Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A dini se si të pritni?

A dini se si të pritni?

A dini se si të pritni?

A MUND ta imagjinoni sa kohë harxhojnë njerëzit çdo vit vetëm duke pritur? Presin në radhë në një dyqan ose në ndonjë pikë karburanti. Presin që t’u shërbehet në restorant. Presin për të bërë vizitë te mjeku ose te dentisti. Presin autobusët ose trenat. E pra, në jetën e tyre njerëzit kalojnë një sasi të habitshme kohe duke pritur që të ndodhin gjërat. Sipas një përllogaritjeje, vetëm gjermanët humbin 4,7 miliardë orë në vit duke pritur në bllokimet e trafikut. Dikush ka llogaritur se kjo është e barazvlefshme me shumën e jetëgjatësisë së rreth 7000 njerëzve.

Pritja mund të jetë shumë e pakënaqshme. Këto ditë, duket se nuk kemi asnjëherë mjaft kohë për t’i bërë të gjitha gjërat dhe, të mendojmë për të gjitha gjërat e tjera që duhej të ishim duke bërë në atë moment, mund ta bëjë pritjen një sprovë të vërtetë. Autori Aleksandër Rouz një herë tha: «Gjysma e dëshpërimit të jetës është pritja.»

Burri i shtetit, amerikani Benxhamin Franklin, e kuptoi se pritja mund të jetë edhe e kushtueshme. Më shumë se 250 vjet më parë, ai vërejti: «Koha është flori.» Ja përse bizneset kërkojnë mënyra për të shmangur vonesat e panevojshme gjatë proceseve të punës. Më shumë të mira materiale të prodhuara në më pak kohë, mund të nënkuptojnë përfitime më të mëdha. Bizneset që i shërbejnë drejtpërdrejt publikut përpiqen të ofrojnë shërbim të shpejtë​—fast food, veprime bankare direkt që nga makina dhe gjëra të ngjashme​—sepse e dinë që të kënaqësh konsumatorin përfshin të shkurtosh kohën e pritjes.

Harxhojmë jetën kot

Poeti amerikan i shekullit të nëntëmbëdhjetë, Ralf Valdo Emerson, një herë u ankua: «Sa shumë nga jeta jonë humbasim duke pritur!» Në kohët më të fundit, autori Lans Marou u ankua për mërzinë dhe parehatinë fizike që sjell pritja. Por, pastaj foli për «vuajtjen e padukshme të pritjes». Çfarë është kjo? «Dijenia se burimin më të çmuar, kohën, një pjesë të jetës, po ta vjedhin, po humbet e nuk kthehet më.» Fjalë të trishtueshme, por të vërteta. Koha e humbur nga pritja humbet përgjithmonë.

Sigurisht, sikur jeta të mos ishte kaq e shkurtër, pritja do të ishte më pak shkak për shqetësim. Por jeta është e shkurtër. Mijëra vjet më parë, psalmisti biblik komentoi: «Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre nuk është veçse mundim dhe dëshirë për t’u dukur, sepse kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje.» (Psalmi 90:10) Kudo që të jetojmë dhe kushdo që të jemi, jeta jonë​—ditët, orët, minutat që shtrihen para nesh kur lindim​—është e kufizuar. Gjithsesi, nuk mund t’i shmangim situatat ku jemi të detyruar të harxhojmë një pjesë nga ajo kohë e çmuar, duke pritur ngjarjet ose njerëzit.

Të mësojmë se si të presim

Shumicës prej nesh i ka qëlluar të jetë në një makinë me një shofer që vazhdimisht përpiqet të parakalojë makinën që ka përpara. Shpesh, nuk ka ndonjë nevojë të ngutshme, domethënë, shoferi nuk ka ndonjë takim urgjent. Megjithatë, ai nuk duron të rrijë prapa, në mënyrë që lëvizja e tij të diktohet nga një shofer tjetër. Mungesa e durimit tregon se ai nuk ka mësuar se si të presë. Nuk ka mësuar? Po, të dimë se si të presim është një gjë që duhet ta mësojmë. Askush nuk lind me këtë aftësi. Foshnjat kërkojnë vëmendje të menjëhershme kur janë të uritura ose kur nuk ndihen rehat. Vetëm kur rriten pak e kuptojnë se disa herë duhet të presin për të marrë atë që duan. Në fakt, meqë pritja është një pjesë e pashmangshme e jetës, të dimë se si të presim me durim, kur është e nevojshme, është shenjë e pjekurisë së një personi.

Sigurisht, ka situata urgjente kur padurimi është i kuptueshëm. Një bashkëshort i ri që nxiton për ta çuar të shoqen në spital, sepse është duke ardhur në jetë foshnja e tyre, është e natyrshme se do të ishte i paduruar për vonesat. Engjëjt që nxitnin Lotin të dilte nga Sodoma nuk ishin përgatitur të pritnin për vonesën e Lotit. Shkatërrimi ishte shumë i afërt dhe jeta e Lotit dhe e familjes së tij ishte në rrezik. (Zanafilla 19:15, 16) Megjithatë, në shumicën e rasteve, nuk ka ndonjë jetë në rrezik kur njerëzit janë të detyruar të presin. Në ato raste, gjërat do të ishin shumë më të këndshme sikur të gjithë të mësonin që të ishin të duruar, edhe nëse pritja do të ishte shkaktuar nga paaftësia e dikujt ose nga mungesa e interesit. Për më tepër, do ta kishim më të lehtë të ishim të duruar, nëse të gjithë do të mësonin ta kalonin kohën e pritjes në një mënyrë të dobishme. Kutia në faqen 5 ka disa sugjerime për ta bërë pritjen jo vetëm të durueshme, por edhe të dobishme.

Nuk mund të kalohet pa vënë re se një frymë e paduruar mund të tregojë një qëndrim krenar, një ndjenjë se personi është tepër i rëndësishëm e kështu nuk mund të presë. Për këdo që ka këtë qëndrim, fjalët vijuese nga Bibla janë të denja për t’u marrë në konsideratë: «Më mirë ai që ka frymë të durueshme se ai që ka frymë krenare.» (Predikuesi 7:8) Krenaria është një e metë serioze e personalitetit dhe proverbi biblik thotë: «Ai që është zemërkrenar është i neveritshëm për Zotin.» (Fjalët e urta 16:5) Të mësojmë durimin, domethënë, të mësojmë se si të presim, mund të kërkojë që t’i bëjmë një shqyrtim të kujdesshëm vetes dhe marrëdhënieve tona me njerëzit që na rrethojnë.

Durimi do të shpërblehet

Normalisht, e kemi më të lehtë të presim po të jemi të bindur se për atë që po presim ia vlen vonesa dhe se do të vijë vërtet së fundi. Në këtë aspekt, është mirë të meditojmë rreth faktit që të gjithë adhuruesit e vërtetë të Perëndisë po presin përmbushjen e premtimeve të tij të mrekullueshme që i gjejmë në Bibël. Për shembull, në një psalm të frymëzuar në mënyrë hyjnore na thuhet: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.» Këtë premtim e përsëriti apostulli Gjon, kur tha: «Ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë.» (Psalmi 37:29; 1 Gjonit 2:17) Qartë, nëse do të mund të jetonim përgjithmonë, pritja nuk do të ishte një problem i madh. Por tani për tani nuk jetojmë përgjithmonë. A është realiste të flasim për jetën e përhershme?

Para se të përgjigjeni, shqyrtoni që Perëndia i krijoi prindërit tanë të parë me perspektivën për të jetuar përgjithmonë. Vetëm ngaqë mëkatuan, ata e humbën këtë perspektivë për vete dhe për fëmijët e tyre, duke përfshirë edhe ne. Megjithatë, menjëherë pas këtij mëkatimi, Perëndia njoftoi qëllimin e tij për t’i zhbërë pasojat e mosbindjes së tyre. Ai premtoi ardhjen e një ‘fare’ që doli se ishte Jezu Krishti.​—Zanafilla 3:15; Romakëve 5:18.

Nëse si individë do të nxjerrim dobi apo jo nga përmbushja e premtimeve të tij është një vendim që duhet ta marrim ne vetë. Për të bërë këtë do të kërkohet durim. Që të na ndihmojë të mësojmë këtë lloj durimi, Bibla na inkurajon të meditojmë rreth shembullit të një bujku. Ai e mbjell farën dhe nuk ka zgjidhje tjetër veçse të presë me durim, duke bërë atë që mundet për të mbrojtur të mbjellat, derisa të vijë koha e korrjes. Atëherë, durimi i tij shpërblehet, dhe ai shikon frytin e mundit të vet. (Jakovit 5:7) Apostulli Pavël përmend një shembull tjetër durimi. Ai na kujton burrat dhe gratë besnike në lashtësi. Ata mezi pritnin përmbushjen e qëllimeve të Perëndisë, por u duhej të pritnin kohën e caktuar të Perëndisë. Pavli na inkurajon t’i imitojmë këta «që nëpërmjet besimit dhe durimit trashëgojnë premtimet».​—Hebrenjve 6:11, 12.

Po, pritja është një fakt i pashmangshëm i jetës. Por nuk duhet të jetë një burim i vazhdueshëm pakënaqësie. Për ata që po presin përmbushjen e premtimeve të Perëndisë, mund të jetë një burim gëzimi. Ata mund ta mbushin kohën e pritjes duke kultivuar një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë dhe duke bërë vepra që tregojnë besimin e tyre. Gjithashtu, me anë të lutjes, studimit dhe meditimit, mund të kultivojnë një siguri të patundur se çdo gjë që Perëndia ka premtuar do të ndodhë në kohën e duhur.

[Kutia dhe figurat në faqen 5]

ZVOGËLOJENI MËRZINË E PRITJES!

Planifikoni më përpara! Nëse e dini se do t’ju duhet të pritni, merrni masa që të lexoni, të shkruani, të thurni me shtiza, të punoni me grep ose të bëni ndonjë aktivitet tjetër të dobishëm.

Përdoreni kohën për të medituar, gjë që është gjithnjë e më e vështirë në botën tonë që lëviz me të shpejtë.

Mbani ndonjë material leximi afër telefonit për ta përdorur, kur ju thonë të pritni në linjë, sepse për pesë ose dhjetë minuta, mund të lexoni disa faqe.

Kur jeni një grup njerëzish duke pritur, përdoreni rastin, nëse është e përshtatshme, për të filluar biseda me të tjerët dhe për të ndarë mendime ndërtuese me ta.

Mbani një bllok shënimesh ose material leximi në makinë, për periudhat kur ju duhet papritur të pritni.

Mbyllini sytë, çlodhuni ose lutuni.

PRITJA E SUKSESSHME ËSHTË KRYESISHT NJË ÇËSHTJE QËNDRIMI DHE MENDIMI QË MË PËRPARA.