Përse ta mposhtim maninë për përsosmëri?
Përse ta mposhtim maninë për përsosmëri?
A përpiqeni gjithnjë shumë për të bërë më të mirën tuaj? Kuptohet që duke vepruar kështu, mund t’i sillni dobi në shumë mënyra vetes suaj dhe të tjerëve që ju rrethojnë. Nga ana tjetër, disa kanë kaluar në ekstrem dhe kanë zhvilluar maninë për përsosmëri. Çfarë nënkupton kjo?
MIRË, pra, kur flasim rreth manisë për përsosmëri, e kemi fjalën për «prirjen që çdo gjë, e cila nuk është e përsosur, të konsiderohet si e papranueshme». Ndoshta keni hasur njerëz që kanë këtë prirje. S’është e vështirë ta kuptoni se kërkesat e tyre të tepruara ndaj të tjerëve mund të shkaktojnë shumë probleme, duke krijuar një atmosferë pakënaqësie dhe shkurajimi. Shumë njerëz të ekuilibruar e kuptojnë se mania për përsosmëri, në formën e kërkesave të tepruara dhe të paarsyeshme në çdo fushë të jetës, nuk është vërtet e dëshirueshme. Është diçka që duhet mposhtur. Megjithatë, një problem është se, kur bëhet fjalë për qëndrimin mendor ose për prirjen tonë personale, mund ta kemi të vështirë ta kuptojmë se kemi prirje drejt kësaj lloj përsosmërie, prandaj është një sfidë për ta mposhtur atë.
Nelsoni ka përgjegjësi të mëdha dhe shumë probleme për të zgjidhur. Ai i analizon rregullisht statistikat dhe, për të, prodhimi është gjëja më e rëndësishme. Shpesh, mania për përsosmëri konsiderohet si e nevojshme për të pasur sukses në një treg konkurrues pune. Ndonëse disa mund ta vlerësojnë rendimentin e Nelsonit, kjo mani për përsosmëri i shkakton atij probleme fizike, si dhimbje koke dhe stres. A e shihni veten në vendin e Nelsonit?
Edhe fëmijët ndikohen nga mania për përsosmëri. Kur ishte e vogël, Ritës, nga Rio-de-Zhaneiro, i pëlqente të shkonte në shkollë. Ajo përpiqej të mos dukej ambicioze, por dëshpërohej fare po të mos merrte notat maksimale. Rita thotë: «Që kur isha fëmijë e krahasoja veten me të tjerët që kishin shumë kohë për vete, kurse unë isha gjithnjë e stresuar dhe nxitoja për t’i bërë gjërat. Nuk mendoja asnjëherë se kisha kohë për të pushuar, ngaqë do të kishte gjithnjë gjëra që duheshin bërë.»
Kur ishte e vogël, Maria qante e dëshpëruar pasi nuk pikturonte dot aq mirë sa të tjerët. Pastaj, duke kërkuar përsosmëri artistike në muzikë, ajo, shpesh, stresohej dhe shqetësohej në vend që të kënaqej duke luajtur muzikë ose duke kënduar. Një vajzë tjetër braziliane, Tania, e cila përpiqej të ishte e matur dhe të shmangte konkurrencën, e pranoi se, gjithsesi, ajo vendoste për veten e saj norma që ishin tepër të larta, si në shkollë, ashtu edhe në shtëpi. Ajo mendonte se nëse puna e saj nuk ishte e përsosur, njerëzit nuk do ta pëlqenin shumë. Për më tepër, Tania disa herë priste tepër nga të tjerët, dhe kjo e bënte të ndihej e zhgënjyer dhe e trishtuar.
Ndonëse aftësia, zelli dhe një ndjenjë kënaqësie personale janë të rëndësishme, ndjenjat negative, si frika e dështimit, mund të vijnë si pasojë kur vendosen synime të paarritshme. Prindërit ose të tjerë mund t’u vendosin të rinjve një normë përsosmërie në detyrat shkollore ose në sporte, normë së cilës ata nuk i përmbahen dot. Për shembull, mamaja e Rikardos priste shumë prej tij, duke dëshiruar që të bëhej mjek, të luante në piano dhe të mësonte disa gjuhë. A mund ta kuptoni se kjo metodë, kur teprohet shumë, sjell probleme ose zhgënjime?
Përse ta shmangim maninë për përsosmëri?
Sot, puna me cilësi shumë të lartë, që përmbush norma të larta përpikërie dhe shkëlqyeshmërie, kërkohet shumë. Prandaj njerëzit duhet të konkurrojnë në tregun e punës. Një faktor tjetër që i bën shumë veta të përpiqen gjithnjë e më tepër është frika se mos humbasin mjetet e jetesës. Disa punonjës bëhen si ai atleti që bën sakrifica ekstreme për të vendosur një rekord të ri. Pastaj, kur ballafaqohet me konkurrencë të ashpër, ai mund të ndihet i shtyrë të stërvitet edhe më tepër, ndoshta duke përdorur substanca kimike nxitëse për t’u përmirësuar dhe (shpreson ai) për të fituar. Duke i zënë vendin përpjekjes së shëndetshme për të arritur një cilësi të shkëlqyer, mania për përsosmëri i bën njerëzit të «motivohen nga frika e dështimit» ose «të jenë të shtyrë për të qenë numri një».—The Feeling Good Handbook.
Është e qartë, disa mendojnë se ka gjithnjë vend për përmirësim lidhur me atë që mund të bëjnë në art ose në sporte. Megjithatë, sipas dr. Robert S. Eliotit, «mania për përsosmëri është një pritje që asnjëherë nuk përputhet me realitetin». Ai shton: «Kjo mani përbëhet nga faji, ndjenja e të qenët të pambrojtur dhe frika e talljes.» Pra, sa të vërteta janë fjalët e mbretit të mençur Solomon: «Pashë gjithashtu që çdo mund dhe çdo sukses në punë ngjallin smirën njërit kundër tjetrit. Edhe kjo është kotësi dhe një përpjekje për të kapur erën.»—Predikuesi 4:4.
Çfarë mund të bëni nëse keni prirjen për të kërkuar përsosmëri? A është e vërtetë që sa më shumë përpiqeni, aq më shumë të zhgënjyer mbeteni? A do të donit të ishit më pak kërkues e më të çlirët? Çfarë do të thotë të jesh i përsosur? A nuk keni dëshirë t’i përdorni aftësitë tuaja në mënyrë sa më të plotë e ndërkohë të shmangni maninë për përsosmëri? Nëse njerëzit e papërsosur mund t’i përdorin aftësitë që u ka dhënë Perëndia për të zbuluar gjëra për dobinë e të tjerëve, imagjinoni çfarë mund të arrinte njerëzimi në kushte të përsosura dhe nën udhëheqjen hyjnore!
[Figura në faqen 4]
Prindërit ose të tjerët mund të kërkojnë përsosmëri, të cilën të rinjtë nuk e arrijnë dot