Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mendjemadhësia çon në çnderim

Mendjemadhësia çon në çnderim

Mendjemadhësia çon në çnderim

«A erdhi mendjemadhësia? Atëherë do të vijë çnderimi, por mençuria është me modestët.»​—PROVERBAT 11:2, BR.

1, 2. Çfarë është mendjemadhësia dhe në ç’mënyra ka çuar në shkatërrim?

NJË levit smirëkeq udhëheq një turmë rebele kundër autoriteteve të emëruara nga Jehovai. Një princ ambicioz sajon një plan dinak për të uzurpuar fronin e të atit. Një mbret i paduruar shpërfill udhëzimet e qarta të profetit të Perëndisë. Këta tre izraelitë kanë një karakteristikë të përbashkët: mendjemadhësinë.

2 Mendjemadhësia është një karakteristikë zemre që përbën një rrezik të madh për të gjithë. (Psalmi 19:13) Personi mendjemadh merr guximin të veprojë lirisht, pa pasur autorizimin për ta bërë këtë. Shpesh, kjo çon në shkatërrim. Në fakt, mendjemadhësia ka rrënuar mbretër dhe ka rrëzuar perandori të tëra. (Jeremia 50:29, 31, 32; Danieli 5:20) Madje, ka zënë në kurth edhe disa shërbëtorë të Jehovait dhe i ka çuar në rrënim.

3. Si mund të mësojmë për rreziqet e mendjemadhësisë?

3 Bibla ka arsye të vlefshme kur thotë: «A erdhi mendjemadhësia? Atëherë do të vijë çnderimi, por mençuria është me modestët.» (Proverbat [Fjalët e urta] 11:2, BR) Bibla na tregon shembuj që konfirmojnë vërtetësinë e këtij proverbi. Duke shqyrtuar disa prej tyre, do të ndihmohemi të kuptojmë rrezikun që vjen kur kapërcehen kufijtë e duhur. Prandaj, le të shqyrtojmë se si smira, ambicia dhe padurimi i bënë tre burrat e përmendur në hyrje të artikullit, të vepronin me mendjemadhësi, e cila çoi në çnderimin e tyre.

Koreu​—Një rebel smirëkeq

4. (a) Kush ishte Koreu dhe në cilat ngjarje historike ka marrë pjesë, pa dyshim? (b) Në vitet e tij të vonshme, cilin veprim famëkeq nxiti Koreu?

4 Koreu ishte një levit kohathit, kushëri i parë i Moisiut dhe i Aaronit. Me sa duket, i kishte qëndruar besnik Jehovait për dekada. Koreu kishte pasur privilegjin të ishte mes atyre që u çliruan me anë të një mrekullie nëpër Detin e Kuq dhe, me sa duket, kishte marrë pjesë në ekzekutimin e gjykimit të Jehovait kundër izraelitëve që adhuronin viçin, në malin Sinai. (Eksodi [Dalja] 32:26) Por, në fund, Koreu u bë kryetari i një revolte kundër Moisiut dhe Aaronit, revoltë ku u përfshinë edhe rubenitët Datan, Abiram dhe On, si edhe 250 prijës izraelitë. * «Mjaft më me ju,​—i thanë ata Moisiut dhe Aaronit,​—sepse tërë asambleja është e shenjtë, secili nga anëtarët e tij dhe Zoti është në mes tyre; pse, pra, ngriheni mbi asamblenë e Zotit?»​—Numrat 16:1-3.

5, 6. (a) Përse u rebelua Koreu kundër Moisiut dhe Aaronit? (b) Përse mund të thuhet se ka të ngjarë që Koreu të ketë nënvlerësuar vendin e tij në rregullimin e Perëndisë?

5 Përse u rebelua Koreu, pas kaq viteve që kishte jetuar besimplotë? Patjetër, Moisiu nuk e udhëhiqte Izraelin në mënyrë shtypëse, sepse ai ishte «një njeri shumë zemërbutë, më tepër se kushdo mbi faqen e dheut». (Numrat 12:3) Megjithatë, duket se Koreu i kishte smirë Moisiun dhe Aaronin, dhe i vinte inat që ata shquheshin. Kjo e çoi të thoshte në mënyrë të gabuar se ata e kishin ngritur veten mbi kongregacionin, duke vepruar me kokën e tyre dhe me egoizëm.​—Psalmi 106:16.

6 Ka shumë të ngjarë që një pjesë e problemit të Koreut ishte se nuk i çmonte privilegjet e tij në rregullimin e Perëndisë. Vërtet, levitët kohathitë nuk ishin priftërinj, por, megjithatë, ishin mësues të Ligjit të Perëndisë. Gjithashtu, ata mbanin pajisjet dhe enët e tabernakullit, kur këto duheshin transportuar. Kjo nuk ishte një detyrë e parëndësishme, sepse enët e shenjta mund t’i mbanin vetëm individë që ishin të pastër nga ana fetare dhe morale. (Isaia 52:11) Prandaj, kur Moisiu u ballafaqua me Koreun, ai, në fakt, po e pyeste: A e konsideron caktimin tënd si diçka kaq të parëndësishme, saqë duhet të sigurosh për vete edhe priftërinë? (Numrat 16:9, 10) Koreu nuk arriti të kuptonte se nderi më i madh është t’i shërbesh Jehovait me besim të plotë në përputhje me rregullimin e tij, jo arritja e ndonjë pozite të veçantë.​—Psalmi 84:10.

7. (a) Si veproi Moisiu me Koreun dhe me njerëzit e tij? (b) Si përfundoi në mënyrë shkatërrimtare rebelimi i Koreut?

7 Moisiu i ftoi Koreun dhe njerëzit e tij që të mblidheshin mëngjesin vijues në tendën e mbledhjes me mbajtëset e zjarrit dhe me temjan. Koreu dhe njerëzit e tij nuk ishin të autorizuar të ofronin temjan, sepse nuk ishin priftërinj. Nëse do të vinin me mbajtëset e zjarrit dhe me temjanin, kjo do të tregonte qartësisht se këta burra ende mendonin që kishin të drejtën të vepronin si priftërinj, edhe pasi të kishin pasur një natë të tërë për t’i shqyrtuar edhe një herë gjërat. Kur u paraqitën mëngjesin vijues, Jehovai shprehu me të drejtë zemërimin e tij. Sa për rubenitët, ‘toka e hapi gojën dhe i gëlltiti’. Pjesa tjetër, duke përfshirë edhe Koreun, u përpi nga zjarri që dërgoi Perëndia. (Ligji i përtërirë 11:6; Numrat 16:16-35; 26:10) Mendjemadhësia e Koreut çoi përfundimisht në çnderim, domethënë, në mosmiratimin e Perëndisë.

T’i rezistojmë ‘prirjes drejt smirës’

8. Si mund të shfaqet ndër të krishterët «një prirje drejt smirës»?

8 Tregimi për Koreun është një paralajmërim për ne. Meqë «një prirje drejt smirës» është e pranishme te njerëzit e papërsosur, ajo mund të shfaqet edhe në kongregacionin e krishterë. (Jakovit 4:5) Për shembull, mund të jemi persona që i japim shumë vëmendje pozitës. Ashtu si Koreu, mund të kemi smirë për ata që kanë privilegje të cilat i dëshirojmë ne. Ose mund të bëhemi si i krishteri i shekullit të parë me emrin Diotref. Ai e kritikonte shumë autoritetin apostolik, me sa duket sepse donte ta kishte vetë përgjegjësinë në dorë. Në fakt, Gjoni shkroi se Diotrefit «i pëlqen të jetë i pari».​—3 Gjonit 9.

9. (a) Cilin qëndrim ndaj përgjegjësive në kongregacion duhet të shmangim? (b) Cila është pikëpamja e duhur për vendin që kemi në rregullimin e Perëndisë?

9 Sigurisht, nuk është e gabuar që një burrë i krishterë të synojë të ketë përgjegjësi në kongregacion. Madje, Pavli e inkurajoi këtë gjë. (1 Timoteut 3:1) Megjithatë, nuk duhet t’i konsiderojmë kurrë privilegjet e shërbimit si shenjë e arritjeve tona, sikur, duke i fituar ato, kemi ngjitur një shkallë më lart në të ashtuquajturën shkallë të suksesit. Kujtoni, Jezui tha: «Kushdo që dëshiron të bëhet i madh mes jush, duhet të jetë shërbëtori juaj dhe kushdo që dëshiron të jetë i pari mes jush, duhet të jetë skllavi juaj.» (Mateu 20:26, 27) Qartë, do të ishte e gabuar të kishim smirë ata që kanë përgjegjësi më të mëdha, sikur vlera jonë para Perëndisë të varej nga «rangu» që kemi në organizatën e tij. Jezui tha: «Ju të gjithë jeni vëllezër.» (Mateu 23:8) Po, qofshin lajmëtarë ose pionierë, të sapopagëzuar ose mbajtës të integritetit nga shumë kohë, që të gjithë ata që i shërbejnë Jehovait me gjithë shpirt kanë një vend të çmuar në rregullimin e tij. (Luka 10:27; 12:6, 7; Galatasve 3:28; Hebrenjve 6:10) Është vërtet një bekim të punojmë krah për krah me miliona veta që po përpiqen të zbatojnë këshillën e Biblës: «Ngjeshuni të gjithë me përulësi mendjeje ndaj njëri-tjetrit.»​—1 Pjetrit 5:5.

Absalomi​—Një oportunist ambicioz

10. Kush ishte Absalomi dhe si u përpoq të fitonte miratimin e atyre që vinin te mbreti për gjykim?

10 Drejtimi i jetës së birit të tretë të mbretit David, Absalomit, siguron një mësim praktik për ambicien. Ky oportunist komplotues u përpoq të fitonte miratimin e atyre që shkonin te mbreti për gjykim. Së pari, ai e hidhte fjalën se Davidi ishte indiferent ndaj nevojave të tyre. Pastaj e hiqte maskën dhe hynte drejt e në temë. «Sikur të më bënin mua gjyqtar të vendit,​—thoshte me ton melodramatik Absalomi,​—kushdo që të kishte një proces apo një çështje do të vinte tek unë dhe unë do t’i siguroja drejtësi.» Propaganda mjeshtërore e Absalomit nuk njihte kufi. «Kur dikush afrohej për të rënë përmbys para tij,​—thotë Bibla,​—ai shtrinte dorën, e merrte dhe e puthte. Absalomi sillej kështu me të gjithë ata të Izraelit që vinin te mbreti për të kërkuar drejtësi.» Me çfarë rezultati? «Absalomi fitoi zemrën e njerëzve të Izraelit.»​—2 Samuelit 15:1-6.

11. Si u përpoq Absalomi të uzurponte fronin e Davidit?

11 Absalomi ishte i vendosur që të uzurponte fronin e të atit. Pesë vjet më parë, ai kishte vrarë djalin e madh të Davidit, Amnonin. Në pamje të parë dukej se e kishte bërë që të hakmerrej për përdhunimin e motrës së vet, Tamarës. (2 Samuelit 13:28, 29) Megjithatë, edhe atëherë Absalomi mund t’i kishte pasur sytë te froni, duke e konsideruar vrasjen e Amnonit si mënyrë të volitshme për të eliminuar një rival. * Sidoqoftë, kur mbërriti koha e duhur, Absalomi bëri lëvizjen e tij. Ai bëri që mbretërimi i tij të shpallej në të gjithë vendin.​—2 Samuelit 15:10.

12. Shpjegoni se si mendjemadhësia e çoi Absalomin në çnderim.

12 Për pak kohë, Absalomi pati sukses, ngaqë «komploti bëhej më i fortë, sepse populli shtohej rreth Absalomit». Me kohë, mbreti David u detyrua t’ia mbathte për të shpëtuar jetën. (2 Samuelit 15:12-17) Gjithsesi, shumë shpejt karriera e Absalomit u ndërpre kur Joabi e vrau, e hodhi në një gropë dhe e mbuloi me gurë. Imagjinoni: këtij njeriu ambicioz, që donte të ishte mbret, kur vdiq nuk iu bë as edhe një varrim siç duhej! * Vërtet, mendjemadhësia e çoi Absalomin në çnderim.​—2 Samuelit 18:9-17.

Të shmangim ambicien egoiste

13. Si mund të zërë rrënjë në zemrën e një të krishteri fryma ambicioze?

13 Ngritja e Absalomit në pushtet dhe rënia e tij e mëvonshme na shërbejnë si mësim. Në botën e sotme të pamëshirshme, është e zakonshme që njerëzit t’u servilosen eprorëve të tyre, duke u përpjekur t’i bëjnë për vete, vetëm e vetëm për të bërë përshtypje tek ata ose ndoshta për të fituar ndonjë lloj privilegji a ngritjeje në përgjegjësi. Në të njëjtën kohë, mund t’u bëjnë komente lavdëruese vartësve, duke shpresuar të fitojnë miratimin dhe mbështetjen e tyre. Nëse nuk jemi të kujdesshëm, kjo frymë ambicioze mund të zërë rrënjë në zemrën tonë. Me sa duket, kjo ndodhi me disa në shekullin e parë, duke bërë të nevojshme që apostujt të jepnin paralajmërime të forta kundër personave të tillë.​—Galatasve 4:17; 3 Gjonit 9, 10.

14. Përse duhet ta shmangim frymën ambicioze, që lartëson vetveten?

14 Jehovai nuk ka vend në organizatën e tij për intrigues që i rritin vlerat vetes, të cilët përpiqen që të ‘kërkojnë lavdinë e tyre’. (Fjalët e urta 25:27) Në fakt, Bibla paralajmëron se ‘Zoti do t’i presë të gjitha buzët lajkatare dhe gjuhën që flet me krenari’. (Psalmi 12:3) Absalomi kishte buzë lajkatare. Ai u fliste gjëra lajkatuese atyre që donte t’u merrte miratimin dhe të gjithë këtë e bënte për të fituar një pozitë autoriteti që e lakmonte. Në kontrast, sa të bekuar jemi që ndodhemi mes një vëllazërie, e cila ndjek këshillën e Pavlit: «Mos [bëni] asgjë nga fryma e grindjes ose nga uni, por me përulësi mendjeje, [mendoni] se të tjerët janë më të lartë se ju.»​—Filipianëve 2:3.

Sauli​—Një mbret i paduruar

15. Si e tregoi për një periudhë Sauli se ishte modest?

15 Kishte një periudhë kur Sauli, i cili më vonë u bë mbret i Izraelit, ishte modest. Shqyrtoni, për shembull, çfarë i ndodhi në vitet e rinisë. Kur Samueli, profeti i Perëndisë, foli në mënyrë të favorshme për të, Sauli u përgjigj me përulësi: «A nuk jam unë një beniaminit, një nga fiset më të vogla të Izraelit? Dhe familja ime a nuk është, vallë më e vogla e gjithë familjeve të fisit të Beniaminit? Pse më flet, pra, në këtë mënyrë?»​—1 Samuelit 9:21.

16. Si shfaqi Sauli një qëndrim të paduruar?

16 Gjithsesi, më vonë modestia e Saulit u zhduk. Kur ishte në luftë me filistejtë, ai u tërhoq në Gilgal, ku duhej të priste që të vinte Samueli dhe t’i lutej Perëndisë me flijime. Kur Samueli nuk erdhi në kohën e caktuar, me mendjemadhësi Sauli e ofroi vetë flijimin e djegur. Sapo kishte mbaruar, mbërriti Samueli. «Çfarë bëre kështu?»​—e pyeti Samueli. Sauli iu përgjigj: «Kur pashë që populli po shpërndahej larg meje, që ti nuk kishe ardhur ditën e caktuar . . . e mblodha veten dhe ofrova olokaustin.»​—1 Samuelit 13:8-12.

17. (a) Në pamje të parë, përse veprimet e Saulit mund të duken të justifikuara? (b) Përse e ndëshkoi Jehovai Saulin për veprimin e tij të paduruar?

17 Në pamje të parë, veprimi i Saulit mund të duket i justifikuar. Në fund të fundit, populli i Perëndisë ishte «në rrezik», «u gjend ngushtë» dhe po dridhej për shkak të situatës së dëshpëruar në të cilën gjendej. (1 Samuelit 13:6, 7) Sigurisht, nuk është e gabuar të merret iniciativa kur rrethanat e përligjin. * Por, mbani në mend se Jehovai mund të lexojë zemrat dhe të perceptojë motivet tona më të brendshme. (1 Samuelit 16:7) Prandaj, ai duhet të ketë parë disa veçori te Sauli që nuk përmenden drejtpërdrejt në tregimin biblik. Për shembull, Jehovai mund të ketë parë që padurimi i Saulit ishte i nxitur nga krenaria. Ndoshta Sauli ishte thellësisht i irrituar që ai, mbreti i tërë Izraelit, duhej të priste dikë që e konsideronte një profet të plakur, i cili i zvarriste gjërat. Sidoqoftë, Sauli mendonte se vonesa e Samuelit i jepte të drejtën t’i rregullonte vetë gjërat dhe të shpërfillte udhëzimet e qarta që i ishin dhënë. Rezultati? Samueli nuk e lavdëroi iniciativën e Saulit. Përkundrazi, e ndëshkoi duke i thënë: «Mbretëria jote nuk ka për të vazhduar, . . . sepse ti nuk ke respektuar atë që Zoti të pati urdhëruar.» (1 Samuelit 13:13, 14) Edhe një herë, mendjemadhësia çoi në çnderim.

Të ruhemi nga padurimi

18, 19. (a) Përshkruaj se si padurimi mund ta bëjë një shërbëtor të Perëndisë në kohët moderne të veprojë me mendjemadhësi. (b) Çfarë duhet të mbajmë në mend për funksionimin e kongregacionit të krishterë?

18 Tregimi për veprimin mendjemadh të Saulit është dokumentuar në Fjalën e Perëndisë për dobinë tonë. (1 Korintasve 10:11) Është e lehtë që të mërzitemi me papërsosmëritë e vëllezërve tanë. Ashtu si Sauli, mund të bëhemi të paduruar, duke menduar që, nëse duam që gjërat të bëhen siç duhet, duhet t’i marrim vetë në dorë. Supozoni, për shembull, që një vëlla shkëlqen në disa aftësi organizative. Është i përpiktë, i përditësuar me procedurat e kongregacionit dhe ka dhunti për të folur e për të mësuar. Në të njëjtën kohë, e ndien se të tjerët nuk janë në lartësinë e normave të hollësishme që ka ai dhe nuk janë po aq të efektshëm, sa do të donte ai. A i jep kjo lejen për të shprehur padurim? A duhet t’i kritikojë vëllezërit e tij, ndoshta duke nënkuptuar se, po të mos ishin përpjekjet e tij, asgjë nuk do të bëhej dot dhe kongregacioni do të dobësohej? Kjo do të ishte mendjemadhësi!

19 Çfarë e mban, në të vërtetë, të bashkuar një kongregacion të krishterësh? Aftësitë drejtuese? Efektshmëria? Njohuria e thellë? Kuptohet, këto gjëra janë të dobishme që një kongregacion të funksionojë sa më mirë. (1 Korintasve 14:40; Filipianëve 3:16; 2 Pjetrit 3:18) Megjithatë, Jezui tha se ithtarët e tij do të identifikoheshin në radhë të parë nga dashuria e tyre. (Gjoni 13:35) Ja përse pleqtë e dashur, ndonëse janë të rregullt, e kuptojnë që kongregacioni nuk është një biznes që ka nevojë për drejtim të ngurtë, por, përkundrazi, është i përbërë nga një kope që ka nevojë për kujdes të butë. (Isaia 32:1, 2; 40:11) Mungesa arrogante e respektit për këto parime shpesh sjell si pasojë grindje. Përkundrazi, rregulli i perëndishëm sjell paqe.​—1 Korintasve 14:33; Galatasve 6:16.

20. Çfarë do të shqyrtohet në artikullin vijues?

20 Tregimet biblike për Koreun, Absalomin dhe Saulin e bëjnë të qartë se mendjemadhësia çon në çnderim, siç thuhet te Proverbat 11:2. Megjithatë, i njëjti varg biblik shton: «Mençuria është me modestët.» Çfarë është modestia? Cilët shembuj nga Bibla mund të na ndihmojnë të hedhim dritë mbi këtë cilësi dhe si mund ta tregojmë sot modestinë? Këto pyetje do të shqyrtohen në artikullin vijues.

[Shënimet]

^ par. 4 Meqë Rubeni ishte i parëlinduri i Jakobit, ata pasardhës të tij që Koreu i shtyu të rebeloheshin, mund të kenë pasur inat që Moisiu, një pasardhës i Levit, kishte autoritet administrativ mbi ta.

^ par. 11 Kileabi, djali i dytë i Davidit, nuk përmendet më pas lindjes. Ka mundësi që të ketë vdekur para rebelimit të Absalomit.

^ par. 12 Në kohët biblike, ceremonia e varrimit të trupit të një të vdekuri ishte një akt me rëndësi të konsiderueshme. Prandaj, të të privonin nga varrimi ishte një e keqe shumë e madhe dhe shpesh ishte shprehje e mosmiratimit të Perëndisë.​—Jeremia 25:32, 33.

^ par. 17 Për shembull, Fineasi ndërmori veprime të shpejta për të ndalur murtajën që vrau dhjetëra mijë izraelitë dhe Davidi i inkurajoi njerëzit e tij të uritur të bashkoheshin me të për të ngrënë nga buka e paraqitjes në «shtëpinë e Perëndisë». Asnjë nga këto veprime nuk u dënua nga Perëndia si veprim mendjemadh.​—Mateu 12:2-4; Numrat 25:7-9; 1 Samuelit 21:1-6.

A ju kujtohet?

• Çfarë është mendjemadhësia?

• Si e bëri smira Korahun të vepronte me mendjemadhësi?

• Çfarë mësojmë nga tregimi për Absalomin ambicioz?

• Si mund ta shmangim frymën e paduruar që shfaqi Sauli?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 10]

Sauli u bë i paduruar dhe veproi me mendjemadhësi