Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
A pranojnë Dëshmitarët e Jehovait ndonjë produkt mjekësor që nxirret nga gjaku?
Përgjigjja bazë është se Dëshmitarët e Jehovait nuk pranojnë gjak. Ne besojmë në mënyrë të palëkundur se ligji i Perëndisë për gjakun nuk është objekt reformash për t’iu përshtatur opinioneve që ndryshojnë. Gjithsesi, çështje të reja lindin ngaqë tani gjaku mund të ndahet në katër përbërës kryesorë dhe në fraksione të këtyre përbërësve. Kur vendos nëse do të pranojë apo jo ndonjë prej këtyre, një i krishterë duhet të shohë përtej dobive dhe rreziqeve të mundshme mjekësore. Interesimi i tij duhet të jetë për atë që thotë Bibla dhe për efektin e mundshëm në marrëdhënien e tij me Perëndinë e Plotfuqishëm.
Çështjet kryesore janë shumë të thjeshta. Si ndihmë për të kuptuar përse është kështu, shqyrtoni disa rrethana biblike, historike dhe mjekësore.
Perëndia Jehova i tha paraardhësit tonë të përbashkët Noe që gjaku duhej trajtuar si diçka e veçantë. (Zanafilla 9:3, 4) Më vonë, ligjet që Perëndia i dha Izraelit pasqyronin shenjtërinë e gjakut: «Në rast se dikush nga shtëpia e Izraelit apo nga të huajt . . . ha çfarëdo lloj gjaku, unë do ta kthej fytyrën time kundër atij që ha gjak.» Duke hedhur poshtë ligjin e Perëndisë, një izraelit mund të infektonte edhe të tjerët, prandaj Perëndia shtoi: «Do ta shfaros në mes të popullit të tij.» (Levitiku 17:10) Më vonë, në një mbledhje në Jerusalem, apostujt dhe pleqtë dekretuan se duhet të ‘përmbahemi nga gjaku’. Të bëjmë këtë është po aq jetësore, sa edhe të përmbahemi nga imoraliteti seksual dhe nga idhujtaria.—Veprat 15:28, 29, BR.
Çfarë do të kishte nënkuptuar në atë kohë ‘të përmbaheshin’? Të krishterët nuk konsumonin gjak, as të freskët, as të mpiksur e as nuk hanin mishin e një kafshe që nuk i ishte hequr gjaku. Po ashtu, do të mënjanoheshin ushqimet të cilave u shtohej gjak, si për shembull, salsiçet me gjak. Marrja e gjakut në cilëndo prej këtyre mënyrave do të dhunonte ligjin e Perëndisë.—1 Samuelit 14:32, 33.
Shumica e njerëzve në kohët e lashta nuk do të ishte shqetësuar shumë për konsumimin e gjakut, siç mund ta kuptojmë nga shkrimet e Tertulianit (shekulli i dytë dhe i tretë i e.s.). Duke iu përgjigjur akuzave të rreme se të krishterët konsumonin gjak, Tertuliani përmendi fiset që i nënshkruanin marrëveshjet duke pirë gjak. Gjithashtu, ai shënoi se «gjatë një shfaqjeje në arenë, pinë si të babëzitur gjakun e ngrohtë të fajtorëve . . . si kurë për të shëruar epilepsinë».
Këto praktika (edhe nëse disa romakë i bënin për arsye shëndetësore) ishin të gabuara për të krishterët. «Në ushqimin tonë normal ne nuk përfshijmë as gjakun e kafshëve»,—shkroi Tertuliani. Romakët e përdornin ushqimin që përmbante gjak si provë për integritetin e të krishterëve të vërtetë. Tertuliani shtoi: «Tani, ju pyes, çfarë lloj gjëje është kjo, që edhe pse jeni të bindur [se të krishterët] do të largohen me neveri nga gjaku i kafshëve, duhet t’i mendoni si lakmues të gjakut të njerëzve?»
Sot, pak njerëz do të mendonin se janë në lojë ligjet e Perëndisë të Plotfuqishëm, nëse një mjek u sugjeron të marrin gjak. Edhe pse ne si Dëshmitarë të Jehovait, patjetër, duam të vazhdojmë të jetojmë, e ndiejmë për detyrim t’i bindemi ligjit të Jehovait për gjakun. Çfarë do të thotë kjo, duke pasur parasysh praktikat aktuale mjekësore?
Dora-dorës që transfuzionet e gjakut u bënë të zakonshme pas Luftës II Botërore, Dëshmitarët e Jehovait e kuptuan se kjo ishte në kundërshtim me ligjin e Perëndisë dhe vazhdojnë të besojnë kështu. Megjithatë, me kalimin e kohës mjekësia ka ndryshuar. Sot, shumica e transfuzioneve nuk bëhen me gjak komplet, por me njërin prej përbërësve të tij kryesorë: (1) rruazat e kuqe; (2) rruazat e bardha; (3) pllakëzat; (4) plazma (serum), pjesa e lëngshme. Në varësi të gjendjes së pacientit, mjekët mund t’i këshillojnë rruaza të kuqe, rruaza të bardha, pllakëza ose plazmë. Transfuzioni i këtyre përbërësve kryesorë bën të mundur që një njësi e vetme gjaku të ndahet ndërmjet më shumë pacientëve. Dëshmitarët e Jehovait besojnë se marrja e gjakut komplet ose e njërit prej këtyre katër përbërësve kryesorë dhunon ligjin e Perëndisë. Në mënyrë domethënëse, mbajtja fort pas këtij pozicioni të bazuar në Bibël i ka mbrojtur ata nga shumë rreziqe, duke përfshirë sëmundje të tilla, si hepatiti dhe SIDA, të cilat mund të merren me anë të gjakut.
Megjithatë, meqë gjaku mund të ndahet edhe më tepër sesa këta përbërës kryesorë, lindin pyetje për fraksionet që nxirren nga këta përbërës kryesorë të
gjakut. Si përdoren këto fraksione dhe çfarë duhet të marrë parasysh një i krishterë, kur vendos për to?Gjaku është kompleks. Madje, edhe plazma, e cila është 90 për qind ujë, përmban një sërë hormonesh, kripërash joorganike, enzimash dhe lëndësh ushqyese, duke përfshirë kripëra minerale dhe sheqerna. Gjithashtu, plazma përmban proteina të tilla, si albumina, faktorë mpiksës dhe kundërtrupa për të luftuar sëmundjet. Specialistët izolojnë dhe përdorin shumë proteina plazmatike. Për shembull, faktori mpiksës VIII u është dhënë të sëmurëve me hemofili, të cilët kanë shpesh gjakrrjedhje. Ose, nëse dikush ekspozohet ndaj disa sëmundjeve, mjekët mund t’i propozojnë injeksione me gamaglobulinë, e cila nxirret nga plazma e gjakut të njerëzve që e kishin tashmë imunitetin. Në mjekësi përdoren edhe proteina të tjera plazmatike, por ato të përmendura më sipër ilustrojnë se si një përbërës kryesor i gjakut (plazma) mund të përpunohet, që të merren fraksione të saj. *
Pikërisht, ashtu si plazma e gjakut mund të jetë burim i fraksioneve të ndryshme, po ashtu edhe përbërësit e tjerë kryesorë (rruazat e kuqe, rruazat e bardha, pllakëzat) mund të përpunohen për të izoluar pjesë më të vogla. Për shembull, rruazat e bardha mund të jenë burim interferonesh dhe interleukinash, të cilat përdoren për të trajtuar disa infeksione virale dhe kancere. Pllakëzat mund të përpunohen për të nxjerrë një faktor që shërben për shërimin e plagëve. Po prodhohen edhe ilaçe të tjera që përfshijnë (të paktën fillimisht) ekstrakte nga përbërësit e gjakut. Terapi të tilla nuk janë transfuzione të këtyre përbërësve kryesorë: zakonisht ato përfshijnë pjesëza ose fraksione të nxjerra prej tyre. A duhet t’i pranojnë të krishterët këto fraksione gjatë trajtimit mjekësor? Nuk mund ta themi. Bibla nuk jep hollësi, prandaj një i krishterë duhet të marrë vendimin e tij personal të ndërgjegjshëm para Perëndisë.
Disa do të refuzonin çdo gjë që vjen nga gjaku, edhe fraksionet e nxjerra për të siguruar imunitet të përkohshëm pasiv. Kështu e kuptojnë ata urdhrin e Perëndisë për t’u ‘përmbajtur nga gjaku’. Ata arsyetojnë se ligji që ai i dha Izraelit kërkonte që gjaku i nxjerrë nga një krijesë të ‘derdhej për tokë’. (Ligji i përtërirë 12:22-24) Përse është e rëndësishme kjo? Mirë, pra, për të përgatitur gamaglobulinën, faktorët mpiksës të nxjerrë nga gjaku e të tjera, kërkohet që gjaku të grumbullohet dhe të përpunohet. Prandaj, disa të krishterë i refuzojnë këto produkte, tamam ashtu si refuzojnë transfuzionet e gjakut komplet ose të katër përbërësve të tij kryesorë. Qëndrimi i tyre i sinqertë e i ndërgjegjshëm duhet respektuar.
Të krishterë të tjerë vendosin ndryshe. Edhe ata i refuzojnë transfuzionet e gjakut komplet, rruazave të kuqe, rruazave të bardha, të pllakëzave ose të plazmës. Megjithatë, mund ta lejojnë një mjek t’i kurojë me një fraksion të nxjerrë nga përbërësit kryesorë. Edhe këtu mund të ketë dallime. Një i krishterë mund të pranojë injeksionin me gamaglobulinë, por mund edhe të mos pranojë një injeksion që përmban diçka të nxjerrë nga rruazat e kuqe ose të bardha. Gjithsesi, në përgjithësi, çfarë mund t’i shtyjë disa të krishterë të nxjerrin përfundimin se mund të pranojnë fraksione gjaku?
Artikulli «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës, 1 qershor 1990, anglisht, vërente se disa proteina plazmatike (fraksionet) kalojnë nga gjaku i një nëne shtatzënë në sistemin e veçuar të gjakut të fetusit të saj. Në këtë mënyrë, një nënë i kalon fëmijës së saj imunoglobulina, duke i siguruar imunitet të vlefshëm. Veçmas, ndërsa rruazat e kuqe të një fetusi plotësojnë jetëgjatësinë e tyre normale, pjesa që mbart oksigjenin përpunohet. Një pjesë e saj bëhet bilirubinë, e cila kapërcen placentën për të shkuar te nëna, dhe eliminohet me mbeturinat e trupit të saj. Disa të krishterë mund të nxjerrin përfundimin se, meqë fraksione të gjakut mund të kalojnë te një person tjetër në këtë rrethanë natyrore, ata mund të pranojnë një fraksion gjaku të nxjerrë nga plazma ose nga rruazat e gjakut.
Fakti që opinionet dhe vendimet e ndërgjegjshme mund të ndryshojnë, a do të thotë se çështja nuk është e rëndësishme? Jo. Është e rëndësishme. Megjithatë, ekziston një thjeshtësi bazë. Materiali i mësipërm tregon se Dëshmitarët e Jehovait e refuzojnë transfuzionin si të gjakut komplet, ashtu edhe të përbërësve të tij kryesorë. Bibla i urdhëron të krishterët që të ‘heqin dorë nga gjërat e flijuara idhujve, nga gjaku dhe nga kurvëria’. (Veprat 15:29) Përveç këtyre gjërave, kur bëhet fjalë për fraksione të ndonjërit prej përbërësve kryesorë, çdo i krishterë duhet të vendosë vetë, pasi të ketë medituar me kujdes dhe në lutje.
Shumë njerëz do të ishin të gatshëm të pranonin çfarëdo terapie që duket se ofron dobi të menjëhershme, madje edhe një terapi që ka rreziqe të njohura për shëndetin, siç është e vërtetë për produktet e gjakut. Të krishterët e sinqertë përpiqen të kenë një pikëpamje më të gjerë e më të ekuilibruar që përfshin më shumë se aspektet fizike. Dëshmitarët e Jehovait i çmojnë përpjekjet për të siguruar kujdes mjekësor me cilësi dhe e llogaritin raportin rrezik-dobi të çdo mjekimi. Megjithatë, kur bëhet fjalë për produkte të nxjerra nga gjaku, ata peshojnë me kujdes çfarë thotë Perëndia dhe marrëdhënien e tyre personale me Jetëdhënësin tonë.—Psalmi 36:9.
Sa bekim është për një të krishterë të ketë një siguri si ajo e psalmistit, i cili shkroi: «Zoti Perëndi është diell dhe mburojë; Zoti do të japë hir dhe lavdi; ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt. O Zot i ushtrive, lum njeriu që ka besim te ti!»—Psalmi 84:11, 12.
[Shënimi]
^ par. 12 Shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës, 15 qershor 1978, anglisht, dhe 1 shkurt 1995. Firmat farmaceutike kanë zhvilluar produkte sintetike (rikombinante) që nuk janë nxjerrë nga gjaku dhe që mund të këshillohen në vend të disa fraksioneve të gjakut që përdoreshin në të kaluarën.
[Kutia në faqen 30]
PYETJE QË MUND T’I BËNI MJEKUT
Nëse gjendeni përballë një ndërhyrjeje kirurgjikale ose një mjekimi që mund të përfshijë ndonjë produkt gjaku, pyetni:
A e di i gjithë personeli mjekësor i përfshirë se, si Dëshmitar i Jehovait, unë kërkoj që të mos më bëhet, nën asnjë rrethanë, asnjë transfuzion gjaku (gjak komplet, rruaza të kuqe, rruaza të bardha, pllakëza ose plazmë gjaku)?
Nëse ndonjë ilaç që ju këshillohet mund të jetë bërë nga plazma e gjakut, nga rruazat e kuqe ose të bardha a nga pllakëzat, pyetni:
A është prodhuar ilaçi nga një prej katër përbërësve kryesorë të gjakut? Nëse po, a mund të më shpjegoni përbërjen?
Sa nga ky ilaç i nxjerrë nga gjaku mund të më jepet dhe në cilën mënyrë?
Nëse ndërgjegjja ma lejon ta pranoj këtë fraksion, cilat rreziqe mjekësore ekzistojnë?
Nëse ndërgjegjja më shtyn të mos e pranoj këtë fraksion, çfarë terapie tjetër mund të përdoret?
Pasi ta kem shqyrtuar më tej këtë çështje, kur mund t’ju informoj për vendimin tim?