Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shpëtim në ishullin Robinson Kruzo

Shpëtim në ishullin Robinson Kruzo

Shpëtim në ishullin Robinson Kruzo

ROBINSON KRUZO është njëri nga tre ishujt në Oqeanin Paqësor që përbëjnë arkipelagun e quajtur Juan Fernándes, rreth 640 kilometra larg bregut të Kilit. * Ishulli me sipërfaqe 93 kilometra katrorë e mori këtë emër nga një roman i famshëm i shekullit të 18-të, me titull Robinson Kruzo, shkruar nga autori anglez Daniel Defo. Me sa duket, romani bazohej në vija të përgjithshme në aventurat e një skocezi, Aleksandër Selkërk, i cili jetoi i vetëm në ishull për afro katër vjet.

Një tabelë druri në ishull thotë pjesërisht: «Në këtë vend, ditë pas dite, për më shumë se katër vjet, marinari skocez Aleksandër Selkërk vështronte me ankth horizontin, duke pritur anijen e shpëtimit që do ta lironte nga izolimi.» Më në fund, Selkërku shpëtoi dhe u kthye në atdheun e tij, në një botë që nuk e kënaqte më, pasi kishte jetuar në parajsën e tij të vogël. Thuhet se më vonë ai është shprehur: «Oh, ishulli im i dashur! Sa do të doja të mos të të kisha lënë kurrë!»

Me kalimin e kohës, ishulli u përdor si koloni ndëshkimore, i banuar nga disa që kishin kryer «herezi» kundër Kishës Katolike. Çfarë ndryshimi pësoi ishulli parajsor që njihte njëherë e një kohë Selkërku! Gjithsesi, banorët e sotëm të ishullit gëzojnë një qetësi paqësore që nuk njihet në shumë pjesë të botës. Stili i qetë i jetesës, i cili është tipik i shumë kulturave ishullore, e bën të lehtë të fillosh biseda pothuajse me këdo.

Zyrtarisht Robinson Kruzoja ka rreth 500 banorë, por gjatë pjesës më të madhe të vitit, në ishull jetojnë vetëm rreth 400 veta. Pjesërisht, arsyeja është se disa nëna dhe fëmijët e tyre jetojnë në Kilin kontinental gjatë vitit shkollor dhe kthehen në ishull vetëm gjatë muajve të pushimit, për të kaluar kohë me pjesën tjetër të familjes.

Me gjithë mjedisin e bukur ngjashëm një kopshti, që gjendet në ishullin Robinson Kruzo, disa ishullarë ndiejnë një boshllëk frymor dhe po kërkojnë përgjigje. Të tjerë janë ndier sikur kishin nevojë të shpëtoheshin nga ana frymore.

Një shpëtim frymor

Kjo vepër shpëtimi frymor filloi rreth vitit 1979. Një grua që po studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait në Santiago, Kili, u transferua në ishull dhe filloi t’u mësonte të tjerëve atë që kishte mësuar vetë. Ca kohë më vonë, një plak kongregacioni që shkoi në ishull për arsye pune, u habit kur gjeti një grup të vogël studentësh të Biblës që po bënin përparim frymor me ndihmën e asaj gruaje. Në kohën kur plaku shkoi prapë në ishull tre muaj më vonë, kjo mësuese e izoluar e Biblës dhe dy nga studentet e saj ishin gati për t’u pagëzuar, prandaj plaku drejtoi mbledhjen me rastin e pagëzimit të tyre. Më vonë, njëra nga këto të krishtere të sapopagëzuara u martua dhe së bashku me burrin vazhduan të kërkonin të tjerë që kishin nevojë për shpëtim frymor. Burri i saj mori drejtimin për të ndërtuar një Sallë Mbretërie të thjeshtë, e cila vazhdon të përdoret nga grupi i vogël në ishull. Me kohë, për arsye ekonomike, ata u larguan nga Robinson Kruzoja dhe u transferuan në një kongregacion në Kilin Qendror, ku vazhdojnë aktivë në shërbim të Jehovait.

Pak nga pak, grupi i vogël në ishull vazhdoi të rritej, ndërsa të tjerë u shpëtuan nga feja e rreme. Megjithatë, meqë për arsimin e mesëm shkollor nxënësit duhet të transferohen në kontinent, grupi u zvogëlua në dy motra të pagëzuara dhe një vajzë. Grupi rritet gjatë periudhës së pushimeve, kur disa nëna kthehen në ishull. Kjo shërben për t’i përtërirë tri të krishteret e izoluara që qëndrojnë atje gjatë gjithë vitit. Si rezultat i punës së palodhur të këtyre motrave, Dëshmitarët e Jehovait janë shumë të njohur në Robinson Kruzo. Vërtet, disa ishullarë i janë kundërvënë veprës së tyre dhe përpiqen t’u bëjnë presion të tjerëve që të mos e pranojnë mesazhin e Mbretërisë. Gjithsesi, farërat e së vërtetës biblike të mbjella në zemrat e sinqerta, vazhdojnë të mbijnë.

Forcojnë ata që janë shpëtuar

Një herë në vit, një mbikëqyrës udhëtues viziton ishullin. Ç’përshtypje të bën të vizitosh një grusht Dëshmitarësh në një ishull të largët? Një mbikëqyrës qarkor përshkruan vizitën e tij të parë në Robinson Kruzo:

«Ky udhëtim ishte një ëndërr që bëhej realitet. Filloi në orën 7.00 të mëngjesit, kur lamë Valparaison për të shkuar në Aeroportin Serijos të Santiagos. Hipëm në një avion të vogël shtatëvendësh për pasagjerë. Pas një udhëtimi prej 2 orësh e 45 minutash, pamë nga larg një majë mali që dilte mbi retë. Ndërsa u afruam më shumë, na doli para syve ishulli, një masë mahnitëse shkëmbore në mes të oqeanit. Dukej sikur ai pluskonte në një hapësirë ujore, si një anije e humbur në det.

Pasi u ul avioni, një varkë na çoi në fshat. Aty-këtu, masa shkëmbore që dalin nga deti formojnë ishujth të vegjël që shërbejnë si vende çlodhjeje për fokat me gëzof të Juan Fernándesit. Fokat me gëzof janë një specie e mbrojtur me ligj, sepse numri i tyre është zvogëluar shumë. Papritur, diçka fluturoi anash varkës dhe u zhduk përsëri në det. Ishte një peshk fluturues, pendët palë-palë të të cilit ngjajnë si krahë zogu. Dukej se i pëlqente të kërcente jashtë ujit për të kapur insekte. Sigurisht, disa herë edhe vetë grabitqari bëhet pre, sepse kërcimet e tij mund të tërheqin vëmendjen e grabitqarëve të tjerë që janë gati ta gëlltitin ndërsa futet përsëri në det.

Më në fund, mbërritëm në fshatin San Juan Bautista (Shën Gjon Pagëzori). Në liman kishte shumë ishullarë, të cilët ose pritnin vizitorët, ose thjesht ishin kureshtarë se kush do të vinte kësaj radhe. Na la shumë mbresa panorama e bukur: mali madhështor e i thepisur me emrin El Junka (Kudhra), i shtruar si me kadife të gjelbër të errët dhe, në sfond, një qiell i qartë blu, i kufizuar nga masa resh të bardha.

E dalluam shpejt grupin me motrat tona të krishtere dhe fëmijët e tyre, që po na pritnin në liman. Ishte koha e pushimeve, kështu që grupi ishte më i madh se normalisht. Pasi këmbyem përshëndetje të përzemërta, na çuan në shtëpizën e thjeshtë tërheqëse që do ta quanim shtëpinë tonë për një javë.

Ishte një javë shumë e veçantë dhe e kuptuam se do të kalonte shpejt. Duhej ta përdornim mirë kohën që kishim. Po atë ditë, menjëherë pas dreke, vizituam një studente biblike, e cila së shpejti do të bëhej motra jonë frymore dhe pjesë e parajsës frymore të Perëndisë. Ajo rrezatonte nga gëzimi, por ishte edhe një çikë në ankth. Synimi i pagëzimit, që ajo e kishte pritur nga shumë kohë, po afrohej. Shqyrtuam disa informacione të nevojshme me të, që të mund të kualifikohej si lajmëtare e lajmit të mirë. Ditën tjetër, mori pjesë në veprën e predikimit për herën e parë. Ditën e tretë, filluam të shqyrtonim së bashku kërkesat për pagëzim. Para se të mbaronte java, ajo ishte pagëzuar.

Në mbledhjet e mbajtura gjatë javës pati mjaft të pranishëm dhe maksimumi ishte 14 veta. Çdo ditë, bëheshin rregullime për shërbimin në fushë, rivizita, studime biblike dhe për vizita baritore. Sa inkurajim ishte për motrat që kryejnë aktivitetin e tyre të vetme gjatë gjithë vitit!»

Ka qenë më e vështirë për burrat në ishull të reagojnë ndaj së vërtetës, ndoshta për shkak të kërkesave të rënda të punës. Puna kryesore është kapja e karavidheve, punë që kërkon shumë përkushtim. Edhe paragjykimi luan rol në reagimin negativ të shumë vetave. Megjithatë, shpresohet që në të ardhmen të reagojnë më shumë ishullarë, burra e gra.

Deri tani, dhjetë individë janë shpëtuar në ishull, duke njohur të vërtetën dhe qëllimet e Perëndisë Jehova. Disa prej tyre tashmë janë larguar nga ishulli për arsye të ndryshme. Por sido që të jetë, nëse qëndrojnë apo jo, shpëtimi i tyre frymor ka qenë shumë më domethënës se shpëtimi i Aleksandër Selkërkut. Tani ata gëzojnë një parajsë frymore, kudo që të jetojnë. Motrat që jetojnë ende në ishull, bashkë me fëmijët e tyre, gëzojnë një mjedis ngjashëm një kopshti, por më shumë se kaq, kanë perspektivën për të jetuar kur e gjithë toka të jetë një parajsë e vërtetë në çdo kuptim të fjalës.

Vepra e shpëtimit vazhdon

Nga ana gjeografike, ky grup i vogël Dëshmitarësh të Jehovait në Robinson Kruzo, jeton shumë larg motrave dhe vëllezërve të tjerë frymorë. Megjithatë, nuk ndihen të braktisur, siç u ndie skocezi Selkërk. Me anë të vërshimit të vazhdueshëm të literaturës teokratike, të videove të asambleve dhe të kongreseve që dërgohen nga dega e Shoqatës Watch Tower në Kili tri herë në vit, si edhe me vizitën vjetore të mbikëqyrësit qarkor, ato mbajnë kontakte të ngushta me organizatën e Jehovait. Prandaj, vazhdojnë të jenë pjesë aktive e ‘gjithë shoqërisë së vëllezërve në botë’.​—1 Pjetrit 5:9, BR.

[Shënimi]

^ par. 2 Zyrtarisht ishulli quhet Más a Tierra.

[Hartat dhe figura në faqen 9]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

KILI

Santiago

ISHULLI ROBINSON KRUZO

San Juan Bautista

El Junka

OQEANI PAQËSOR

ISHULLI SANTA KLARA

[Figura]

Ndërsa ishulli del para syve, shihet një masë mahnitëse shkëmbore në mes të oqeanit

[Burimi]

Hartë e Kilit: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Figura në faqet 8, 9]

Mali madhështor e i thepisur i quajtur El Junka (Kudhra)

[Figura në faqen 9]

Fshati San Juan Bautista (Shën Gjon Pagëzori)

[Figura në faqen 9]

Ishujth të vegjël shërbejnë si vende çlodhjeje për fokat me gëzof dhe për luanët e detit

[Figura në faqen 10]

Fluturuam me një avion të vogël nga Santiago, Kili

[Figura në faqen 10]

Bregu i thepisur i ishullit Robinson Kruzo

[Figura në faqen 10]

Salla e thjeshtë e Mbretërisë në ishull