Barinj të krishterë, ‘zgjeroni zemrën tuaj’!
Barinj të krishterë, ‘zgjeroni zemrën tuaj’!
«ZOTI [Jehovai] është Bariu im, asgjë nuk do të më mungojë.» Me këto fjalë, Davidi shprehu sigurinë e plotë që kishte te Perëndia i tij. Duke folur në kuptimin frymor, Jehovai e udhëhiqte atë në «kullota me bar të njomë» dhe «pranë ujërave që të çlodhin», duke e drejtuar «nëpër shtigjet e drejtësisë». Kur ishte i rrethuar nga kundërshtarët, Davidi merrte mbështetje dhe inkurajim, të cilat e nxitnin t’i thoshte Jehovait: ‘Nuk kam frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua.’ Duke pasur një Bari të tillë Suprem, Davidi ishte i vendosur të ‘banonte në shtëpinë e Zotit ditë të gjata’.—Psalmi 23:1-6.
Edhe Biri i vetëmlindur i Perëndisë e përjetoi kujdesin e dashur të Jehovait dhe e pasqyroi në mënyrë të përsosur këtë kujdes në marrëdhëniet e tij me dishepujt, gjatë qëndrimit në tokë. Prandaj, Shkrimet i referohen atij si «bariu i mirë», ‘bariu i madh’ dhe «kryebariu».—Gjoni 10:11; Hebrenjve 13:20; 1 Pjetrit 5:2-4.
Jehovai dhe Jezu Krishti vazhdojnë t’i kullotin ata që i duan. Fakti që po e bëjnë këtë kullotje shprehet, pjesërisht, në masën e dashur që kanë marrë duke caktuar nënbarinj në kongregacion. Pavli iu drejtua këtyre nënbarinjve, kur tha: «Tregoni kujdes, pra, për veten tuaj dhe për të gjithë tufën, në mes të së cilës fryma e shenjtë ju ka vënë ju kujdestarë që të kullotni kishën [kongregacionin, BR] e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e [Birit të, BR] tij.»—Veprat 20:28.
Kullotja e kopesë në përputhje me modelin që ka lënë Jehovai dhe Krishti Jezu nuk është një punë e lehtë, por tani është më jetësore se kurrë më parë. Mendoni për më shumë se një milion Dëshmitarët që janë pagëzuar tre vjetët e fundit! Këta të rinj nuk kanë një të kaluar frymore që vjen nga vite të tëra aktiviteti. Mendoni, gjithashtu, për ata Dëshmitarë që janë ende fëmijë ose adoleshentë. Ata kanë nevojë për vëmendje jo vetëm nga prindërit, por edhe nga nënbarinjtë e kongregacionit.
Në fakt, çdo i krishterë është objekt presionesh të jashtme, duke përfshirë edhe presionin nga bashkëmoshatarët. Të gjithë duhet të luftojnë për t’i rezistuar shtytjes së fortë për të ndjekur shtegun e vetëkënaqësisë që ndjek bota. Në disa vende, lajmëtarët e Mbretërisë mund të shkurajohen për shkak të mungesës së përgjigjes ndaj mesazhit të tyre. Shumë lajmëtarë kanë probleme të rënda shëndetësore. Vështirësitë financiare mund të jenë duke u grabitur të tjerëve nxitjen që të kërkojnë së pari Mbretërinë. Në fakt, që të gjithë—duke përfshirë edhe ata që kanë një kohë të gjatë në të vërtetën—kemi nevojë dhe meritojmë ndihmën e barinjve të dashur.
Motivimi i duhur
Të krishterët e shekullit të parë morën këshillën: ‘Zgjeroni zemrën tuaj!’ (2 Korintasve 6:11-13, BR) Pleqtë e krishterë bëjnë mirë ta ndjekin këtë këshillë kur kujdesen për detyrat e tyre si barinj. Si mund ta bëjnë këtë? Ç’të themi për shërbëtorët ndihmës, shumë prej të cilëve mund të jenë pleq në të ardhmen?
Nëse pleqtë e krishterë duan të jenë bekim për kopenë, duhet të motivohen jo thjesht nga një ndjenjë detyre. Ata këshillohen: «Kulloteni kopenë e Perëndisë që është lënë në kujdesin tuaj, jo me detyrim po vullnetarisht; as nga dashuria për fitim të pandershëm, por me zell.» (1 Pjetrit 5:2, BR) Prandaj, kullotja e efektshme përfshin gatishmërinë dhe zellin për t’u shërbyer të tjerëve. (Gjoni 21:15-17) Do të thotë që t’i kuptojnë nevojat e deleve dhe të jenë të shpejtë për të reaguar. Do të thotë që në marrëdhëniet me të tjerët të shfaqin cilësitë e shkëlqyera të krishtere që njihen si frytet e frymës së Perëndisë.—Galatasve 5:22, 23.
Disa herë, kullotja përfshin vizita te vëllezërit në shtëpitë e tyre. * Por barinjtë që ‘e zgjerojnë zemrën e tyre’ e shpenzojnë vetveten. Domethënë, bëjnë më shumë sesa vizita baritore me raste. Ata përfitojnë nga çdo mundësi për të kullotur të tjerët në kope.
Stërvitini të tjerët të bëhen barinj
Çdo vëlla, pavarësisht nga mosha, i cili «synon detyrën e mbikëqyrësit, . . . dëshiron një punë të shkëlqyer». (1 Timoteut 3:1, BR) Shumë shërbëtorë ndihmës kanë shfaqur një gatishmëri për të synuar për privilegje të mëtejshme. Kështu, pleqtë i ndihmojnë me gëzim këta vëllezër që janë të gatshëm për të marrë këtë hap të rëndësishëm duke ‘synuar detyrën e mbikëqyrësit’. Kjo do të thotë t’i stërvitin ata për t’u bërë barinj të efektshëm.
Duke qenë se i përmbahet ngushtësisht normave të larta të Perëndisë, kongregacioni i krishterë i Jehovait nuk është dobësuar nga barinj të rremë, si ata të përshkruar tek Ezekieli 34:2-6. Ata ishin të përbuzshëm në sytë e Jehovait, dhe me të drejtë. Në vend që të ushqenin kopenë, ushqenin veten e tyre. Nuk i forconin të pamundurit, nuk i shëronin të sëmurët, nuk u fashonin plagën atyre me këmbë të thyer ose ta kthenin në kope të hutuarën ose të humburën. Duke vepruar më shumë si ujqër, sesa si barinj, ata i shtypnin delet. Delet e lëna pas dore shpërndaheshin, duke u endur andej-këtej pa asnjë qëllim dhe pa asnjë që të kujdesej për to.—Jeremia 23:1, 2; Nahumi 3:18; Mateu 9:36.
Ndryshe nga ata barinj jobesnikë, barinjtë e krishterë ndjekin shembullin e Jehovait. Ata ndihmojnë për t’i udhëhequr delet në «kullota [frymore] me bar të njomë» dhe pranë «ujërave që të çlodhin». Ata përpiqen t’i drejtojnë «nëpër shtigjet e drejtësisë», duke i ndihmuar të kuptojnë siç duhet Fjalën e Jehovait dhe ta zbatojnë personalisht. Mund ta bëjnë me efektshmëri këtë, sepse janë «të kualifikuar për të mësuar».—1 Timoteut 3:2, BR.
Një pjesë e madhe e mësimit që japin pleqtë bëhet nga podiumi gjatë mbledhjeve të kongregacionit. Megjithatë, pleqtë mësojnë edhe në nivel personal. Sigurisht, disa janë më të aftë për të mësuar në nivel personal, kurse të tjerë kanë më shumë dhunti për të mbajtur fjalime. Por një masë më e vogël aftësie në një aspekt të mësimdhënies nuk e skualifikon medoemos dikë si mësues. Pleqtë mësojnë duke përdorur të gjitha mundësitë që u jepen, duke përfshirë edhe kullotjen. Një pjesë e kullotjes bëhet në mënyrë formale, për shembull, në vizitat e organizuara. Por një pjesë e mirë e kullotjes mund të bëhet në një mënyrë më joformale, e cila sjell, gjithashtu, shumë dobi.
Barinj dhe mësues në çdo kohë
Një mjeku i duhet njohuri dhe përvojë që të kryejë punën e tij. Por pacientët e vlerësojnë kur ai u tregon dashamirësi, dhembshuri, shqetësim dhe interes të sinqertë. Këto cilësi duhet të jenë pjesë e personalitetit të tij. Në mënyrë të ngjashme, cilësi si këto duhet të bëhen pjesë e personalitetit të një mësuesi dhe bariu të mirë, pjesë e qenies së tij ditë për ditë. Një mësues i vërtetë do të jetë i përgatitur për të udhëzuar ata që e rrethojnë, sa herë të jetë e nevojshme. «Sa e mirë është fjala që thuhet në kohën e duhur!»—thuhet te Fjalët e urta 15:23. ‘Koha e duhur’ mund të jetë kur ai flet nga podiumi, kur predikon nga shtëpia në shtëpi ose kur është duke biseduar në Sallën e Mbretërisë apo në telefon. Në mënyrë të ngjashme, një bari i mirë përpiqet të shfaqë cilësi të mira e të dashura në çdo kohë, jo vetëm kur është duke bërë vizita baritore. Duke qenë se e ka ‘zgjeruar zemrën e tij’, do të përfitojë nga çdo mundësi për t’i kullotur delet, duke u dhënë kujdesin që u nevojitet, në kohën e duhur. Kjo e bën të dashur në sytë e deleve.—Marku 10:43.
Volfgangu, tani një plak, kujton një vizitë shoqërore që i bëri familjes së tij një shërbëtor ndihmës me gruan e vet. Ai thotë: «Fëmijëve u pëlqeu shumë vëmendja që iu kushtua dhe koha e këndshme që kaluam. Akoma flasin për të.» Po, ky shërbëtor ndihmës tregoi se interesohej për të tjerët, në fakt, po ‘zgjeronte zemrën e tij’.
Një mundësi tjetër për të ‘zgjeruar zemrën’ është të vizitoni të sëmurët, t’u dërgoni një letër të shkurtër inkurajimi ose t’i merrni në telefon, pra, ndonjë gjë që t’u bëjë të kuptojnë se interesoheni për ta. Ofroni ndihmë kur është e nevojshme. Nëse duan të flasin, dëgjojini me vëmendje. Flitni për aktivitete teokratike pozitive dhe entuziazmuese në kongregacionin vendës dhe gjetkë. Ndihmojini të përqendrohen në të ardhmen e lavdishme që është rezervuar për ata që e duan Jehovain.—2 Korintasve 4:16-18.
Përveç vizitave baritore
Duke mbajtur në mend qëllimin e kullotjes, është e qartë se të bëhen vizita formale baritore në shtëpitë e vëllezërve, edhe pse e rëndësishme, është vetëm një pjesë e asaj që përfshihet. Një bari i dashur ‘e zgjeron zemrën e tij’ duke qenë i afrueshëm në çdo rrethanë dhe në çdo kohë. Marrëdhënia e përzemërt që kultivon me vëllezërit i siguron ata se, në kohë të Psalmi 23:4.
rrezikshme, nuk duhet të kenë frikë nga asnjë e keqe, duke e ditur se vëllai i tyre i dashur, bariu i krishterë, kujdeset për ta.—Po, të gjithë ju barinj të krishterë, ‘zgjeroni zemrat tuaja’! Shfaqni dashuri të sinqertë për vëllezërit tuaj: inkurajojini, freskojini e ndërtojini frymësisht në çdo mënyrë që të mundeni. Ndihmojini që të jenë të palëkundur në besim. (Kolosianëve 1:23) Të bekuara me barinj të krishterë që ‘zgjerojnë zemrën e tyre’, deleve nuk do t’u mungojë asgjë. Ato do të jenë të vendosura, ashtu siç ishte Davidi, të banojnë në shtëpinë e Jehovait gjatë gjithë ditëve. (Psalmi 23:1, 6) Çfarë mund të dëshironte më tepër një bari i dashur?
[Shënimi]
^ par. 10 Sugjerime për vizitat baritore mund të gjenden në Kullën e Rojës, 15 shtator 1993, faqet 20-23, anglisht, dhe 15 mars 1996, faqet 24-27.
[Kutia në faqen 30]
Barinjtë e krishterë
• Shërbejnë me zell e me gatishmëri
• Ushqejnë kopenë dhe kujdesen për të
• Ndihmojnë të tjerët që të synojnë të jenë barinj
• Vizitojnë të sëmurët dhe kujdesen për ta
• Janë vigjilentë për t’i ndihmuar vëllezërit e tyre në çdo kohë
[Figurat në faqen 31]
Qoftë në shërbimin në fushë, në mbledhje, qoftë në raste shoqërore, pleqtë janë gjithnjë barinj