Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Kapitulli 53 i librit të Isaisë përmban një profeci të njohur mesianike. Në vargun 10 thuhet: «Vetë Jehovai gjeti kënaqësi duke e shtypur; e bëri të sëmurë.» Çfarë do të thotë kjo?

Është e lehtë të kuptojmë përse mund të lindë një pyetje për Isainë 53:10. Të krishterët e vërtetë nuk mendojnë se Perëndia ynë i dhembshur dhe i butë do të gjente kënaqësi duke shtypur ose duke sëmurur dikë. Bibla na jep bazën për të qenë të sigurt se Perëndia nuk gjen kënaqësi duke torturuar të pafajshmit. (Ligji i përtërirë 32:4; Jeremia 7:30, 31) Gjatë shekujve, me raste, Jehovai mund ta ketë lejuar vuajtjen për arsye që ishin në harmoni me mençurinë dhe dashurinë e tij. Por, patjetër, nuk shkaktoi që Biri i tij i dashur, Jezui, të vuante. Prandaj, çfarë po thotë në të vërtetë ky fragment?

Mirë, pra, mund të ndihmohemi për të kapur kuptimin, nëse e shqyrtojmë vargun në tërësi, duke vërejtur të dyja herët që përmendet fjala «kënaqësi». Tek Isaia 53:10 lexojmë: «Vetë Jehovai gjeti kënaqësi duke e shtypur; e bëri të sëmurë. Nëse do ta vësh shpirtin e tij si blatim për fajin, ai do të shohë pasardhësit e vet, do të zgjatë ditët e tij dhe në dorën e tij do të ketë sukses ajo që është kënaqësia e Jehovait.»

Mesazhi i përgjithshëm i Biblës tregon se «kënaqësia e Jehovait», e përmendur në fund të vargut, përqendrohet në përmbushjen e qëllimit të tij me anë të Mbretërisë. Duke bërë këtë, Jehovai do të shfajësojë sovranitetin e tij dhe do të bëjë të mundur që nga njerëzimi i bindur të hiqet mëkati i trashëguar, mëkatet tona. (1 Kronikave 29:11; Psalmi 83:18; Veprat 4:24; Hebrenjve 2:14, 15; 1 Gjonit 3:8) Faktori kyç për gjithë këtë është se Biri i Perëndisë duhej të bëhej njeri dhe të siguronte flijimin shpërblyes. Siç e dimë, Jezui vuajti gjatë kësaj përvoje. Bibla na thotë se ai «mësoi bindjen nga ato që vuajti». Prandaj, Jezui mori vërtet dobi nga këto vuajtje.​—Hebrenjve 5:7-9.

Jezui e dinte që më përpara se rruga fisnike që do të ndërmerrte, do të përfshinte edhe agoni. Kjo është e qartë nga fjalët e tij, të dokumentuara te Gjoni 12:23, 24, ku lexojmë: «Ka ardhur ora që Birit të njeriut t’i jepet lavdi. Po, me të vërtetë po ju them se një kokërr gruri, po të mos bjerë përtokë e të vdesë, mbetet vetëm një kokërr; por nëse vdes, atëherë jep shumë fryt.» Po, Jezui e dinte se do t’i duhej të mbante integritetin deri në pikën që do të vdiste. Tregimi vazhdon: «‘Tani, shpirti im është i trazuar e çfarë do të them? O Atë, shpëtomë nga kjo orë. Sidoqoftë, për këtë kam ardhur në këtë orë. Jepi lavdi, o Atë, emrit tënd.’ Atëherë, një zë erdhi nga qielli: ‘Unë i dhashë lavdi dhe do t’i jap lavdi përsëri.’»​—Gjoni 12:27, 28; Mateu 26:38, 39.

Pikërisht në këtë kontekst mund ta kuptojmë Isainë 53:10. Jehovai e dinte mirë se përvoja që do të kalonte Biri i tij do të përfshinte shtypjen në njëfarë kuptimi. Gjithsesi, duke pasur ndër mend të mirën e lavdishme dhe gjithëpërfshirëse që do të vinte si përfundim, Jehovai gjeti kënaqësi në atë që do t’i duhej të përjetonte Jezuit. Në këtë kuptim, Jehovai «gjeti kënaqësi duke e shtypur» ose në shtypjen e Mesisë. Edhe Jezui gjeti kënaqësi në atë që do të mund të kryente dhe që kreu. Vërtet, siç përfundon Isaia 53:10, ‘në dorën e tij pati sukses ajo që është kënaqësia e Jehovait’.