Ata që e duan Jehovain, janë të çmuar për të
Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Ata që e duan Jehovain, janë të çmuar për të
LIBANI është dalluar që në kohët biblike për burimet e tij natyrore. (Psalmi 72:16; Isaia 60:13) Veçanërisht të vlerësuar ishin cedrat e tij madhështorë, të cilët ishin shumë të kërkuar si material ndërtimi për shkak të bukurisë, të aromës dhe të rezistencës së tyre. Në shekullin e parë, nga Libani erdhi diçka më e çmuar. Ungjilli i Markut raporton se nga Tiri dhe Sidoni, në territorin e lashtë të Libanit, ‘një shumicë e madhe, me të dëgjuar se sa gjëra po bënte [Jezui], erdhi tek ai’.—Marku 3:8.
Në mënyrë të ngjashme sot, Libani vazhdon të sjellë fryte që janë shumë të çmuara në sytë e Jehovait. Përvojat vijuese e theksojnë këtë.
• Një të riu Dëshmitar me emrin Uisam, i cili shkonte në shkollë, iu kërkua të mbante një fjalim prej 30 minutash para klasës. Uisami mendoi se kjo do të ishte një mundësi e shkëlqyer për të dhënë dëshmi. Prandaj, përdori librin Jeta: Si erdhi këtu? Me evolucion apo me krijim? dhe përgatiti një fjalim për argumentin e krijimit. Gjithsesi, pasi e pa materialin, mësuesi i Uisamit tha se, meqë ishte një argument kaq i rëndësishëm, Uisami mund ta zgjaste fjalimin 45 minuta.
Sapo Uisami filloi fjalimin, mësuesi e ndërpreu dhe dërgoi të thërritnin drejtoreshën. Ajo erdhi shpejt dhe Uisami e filloi nga e para. Ndërsa dëgjonte pyetjet që Uisami ngriti në hyrje të fjalimit të tij, drejtoresha u entuziazmua dhe tha se të gjithë studentët duhet të merrnin një fotokopje të fjalimit.
Pak më vonë, një mësues tjetër që po kalonte andej, vuri re entuziazmin në klasë dhe pyeti çfarë po ndodhte. Kur i treguan, ai pyeti nëse Uisami po përpiqej të provonte krijimin apo evolucionin. «Krijimin»,—ishte përgjigjja. Kur mësoi se Uisami ishte Dëshmitar i Jehovait, mësuesi i tha klasës: «Nga fjalimi i tij do të kuptoni se shkenca mbështet krijimin, jo evolucionin.»
U mor vesh se ky mësues kishte një kopje të librit Krijimi dhe po e përdorte për të dhënë leksione në universitet. Para se të largohej, ai pyeti nëse mund të kthehej një ditë më pas, bashkë me studentët e tij, në mënyrë që Uisami të fliste para kësaj klase. Kjo solli si rezultat një dëshmi tjetër të shkëlqyer për Jehovain.
• Nina njëzetedyvjeçare ishte e etur për ujërat e së vërtetës. Një ditë, kushëriri i saj i dha një Bibël dhe e futi në Kishën Pentekostale. Nina e lexoi Biblën me kënaqësi dhe nga ky lexim mësoi se të krishterët duhet të predikojnë, kështu që filloi t’u fliste atyre që njihte. Të gjithë ata që u fliste e pyetnin: «Mos je gjë Dëshmitare e Jehovait?» Kjo gjë e habiste.
Gjashtë vjet më vonë, Dëshmitarët e Jehovait predikuan në shtëpinë e Ninës dhe i folën për Mbretërinë e Perëndisë. Fillimisht, ajo u përpoq të gjente të meta te mësimet e tyre. Megjithatë, zbuloi se të gjitha përgjigjet e tyre ishin logjike dhe të bazuara në Bibël.
Ajo që mësoi Nina me kalimin e kohës: emrin e Perëndisë, Jehova; bekimet e Mbretërisë e të tjera, e bindën se kishte gjetur të vërtetën. Ia dedikoi jetën Perëndisë dhe u pagëzua. Gjatë shtatë viteve të kaluara, Nina ka shërbyer si ungjilltare në kohë të plotë. Tamam, Jehovai i bekon ata që kanë dashuri të vërtetë për të.—1 Korintasve 2:9.