A ju kujtohet?
A ju kujtohet?
A jeni kënaqur duke lexuar numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
• Përse mund të jemi të sigurt që përmbushja e profecisë për «qiej të rinj dhe një tokë të re», tek Isaia 65:17-19, përfshinte më shumë se kthimin e judenjve nga robëria?
Sepse apostujt Pjetër dhe Gjon, të cilët shkruan në shekullin e parë të e.s., treguan për një përmbushje të ardhshme, e cila përfshin bekime që ende duhet të vijnë. (2 Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:1-4)—15/4, faqet 10-12.
• Çfarë mund të kenë si bazë mitet e lashta greke për gjysmëperëndi të dhunshëm?
Këto mund të jenë zbukurime dhe shtrembërime të faktit që para Përmbytjes, disa engjëj morën trupa njerëzorë dhe bënë jetë imorale e të dhunshme në tokë. (Zanafilla 6:1, 2)—15/4, faqja 27.
• Cilat janë disa rreziqe ndaj të cilave të krishterët e pjekur duhet të ruhen në dasma?
Është e rëndësishme të shmangen ahengjet e shfrenuara, të cilat mund të zhvillohen nëse alkooli qarkullon tepër lirisht dhe nëse ka kërcime të papërmbajtura me muzikë me volum të lartë. Nëse nuk bëhet e qartë se pritja është për të gjithë, personat e paftuar nuk duhet të marrin pjesë. Dhëndri duhet të sigurohet që të jenë të pranishëm të krishterë përgjegjës deri sa të mbarojë festa, në një orar të arsyeshëm.—1/5, faqet 19-22.
• Çfarë sugjerohet kur, te Psalmi 128:3, përmendet që bijtë janë «si filiza pemësh ulliri» përqark tryezës së një njeriu?
Shpesh, në fund të trungut të një peme ulliri dalin bisqe të reja. Kur trungu kryesor i një peme të vjetër nuk bën më fryte si më parë, bisqet e reja mund të bëhen trungje të forta që e rrethojnë pemën e vjetër. Në mënyrë të ngjashme, prindërit mund të gëzohen që kanë fëmijë të cilët sjellin fryte duke i shërbyer Jehovait përkrah tyre.—15/5, faqja 27.
• Cilat janë disa dobi që marrin fëmijët nga një atmosferë e shëndetshme familjare?
Kjo atmosferë vë themelin për një pikëpamje të shëndetshme rreth autoritetit, për çmueshmërinë e vlerave personale dhe për marrëdhënie miqësore me të tjerët. Gjithashtu, një atmosferë e tillë mund t’i ndihmojë ata që të zhvillojnë miqësi me Perëndinë.—1/6, faqja 18.
• Çfarë u bë në një vend të Lindjes së Largët, për të inkurajuar idenë se të gjithë të krishterët janë vëllezër?
Të gjitha kongregacionet u nxitën që të mos u drejtoheshin disa personave të veçantë me terma nderues. Përkundrazi, që të gjithëve duhet t’u drejtohemi në mënyrë të barabartë si vëllezër.—15/6, faqet 21, 22.
• A pranojnë Dëshmitarët e Jehovait ilaçe që nxirren nga gjaku?
Ne besojmë se urdhri biblik që të ‘përmbahemi nga gjaku’ i përjashton transfuzionet e gjakut komplet ose të përbërësve të tij kryesorë (plazma, rruazat e kuqe, rruazat e bardha dhe pllakëzat). (Veprat 15:28, 29) Për sa u përket fraksioneve që nxirren nga përbërësit kryesorë, çdo i krishterë vendos personalisht, duke mbajtur në mendje atë që thotë Bibla dhe marrëdhënien e tij me Perëndinë.—15/6, faqet 29-31.
• A është vërtet e mundur të gjejmë paqe të brendshme sot?
Po. Nëpërmjet Biblës, Jezu Krishti po i udhëheq njerëzit në udhën e adhurimit të pastër dhe të paqes së përshkruar tek Isaia 32:18. Për më tepër, ata që fitojnë këtë paqe kanë perspektivën për të gëzuar paqe të përhershme në tokë, në përmbushje të Psalmit 37:11, 29.—1/7, faqja 7.
• Çfarë roli pati Xhorxh Jangu në historinë moderne teokratike?
Duke filluar në vitin 1917, ai provoi se ishte një mbajtës drite i lajmit të mirë të Mbretërisë në shumë vende. Shërbimi e çoi në gjithë Kanadanë, në ishujt e Karaibeve, në Brazil dhe në vende të tjera të Amerikës Jugore dhe Amerikës Qendrore, në Spanjë, në Portugali, në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në Shtetet e Bashkuara.—1/7, faqet 22-27.
• Çfarë nënkuptohet te 1 Korintasve 15:29, kur flitet për disa që «pagëzohen me qëllimin që të jenë të vdekur»?
Thelbi është se, kur të krishterët mirosen me frymën e shenjtë, zhyten në një drejtim jete që i çon në vdekje dhe në ringjalljen e mëpasshme në jetën qiellore.—15/7, faqja 17.
• Çfarë bënte apostulli Pavël gjatë periudhës që është përshkruar si vitet e tij të heshtura?
Ndoshta ka ndihmuar për themelimin ose për forcimin e kongregacioneve në Siri dhe në Kiliki. Shumë vështirësi të përmendura te 2 Korintasve 11:23-27 duhet të kenë ndodhur gjatë kësaj periudhe, duke treguar se ai po bënte shërbim aktiv.—15/7, faqet 26, 27.
• Çfarë mund të na ndihmojë që të jemi të arsyeshëm në atë që presim?
Të kujtojmë se Jehovai na kupton. Lutja që i bëjmë atij mund të na ndihmojë të ekuilibrojmë mendimet tona dhe tregon modesti. Një ndihmë e mëtejshme është të fitojmë një pikëpamje tjetër, duke folur me një mik të pjekur.—1/8, faqet 29, 30.