Përse nuk kanë fëmijë?
Përse nuk kanë fëmijë?
DELI dhe Fola, * një çift i martuar, jetonin dhe punonin në zyrën e degës së Shoqatës Watch Tower në Nigeri. Pak kohë pasi filluan të shërbenin aty, u erdhi për vizitë mamaja e Folës. Ajo kishte bërë një udhëtim të gjatë për të folur për një çështje që e shqetësonte shumë, çështje që e kishte lënë net të tëra pa gjumë.
«Ju bëni gjëra kaq të mira për mua,—u tha ajo.—Më dërgoni dhurata, më bëni vizita. I çmoj shumë këto shprehje dashurie. Por, edhe më shqetësojnë, sepse pyes gjithnjë veten se kush do t’ju bëjë gjëra të tilla kur të jeni në moshën time? Keni dy vjet që jeni martuar dhe nuk keni fëmijë. A nuk mendoni se është koha ta lini Bethelin dhe të ngrini familje?»
Mamaja bënte këtë arsyetim: Deli dhe Fola kanë kaluar mjaft kohë në Bethel. Tani është koha të mendojnë për të ardhmen e tyre. Sigurisht, do të ketë njerëz të tjerë për të bërë punën që bëjnë ata. Nuk ka nevojë që Deli dhe Fola ta lënë shërbimin e plotkohor, por mund të ndërmarrin një aspekt tjetër shërbimi, i cili do t’i lejojë të kenë fëmijë dhe të provojnë gëzimin që vjen kur je prind.
Shqetësimi i mamasë
Shqetësimi i mamasë ishte i kuptueshëm. Dëshira për të pasur fëmijë është e rrënjosur thellë dhe e zakonshme për çdo kulturë dhe kohë. Lindja e fëmijëve sjell ndjenja të thella gëzimi dhe shprese. «Fryti i barkut është një shpërblim»,—thotë Bibla. Po, aftësia për të pasur fëmijë është një dhuratë e çmuar nga Krijuesi ynë i dashur.—Psalmi 127:3.
Në shumë shoqëri, çiftet e martuara hasin shumë presione shoqërore që të kenë fëmijë. Për shembull, në Nigeri, ku mesatarisht një grua lind gjashtë fëmijë, është e zakonshme që nëpër dasma të dëgjohen dashamirësit që u thonë të sapomartuarve: «Pas nëntë muajsh, presim të dëgjojmë një foshnjë që qan në shtëpinë tuaj.» Si dhuratë dasme, dhëndri dhe nusja mund të marrin një krevat fëmijësh. Vjehrrat e shikojnë me vëmendje kalendarin. Nëse nusja nuk është shtatzënë brenda një viti ose aty afër, ato zhbirojnë për të parë nëse ka ndonjë problem për të cilin mund të ndihmojnë ta zgjidhin.
Për shumë nëna, arsyeja për të cilën një çift martohet është që të kenë fëmijë dhe të vazhdojnë linjën familjare. Mamaja e Folës i tha: «Nëse nuk dëshiron të kesh fëmijë, përse u martove atëherë? Dikush të lindi ty, prandaj ti duhet të lindësh fëmijët e tu.»
Veç kësaj, duhen marrë në shqyrtim edhe çështjet praktike. Në shumë kombe afrikane, ka pak masa qeveritare për t’u kujdesur për të moshuarit. Zakonisht, janë fëmijët që kujdesen për prindërit e tyre të moshuar, pikërisht si prindërit kujdeseshin për ta kur ishin të vegjël. Prandaj, mamaja e Folës arsyetonte se, nëse fëmijët e saj nuk do të kishin fëmijë, në vitet e vonshme, do të rrezikonin të mbeteshin të vetëm, të padëshiruar dhe të varfëruar, duke mos pasur asnjë që t’i varrosë kur të vdesin.
Në pjesën më të madhe të Afrikës, të mos kesh fëmijë konsiderohet një mallkim. Në disa
zona, madje, nga gratë pritet që të japin prova të aftësisë për të pasur fëmijë, para se të martohen. Shumë gra që nuk kanë mundësi të bëjnë fëmijë kërkojnë me ngulm ilaçe dhe kura, në përpjekje për të ndryshuar gjendjen e tyre shterpë.Duke pasur parasysh këto qëndrime, për çiftet e martuara që vullnetarisht nuk kanë fëmijë mendohet se po i heqin vetes diçka të mirë. Shpesh, të tjerët i konsiderojnë të çuditshëm, dritëshkurtër e për t’u mëshiruar.
Gëzim dhe përgjegjësi
Populli i Jehovait e di se, ndonëse rritja e fëmijëve sjell gëzim, ajo sjell edhe përgjegjësi. Bibla, te 1 Timoteut 5:8, thotë: «Pa dyshim, nëse dikush nuk siguron gjërat e nevojshme për të vetët e sidomos për ata që janë anëtarë të shtëpisë së tij, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një njeri pa besim.»
Prindërit duhet të sigurojnë për familjet e tyre si nga ana materiale, ashtu edhe nga ana frymore dhe kjo kërkon kohë dhe përpjekje të konsiderueshme. Ata nuk kanë qëndrimin që, meqë Perëndia i siguron fëmijët, i lihet Perëndisë kujdesi për ta. E kuptojnë se t’i rritësh fëmijët sipas parimeve të Biblës është një përgjegjësi në kohë të plotë që Perëndia ua ka caktuar prindërve, jo diçka që duhet t’u lihet të tjerëve.—Ligji i përtërirë 6:6, 7.
Detyra e rritjes së fëmijëve është veçanërisht e vështirë në këto ‘ditë të fundit’ me «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1-5) Përveç kushteve ekonomike që po keqësohen, paperëndishmëria në rritje e shoqërisë e shton sfidën e rritjes së fëmijëve sot. Megjithatë, anembanë botës, shumë çifte të krishtere e kanë marrë përsipër këtë sfidë dhe po rritin me sukses fëmijë të perëndishëm, «në disiplinën dhe rregullin mendor të Jehovait». (Efesianëve 6:4) Jehovai i do dhe i bekon këta prindër për mundin e tyre.
Përse disa mbeten pa fëmijë?
Nga ana tjetër, shumë çifte të krishtere nuk kanë fëmijë. Disa nuk bëjnë dot, por, gjithsesi, nuk adoptojnë fëmijë. Çifte të tjera që e kanë aftësinë për të pasur pasardhës, vendosin vetë të mos kenë. Nuk është se këto çifte mbeten pa fëmijë ngaqë shmangin përgjegjësinë ose kanë frikë të përballojnë sfidat e të qenët prind. Përkundrazi, kanë vendosur t’ua kushtojnë plotësisht vëmendjen aspekteve të ndryshme të shërbimit të plotkohor, që rritja e fëmijëve nuk do t’ua lejonte. Disa shërbejnë si misionarë. Të tjerët i shërbejnë Jehovait në veprën udhëtuese ose në Bethel.
Si të gjithë të krishterët, ata e kuptojnë se ka një vepër urgjente për të bërë. Jezui tha: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» Kjo vepër po kryhet sot. Është një vepër jetësore, sepse «fundi» do të nënkuptojë shkatërrimin e atyre që nuk ia kanë vënë veshin lajmit të mirë.—Mateu 24:14; 2 Selanikasve 1:7, 8.
Koha jonë është e ngjashme me periudhën kur Noeja dhe familja e tij ndërtuan arkën gjigante që i ruajti gjatë Përmbytjes së madhe. (Zanafilla 6:13-16; Mateu 24:37) Ndonëse që të tre djemtë e Noes ishin të martuar, asnjëri prej tyre nuk pati fëmijë deri pas Përmbytjes. Një arsye për këtë mund të ketë qenë se këto çifte donin t’i kushtonin vëmendje dhe energji të plotë veprës që po kryhej. Një arsye tjetër mund të ketë qenë mosdashja për të pasur fëmijë në një botë të degjeneruar e të dhunshme, ku «ligësia e njerëzve ishte e madhe . . . dhe tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë».—Zanafilla 6:5.
Ndonëse kjo nuk nënkupton se është e gabuar të kesh fëmijë sot, shumë çifte të krishtere vendosin të mos kenë fëmijë, për të qenë më plotësisht të angazhuar në veprën urgjente që Jehovai i ka dhënë popullit të tij. Disa çifte kanë pritur ca kohë para se të kenë fëmijë, të tjerë kanë vendosur të mbeten pa fëmijë dhe të marrin në konsideratë mundësinë për të pasur fëmijë në botën e re të drejtë të Jehovait. A është kjo një perspektivë dritëshkurtër? A po humbin diçka në jetë? A janë për t’u mëshiruar?
Jetë të sigurt e të gëzuar
Deli dhe Fola, të përmendur më parë, tani kanë më shumë se dhjetë vjet që janë martuar dhe janë të vendosur të vazhdojnë pa fëmijë. «Të afërmit ende na bëjnë presion për të pasur fëmijë,—thotë Deli.—Shqetësimi i tyre kryesor është siguria jonë e ardhme. U shprehim gjithnjë çmueshmëri për konsideratën e tyre, por me takt u shpjegojmë se jemi shumë të lumtur me atë që po bëjmë. Sa për sigurinë, u theksojmë se ne kemi besim te Jehovai, i cili kujdeset për mirëqenien e të gjithë atyre që i mbeten besimplotë e besnikë. Gjithashtu, u shpjegojmë se të kesh fëmijë nuk garanton që prindërit do të kenë kujdesin e tyre kur të plaken. Disa njerëz nuk kujdesen shumë për prindërit e tyre të moshuar, të tjerë nuk kanë mundësi të ndihmojnë dhe të tjerë akoma vdesin para prindërve të tyre. Nga ana tjetër, e ardhmja jonë është e sigurt me Jehovain.»
Deli dhe të tjerë si ai besojnë të sigurt në premtimin që Jehovai u bën shërbëtorëve të tij besimplotë: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.» (Hebrenjve 13:5) Ata, gjithashtu, besojnë se «dora e Zotit nuk është tepër e shkurtër për të shpëtuar, as veshi i tij nuk është tepër i rënduar për të dëgjuar».—Isaia 59:1.
Një arsye tjetër për siguri vjen kur vërehet si i mbështet Jehovai shërbëtorët e tij besimplotë. Mbreti David shkroi: «Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur.» Mendoni për këtë. A njihni ndonjë shërbëtor besimplotë të Jehovait që është «braktisur»?—Psalmi 37:25.
Në vend që të shohin të kaluarën me keqardhje, ata që e kanë kaluar jetën duke i shërbyer Jehovait dhe të bashkëkrishterëve meditojnë për të me kënaqësi. Vëllai Iro Umah ka qenë në shërbimin e plotkohor për 45 vjet dhe tani shërben si mbikëqyrës udhëtues në Nigeri. Ai thotë: «Ndonëse unë dhe gruaja ime nuk kemi fëmijë, mbajmë në mendje se Jehovai është kujdesur gjithnjë për ne, si nga ana frymore, ashtu edhe nga ana materiale. Nuk na ka munguar asgjë. Ai nuk do të na braktisë, ndërsa plakemi më shumë. Këto vite në shërbimin e plotkohor kanë dalë vitet më të lumtura të jetës sonë. Jemi mirënjohës që mund t’u shërbejmë vëllezërve dhe ata e çmojnë shërbimin tonë e na ndihmojnë.»
Ndonëse shumë çifte nuk kanë pasur fëmijë vetë, kanë bërë fëmijë të një lloji tjetër: dishepuj të krishterë që adhurojnë Jehovain. Apostulli Gjon ishte rreth 100 vjeç kur shkroi: «Nuk kam shkak më të madh për mirënjohje, sesa të dëgjoj që bijtë e mi vazhdojnë të ecin në të vërtetën.» (3 Gjonit 4) Besnikëria e ‘bijve’ të Gjonit, e atyre që u mësoi «të vërtetën», i solli atij shumë gëzim.
I njëjti gëzim është me bollëk sot. Bernisa, një nigeriane, ka 19 vjet që është martuar dhe ka zgjedhur të mos ketë fëmijë. Për 14 vjetët e kaluar ka shërbyer si pioniere. Ndërsa i afrohet kohës së jetës kur nuk do të ketë më mundësi për të pasur fëmijë të sajët, ajo nuk ndien asnjë keqardhje që ia ka kushtuar jetën bërjes së dishepujve. Thotë: «Ndihem e lumtur kur shoh fëmijët e mi frymorë që rriten. Edhe po të kisha fëmijë të mitë, dyshoj se do të ishin më të afërt sesa ata që kam ndihmuar për të mësuar të vërtetën. Më trajtojnë sikur të isha nëna e tyre natyrore, duke diskutuar me mua gëzimet dhe problemet e tyre dhe duke më kërkuar këshilla. Më shkruajnë letra dhe bëjmë vizita te njëri-tjetri.
Disa e konsiderojnë një mallkim të mos kesh fëmijë të tutë. Thonë se do të vuash kur të plakesh. Por unë nuk e konsideroj ashtu. E di se për sa kohë që do t’i shërbej Jehovait me gjithë shpirt, ai do të më shpërblejë dhe do të kujdeset për mua. Nuk do të më hedhë asnjëherë tej kur të plakem.»
Perëndia i do dhe i vlerëson
Ata që kanë lindur dhe kanë rritur fëmijë që «vazhdojnë të ecin në të vërtetën» kanë shumë arsye për të qenë mirënjohës. Nuk habitemi që Bibla thotë: «Babai i të drejtit do të gëzohet shumë; kush ka lindur një të urtë do t’ia ndiejë gëzimin. Le të gëzohet ati yt dhe nëna jote dhe le të gëzohet ajo që të ka lindur.»—Fjalët e urta 23:24, 25.
Ata të krishterë që nuk kanë pasur gëzimin të sjellin në jetë fëmijë, janë bekuar në mënyra të tjera. Shumë nga këto çifte kanë luajtur një rol jetësor për të çuar më tej interesat e Mbretërisë, në një masë të madhe. Gjatë viteve, kanë fituar përvojë, mençuri dhe aftësi që i mundësojnë t’i bëjnë kontribut të vlefshëm veprës së Mbretërisë. Shumë janë në ballë të veprës.
Ndonëse kanë mbetur pa fëmijë për hir të interesave të Mbretërisë, Jehovai i ka bekuar ata me një familje të dashur frymore që i çmon thellësisht sakrificat që kanë bërë. Është siç tha Jezui: «Nuk ka njeri që të ketë lënë [fjalë për fjalë, «të lërë të ikin»] shtëpi, ose vëllezër, ose motra, ose nënë, ose baba, ose fëmijë, ose ara për hirin tim dhe për hir të lajmit të mirë, që tani në këtë periudhë kohe të mos marrë njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë dhe ara . . . dhe në sistemin që po vjen, jetë të përhershme.»—Marku 10:29, 30.
Sa të çmuar janë për Jehovain të gjithë ata që janë besimplotë! Që të gjithë këta besnikë, si ata që kanë fëmijë, ashtu edhe ata që nuk kanë, apostulli Pavël i siguron: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij, duke qenë se u keni shërbyer të shenjtëve dhe vazhdoni të shërbeni.»—Hebrenjve 6:10.
[Shënimi]
^ par. 2 Emrat janë ndryshuar.
[Figurat në faqen 23]
Çiftet pa fëmijë janë bekuar me një familje të dashur frymore