Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shembuj të mirë: A po nxirrni dobi prej tyre?

Shembuj të mirë: A po nxirrni dobi prej tyre?

Shembuj të mirë: A po nxirrni dobi prej tyre?

‘U BËTË shembull për të gjithë besimtarët e Maqedonisë dhe të Akaisë.’ Apostulli Pavël ua shkroi këto fjalë të krishterëve besimplotë që jetonin në Selanik. Shembulli që lanë ata për bashkëbesimtarët ishte vërtet për t’u lavdëruar. Megjithatë, vetë selanikasit po i përgjigjeshin shembullit që kishin lënë Pavli dhe bashkëpunëtorët e tij. Pavli tha: «Ungjilli ynë nuk erdhi deri te ju vetëm me fjalë, por edhe me fuqi dhe me frymë të shenjtë dhe me shumë bindje; ju e dini se si jemi sjellë në mes tuaj për hirin tuaj. Dhe ju u bëtë imituesit tanë.»​—1 Thesalonikasve 1:5-7.

Po, Pavli nuk mbante vetëm fjalime, por bënte më shumë. Vetë jeta e tij kishte ndikim frymëzues, domethënë, ishte një shembull besimi, qëndrueshmërie dhe vetësakrifikimi. Për shkak të kësaj, Pavli dhe bashkëpunëtorët e tij ushtruan një ndikim të fuqishëm në jetën e selanikasve, duke i nxitur që të pranonin të vërtetën «në mes të një pikëllimi [shtrëngimesh, BR] të madh». Por, Pavli dhe bashkëpunëtorët e tij nuk ishin kurrsesi i vetmi ndikim pozitiv tek ata besimtarë. Edhe shembulli i të tjerëve që duronin shtrëngime ishte inkurajues. Pavli u shkroi selanikasve: «Ju, o vëllezër, u bëtë imituesit e kishave [kongregacioneve, BR] të Perëndisë që janë në Jude në Jezu Krishtin, sepse edhe ju keni vuajtur nga ana e bashkëkombësve tuaj të njëjtat gjëra, sikurse edhe ata kanë vuajtur nga judenjtë.»​—1 Thesalonikasve 2:14.

Krishti Jezu​—Shembulli më i shquar

Ndonëse Pavli vetë kishte lënë një shembull që ia vlente ta imitoje, ai, patjetër, e vuri theksin te Jezu Krishti si shembulli kryesor që të krishterët duhet të ndjekin. (1 Thesalonikasve 1:6) Krishti ishte dhe është Shembulli ynë më i shquar. Apostulli Pjetër shkroi: «Për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij.»​—1 Pjetrit 2:21.

Megjithatë, Jezui e mbaroi jetën e tij si njeri pothuajse 2000 vjet më parë. Tani ai «rri në dritë të paafrueshme» si një krijesë e pavdekshme frymore. Si të tillë, «asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as mund ta shohë» atë. (1 Timoteut 6:16) Atëherë, si mund ta imitojmë? Një mënyrë është duke studiuar katër tregimet e Biblës që flasin për jetën e Jezuit. Ungjijtë sigurojnë mendjehollësi për personalitetin, drejtimin e jetës dhe ‘qëndrimin mendor’ të tij. (Filipianëve 2:5-8, BR) Mendjehollësi të mëtejshme mund të fitojmë duke studiuar me kujdes librin Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë, i cili i trajton ngjarjet e jetës së Jezuit me hollësi dhe në rrjedhën kronologjike. *

Shembulli vetësakrifikues i Jezuit pati një efekt të fuqishëm te apostulli Pavël. Ai u tha të krishterëve korintas: «Sa për veten time, unë do të shpenzoj me gëzim dhe do të shpenzohem për shpirtrat tuaja.» (2 Korintasve 12:15) Sa qëndrim i ngjashëm me atë të Krishtit! Ndërsa meditojmë për shembullin e përsosur të Krishtit, edhe ne duhet të nxitemi ta imitojmë atë në jetën tonë.

Për shembull, Jezui na mësoi se duhet të mbështetemi te premtimi i Perëndisë për të na siguruar gjërat materiale. Por ai bëri më shumë se kaq. E tregoi këtë besim dhe siguri te Jehovai çdo ditë. Ai tha: «Dhelprat i kanë strofkat dhe zogjtë e qiellit i kanë çerdhet, por Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën.» (Mateu 6:25; 8:20) A i sundojnë shqetësimet materialiste mendimet dhe veprimet tuaja? Apo jeta juaj jep dëshmi se po kërkoni Mbretërinë në radhë të parë? Ç’të themi për qëndrimin ndaj shërbimit të Jehovait? A është ai si qëndrimi i Shembullit tonë, Jezuit? Bibla tregon se Jezui jo vetëm që i nxiti të tjerët të tregojnë zell, por edhe vetë tregoi zell të flaktë në shumë raste. (Gjoni 2:14-17) Më tej, sa shembull të shkëlqyer la Jezui kur bëhej fjalë për dashurinë! E pra, ai sakrifikoi vetë jetën e tij për dishepujt! (Gjoni 15:13) A po e imitoni Jezuin duke u treguar dashuri vëllezërve tuaj të krishterë? Apo lejoni që papërsosmëritë e disave ta pengojnë dashurinë tuaj për ta?

Gjatë përpjekjeve për të ndjekur shembullin e Krishtit, shpesh do të dështojmë. Por, sigurisht, Jehovai kënaqet me përpjekjet tona për t’u ‘veshur me Zotin Jezu Krisht’.​—Romakëve 13:14.

«Shembuj për kopenë»

A ka sot individë në kongregacion që mund të shërbejnë si shembuj për ne? Patjetër që ka! Veçanërisht vëllezërit në pozita të emëruara përgjegjësie duhet të lënë shembullin e tyre. Pavli i tha Titit, i cili u shërbente kongregacioneve në Kretë dhe emëronte mbikëqyrës, se çdo plak i emëruar duhet të jetë një «burrë që është i lirë nga akuzat». (Titit 1:5, 6, BR) Në mënyrë të ngjashme apostulli Pjetër i këshilloi «pleqtë» të bëheshin «shembuj për kopenë». (1 Pjetrit 5:1-3, BR) Ç’të themi për ata që shërbejnë si shërbëtorë ndihmës? Edhe ata duhet të jenë «burra që shërbejnë në mënyrë të shkëlqyer».​—1 Timoteut 3:13, BR.

Sigurisht, nuk është realiste të presim që çdo plak ose çdo shërbëtor ndihmës të jetë i aftë në mënyrë të jashtëzakonshme në çdo aspekt të shërbimit të krishterë. Pavli u tha të krishterëve në Romë: ‘Kemi dhunti të ndryshme sipas hirit që na u dha.’ (Romakëve 12:6) Vëllezër të ndryshëm shkëlqejnë në fusha të ndryshme. Nuk është e arsyeshme të presim që pleqtë të bëjnë e të thonë çdo gjë në mënyrë të përsosur. «Të gjithë gabojmë në shumë gjëra,​—thotë Bibla te Jakobit 3:2.​—Në qoftë se dikush nuk gabon në të folur, është njeri i përsosur, dhe është gjithashtu i aftë t’i vërë fre gjithë trupit.» Gjithsesi, pavarësisht nga papërsosmëritë e tyre, pleqtë, ashtu si Timoteu, mund të bëhen prapëseprapë «shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në frymë, në besim dhe në dëlirësi». (1 Timoteut 4:12) Kur pleqtë veprojnë kështu, ata të kopesë do të zbatojnë me gatishmëri këshillën e Hebrenjve 13:7, ku thuhet: «Kujtoni ata që marrin drejtimin mes jush . . . dhe ndërsa soditni se si rezulton sjellja e tyre, imitoni besimin e tyre.»​—BR.

Shembuj të tjerë të ditëve moderne

Gjatë disa dekadave të fundit, shumë e shumë të tjerë kanë treguar se janë shembuj të mirë. Ç’të themi për mijëra misionarë vetësakrifikues që kanë «lënë . . . shtëpi, vëllezër, motra, atë, nënë, . . . bij ose ara» për të përmbushur detyrën e krishterë në territore të huaja? (Mateu 19:29) Kini parasysh, gjithashtu, mbikëqyrësit udhëtues dhe gratë e tyre, burrat dhe gratë që shërbejnë si vullnetarë në zyrat e Shoqatës Watch Tower dhe pionierët që u shërbejnë kongregacioneve. A mund t’i motivojnë shembuj të tillë të tjerët? Një ungjilltar i krishterë në Azi kujton një misionar nga klasa e tetë e Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. Ai tha se ky vëlla besnik ishte «i gatshëm të përballonte ushtritë e mushkonjave dhe lagështirën mbytëse. . . . Akoma më mbresëlënëse ishte aftësia e tij për të bërë prezantime në gjuhët kineze dhe malaje, ndonëse ishte nga Anglia». Efekti i këtij shembulli të shkëlqyer? Vëllai tha: «Qetësia dhe siguria e tij më frymëzuan që të dëshiroja të bëhesha misionar kur të rritesha.» S’është për t’u habitur që ky vëlla u bë vërtet misionar.

Indeksi i Botimeve Watch Tower përmban një listë me shumë jetëshkrime që janë botuar në revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Këto histori flasin për individë që kanë braktisur karrierat dhe synimet e tyre në botë, kanë kapërcyer dobësi, kanë bërë transformime rrënjësore të personalitetit, kanë mbajtur një qëndrim pozitiv përballë vështirësive dhe kanë shfaqur papërtueshmëri, qëndrueshmëri, besnikëri, përulësi dhe një frymë vetëmohuese. Një lexuese shkroi për këto tregime: «Kur lexoj atë që kanë kaluar ata, më bën të jem një e krishterë më e përulur dhe më mirënjohëse, dhe më ka ndihmuar të mos mendoj tepër për veten ose të mos jem egoiste.»

Përveç kësaj, mos harroni shembujt e shkëlqyer në kongregacionin tuaj: kryefamiljarë që kujdesen me besnikëri për nevojat materiale dhe frymore të familjeve të tyre; motra, duke përfshirë edhe nënat e vetme, që përballojnë presionet e rritjes së fëmijëve, ndërkohë që kanë prapëseprapë një pjesëmarrje aktive në shërbim; të moshuar e të sëmurë që vazhdojnë besnikë, me gjithë dobësitë dhe shëndetin e dobët. A nuk ju prekin këta shembuj?

Kuptohet, bota është plot me shembuj të këqinj. (2 Timoteut 3:13) Megjithatë, shqyrtoni thirrjen që u bëri Pavli të krishterëve që jetonin në Jude. Pasi foli për sjelljen shembullore të shumë burrave dhe grave me besim në lashtësi, apostulli Pavël i nxiti: «Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmitarësh, . . . le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh, duke i drejtuar sytë te Jezui, kreu dhe plotësonjësi i besimit.» (Hebrenjve 12:1, 2) Edhe të krishterët sot janë të rrethuar nga ‘një re e madhe’ shembujsh të mirë: të kohëve të lashta dhe të ditëve moderne. A po nxirrni vërtet dobi prej tyre? Mund të nxirrni dobi, nëse jeni të vendosur të ‘mos imitoni të keqen, por të mirën’.​—3 Gjonit 11.

[Shënimi]

^ par. 6 Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

[Diçitura në faqen 20]

Nuk është realiste të presim që çdo plak ose shërbëtor ndihmës të jetë jashtëzakonisht i aftë në çdo aspekt të shërbimit të krishterë

[Figurat në faqen 21]

Pleqtë duhet të jenë «shembuj për kopenë»