Përse të jemi të arsyeshëm në atë që presim?
Përse të jemi të arsyeshëm në atë që presim?
SHPRESAT e plotësuara dhe aspiratat e realizuara na japin një ndjenjë kënaqësie. Por, duhet ta pranojmë se shumë nga ëndrrat dhe pritjet tona nuk dalin ashtu si dëshirojmë. Zhgënjimet e përsëritura në jetë mund të na bëjnë të ndihemi të dëshpëruar me veten e, madje, edhe me të tjerët. Një njeri i mençur bëri një vërejtje me vend: «Pritja e zgjatur e ligështon zemrën.»—Fjalët e urta 13:12.
Cilët janë disa faktorë që mund të çojnë në ndjenja zhgënjimi? Si mund të përpiqemi të jemi të arsyeshëm në atë që presim? Më tej, përse është në dobinë tonë të bëjmë kështu?
Pritje dhe zhgënjime
Me ritmin e shpejtë të jetës sot, sa më shumë të përpiqemi që të mos mbetemi prapa, aq më shumë duket se dështojmë. Kërkesat për kohën dhe për energjinë tonë mund të jenë të vazhdueshme dhe, kur nuk arrijmë të bëjmë atë që kishim synim, kemi prirjen të dënojmë vetveten. Madje, mund të fillojmë të ndihemi sikur po i zhgënjejmë të tjerët. Sinthia, një bashkëshorte dhe nënë që i njeh presionet e përballuara nga prindërit, thotë: «Dëshpërohem shumë kur mendoj se nuk jam e qëndrueshme në korrigjimin e fëmijëve të mi dhe kur e ndiej se nuk po i stërvit siç duhet.» Stefania, një adoleshente, thotë për arsimimin e saj: «Nuk kam mjaft kohë për të bërë të gjitha gjërat që dua dhe kjo bën që të më lindin ndjenja padurimi.»
Kur presim shumë, në mënyrë të paarsyeshme, kjo kthehet me lehtësi në një mani për përsosmëri dhe një gjë e tillë mund të jetë shumë dëshpëruese. Beni, një i ri i martuar, pranon: «Kur shqyrtoj veprimet, mendimet ose ndjenjat e mia, vërej gjithnjë se si mund të kishin qenë më mirë. Jam gjithnjë në kërkim të përsosmërisë dhe kjo çon në padurim, dëshpërim dhe zhgënjim.» Geili, një grua e krishterë, thotë: «Mendimet që të krijon mania për përsosmëri nuk i marrin parasysh dështimet. Dëshirojmë të jemi supernëna dhe supergra. Na duhet të jemi shumë produktive që të jemi të lumtura, prandaj përpjekjet e çuara dëm na acarojnë.»
Një faktor tjetër që mund të çojë në zhgënjim është rënia nga shëndeti dhe mosha e shkuar. Pakësimi i lëvizshmërisë dhe i energjisë i zmadhon kufizimet tona dhe i shton ndjenjat e dëshpërimit. «Ndihesha e paduruar me veten që nuk kisha më mundësi të bëja gjërat që ishin kaq të lehta e normale, para se të sëmuresha»,—pranon Elizabeta.
Rastet e sipërpërmendura janë shembuj që tregojnë çfarë mund të nxitin ndjenjat e zhgënjimit. Po të lihen pa u kontrolluar, këto ndjenja mund të na bëjnë të besojmë, madje, se të tjerët nuk na çmojnë. Prandaj, çfarë masash pozitive mund të marrim për të përballuar zhgënjimet dhe për të kultivuar pritje të arsyeshme?
Mënyra për të kultivuar pritje të arsyeshme
Së pari, kujtoni se Jehovai është i arsyeshëm dhe na kupton. Te Psalmi 103:14, na thuhet: «Ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur.» Duke i njohur aftësitë dhe kufizimet tona, Jehovai pret nga ne vetëm atë që jemi në gjendje të japim. E, një gjë që na kërkon është ‘të jemi modestë në ecjen me Perëndinë tonë’.—Mikea 6:8, BR.
Gjithashtu, Jehovai na nxit që t’i drejtohemi në lutje. (Romakëve 12:12; 1 Selanikasve 5:17) Por, si na ndihmon kjo? Lutja stabilizon dhe ekuilibron mendimet tona. Lutja e zjarrtë është një shenjë pranimi se kemi nevojë për ndihmë, një shenjë modestie dhe përulësie. Jehovai është i gatshëm t’u përgjigjet lutjeve tona, duke na dhënë frymën e tij të shenjtë, frytet e së cilës përfshijnë dashurinë, mirëdashjen, mirësinë dhe vetëkontrollin. (Luka 11:13; Galatasve 5:22, 23) Gjithashtu, lutja e lehtëson ankthin dhe dëshpërimin. Nëpërmjet lutjes, thotë Elizabeta, «gjeni ngushëllimin që nuk jua jep dot asnjë burim tjetër». Kevini është i një mendjeje: «Lutem që të kem një zemër të qetë dhe një mendje të kthjellët, në mënyrë që ta përballoj një problem. Jehovai nuk më lë kurrë në baltë.» Apostulli Pavël e njihte vlerën e çmuar të lutjes. Ja përse ai rekomandoi: «Në çdo gjë, kërkesat tuaja le t’i bëhen të njohura Perëndisë me lutje dhe përgjërime, bashkë me dhënie falënderimesh; dhe paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemrat tuaja dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.» (Filipianëve 4:6, 7) Po, komunikimi me Jehovain bën vërtet punë për të na ndihmuar që të kultivojmë pritje të arsyeshme për veten dhe për të tjerët.
Gjithsesi, në ndonjë rast na duhet sigurim i menjëhershëm. Një fjalë në kohën e duhur është e mirë. Biseda konfidenciale me një mik të pjekur e të besuar mund të na ndihmojë të marrim një pikëpamje tjetër për atë që po na shkakton të ndihemi të zhgënjyer ose në ankth. (Fjalët e urta 15:23; 17:17; 27:9) Të rinjtë që luftojnë me zhgënjimet mësojnë se, duke kërkuar këshilla nga prindërit, ndihmohen të gjejnë ekuilibrin. Kandi pranon me çmueshmëri: «Drejtimi i dashur nga prindërit më ka bërë më të arsyeshme e më të ekuilibruar, si edhe të jem një shoqëri më e këndshme për të tjerët.» Tamam, përkujtuesi te Fjalët e urta 1:8, 9 është shumë i kohës: «Dëgjo, o biri im, mësimet e atit tënd dhe mos i lër pas dore mësimet e nënës sate, sepse janë një nur që zbukuron kokën tënde dhe një stoli në qafën tënde.»
Pasojat e mendimeve që të krijon mania për përsosmëri, përmblidhen mirë në proverbin: «Të presësh që jeta të të përshtatet sipas planeve të hollësishme që ke bërë, do të thotë ta kërkosh vetë dëshpërimin.» Për të shmangur këtë, kërkohet një ndreqje në mënyrën e të menduarit. Përulësia dhe modestia, domethënë, një pikëpamje realiste për kufizimet tona, do të ushqejë me siguri te ne pritje të ekuilibruara dhe të arsyeshme. Në mënyrë të përshtatshme, te Romakëve 12:3 paralajmërohemi që ‘të mos mendojmë për veten më shumë sesa duhet të mendojmë’. Përveç kësaj, te Filipianëve 2:3 inkurajohemi që të kemi përulësi mendjeje dhe që t’i konsiderojmë të tjerët më të lartë se veten.
Elizabeta, e përmendur më sipër, ishte e paduruar me veten, për shkak të sëmundjes që kishte. Për të, nevojitej kohë që të kuptonte pikëpamjen e Jehovait për gjërat dhe të ndihej e ngushëlluar duke e ditur se ai nuk e harron shërbimin tonë. Kolini është i paralizuar si pasojë e një sëmundjeje dobësuese. Fillimisht, mendonte se shërbimi i tij ishte pothuajse i pavlefshëm në krahasim me atë që kishte bërë kur kishte qenë mirë me shëndet. Duke medituar për shkrime të tilla, si 2 Korintasve 8:12, ai qe në gjendje të lirohej nga këto ndjenja. Në këtë varg thuhet: «Nëse ekziston së pari gatishmëria, kjo është veçanërisht e pranueshme sipas asaj që një njeri ka, jo sipas asaj që nuk ka.» «Ndonëse kam shumë më pak për të dhënë,—thotë Kolini,—jam ende në gjendje të jap, dhe kjo është e pranueshme për Jehovain.» Te Hebrenjve 6:10, na kujtohet: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij.»
Atëherë, si mund ta përcaktojmë nëse pritjet tona janë të arsyeshme apo jo? Pyetni veten: ‘A shkojnë pritjet e mia paralelisht me pritjet e Perëndisë?’ Te Galatasve 6:4 thuhet: «Secili le të tregojë me prova se si është vepra e tij dhe atëherë do të ketë shkak për ngazëllim vetëm në lidhje me vetveten dhe jo në krahasim me personin tjetër.» Kujtoni, Jezui tha: «Zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.» Po, si të krishterë, ne kemi vërtet një zgjedhë për të mbajtur, por ajo është «e këndshme» dhe «e lehtë» dhe Jezui premtoi se do të ishte freskuese nëse mësojmë ta mbajmë siç duhet.—Mateu 11:28-30.
Pritjet e arsyeshme sjellin shpërblime
Kur dëgjojmë dhe zbatojmë këshillat e Fjalës së Perëndisë duke punuar për të kultivuar pritje të arsyeshme, vijnë bekime të menjëhershme dhe të qëndrueshme. Pikësëpari, kjo ka një efekt të mirë fizik te ne. Xheniferi, e cila ka nxjerrë dobi nga përkujtuesit e Jehovait, e pranon: «Kam më shumë energji dhe entuziazëm për jetën.» Në mënyrë të përshtatshme, te Fjalët e urta 4:21, 22, kemi nxitjen që t’u kushtojmë kujdes thënieve të Jehovait me sy e me zemër, «sepse janë jetë për ata që i gjejnë, shërim për të gjithë trupin e tyre».
Një shpërblim tjetër është mirëqenia mendore dhe emocionale. «Kur e mbaj mendjen dhe zemrën të hapur ndaj Fjalës së Perëndisë, provoj se jam gjithnjë një person më i lumtur»,—thotë Tereza. Vërtet, do të përjetojmë përsëri zhgënjime në jetë. Megjithatë, do të jemi në gjendje t’i mbajmë më me lehtësi. «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve»,—nxitemi te Jakovit 4:8. Gjithashtu, Jehovai premton të na forcojë për të përballuar sfidat e jetës dhe të na bekojë me paqe.—Psalmi 29:11.
Të kemi pritje të arsyeshme na jep mundësi të mbajmë qëndrueshmërinë frymore. Edhe ky është një bekim. Mund të mbajmë një përqendrim të qartë në gjërat më të rëndësishme në jetë. (Filipianëve 1:10) Atëherë, synimet tona do të jenë realiste dhe të arritshme dhe kjo do të sjellë gëzim dhe kënaqësi më të madhe. Do të jemi më të gatshëm t’ia besojmë veten Jehovait, duke e ditur se ai do t’i bëjë gjërat të dalin për të mirën tonë. «Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur»,—thotë Pjetri. (1 Pjetrit 5:6) A mund të ketë diçka më shpërblyese sesa të na nderojë Jehovai?
[Figurat në faqen 31]
Kultivimi i pritjeve të arsyeshme mund të na ndihmojë të përballojmë dëshpërimet dhe zhgënjimet