Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mënyra e vetme për ta çrrënjosur urrejtjen

Mënyra e vetme për ta çrrënjosur urrejtjen

Mënyra e vetme për ta çrrënjosur urrejtjen

«Nuk ka urrejtje pa frikë. . . . Ne urrejmë atë që e kemi frikë e, prandaj, atje ku ka urrejtje, ka bërë strehë frika.»​—SIRIL KANËLI, KRITIK LETRAR DHE BOTUES.

SHUMË sociologë besojnë se urrejtja është e rrënjosur thellë në nënvetëdijen e njerëzve. Një specialist në shkencat politike tha se «një pjesë e madhe e urrejtjes mund të jetë, madje, e programuar», e ndërtuar në vetë natyrën e njerëzve.

Është e kuptueshme që studiuesit e natyrës njerëzore të arrijnë në përfundime të tilla. Objektet e vetme që kanë për studim janë burra dhe gra të lindur «në paudhësi» dhe «në mëkat», sipas dokumentimit të frymëzuar të Biblës. (Psalmi 51:5) Edhe vetë Krijuesi, duke hetuar njeriun e papërsosur mijëvjeçarë më parë, «pa që ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë».​—Zanafilla 6:5.

Paragjykimet, diskriminimi dhe urrejtja që vjen si pasojë, janë produkte të papërsosmërisë së trashëguar dhe të egoizmit të njeriut. (Ligji i përtërirë 32:5) Mjerisht, asnjë organizatë ose qeveri njerëzore, cilado qoftë politika e saj, nuk ka qenë në gjendje që t’i detyrojë me ligj njerëzit të ndryshojnë zemrën e tyre për këto çështje. Korrespondentja me jashtë, Johana Mekgeri, vërejti: «Asnjë globokop (polic ndërkombëtar), sado i fuqishëm të jetë, nuk mund të ndërhyjë për t’i zhdukur urrejtjet që e kanë bërë Bosnjën, Somalinë, Liberinë, Kashmirin dhe Kaukazin të mbulohen me gjak.»

Gjithsesi, para se të fillojmë të kërkojmë zgjidhje, duhet të fitojmë një kuptueshmëri bazë për atë që fshihet pas shfaqjeve të urrejtjes.

Urrejtje e ushqyer nga frika

Urrejtja shfaqet në shumë forma e ngjyrime të ndryshme. Shkrimtari Endrju Salivan e përmblodhi bukur çështjen: «Ekziston urrejtja që ka frikë dhe urrejtja që thjesht ndien përbuzje; urrejtja që shpreh pushtet dhe urrejtja që vjen nga mungesa e pushtetit; hakmarrja dhe urrejtja që vjen nga smira. . . . Ekziston urrejtja e shtypësit dhe urrejtja e viktimës. Urrejtja që zien ngadalë dhe urrejtja që shuhet. Ekziston, gjithashtu, urrejtja që shpërthen dhe urrejtja që nuk merr zjarr kurrë.»

Pa dyshim, disa faktorë kryesorë që krijojnë konflikte plot urrejtje në kohën tonë janë shoqërorë dhe ekonomikë. Paragjykime të forta dhe shpërthime urrejtjeje shpesh vërehen në ato zona ku grupi që ka pozitën më të favorizuar ekonomike përbën një pakicë. Gjithashtu, shpesh urrejtja ekziston atje ku standardi i jetesës së një pjese të komunitetit kërcënohet nga një vërshim të huajsh.

Disa mund të mendojnë se këta të sapoardhur do të konkurrojnë për punë, duke punuar për një rrogë më të vogël ose do të bëjnë që të bjerë vlera e pronës. Nëse këto pasiguri janë të justifikuara apo jo, kjo është një çështje tjetër. Frika e humbjes nga ana ekonomike dhe frika se standardi i komunitetit ose i jetesës do të vuajë pasojat, janë faktorë të fuqishëm që nxitin paragjykimin dhe urrejtjen.

Cili duhet të jetë hapi i parë drejt çrrënjosjes së urrejtjes? Një ndryshim në qëndrim.

Të ndryshojmë qëndrimin

«Ndryshimi i vërtetë mund të vijë vetëm nga vullneti i njerëzve të përfshirë»,​—vërejti Mekgeri. Po si mund të ndryshohet vullneti i njerëzve? Përvoja ka treguar se ndikimi më i fuqishëm, më motivues e më i qëndrueshëm kundër zhvillimit të urrejtjes vjen nga Fjala e Perëndisë, Bibla. Kjo sepse «fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi; është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton aq sa ndan shpirtin dhe frymën, nyjat dhe palcën e tyre dhe është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës».​—Hebrenjve 4:12.

Kuptohet, çrrënjosja e paragjykimeve dhe e urrejtjes nuk ndodh vetvetiu dhe as nuk ndodh brenda një nate. Por mund të bëhet. Jezu Krishti, motivuesi i madh i zemrave dhe ai që e bënte të ndjeshme ndërgjegjen e njerëzve, ishte në gjendje t’i nxiste të tjerët që të ndryshonin. Miliona njerëz kanë pasur sukses duke ndjekur këshillën e mençur të Jezu Krishtit: «Vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju persekutojnë.»​—Mateu 5:44.

Në përputhje me mësimet e tij, Jezui përfshiu në grupin e miqve të tij më të besuar Mateun, një ish-taksambledhës, një që kishte qenë i dëbuar e i urryer nga shoqëria judaike. (Mateu 9:9; 11:19) Më tej, Jezui themeloi një mënyrë adhurimi të pastër që përfundimisht do të përfshinte mijëra johebrenj, të cilët më përpara i mënjanonin dhe i urrenin. (Galatasve 3:28) Njerëz nga e gjithë bota që njihej atëherë u bënë ithtarë të Jezu Krishtit. (Veprat 10:34, 35) Këta individë u bënë të njohur për dashurinë e tyre të jashtëzakonshme. (Gjoni 13:35) Kur disa burra të mbushur me urrejtje e gjuajtën me gurë derisa e vranë Stefanin, dishepullin e Jezuit, fjalët e tij të fundit ishin: «O Jehova, mos ua ngarko atyre këtë mëkat.» Stefani donte më të mirën për ata që e urrenin.​—Veprat 6:8-14; 7:54-60.

Të krishterët e vërtetë në ditët moderne i janë përgjigjur në mënyrë të ngjashme këshillës së Jezuit për t’u bërë mirë jo vetëm vëllezërve të tyre të krishterë, po edhe atyre që i urrejnë. (Galatasve 6:10) Ata po punojnë shumë për ta eliminuar urrejtjen keqdashëse nga jeta e tyre. Duke i njohur forcat e fuqishme që mund të bëjnë të lindë urrejtja brenda tyre, ata ndërmarrin veprime pozitive dhe e zëvendësojnë urrejtjen me dashuri. Tamam, siç tha një njeri i mençur i lashtësisë, «urrejtja shkakton grindje, por dashuria mbulon të gjitha fajet».​—Fjalët e urta 10:12.

Apostulli Gjon tha: «Kushdo që urren vëllanë e tij është vrasës dhe ju e dini se tek asnjë vrasës nuk qëndron jeta e përhershme.» (1 Gjonit 3:15) Dëshmitarët e Jehovait e besojnë këtë. Si rezultat, tani ata po bashkohen​—nga çdo prejardhje etnike, kulturore, fetare dhe politike​—në një shoqëri të vetme të bashkuar e të lirë nga urrejtja, një vëllazëri e vërtetë globale.​—Shih kutitë shoqëruese.

Urrejtja do të çrrënjoset!

‘Por,​—mund të thoni ju,​—kjo mund të jetë zgjidhja për njerëzit e përfshirë aty. Sidoqoftë, kjo nuk do ta zhdukë krejtësisht urrejtjen nga toka jonë.’ Vërtet, edhe nëse nuk urreni në zemrën tuaj, mund të jeni, gjithsesi, viktima të urrejtjes. Prandaj, na duhet t’i drejtohemi Perëndisë për zgjidhjen e vërtetë të këtij problemi mbarëbotëror.

Perëndia ka për qëllim që çdo gjurmë e urrejtjes të eliminohet së shpejti nga toka. Kjo do të ndodhë nën sundimin e qeverisë qiellore, për të cilën Jezui na mësoi të lutemi: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë.»​—Mateu 6:9, 10.

Kur kjo lutje të përmbushet plotësisht, kushtet që nxitin urrejtjen nuk do të ekzistojnë më. Situatat që e shfrytëzojnë atë do të jenë eliminuar. Propaganda, padija dhe paragjykimet do të jenë zëvendësuar me ndriçimin, të vërtetën dhe drejtësinë. Atëherë Perëndia vërtet ‘do të ketë tharë çdo lot, vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më’.​—Zbulesa 21:1-4.

Por, tani ka lajme edhe më të mira! Ekzistojnë dëshmi të pakundërshtueshme se po jetojmë në «ditët e fundit». Kështu, mund të jemi të sigurt se shumë shpejt do të përjetojmë zhdukjen e urrejtjes së paperëndishme nga kjo tokë. (2 Timoteut 3:1-5; Mateu 24:3-14) Në botën e re të premtuar të Perëndisë, do të ekzistojë një frymë e sinqertë vëllazërie, sepse njerëzimi do të jetë rivendosur në përsosmëri.​—Luka 23:43; 2 Pjetrit 3:13.

Por, nuk ju duhet të pritni deri atëherë që të gëzoni një vëllazëri të vërtetë. Në fakt, siç ilustrohet në tregimet shoqëruese, dashuria e krishterë ka gjetur tashmë vend në miliona zemra që përndryshe do të ishin të mbushura me urrejtje. Edhe ju jeni të ftuar të bëheni pjesë e kësaj vëllazërie të dashur!

[Kutia në faqen 5]

«Çfarë do të kishte bërë Jezui?»

Në qershor të vitit 1998, tre të bardhë në Teksasin rural, në Shtetet e Bashkuara, sulmuan Xhejms Bërd të Riun, një zezak. E çuan në një zonë të largët e të shkretë, e rrahën dhe ia lidhën këmbët me zinxhirë. Pastaj, e lidhën pas një kamioni dhe e tërhoqën zvarrë për 5 kilometra nëpër rrugë, derisa trupi i tij goditi një nënkalesë betoni. Ky është quajtur krimi më i tmerrshëm i urrejtjes për dekadën (vitet 1990).

Tri motra të Xhejms Bërdit janë Dëshmitare të Jehovait. Si ndihen ato për autorët e këtij krimi të tmerrshëm? Në një deklaratë familjare, ato thanë: «Të të torturojnë dhe të të linçojnë një njeri të dashur prodhon një ndjenjë të paimagjinueshme humbjeje dhe dhembjeje. Si reagohet ndaj këtij akti mizor? Nuk na ka shkuar kurrë nëpër mend hakmarrja, i foluri me urrejtje ose përkrahja e propagandës së nxitur nga urrejtja. Menduam: ‘Çfarë do të kishte bërë Jezui? Si do të kishte reaguar ai?’ Përgjigjja ishte fare e qartë. Mesazhi i tij do të kishte qenë një mesazh paqeje dhe shprese.»

Ndër referimet biblike që i ndihmuan për ta penguar urrejtjen të zhvillohej në zemrën e tyre ishte Romakëve 12:17-19. Apostulli Pavël shkroi: «Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe. . . . Nëse është e mundur dhe aq sa varet prej jush, jini paqësorë me të gjithë. Mos u hakmerrni për veten, o të dashur, por lërini vend zemërimit të Perëndisë; sepse është shkruar: “‘Hakmarrja është e imja, unë do të shpaguaj’,​—thotë Jehovai.”»

Ato vazhduan: «Na kujtohen pohimet realiste që janë bërë në botimet tona se disa padrejtësi ose krime janë kaq të tmerrshme, saqë është më e vështirë të thuash ‘të kam falur’ dhe të harrosh. Në këto raste, falja mund të jetë thjesht të heqim inatin, me qëllim që të vazhdojmë jetën dhe të mos sëmuremi fizikisht ose mendërisht nga inati që na vlon përbrenda.» Sa dëshmi e gjallë e fuqisë që ka Bibla për të parandaluar rrënjosjen e urrejtjes së thellë!

[Kutia në faqen 6]

Armiqësia u kthye në miqësi

Vitet e fundit, mijëra imigrantë kanë vërshuar në Greqi për të kërkuar punë. Gjithsesi, gjendja e keqësuar ekonomike i ka zvogëluar mundësitë për punë dhe kjo e ka intensifikuar luftën për të gjetur punë. Si rezultat i kësaj, ekziston një armiqësi e madhe mes grupeve të ndryshme etnike. Një shembull tipik është rivaliteti midis imigrantëve nga Shqipëria dhe atyre nga Bullgaria. Në shumë zona të Greqisë, midis njerëzve të këtyre dy grupeve është zhvilluar një konkurrencë e ashpër.

Në qytetin Kiato, në verilindje të Peloponezit, një familje bullgare dhe një shqiptar filluan të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe u njohën me njëri-tjetrin. Zbatimi i parimeve biblike e shkriu armiqësinë që ekziston ndërmjet shumë njerëzve nga këto dy grupe etnike. Gjithashtu, i kontribuoi një miqësie të sinqertë vëllazërore ndërmjet këtyre personave. Madje, Ivani, që është bullgar, e ndihmoi Lulin, shqiptarin, që të gjente shtëpi afër të tijës. Dy familjet shpesh ndajnë me njëra-tjetrën ushqimin dhe zotërimet e pakta materiale. Që të dy burrat tani janë Dëshmitarë të pagëzuar të Jehovait dhe bashkëpunojnë ngushtësisht për të predikuar lajmin e mirë. S’ka nevojë të thuhet që kjo miqësi e krishterë nuk kalon pa u vënë re nga fqinjët.

[Figura në faqen 7]

Nën Mbretërinë e Perëndisë, çdo gjurmë e urrejtjes do të eliminohet nga toka