Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A jeni ndikuar nga cinikët?

A jeni ndikuar nga cinikët?

A jeni ndikuar nga cinikët?

«CINIKU është një person që nuk shikon kurrë ndonjë cilësi të mirë te një njeri, por nuk e lë kurrë pa e parë një të keqe. Është një buf njerëzor, vigjilent në errësirë dhe i verbër në dritë, që kërkon vjedhurazi për parazitë dhe nuk e sheh kurrë gjahun e mirë.» Thonë që këtë pohim e ka bërë kleriku amerikan i shekullit të 19-të Henri Uard Biçër. Shumë veta mund të mendojnë se ky pohim përshkruan me saktësi frymën e njerëzve të sotëm cinikë. Por fjala «cinik» e ka zanafillën në Greqinë e lashtë, ku nuk përkufizonte thjesht dikë që shfaqte një qëndrim të tillë. Për shekuj të tërë, kjo fjalë i referohej një shkolle filozofësh.

Si u zhvillua filozofia e cinikëve? Çfarë mësonin ata? A do të ishin të dëshirueshme te një i krishterë tiparet e cinikëve?

Cinikët e lashtë: origjina dhe bindjet e tyre

Greqia e lashtë ishte një vatër diskutimesh dhe debatesh. Gjatë shekujve që i paraprinë erës sonë, njerëz si Sokrati, Platoni dhe Aristoteli propozuan filozofitë që i bënë ata të famshëm. Mësimet e tyre patën një ndikim të thellë te njerëzit dhe këto ide i gjejmë ende në kulturën perëndimore.

Sokrati (470-399 p.e.s.) argumentonte se lumturia e qëndrueshme nuk duhet gjetur në rendjen pas gjërave materiale ose në plotësimin e kënaqësive sensuale. Ai pohonte se lumturia e vërtetë vjen nga një jetë që i përkushtohet kërkimit të virtytit. Sokrati e konsideronte virtytin si të mirën më të lartë. Për të arritur këtë synim, ai refuzonte lukset materiale dhe përpjekjet e panevojshme, pasi mendonte se këto do ta shpërqendronin. Përqafoi thjeshtësinë dhe vetëmohimin, duke bërë një jetë të thjeshtë dhe kursimtare.

Sokrati zhvilloi një stil të mësuari që njihet si metoda e Sokratit. Ndërkohë që shumica e mendimtarëve paraqitnin një ide dhe jepnin argumentet që e mbështetnin atë, Sokrati bënte të kundërtën. Ai dëgjonte teoritë e filozofëve të tjerë dhe përpiqej të ekspozonte të metat në idetë e tyre. Kjo metodë inkurajonte një qëndrim kritik dhe përçmues ndaj të tjerëve.

Ndër ithtarët e Sokratit ishte edhe një filozof me emrin Antisten (rreth 445-365 p.e.s). Ai dhe disa të tjerë e çuan një hap më përpara mësimin themelor të Sokratit, duke thënë se virtyti ishte e vetmja e mirë. Për ta, ndjekja e kënaqësive nuk ishte thjesht një shpërqendrim, por një formë e së ligës. Duke u bërë jashtëzakonisht anti-shoqërorë, ata shfaqnin përçmim të madh për njerëzit e tjerë. U bënë të njohur si cinikët. Emri cinik mund të ketë ardhur nga një fjalë greke (kynikosʹ) që përshkruante sjelljen e tyre të zymtë dhe arrogante. Fjala do të thotë «si qen». *

Ndikimi në mënyrën e tyre të jetesës

Ndonëse elemente të tilla të filozofisë së cinikëve, si kundërvënia ndaj materializmit dhe rehatidashjes, mund të jenë konsideruar si të lavdërueshme në vetvete, cinikët i çuan në ekstrem idetë e tyre. Kjo është e dukshme në jetën e cinikut më të njohur: filozofit Diogjen.

Diogjeni lindi në vitin 412 p.e.s. në Sinop, një qytet në Detin e Zi. Së bashku me babanë u transferua në Athinë, ku ra në kontakt me mësimet e cinikëve. Mësuesi i Diogjenit ishte Antisteni dhe ai u përpi i gjithi nga filozofia e cinikëve. Sokrati bënte një jetë të thjeshtë dhe Antisteni një jetë të rreptë. Kurse Diogjeni bëri një jetë prej asketi. Thuhet se për të theksuar refuzimin e rehative materiale, Diogjeni jetoi për njëfarë kohe në një sternë.

Duke kërkuar të mirën më të lartë, thonë se Diogjeni ka ecur nëpër Athinë në mes të ditës me një llambë të ndezur, duke kërkuar një person të virtytshëm! Një sjellje e tillë tërhiqte vëmendjen dhe ishte një nga mjetet me anë të të cilave mësonin Diogjeni dhe cinikët e tjerë. Thuhet se Aleksandri i Madh e pyeti një herë Diogjenin cila ishte dëshira e tij më e madhe. Diogjeni i është përgjigjur se donte thjesht që Aleksandri të spostohej që të mos i pengonte dritën e diellit.

Diogjeni dhe cinikët e tjerë jetonin si lypës. Nuk kishin kohë për marrëdhëniet normale njerëzore dhe i hidhnin poshtë detyrimet civile. Të ndikuar ndoshta nga metoda e argumentimit e Sokratit, ata zhvilluan një mungesë të theksuar respekti për të tjerët. Diogjeni u bë i njohur për sarkazmën e tij therëse. Cinikët fituan reputacionin që ishin «si qen», por vetë Diogjenit i vunë nofkën Qeni. Vdiq rreth vitit 320 p.e.s., kur ishte afro 90 vjeç. Mbi varrin e tij u ngrit një monument mermeri, ku ishte skalitur një qen.

Disa aspekte të filozofisë cinike u përvetësuan nga shkolla të tjera mendimi. Megjithatë, me kalimin e kohës, sjelljet e çuditshme të Diogjenit dhe të ithtarëve të mëvonshëm ia ulën vlerën shkollës së cinikëve. Në fund, ajo u zhduk fare.

Cinikët e sotëm: a duhet të keni tiparet e tyre?

The Oxford English Dictionary e përshkruan një person cinik të ditëve të sotme si «një person që është gati të shajë ose të gjejë të meta. . . . Një që shfaq prirjen për të mos i besuar sinqeritetit ose mirësisë së motiveve dhe të veprimeve njerëzore dhe që është mësuar ta shprehë këtë me përqeshje dhe sarkazëm; një përqeshës që kërkon të gjejë të meta». Këto tipare janë të dukshme në botën që na rrethon, por, sigurisht, nuk janë në harmoni me personalitetin e krishterë. Shqyrtoni mësimet vijuese dhe parimet e Biblës.

«Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi. Ai nuk grindet [nuk do të vazhdojë të gjejë të meta, BR] përjetë dhe nuk e ruan zemërimin gjithnjë.» (Psalmi 103:8, 9) Të krishterëve u është thënë të ‘bëhen imitues të Perëndisë’. (Efesianëve 5:1) Nëse Perëndia i Plotfuqishëm zgjedh të shfaqë mëshirë dhe shumë dashamirësi, në vend që të jetë ‘gati për të sharë e për të gjetur të meta’, patjetër që të krishterët duhet të përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë.

Jezu Krishti, paraqitja e saktë e Jehovait, ‘na la një model, që të ndjekim me kujdes gjurmët e tij’. (1 Pjetrit 2:21; Hebrenjve 1:3) Disa herë, Jezui i demaskoi mashtrimet fetare dhe dëshmoi për veprat e liga të botës. (Gjoni 7:7) Megjithatë, tha fjalë lavdëruese për njerëzit e sinqertë. Për shembull, ai tha për Natanaelin: «Shihni, pa dyshim një izraelit, në të cilin nuk ka mashtrim.» (Gjoni 1:47) Kur Jezui kryente mrekulli, disa herë përqendrohej në besimin e atij të cilit i bënte mrekullinë. (Mateu 9:22) Dhe kur disa menduan se dhurata e çmueshmërisë që i bëri një grua ishte e tepërt, Jezui nuk qe cinik për motivet e saj, por tha: «Kudo që do të predikohet lajmi i mirë në mbarë botën, edhe ajo që bëri kjo grua do të tregohet në përkujtim të saj.» (Mateu 26:6-13) Jezui ishte një mik i besueshëm dhe një shok i dashur i ithtarëve të tij, ‘duke i dashur deri në fund’.​—Gjoni 13:1.

Meqë ishte i përsosur, Jezui mund të kishte gjetur me lehtësi të meta te njerëzit e papërsosur. Megjithatë, në vend që të shfaqte një frymë mosbesuese dhe të kërkonte për të gjetur të metat, ai kërkoi t’i freskonte njerëzit.​—Mateu 11:29, 30.

«[Dashuria] beson çdo gjë.» (1 Korintasve 13:7) Ky pohim është në kontrast të drejtpërdrejtë me prirjen e cinikëve, të cilët vënë në dyshim motivet dhe veprimet e të tjerëve. Sigurisht, bota është plot me njerëz që kanë motive të fshehta, kështu që nevojitet kujdes. (Fjalët e urta 14:15) Gjithsesi, dashuria është e gatshme të besojë, sepse është mirëbesuese, jo dyshuese aty ku nuk është vendi.

Perëndia i do dhe u beson shërbëtorëve të tij. Ai i njeh kufizimet e tyre edhe më mirë se vetë ata. Megjithatë, Jehovai nuk e trajton kurrë popullin e tij me dyshim dhe nuk pret nga ata më shumë sesa mund të bëjnë në mënyrë të arsyeshme. (Psalmi 103:13, 14) Për më tepër, Perëndia kërkon të gjejë të mirën te njerëzit dhe, në mënyrë mirëbesuese, u jep privilegje dhe autoritet shërbëtorëve të tij besnikë, ndonëse të papërsosur.​—1 Mbretërve 14:13; Psalmi 82:6.

«Unë, Zoti, hetoj zemrën, vë në provë mendjen për t’i dhënë secilit sipas rrugëve të tij, sipas frytit të veprimeve të tij.» (Jeremia 17:10) Jehovai mund ta lexojë me saktësi zemrën e një personi. Ne nuk mundemi. Prandaj, duhet të jemi të kujdesshëm kur u atribuojmë të tjerëve disa motive.

Nëse lejojmë që një frymë cinike të zërë rrënjë te ne dhe me kohë të mbizotërojë mendimet tona, kjo mund të krijojë ndarje midis nesh dhe bashkëbesimtarëve. Mund të prishë paqen e kongregacionit të krishterë. Prandaj, le të ndjekim shembullin e Jezuit, i cili ishte realist, por pozitiv në marrëdhëniet me dishepujt e tij. Ai u bë miku i tyre i besuar.​—Gjoni 15:11-15.

«Ashtu siç dëshironi t’ju bëjnë njerëzit juve, edhe ju bëjuni atyre po ashtu.» (Luka 6:31) Ekzistojnë shumë mënyra për ta zbatuar këtë këshillë të Jezu Krishtit. Për shembull, që të gjithë preferojmë të na flasin me dashamirësi dhe me respekt. Atëherë, patjetër që duhet të shprehemi ne vetë në një mënyrë dashamirëse dhe me respekt. Edhe kur Jezui demaskoi me forcë mësimet e rreme të udhëheqësve fetarë, nuk e bëri kurrë këtë në mënyrë cinike.​—Mateu 23:13-36.

Mënyra për të luftuar cinizmin

Nëse kemi provuar zhgënjime, mund të jetë e lehtë që të lejojmë të ndikohemi nga cinizmi. Këtë prirje mund ta luftojmë duke çmuar faktin që Jehovai e trajton në mënyrë mirëbesuese popullin e tij të papërsosur. Kjo mund të na ndihmojë t’i pranojmë adhuruesit e tjerë të Perëndisë ashtu siç janë: njerëz të papërsosur që përpiqen të bëjnë atë që është e drejtë.

Përvojat e dhimbshme mund t’i bëjnë disa njerëz që të mos u besojnë të tjerëve. Vërtet, nuk është e mençur të vëmë gjithë besimin tonë te njerëzit e papërsosur. (Psalmi 146:3, 4) Megjithatë, në kongregacionin e krishterë shumë veta duan sinqerisht të jenë burim inkurajimi. Vetëm mendoni për mijëra personat që janë si nëna, baballarë, motra, vëllezër dhe fëmijë për ata që kanë humbur familjen e tyre. (Marku 10:30) Mendoni se sa shumë veta e tregojnë se janë miq të vërtetë në kohë ankthi. *​—Fjalët e urta 18:24.

Ithtarët e Jezuit nuk i identifikon cinizmi, por dashuria vëllazërore, sepse ai tha: «Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Prandaj, le të tregojmë dashuri dhe le të përqendrohemi në cilësitë e mira të të bashkëkrishterëve. Kjo do të na ndihmojë të shmangim tiparet e cinikëve.

[Shënimet]

^ par. 8 Një mundësi tjetër është që emri cinik vjen nga Kynoʹsarges, një palestër në Athinë ku mësonte Antisteni.

^ par. 27 Shih artikullin me titull «Kongregacioni i krishterë: një burim ndihme forcuese», në Kullën e Rojës, 15 maj 1999.

[Figura në faqen 21]

Ciniku më i njohur, Diogjeni

[Burimi]

Nga libri Great Men and Famous Women