Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të mbjellim farërat e së vërtetës së Mbretërisë

Të mbjellim farërat e së vërtetës së Mbretërisë

Të mbjellim farërat e së vërtetës së Mbretërisë

«Në mëngjes mbille farën tënde dhe deri në mbrëmje mos e lër dorën të pushojë.»​—EKLISIASTIU 11:6, BR.

1. Në ç’kuptim po mbjellin farë të krishterët sot?

BUJQËSIA luante rol jetësor në shoqërinë e lashtë hebraike. Ja përse Jezui, i cili të gjithë jetën si njeri e kaloi në Tokën e Premtuar, përfshiu tema bujqësore në ilustrimet e tij. Për shembull, ai e krahasoi predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë me mbjelljen e farës. (Mateu 13:1-9, 18-23; Luka 8:5-15) Edhe sot e kësaj dite, kudo që të jetojmë, në një shoqëri bujqësore ose jo, mbjellja e farës frymore në këtë mënyrë është vepra më e rëndësishme që bëjnë të krishterët.

2. Sa e rëndësishme është vepra jonë e predikimit dhe cilat janë disa gjëra që po bëhen sot për ta kryer këtë vepër?

2 Është një privilegj i madh të marrim pjesë në mbjelljen e së vërtetës biblike në këtë kohë të fundit. Te Romakëve 10:14, 15 është shprehur mirë rëndësia e kësaj vepre: «Si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon? Dhe si do të predikojnë pa qenë të dërguar? Siç është shkruar: ‘Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin paqen, që shpallin lajme të mira!’» Nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme se sot, të ngulmojmë përpara me një qëndrim pozitiv për të përmbushur këtë detyrë që na ka dhënë Perëndia. Për këtë arsye, Dëshmitarët e Jehovait janë angazhuar plotësisht në prodhimin dhe shpërndarjen e Biblave dhe të botimeve ndihmëse për studimin e Biblës në 340 gjuhë. Përgatitja e këtij materiali kërkon më shumë se 18 000 vullnetarë në selinë botërore dhe në zyrat e degëve në vende të ndryshme. Veç kësaj, pothuajse gjashtë milionë Dëshmitarë marrin pjesë në shpërndarjen e kësaj literature biblike përreth botës.

3. Çfarë po kryhet nëpërmjet mbjelljes të së vërtetës së Mbretërisë?

3 Cilat janë frytet e kësaj pune të palodhur? Ashtu si në ditët e hershme të krishterimit, shumë veta sot po e përqafojnë të vërtetën. (Veprat 2:41, 46, 47) Gjithsesi, më i rëndësishëm se numri i madh i lajmëtarëve të sapopagëzuar të Mbretërisë është fakti se kjo dëshmi e madhe i kontribuon shenjtërimit të emrit të Jehovait dhe shfajësimit të tij si Perëndia i vetëm i vërtetë. (Mateu 6:9) Më tej, njohuria e Fjalës së Perëndisë po përmirëson jetën e shumë njerëzve dhe mund të çojë në shpëtimin e tyre.​—Veprat 13:47.

4. Deri në çfarë mase ishin të interesuar apostujt për njerëzit të cilëve u predikonin?

4 Apostujt ishin plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë jetëdhënëse të lajmit të mirë dhe ushqenin ndjenja të thella pozitive ndaj atyre të cilëve u predikonin. Kjo është e qartë nga fjalët e apostullit Pavël, kur shkroi: «Duke pasur një dashuri të madhe ndaj jush, ishim të kënaqur duke ju komunikuar jo vetëm ungjillin e Perëndisë, por edhe vetë jetën tonë, sepse na u bëtë të dashur.» (1 Thesalonikasve [Selanikasve] 2:8) Duke shfaqur një interesim të tillë të sinqertë për njerëzit, Pavli dhe apostujt e tjerë po imitonin Jezuin dhe engjëjt qiellorë, të cilët janë shumë të përfshirë në këtë vepër jetëshpëtuese. Le të rishikojmë rolet e rëndësishme që luajnë këta shërbëtorë qiellorë të Perëndisë në mbjelljen e së vërtetës së Mbretërisë dhe le të shohim se si na inkurajon shembulli i tyre për të përmbushur rolin tonë.

Jezui​—Mbjellësi i së vërtetës së Mbretërisë

5. Në cilën vepër u angazhua kryesisht Jezui kur ishte në tokë?

5 Jezui, një njeri i përsosur, kishte fuqinë për t’u siguruar shumë gjëra të mira, në aspektin material, njerëzve të kohës së tij. Për shembull, mund të kishte qartësuar shumë koncepte të gabuara mjekësore të ditëve të tij ose mund të kishte çuar më tej kuptueshmërinë njerëzore në shkenca të tjera. Megjithatë, ai e bëri të qartë që në fillim të shërbimit të tij se detyra e tij ishte të predikonte lajmin e mirë. (Luka 4:17-21) Gjithashtu, aty nga fundi i shërbimit të tij shpjegoi: «Për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën.» (Gjoni 18:37) Kështu, ai u angazhua tërësisht në mbjelljen e farërave të së vërtetës së Mbretërisë. T’u mësonte bashkëkohësve të tij për Perëndinë dhe për qëllimet e Tij ishte më e rëndësishme se çdo njohuri tjetër që Jezui mund t’u kishte dhënë.​—Romakëve 11:33-36.

6, 7. (a) Cilin zotim të jashtëzakonshëm mori Jezui para se të ngrihej në qiell dhe si po e përmbush atë? (b) Si ndikon te ju personalisht qëndrimi i Jezuit ndaj veprës së predikimit?

6 Jezui iu referua në mënyrë të tërthortë vetes si Mbjellësi i së vërtetës së Mbretërisë. (Gjoni 4:35-38) Ai përhapi farëra të lajmit të mirë në çdo rast. Edhe kur ishte duke vdekur në shtyllë, ai shpalli lajmin e mirë për një parajsë të ardhme tokësore. (Luka 23:43) Për më tepër, interesimi i tij i thellë që lajmi i mirë të predikohej nuk mbaroi me vdekjen e tij në shtyllën e mundimeve. Para se të ngrihej në qiell, ai i urdhëroi apostujt të vazhdonin të mbillnin farërat e së vërtetës së Mbretërisë dhe të bënin dishepuj. Pastaj, Jezui bëri një premtim të jashtëzakonshëm. Ai tha: «Ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës [të sistemit të gjërave, BR].»​—Mateu 28:19, 20.

7 Me këto fjalë, Jezui mori një zotim për të mbështetur, për të drejtuar dhe për të ruajtur veprën e predikimit të lajmit të mirë «gjithë ditët deri në mbarim të sistemit të gjërave». Deri sot e kësaj dite, Jezui vazhdon të tregojë interes personal për veprën e ungjillëzimit. Ai është Udhëheqësi ynë, që ka në ngarkim veprën e mbjelljes të së vërtetës së Mbretërisë. (Mateu 23:10) Si Kreu i kongregacionit të krishterë, ai është përgjegjës para Jehovait për këtë vepër mbarëbotërore.​—Efesianëve 1:22, 23; Kolosianëve 1:18.

Engjëjt shpallin sihariqe

8, 9. (a) Si kanë shfaqur engjëjt interes të madh për çështjet njerëzore? (b) Në cilin kuptim mund të thuhet se jemi si një shfaqje teatrale për engjëjt?

8 Kur Jehovai krijoi tokën, engjëjt «këndonin të gjithë së bashku dhe . . . lëshonin britma gëzimi». (Jobi 38:4-7) Që nga ajo kohë, këto krijesa qiellore kanë shfaqur interes të madh për çështjet njerëzore. Jehovai i ka përdorur për t’u përcjellë njerëzve shpalljet hyjnore. (Psalmi 103:20) Kjo është veçanërisht e vërtetë në lidhje me përhapjen e lajmit të mirë në ditët tona. Në zbulesën që iu dha, apostulli Gjon pa një «engjëll . . . që fluturonte në mes të qiellit», i cili kishte «ungjillin e përjetshëm, që t’ua predikojë [t’ua shpallë si sihariq, BR] banorëve të dheut dhe çdo kombi, dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli, dhe thoshte me zë të madh: ‘Druani Perëndinë dhe i jepni lavdi, sepse ora e gjyqit të tij erdhi’».​—Zbulesa 14:6, 7.

9 Bibla u referohet engjëjve si «frymëra shërbenjës, që dërgohen për të shërbyer për të mirën e atyre që kanë për të trashëguar shpëtimin». (Hebrenjve 1:14) Ndërsa kryejnë me zell detyrat që u janë caktuar, engjëjt kanë mundësinë të na vëzhgojnë ne dhe veprën tonë. Si në një skenë shumë të dukshme teatri, ne e kryejmë veprën përballë një auditori qiellor. (1 Korintasve 4:9) Sa të vë në mendime dhe të drithëron dijenia se nuk po punojmë të vetëm si mbjellës të së vërtetës së Mbretërisë!

E përmbushim me zell rolin tonë

10. Si mund të zbatohet për veprën tonë të ungjillëzimit këshilla praktike e Predikuesit 11:6?

10 Përse Jezui dhe engjëjt janë kaq të interesuar për veprën tonë? Jezui dha një arsye kur tha: «Po ju them: do të ketë gëzim në mes të engjëjve të Perëndisë për një mëkatar të vetëm që pendohet.» (Luka 15:10) Edhe ne kemi një interes të tillë të sinqertë për njerëzit. Prandaj, bëjmë më të mirën për t’i përhapur farërat e së vërtetës së Mbretërisë kudo. Fjalët e Predikuesit 11:6 mund të zbatohen për veprën tonë. Aty Bibla na këshillon: «Mbille farën tënde në mëngjes dhe në mbrëmje mos e lër dorën tënde të pushojë, sepse ti nuk e di se cili nga të dy do të dalë më mirë; ky apo ai, apo do të jenë të mirë që të dy.» Kuptohet, për çdo person që pranon mesazhin tonë mund të ketë qindra ose edhe mijëra që e hedhin poshtë atë. Por, ashtu si engjëjt, ne gëzohemi edhe kur «një mëkatar i vetëm» pranon mesazhin e shpëtimit.

11. Sa i efektshëm mund të jetë përdorimi i botimeve të bazuara në Bibël?

11 Në predikimin e lajmit të mirë përfshihen shumë gjëra. Një ndihmë e rëndësishme në këtë vepër është materiali i shtypur që përdorin Dëshmitarët e Jehovait, i cili është i bazuar në Bibël. Në disa aspekte, edhe këto botime janë si farëra që shpërndahen kudo. Nuk e dimë se ku do të kenë sukses ato. Disa herë, një botim mund të kalojë nëpër disa duar, para se dikush ta lexojë. Madje, Jezui dhe engjëjt ndoshta i drejtojnë ngjarjet në disa raste për të bërë që të ndodhë kjo, për dobinë e personave me zemër të drejtë. Shqyrtoni disa përvoja që ilustrojnë si mund të nxjerrë Jehovai rezultate të papritura dhe të mrekullueshme, duke përdorur literaturën që u është lënë njerëzve.

Vepra e Perëndisë së vërtetë

12. Si shërbeu një revistë e vjetër për ta ndihmuar një familje që të njihte Jehovain?

12 Në vitin 1953, Roberti, Lila dhe fëmijët e tyre u transferuan nga një qytet i madh në një shtëpi ferme të vjetër e të rrënuar, në zonën rurale të Pensilvanisë, SHBA. Pak kohë pas transferimit, Roberti vendosi të instalonte një banjë poshtë shkallëve të mbyllura me dërrasa. Pasi hoqi disa dërrasa, pa që pas murit minjtë kishin grumbulluar copëza letrash, lëvozhga arre bosh dhe mbeturina të tjera. Atje, mes gjithë këtyre, gjendej një kopje e revistës Epoka e artë. Robertit iu duk veçanërisht interesant një artikull që trajtonte temën e rritjes së fëmijëve. I bëri kaq shumë përshtypje drejtimi i qartë, i bazuar në Bibël, që jepte revista, saqë i tha Lilës se do të bashkoheshin me «fenë e Epokës së artë». Brenda pak javësh, Dëshmitarët e Jehovait trokitën në deren e tyre, por Roberti u tha se familja ishte e interesuar vetëm për «fenë e Epokës së artë». Dëshmitarët i shpjeguan se Epoka e artë tani kishte një titull të ri, Zgjohuni! Roberti dhe Lila filluan të studionin Biblën rregullisht me Dëshmitarët dhe pas ca kohësh u pagëzuan. Nga ana e tyre, ata i mbollën farërat e së vërtetës te fëmijët e tyre dhe patën të korra të bollshme. Sot, më shumë se 20 pjesëtarë të kësaj familjeje, duke përfshirë të shtatë fëmijët e Robertit dhe të Lilës, janë shërbëtorë të pagëzuar të Perëndisë Jehova.

13. Çfarë e shtyu një çift në Porto-Riko që të zhvillonte interesin për Biblën?

13 Rreth 40 vjet më parë, Uilliami dhe Ada, një çift nga Porto-Riko, nuk ishin të interesuar për të studiuar Biblën. Sa herë që Dëshmitarët e Jehovait u trokitnin në derë, ata bënin sikur nuk ishin në shtëpi. Një ditë, Uilliami shkoi në një vend ku shiteshin gjëra të përdorura, për të blerë një send që i duhej për një riparim në shtëpi. Kur po largohej, vuri re një libër me ngjyrë jeshile në të verdhë të hapur, i cili gjendej në një kazan të madh plehrash. Ishte libri Feja, i botuar nga Dëshmitarët e Jehovait në vitin 1940. Uilliami e mori me vete librin dhe u drithërua kur lexoi për ndryshimin midis fesë së rreme dhe asaj të vërtetë. Herën tjetër kur i vizituan Dëshmitarët e Jehovait, Uilliami dhe Ada e dëgjuan me kënaqësi mesazhin e tyre dhe filluan të studionin Biblën me ta. Disa muaj më vonë u pagëzuan në Asamblenë Ndërkombëtare «Vullneti Hyjnor», në vitin 1958. Që nga ajo kohë, kanë ndihmuar më shumë se 50 individë që të bëhen pjesë e vëllazërisë sonë të krishterë.

14. Siç tregohet nga një përvojë, çfarë potenciali ka literatura jonë e bazuar në Bibël?

14 Karli ishte vetëm 11 vjeç dhe disi i prapë si fëmijë. Atij i dukej sikur e fuste veten gjithnjë në telashe. I ati, një predikues metodist gjerman, i kishte mësuar se njerëzit e këqinj, pas vdekjes, digjen në ferr. Kështu që Karli kishte shumë frikë nga ferri. Një ditë, në vitin 1917, Karli pa në rrugë një copë letre me një mesazh të shtypur dhe e ngriti. Ndërsa po e lexonte, sytë i shkuan menjëherë te pyetja: «Çfarë është ferri?» Letra ishte ftesë për të dëgjuar një fjalim publik me temën e ferrit, fjalim i organizuar nga Studentët e Biblës, të njohur sot si Dëshmitarët e Jehovait. Rreth një vit më vonë, pas disa seancave me studim biblik, Karli u pagëzua, duke u bërë, kështu, një Student i Biblës. Në vitin 1925, mori ftesën për të punuar në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait, ku shërben akoma. Një karrierë e krishterë, që përfshin më shumë se tetë dekada, filloi me një copë letre të gjetur në rrugë.

15. Çfarë mund të bëjë Jehovai, në mënyrën që sheh të përshtatshme?

15 Vërtet, është përtej aftësisë njerëzore të përcaktojë nëse dhe deri në çfarë mase engjëjt ishin të përfshirë drejtpërdrejt në këto përvoja. Megjithatë, nuk duhet të dyshojmë kurrë se Jezui dhe engjëjt luajnë një rol aktiv në veprën e predikimit dhe se Jehovai mund t’i drejtojë gjërat siç e sheh të përshtatshme. Këto dhe shumë përvoja të tjera të ngjashme ilustrojnë potencialin për mirë që mund të ketë literatura jonë, pasi ua lëmë njerëzve.

Na është besuar një thesar

16. Çfarë mund të mësojmë nga fjalët e 2 Korintasve 4:7?

16 Apostulli Pavël foli për një «thesar në enë balte». Ky thesar është detyra që na ka dhënë Perëndia për të predikuar dhe enët e baltës janë njerëzit të cilëve Jehovai u ka besuar këtë thesar. Meqë këta njerëz janë të papërsosur dhe të kufizuar, Pavli vazhdon të thotë se ngarkimi i tyre me këtë detyrë sjell si rezultat që «fuqia përtej asaj që është normale të jetë e Perëndisë dhe jo ajo që vjen nga ne». (2 Korintasve 4:7, BR) Po, mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na japë fuqinë e duhur që të na aftësojë të kryejmë veprën që kemi në dorë.

17. Çfarë do të hasim ndërsa mbjellim farërat e së vërtetës së Mbretërisë dhe përse duhet të mbajmë, sidoqoftë, një qëndrim pozitiv?

17 Shpesh na duhet të bëjmë sakrifica. Të punosh në disa territore mund të jetë jo e rehatshme ose e vështirë. Ka zona ku pjesa më e madhe e njerëzve duken jashtëzakonisht apatikë, e, madje, armiqësorë. Në këto zona mund të bëhen shumë përpjekje pa ndonjë sukses të dukshëm. Por asnjë përpjekje nuk është tepër e madhe, kur rrezikohet kaq shumë. Mbani mend, farërat që mbillni mund t’u japin njerëzve lumturi tani, si edhe një jetë të përhershme në të ardhmen. Fjalët e Psalmit 126:6 kanë dalë të vërteta shumë herë: «Vërtet ecën duke qarë ai që mban farën që do të mbillet, por ai do të kthehet me këngë gëzimi duke sjellë duajt e tij.»

18. Si mund t’i kushtojmë vëmendje të vazhdueshme shërbimit tonë dhe përse duhet ta bëjmë këtë?

18 Le të përfitojmë nga çdo rast i përshtatshëm për të mbjellë farërat e së vërtetës së Mbretërisë pa u kursyer. Të mos harrojmë kurrë se, ndonëse jemi ne ata që mbjellin dhe ujitin farërat, është Jehovai që i bën të rriten. (1 Korintasve 3:6, 7) Megjithatë, ashtu si Jezui dhe engjëjt bëjnë pjesën e tyre të veprës, Jehovai pret që edhe ne ta kryejmë shërbimin tonë në mënyrë të plotë. (2 Timoteut 4:5) T’i kushtojmë vëmendje të vazhdueshme mësimdhënies, qëndrimit dhe zellit tonë në shërbim! Përse? Pavli përgjigjet: «Duke vepruar kështu, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.»​—1 Timoteut 4:16.

Çfarë kemi mësuar?

• Në cilat mënyra po sjell rezultate të mira vepra jonë e mbjelljes?

• Si janë të përfshirë Jezu Krishti dhe engjëjt në veprën e ungjillëzimit sot?

• Përse duhet të jemi të pakursyer si mbjellës të së vërtetës së Mbretërisë?

• Çfarë duhet të na motivojë për të ngulmuar, kur hasim apati ose armiqësi në shërbimin tonë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 15]

Ashtu si bujqit në Izraelin e lashtë, të krishterët sot i shpërndajnë pa kursim farërat e së vërtetës së Mbretërisë

[Figura në faqet 16, 17]

Dëshmitarët e Jehovait prodhojnë dhe shpërndajnë në 340 gjuhë një shumëllojshmëri të madhe botimesh të bazuara në Bibël