilling, pjesëtar i Komitetit Operativ të Bethelit, foli për temën: «A do ta kaloni provën e arsyetueshmërisë?» Ai theksoi se sa vlerë ka të jesh i arsyeshëm, cilësi kjo që pasqyron mençurinë hyjnore. (Jakobit 3:17) Arsyetueshmëria përfshin të jemi elastikë, të paanshëm, të matur, të vëmendshëm ndaj të tjerëve dhe të vetëpërmbajtur. «Njerëzit e arsyeshëm janë të ekuilibruar në marrëdhëniet me të tjerët. Nuk shkojnë në ekstreme»,​—tha vëllai Shilling. Ç’gjë mund ta ndihmojë një misionar që të jetë i arsyeshëm? Të ketë një pikëpamje modeste për veten, të përfitojë nga rastet për të dëgjuar e për të mësuar prej të tjerëve dhe të jetë i gatshëm t’i marrë në konsideratë pikëpamjet e të tjerëve, por pa bërë kompromis me parimet hyjnore.​—1 Korintasve 9:19-23.

«Mos harroni të hani!»​—ishte tema që të ngjallte kureshtje në pjesën tjetër të programit, prezantuar nga Samuel Herd, një anëtar tjetër i Trupit Udhëheqës. Ai nxori në pah vlerën e pasjes së një diete të mirë frymore, me qëllim që të mbetemi të përshtatshëm për të bërë shërbim të shenjtë. «Aktiviteti juaj frymor,​—tha vëllai Herd,​—do të rritet shumë shpejt, ndërsa zhyteni në caktimin tuaj të predikimit e të mësimdhënies. Prandaj, do të keni nevojë të merrni gjithnjë e më shumë ushqim frymor, që të ekuilibroni dhe të niveloni forcat tuaja.» Një dietë e qëndrueshme me ushqim frymor mund ta ndihmojë një misionar të shmangë rënien frymore dhe nostalgjinë për shtëpinë. I kontribuon të qenët të kënaqur dhe vendosmërisë për t’u mbajtur fort pas caktimit të shërbimit të shenjtë.​—Filipianëve 4:13.

Një instruktor i Galaadit, Lorenc Bouen, i inkurajoi studentët që do të diplomoheshin me fjalët «Kthehuni te fillimi». Çfarë donte të thoshte? Ai i nxiti të gjithë të pranishmit të hapnin Biblën te Proverbat (Fjalët e urta) 1:7, ku thuhet: «Druajtja e Jehovait është fillimi i njohurisë.» (BR) Oratori shpjegoi: «Çdo gjë që shpërfill faktin kryesor të ekzistencës së Jehovait nuk mund të kualifikohet kurrë si njohuri e vërtetë dhe as të sjellë si rezultat kuptueshmërinë e duhur.» Vëllai Bouen i krahasoi hollësitë e Fjalës së Perëndisë, Biblës, me pjesët e një loje me ndërtim mozaiku. Kur bashkojmë pjesët, formohet një figurë. Sa më shumë pjesë të bashkohen, aq më e madhe e më e qartë bëhet figura dhe aq më shumë kuptueshmëri zhvillon personi. Kjo mund t’i ndihmojë të gjithë t’i bëjnë shërbim të shenjtë Perëndisë.

Uollas Livërëns, sekretar administrativ i Shkollës së Galaadit, mbylli serinë e fjalimeve. Tema e tij ishte «Ofroni falënderime si flijime ndaj Perëndisë». Ai e tërhoqi vëmendjen te tregimi ku Jezui shëron dhjetë të lebrosur. (Luka 17:11-19) Vetëm njëri prej tyre u kthye për të lavdëruar Perëndinë dhe për t’i shprehur falënderime Jezuit. «Pa dyshim, të tjerët u drithëruan që ishin të pastër. U ndien të kënaqur për këtë gjë, por, siç duket, gjithçka që donin ishte të shpalleshin të pastër nga prifti»,​—komentoi vëllai Livërëns. Pastrimi frymor që vjen si rezultat kur mëson të vërtetën, i kombinuar me mirënjohjen, duhet ta motivojnë një person t’i shprehë falënderime Perëndisë për mirësinë që i ka treguar. Studentët e klasës së 108-të të Galaadit u inkurajuan të meditonin për gjithë aktivitetet e Perëndisë dhe për mirësinë e Tij, me qëllim që shërbimin dhe flijimet e tyre t’i bënin një pasqyrim të mirënjohjes ndaj Perëndisë.​—Psalmi 50:14, 23; 116:12, 17.

Përvoja dhe intervista se si të bëhet ky shërbim

Mark Numar, një instruktor tjetër i Galaadit, drejtoi pjesën tjetër të programit. Aty u treguan përvojat e shërbimit në fushë që pati klasa gjatë periudhës së stërvitjes. Studentët kishin kaluar mesatarisht rreth 12 vjet në shërbimin e plotkohor, para se të vinin në Galaad. Ndërsa ishin në shkollë, kishin filluar shumë studime biblike me njerëz nga shtresa të ndryshme dhe kjo tregonte se studentët dinin si ta ‘bënin veten gjithçka për të gjithë’.​—1 Korintasve 9:22.

Pas përvojave të studentëve, Çarlz Malëhan dhe Uilliam Samuelson intervistuan disa pjesëtarë të familjes Bethel dhe mbikëqyrës udhëtues që kishin ndjekur shkollën e Galaadit. Një nga vëllezërit e intervistuar, Robert Pevi, kishte shërbyer në Filipine pas diplomimit nga klasa e 51-të e Galaadit. Ai i kujtoi klasës: «Sa herë që ka një problem, secili jep sugjerime si të zgjidhet ai. Ka gjithnjë ndonjë më të zgjuar se ty, ndonjë që do të dalë me një ide më të mirë. Por, nëse kërkon në Bibël dhe përpiqesh të gjesh pikëpamjen e Perëndisë për gjërat, askush nuk do t’ia kalojë asaj. Do të jetë gjithnjë përgjigjja e drejtë.»

Për të përfunduar më së miri programin e shkëlqyer frymor, Xhon Barr, anëtar i Trupit Udhëheqës, foli për temën «Bëjini shërbim të shenjtë të pranueshëm Jehovait». Ai tregoi si mund të pasqyrohet shërbimi i shenjtë në shërbimin në fushë, për t’i ndihmuar njerëzit me zemër të drejtë që ta adhurojnë Perëndinë në mënyrë të pranueshme. Pasi lexoi fjalët e Jezuit te Mateu 4:10, vëllai Barr tha: «Nëse duam të adhurojmë vetëm Jehovain, duhet të shmangim çdo lloj tinëzar idhujtarie, siç janë: lakmia, dëshira për pasuri dhe nxjerrja në pah e vetes. Sa na lumturon mendimi se misionarët tanë gjatë viteve, duke nisur që në fillim të viteve 40 të shekullit të 20-të, kanë krijuar një dokumentim të shkëlqyer në këtë aspekt! Jemi të sigurt se edhe ju, të diplomuar të klasës së 108-të të Galaadit, do ta ndiqni shembullin e tyre të mirë. Do t’i bëni shërbim të shenjtë Jehovait, të vetmit që e meriton ta marrë atë.»

Kjo ishte pika kulmore pozitive e një programi ndërtues. Më pas, të pranishmit dëgjuan përshëndetjet nga dashamirësit përreth botës, pastaj u bë paraqitja e diplomave dhe u lexua një letër ku klasa shprehte çmueshmërinë për stërvitjen që kishin marrë. Klasës së të diplomuarve iu bë thirrja të shfaqnin cilësinë e qëndrueshmërisë së paepur në caktimet e tyre dhe në shërbimin ndaj Jehovait. Të gjithë të pranishmit, duke përfshirë mysafirë nga 25 vende, u bashkuan në mbylljen e programit me këngë e lutje.

[Shënimi]

^ par. 2 Programi, i mbajtur më 11 mars 2000, nisi në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju-Jork.

[Kutia në faqen 23]

STATISTIKAT E KLASËS

Numri i vendeve të përfaqësuara: 10

Numri i shteteve ku u caktuan: 17

Numri i studentëve: 46

Mosha mesatare: 34

Mesatarja e viteve në të vërtetën: 16

Mesatarja e viteve në shërbim të plotkohor: 12

[Figura në faqen 24]

Diplomimi i klasës së 108-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit

Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë renditur nga e majta në të djathtë për çdo rresht.

(1) Amadori, E.; Cook, O.; Byrne, M.; Lee, A. (2) Newsome, D.; Pederzolli, A.; Bigras, H.; Kato, T.; Gatewood, D. (3) Eade, D.; Eade, J.; Wells, S.; Jamison, J.; Gonzales, M.; Gonzales, J. (4) Kato, T.; Lohn, D.; Niklaus, Y.; Preiss, S.; Foster, P.; Ibarra, J. (5) Amadori, M.; Manning, M.; James, M.; Boström, A.; Gatewood, B.; Newsome, D. (6) Foster, B.; Jamison, R.; Hifinger, A.; Koffel, C.; Koffel, T.; Byrne, G. (7) Hifinger, K.; Manning, C.; Cook, J.; Boström, J.; Lohn, E.; Pederzolli, A. (8) James, A.; Wells, L.; Preiss, D.; Niklaus, E.; Lee, M.; Ibarra, P.; Bigras, Y.