Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Respekti për autoritetin: Përse është thelbësor?

Respekti për autoritetin: Përse është thelbësor?

Respekti për autoritetin: Përse është thelbësor?

KUSH nuk është mirënjohës që policia ka autoritet për të arrestuar kriminelët që na vjedhin zotërimet ose na kërcënojnë familjet? Gjithashtu, a nuk e çmojmë faktin që gjykatat kanë autoritet për t’i ndëshkuar kriminelët, me qëllim që të mbrojnë shoqërinë njerëzore?

Mund të na vijnë në mend edhe shërbime të tjera të dobishme publike, si mirëmbajtja e rrugëve, shëndetësia dhe arsimimi, të cilat paguhen zakonisht nga taksat që vë autoriteti qeveritar. Të krishterët e vërtetë janë të parët që e pranojnë se respekti për autoritetin e emëruar siç duhet, është thelbësor. Por, deri ku shkon ky respekt? Gjithashtu, në cilat fusha të jetës kërkohet respekt për autoritetin?

Autoriteti në shoqëri

Bibla u thotë të gjithë njerëzve, besimtarë a jobesimtarë qofshin, ta respektojnë autoritetin civil, i cili punon për të mirën e shoqërisë. Apostulli i krishterë Pavël u shkroi për këtë bashkëbesimtarëve të tij në Romë dhe është e dobishme t’i shqyrtojmë fjalët e tij të dokumentuara te Romakëve 13:1-7.

Pavli ishte qytetar romak dhe Roma në atë kohë ishte fuqia botërore. Letra e Pavlit, e shkruar rreth vitit 56 të e.s., i këshillonte të krishterët të ishin qytetarë model. Ai shkroi: «Çdo shpirt le të jetë i nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta, sepse nuk ka autoritet veçse nga Perëndia; autoritetet ekzistuese janë vendosur në pozitat e tyre relative nga Perëndia.»

Këtu Pavli shpjegon se nuk do të ekzistonte asnjë autoritet njerëzor, po të mos e lejonte Perëndia. Në këtë kuptim, autoritetet më të larta kanë një pozitë relative brenda strukturës së qëllimit të Perëndisë. Prandaj, rrjedhimisht «ai që kundërshton autoritetin i është kundërvënë rregullit të Perëndisë».

Ndërkohë që qytetarët të cilët bëjnë të mira mund të marrin lavdërime nga autoritetet më të larta, këto autoritete kanë fuqinë edhe për të ndëshkuar keqbërësit. Ata që praktikojnë të keqen kanë arsye të shumta për t’iu frikësuar të drejtës së autoriteteve që të veprojnë si «një hakmarrës», pasi qeveritë e bëjnë këtë si «shërbëtor i Perëndisë».

Pavli e mbyll arsyetimin e tij duke thënë: «Prandaj, keni arsye detyruese për të qenë të nënshtruar, jo vetëm për shkak të atij zemërimi, por edhe për shkak të ndërgjegjes suaj. Sepse për këtë arsye paguani edhe taksa; pasi ata janë shërbëtorë publikë të Perëndisë, që i shërbejnë vazhdimisht pikërisht këtij qëllimi.»

Përgjegjësia për administrimin e taksave bie mbi autoritetet më të larta, jo mbi taksëpaguesin. Si qytetar i ndershëm, një i krishterë mban ndërgjegje të mirë. Ai e di se duke iu nënshtruar autoriteteve më të larta dhe duke paguar taksat e duhura, jo vetëm që po mbështet normën e shoqërisë në të cilin jeton, por edhe po jeton në harmoni me kërkesat hyjnore.

Familja dhe autoriteti

Ç’të themi për autoritetin në familje? Në ditët e para të jetës, një foshnjë kërkon vazhdimisht vëmendjen e të tjerëve, duke qarë ose edhe duke bërtitur. Por, një prind i mençur e dallon cilat janë nevojat e vërteta të foshnjës dhe nuk lejon që nervozizmi i çastit të diktojë. Disa fëmijëve, ndërsa rriten, u lihet dorë e lirë dhe lejohen t’i vendosin vetë normat e tyre. Duke qenë se u mungon përvoja, ata mund të përfshihen në krime ose në keqbërje të tjera, duke shkatërruar si familjen, ashtu edhe shoqërinë në tërësi, siç e dinë fare mirë shumë autoritete lokale.

«Prindërit kujtohen tepër vonë për të disiplinuar fëmijët e tyre,​—thotë Rozalinda Majls, autore e librit Children We Deserve.​—Koha për të filluar është kur lind një foshnjë.» Nëse që nga fillimi prindërit flasin me zërin e një autoriteti dashamirës dhe të dashur, dhe janë konsekuentë në veprimet e tyre, fëmijët do ta mësojnë shpejt ta pranojnë atë autoritet dhe disiplinën e dashur që vjen prej tij.

Bibla përmban shumë informacione për autoritetin në familje. Në librin e Fjalëve të urta, njeriu i mençur Solomon e tërheq vëmendjen drejt unitetit që duhet të kenë para fëmijëve prindërit me druajtje Perëndie, duke thënë: «Dëgjo, o biri im, mësimet [disiplinën, BR] e atit tënd dhe mos i lër pas dore mësimet e nënës sate.» (Fjalët e urta 1:8) Kur prindërit e mbajnë atë lloj solidariteti të arsyeshëm para fëmijëve, këta të fundit e dinë çfarë pritet prej tyre. Ata mund të përpiqen ta vënë njërin prind kundër tjetrit për të bërë që të dalë e tyrja, por autoriteti i bashkuar prindëror është një mbrojtje për të rinjtë.

Bibla shpjegon se burri ka përgjegjësinë kryesore për mirëqenien frymore jo vetëm të fëmijëve, por edhe të gruas së tij. Kjo përshkruhet si kryesi. Si duhet ushtruar kjo kryesi? Pavli e thekson se, ashtu si Krishti është Kreu i kongregacionit, po ashtu burri është kreu i gruas së tij. Pastaj, Pavli shton: «Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin [nusen e tij qiellore] dhe dorëzoi veten e vet për të.» (Efesianëve 5:25) Kur një burrë ndjek shembullin e Jezuit dhe e ushtron kryesinë në mënyrë të dashur, do të fitojë ‘respektin e thellë’ të gruas së tij. (Efesianëve 5:33) Në një familje të tillë, edhe fëmijët do ta kuptojnë vlerën e autoritetit të dhënë nga Perëndia dhe do të inkurajohen për ta pranuar atë.​—Efesianëve 6:1-3.

Si mund ta përballojnë këtë çështje prindërit e vetëm, duke përfshirë këtu edhe ata të cilëve u ka vdekur bashkëshorti? Qofshin baballarë a nëna, ata mund t’i drejtohen drejtpërdrejt autoritetit të Perëndisë Jehova dhe të Jezu Krishtit. Jezui foli gjithnjë me autoritet: me autoritetin e Atit të tij dhe me atë të Shkrimeve të frymëzuara.​—Mateu 4:1-10; 7:29; Gjoni 5:19, 30; 8:28.

Bibla siguron një bollëk me parime të vlefshme, të cilat lidhen me problemet që përballojnë fëmijët. Duke i gjetur këto parime dhe duke i ndjekur ato, një prind do të jetë në gjendje t’u sigurojë fëmijëve këshilla të dashura dhe të dobishme. (Zanafilla 6:22; Fjalët e urta 13:20; Mateu 6:33; 1 Korintasve 15:33; Filipianëve 4:8, 9) Gjithashtu, prindërit mund t’i referohen materialit të bazuar në Bibël, të hartuar veçanërisht për t’i ndihmuar ata që t’i stërvitin fëmijët për të kuptuar dobitë që vijnë kur respektojnë autoritetin e Shkrimeve. *

Kongregacioni i krishterë dhe autoriteti

«Ky është Biri im, i dashuri, të cilin unë e kam miratuar; dëgjojeni.» (Mateu 17:5) Këto fjalë, të shprehura nga vetë Perëndia Jehova, vërtetuan faktin që Jezui flet me autoritet hyjnor. Thëniet e tij u dokumentuan në katër tregimet e Ungjijve, të cilat mund t’i shfletojmë me lehtësi.

Tamam përpara se të ngjitej në qiell, Jezui i informoi dishepujt e tij: «Çdo autoritet më është dhënë në qiell dhe në tokë.» (Mateu 28:18) Si Kreu i kongregacionit të tij, Jezui jo vetëm që ka mbajtur një sy vigjilent mbi ithtarët e mirosur në tokë që ndjekin gjurmët e tij, por, që nga derdhja e frymës së shenjtë në Festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s., i ka përdorur, gjithashtu, si kanalin e së vërtetës, si «skllavi i besueshëm dhe i matur». (Mateu 24:45-47; Veprat 2:1-36) Çfarë ka bërë ai për ta kryer të gjithë këtë, me qëllim që të forcojë kongregacionin e krishterë? «Kur u ngjit lart, ai. . . dha dhurata në njerëz.» (Efesianëve 4:8) Këto «dhurata në njerëz» janë pleqtë e krishterë, të cilët emërohen nga fryma e shenjtë dhe u jepet autoriteti për t’u kujdesur për interesat frymore të bashkëbesimtarëve.​—Veprat 20:28.

Për këtë arsye, Pavli këshillon: «Kujtoni ata që marrin drejtimin mes jush, që ju kanë thënë fjalën e Perëndisë dhe ndërsa kundroni përfundimin e sjelljes së tyre, imitoni besimin e tyre.» Meqë këta burra besimplotë ndjekin nga afër hapat e Jezuit, patjetër që është e mençur të imitojmë besimin e tyre. Pastaj, Pavli shton: «Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush dhe jini të nënshtruar, [«duke e pranuar vazhdimisht autoritetin e tyre mbi ju», The Amplified Bible] sepse ata rrinë zgjuar për shpirtrat tuaj si ata që do të japin llogari; që ta bëjnë këtë me gëzim dhe jo me psherëtima, sepse kjo do të ishte në dëmin tuaj.»​—Hebrenjve 13:7, 17.

Çfarë ndodh kur shpërfillet një direktivë e tillë? Disa pjesëtarë të kongregacionit të hershëm të krishterë bënë pikërisht këtë dhe u bënë apostatë. Himeneu dhe Fileti përmenden si burra që e minuan besimin e disave dhe që fjalët boshe të të cilëve ‘dhunonin atë që është e shenjtë’. Një nga pohimet e tyre ishte se ringjallja tashmë kishte ndodhur, me sa duket ose në kuptim frymor, ose në kuptim simbolik, e, prandaj, nuk kishte më ringjallje tjetër në të ardhmen, nën Mbretërinë e Perëndisë.​—2 Timoteut 2:16-18.

Autoriteti i emëruar erdhi në ndihmë. Pleqtë e krishterë qenë në gjendje t’i kundërshtonin argumentime të tilla, sepse, si përfaqësues të Jezu Krishtit, përdorën autoritetin e Shkrimeve. (2 Timoteut 3:16, 17) E njëjta gjë ndodh sot në kongregacionin e krishterë, i cili është përshkruar si «shtylla dhe mbështetja e së vërtetës». (1 Timoteut 3:15) Mësimet e rreme nuk do të lejohen kurrë të prishin «modelin e fjalëve të shëndosha», i cili është ruajtur për ne si një gjë e shkëlqyer që na është lënë në dorëzim brenda faqeve të Biblës.​—2 Timoteut 1:13, 14.

Ndonëse në botë respekti për autoritetin por zhduket me ritme të shpejta, si të krishterë ne e kuptojmë që autoriteti i duhur në shoqëri, në familje dhe në kongregacionin e krishterë është vendosur për dobinë tonë. Respekti për autoritetin është thelbësor për mirëqenien tonë fizike, emocionale dhe frymore. Duke e pranuar dhe duke e respektuar këtë autoritet të dhënë nga Perëndia, do të kemi mbrojtjen e autoriteteve më të mëdha, që janë Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti, për të mirën tonë të përjetshme.​—Psalmi 119:165; Hebrenjve 12:9.

[Shënimi]

^ par. 17 Shih librat Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike dhe Sekreti i lumturisë familjare, që të dyja të botuara nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

[Diçitura në faqen 5]

Bibla përmban shumë informacione për autoritetin në familje

[Figura në faqen 6]

Prindërit e vetëm mund t’i drejtohen drejtpërdrejt autoritetit të Perëndisë Jehova dhe të Jezu Krishtit

[Figurat në faqen 7]

Të krishterët e kuptojnë se autoritetet e duhura në familje, në kongregacionin e krishterë dhe në shoqëri janë vendosur për dobinë e tyre

[Burimi i figurës në faqen 4]

Fotografi nga Xhosh Maths, Koleksion i Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara