Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund të ketë jeta juaj më shumë domethënie?

A mund të ketë jeta juaj më shumë domethënie?

A mund të ketë jeta juaj më shumë domethënie?

VLERA e vërtetë e diçkaje nuk është gjithnjë ajo që duket. Bankënota me vlerë më të madhe që ka dalë në Shtetet e Bashkuara kishte vlerën 10 000 dollarë. Gjithsesi, letra mbi të cilën është shtypur kjo bankënotë vlen vetëm disa centë.

A e keni pyetur ndonjëherë veten nëse disa copa letre që kanë pak vlerë në vetvete mund t’i japin domethënie të vërtetë jetës suaj? Shumë veta mendojnë se po. Miliona njerëz punojnë natë e ditë për të fituar sa më shumë para që të munden. Disa herë, rendja pas parave për ta nënkupton të sakrifikojnë shëndetin, miqtë e madje edhe familjen. Me çfarë dobie? A munden paratë ose gjërat që blejmë me to, të sjellin kënaqësi reale dhe të qëndrueshme?

Sipas kërkuesve, sa më shumë të kërkojmë kënaqësi të bazuar në zotërimet materiale, aq më pak mundësi ka që ta gjejmë atë. Gazetari Alfi Kon nxjerr përfundimin se «kënaqësia nuk është në shitje. . . . Njerëzit për të cilët pasuria është përparësi në jetë, kanë prirjen të provojnë një masë të pazakontë ankthi dhe depresioni, si edhe një nivel më të ulët të përgjithshëm mbarëvajtjeje».​—International Herald Tribune.

Ndonëse kërkuesit mund ta kuptojnë se një jetë domethënëse kërkon diçka të ndryshme nga paratë, shumë njerëz e mendojnë ndryshe. Kjo nuk na habit, po të kemi parasysh se ata që jetojnë në vendet perëndimore mund të bombardohen me rreth 3000 reklama në ditë. Çfarëdo gjëje që të reklamohet, një makinë ose një ëmbëlsirë, ideja që fshihet pas tyre është: ‘Blije këtë produkt dhe do të jesh më i lumtur.’

Cila është pasoja e nxitjes së pandalshme të vlerave materiale? E pra, shpesh ato që shpërfillen janë vlerat frymore. Sipas një raporti në revistën Newsweek, kryepeshkopi i Këlnit, Gjermani, deklaroi kohët e fundit se «në shoqërinë tonë, Perëndia nuk është më argument bisede».

Ndoshta ju ia keni kushtuar pothuajse të gjitha energjitë tuaja sigurimit të jetesës. Mbase mendoni se keni pak kohë për të bërë ndonjë gjë tjetër. Megjithatë, ndonjëherë mund ta ndieni se jeta duhet të jetë më shumë sesa vrapimi i pafund nëpër një rutinë monotone, derisa shëndeti ose mosha t’ju kërkojë të ndaleni.

A mund të gjeni më shumë kënaqësi po t’i kushtoni më tepër vëmendje gjërave frymore? Çfarë do t’i jepte jetës suaj më shumë domethënie?